Korrik refugjatesh e boterori

Korrik refugjatesh e boterori
Ditar 2-5 korrik 1990 / Reportazh nga nje dritare prane mureve te ambasadave.


Nga 2 korriku - dita dhe nata e represionit te ashper te makines se diktatures mbi ata qe guxonin te shprehnin kundershtim ndaj rrjedhave "socialiste", te 5 korriku kur shteti yne lejoi kapercimin e mureve te ambasadave dhe deri te dalja e refugjateve nga vendi. Tashme 20 vite kane shkuar nga hyrja masive e njerezve ne ambasadat e huaja ne Tirane, sidomos ne ate gjermane dhe italiane, dhe ngjarjet kane filluar te mjegullohen.

Ishin dite kur askush s'mund te merrte me mend se ç'do te sillte e nesermja dhe vetem nje gje dihej me siguri: Muri i Berlinit kishte rene, ishte shembur dhe gjithe perandoria e Lindjes, ndersa vendet e ish-kampit socialist te Europes kishin kaluar te gjitha nga monopartitizmi, ne sistemin politik pluralist. Kishim mbetur vetem ne qe vazhdonim te perpeliteshim ne ngushticen e botes sone, te izoluar, te mbuluar nga terri i mungeses se informacionit. Media zyrtare bente sikur asgje s'po ndodhte ne vend dhe mundohej te mbulonte ngjarjet e jashtezakonshme, me propagande dhe dezinformim.

Nga 2 korriku - dita dhe nata e represionit te ashper te makines se diktatures mbi ata qe guxonin te shprehnin kundershtim ndaj rrjedhave "socialiste", te 5 korriku kur shteti yne lejoi kapercimin e mureve te ambasadave dhe deri te dalja e refugjateve nga vendi, te mbrojtur nga diplomacia e ketyre shteteve, kaluan dy jave shpresash per ndryshim dhe zhgenjimesh, fjalesh te perhapura goje me goje e pergenjeshtrimesh. Me pas, "e djathta" akuzoi shtetin e Partise se Punes se me ngjarjet e 2 korrikut kishte dashur te zhvleresonte ato qe ndodhnin nderkohe ne Kosove dhe pikerisht miratimin e Deklarates Kushtetuese nga Kuvendi i Kosoves, qe me 2 korrik 1990 e shpalli Kosoven njesi te veçante ne kuader te federates se atehershme jugosllave, hap i domosdoshem para shpalljes se pavaresise.

Per te plotesuar njohurite mbi atmosferen e asaj kohe mbase do sherbenin dhe keto shenime te mbajtura pikerisht ne ato dite te nxehta korriku. Autorja drejton shtepine botuese "Mitrush Kuteli", si nje nga trashegimtaret e vepres se shkrimtarit Dhimiter Pasko. Ne kohen kur mbahej ky ditar, ajo punonte regjisore montazhi ne Kinostudion "Shqiperia e Re".

E hene, 2 korrik 1990, ora 23

Me sa duket, korriku i sivjetem po vjen me ngjarje te medha. Dje dhe sot kam pare (nga dritarja) gjera qe do te kisha deshire t'i ruaja ne kujtese siç i kam tani. Prandaj po ulem t'i shenoj, ne kete kohe qe me mbetet nga punet e nga Boterori i futbollit. Mbreme, ne diten e pare te korrikut, ne oren 22:20, ne kohen e dyte te ndeshjes Angli-Kamerun, papritur, afer fare degjohet nje e shtene revolveri. Pas saj, te shtena te tjera qe vijne nga muri i prapme i Ambasades Gjermane. Ngre perden e dritares se dhomes dhe shikoj neper erresire civile te alarmuar qe vrapojne ne rrugice ne drejtim te "murit gjerman". Nga dritarja e aneksit, ku im shoq, Gjergji, po pi cigare, shikoj tjeter gje: brenda oborrit te ambasades, disa te rinj, mes te cileve nje vajze me floke te gjate e te drejte, ngjitin me vrap shkallet e verandes se "gjermaneve" dhe zhduken pas nje dere. Drita e verandes, qe kish qene e ndezur, u fik. Pas pak sekondash, ngjitin shkallet edhe dy te tjere, qe mbajne per krahesh nje te trete. Ky duket si i plagosur. Bashke me ta u zhduken pas deres dhe gjermanet, qe, siç me tha Gjergji, kishin qene duke pare ndeshjen ne verande.

Ç'kishte ndodhur?

Nje kamion rrangalle kishte ardhur me ngut nga Rruga Gjon Muzaka dhe ishte perplasur me murin gjerman, por s'e kish shembur dot. Nja 10-15 te rinj qe u fol se kishin qene te shtrire mbi mbulesen e karrocerise, ishin hedhur brenda murit, bashke me shoferin te cilin, siç thane, e kish plagosur polici-roje i murit. Te tjeret s'merret vesh ç'u bene. Ca thone i kapen, ca thone iken.

Sot ne mengjes, me 2 korrik, ne pune (Kinostudio) mesova per nje grup njerezish qe kishin hyre ne ambasaden turke me makinen e plehrave. Te tjere thane per ca dasmore, qe, si kishin mbaruar dasmen, kishin hyre po ne ambasaden turke. Me sa duket ishte e njejta ngjarje... Pasdite, rreth ores 19.10, ndersa po beheshim gati per te dale nga shtepia, u degjua papritur nje zhurme e forte: diçka u perplas, diçka u shemb, pastaj nje frenim makine dhe nje heshtje e tmerrshme. Vetem pak sekonda heshtje, pastaj nje o-o-o e gjate gezimi. Disa njerez ngjiten me vrap shkallet e prapme te Ambasades Gjermane, pastaj qendruan te parmaket e verandes te pershendesnin ata qe i shikonin nga dritaret e shtepive perreth, si dhe turmen qe u grumbullua sakaq prane nderteses se lagjes 9. Kjo turme qe mezi e permbanin policet, duke mos mundur te beje gje tjeter, shpertheu ne duartrokitje per t'iu pergjigjur atyre te verandes.

I shikoja te gjitha keto nga dritarja e aneksit, me Anen pothuaj tre vjeçe ne krah, me sy te perlotur e me ngasherime. Po perse me ngasherime? Mbase nga rreziku i madh qe u ishte kanosur njerezve... Apo nga qe dikush kish marre, me ne fund, guximin per te vepruar kunder rregullave te rrepta te shtetit, qe ende mundohet te na mbushe mendjen (me zor), se me mire se sa ne, s'jeton askush ne bote. Pas pak dola dhe pashe nga afer vendin: makina kish hyre e tera brenda murit te ambasades, pasi kish marre perpara nje grumbull hekurishtesh qe policia (?) i kish vene per te bllokuar rrugen. (Çuditerisht, Rruga Gjon Muzaka nuk kishte qene e zene nga ai Zisi i vjeter, qe prej disa ditesh ishte vene terthor disa metra larg murit te Ambasades Gjermane, as mbreme, as sot!)

Ne makine u tha se kishin qene mbi 30 vete, jo vetem te rinj, po edhe burra e gra me femije. Thane edhe se keta kishin qene te shoqeruar nga nje dash, qe shpreson te behet meze para se te arrije ne Gjermani (flitet se eshte nata e Kurban Bajramit). Kur dolem ne rrugen e Kavajes (te tre: Gjergji, Ana dhe une), per shetitjen e pasdites, pame nje turme te madhe kureshtaresh qe policet s'i linin te hynin ne Rrugen Skenderbej (rruga ku ndodhen ambasadat). Xhiroja qe behet zakonisht ne Bulevardin e madh, eshte zhvendosur ne Rrugen e Kavajes (e cila zyrtarisht duhet te quhet Konferenca e Pezes). Njerezit kane nje drite te veçante ne fytyre. U xixellojne syte.

Sa shume ndryshojne keta sy nga syte e asaj gruas se moshuar prane lagjes 9, qe akuzonte sot policet se perse ata "lejojne njerezit te shikojne e te gezohen" per ata te tjeret qe çane murin e ambasades. Kthehemi ne shtepi shpejt, rreth ores 20:30. Kemi marre vesh per nje makine tjeter qe ka hyre sot, nga darka, ne Ambasaden Italiane. E para hyri nja dy jave te shkuara, e ngarkuar me 5-6 vete. E sotmja thane se kish pasur nja 15 vete. Serine e makinave qe sulmojne muret e ambasadave e hapi nje autobus fizarmonike, nga ata te Shkodres, qe puthi murin e Ambasades Greke para tri javesh, nje mengjes rreth ores 8:15.

Ky kish brenda vetem dy vete (njeri ishte shoferi, qe pasi e solli autobusin me shpejtesi deri tek muri grek, duke kaluar neper Rrugen Frederik Shiroka ku nuk kalon ndonje linje autobusi, ndaloi po me aq vrull, me te prekur murin. Pastaj, bashke me shokun e tij, kercyen ne pak sekonda murin grek, pasi hipen mbi autobus nga nje baxho qe hapej pothuaj mbi vendin e shoferit. Kur ktheheshim ne shtepi, pashe se gazi i policise qe prej disa ditesh bllokon Rrugen Frederik Shiroka, i vendosur per se gjeri ne mes te saj, sonte ishte zhvendosur prane pallatit 4-katesh perballe Ambasades Greke, duke e lene rrugen te lire. Kjo i beri pershtypje edhe Gjergjit, por s'patem kohe te komentonim gjate. Rreth ores 21:30, kur po ushqeja Anen, degjojme nje zhurme e nje rremuje te madhe.

Hapim perden dhe shikojme murin e ambasades greke te prishur nga nje Skode qe i ka hyre terthor dhe tani rri mes pluhurit duman, e ndare per se gjati: gjysma e djathte ne Greqi, gjysma e majte ne Shqiperi. Nga karroceria e makines hidhen 10-15 vete ne Greqi, i sulen nderteses me te afert nga tri vilat e ambasades, i bien me force deres metalike, pak metra larg murit. S'di se pse njeri, ne vend te hidhej ne Greqi, ra ne Shqiperi (mbase e terhoqi ndokush nga "rojet e murit"). Ai vrapoi drejt erresires permes ca barishteve te larta ne nje fushe te lene djerre, prapa pallatit tone.

E ndiqte nje polic civil, qe, duke vrapuar e shante rende nga nena... Mbase po te mos kishte harxhuar energji per te share, do ta kish arritur. Per fat te mire ndodhi keshtu e jo ndryshe: polici vrapo e shaj, djaloshi vetem vrapo (e quaj keshtu nga vrapi qe bente, se te gjitha keto ndodhen kaq shpejt, pastaj ka rene muzgu dhe fytyrat nuk dallohen mire). Perballe murit te prishur grumbullohen njerez qe shikojne te heshtur ç'po ndodh 10 metra me tutje. Shikojne, siç shikohet nje film, me solemnitetin qe krijon distanca nga ekrani, ku luajne aktoret...

Selimeja, me cigare ne dore, kerkon e tmerruar djalin e saj te vetem, 27-vjeçar, baba i tre femijeve. Leviz mes njerezve me emrin e te birit ne goje dhe nuk e ve re qe ndodhet rreth tre metra me tutje. Ai vete eshte kredhur ne mendime dhe nuk ka nge t'i pergjigjet... Papritur, turma gjallerohet: disa çunake therrasin, behen bashke o-o-op, kercejne papritur pertej murit te rrezuar dhe policet kapen ne befasi dhe s'arrijne t'i ndalojne. Atehere police e civile bashke shtyjne njerezit qe t'i largojne nga muri. Keta, te inatosur, prapsen rreth 20-30 metra derisa ndeshin ne dy grumbuj me gure e tulla, ku po ndertohet nje shtepi buze rruges. Guret e tullat behen arme dhe civile e police vrapojne megjithe shkopinj ne duar e mundohen te fshihen te gjithe pas nje shtylle betoni. Bashke me guret e tullat, fluturojne nga te dy drejtimet edhe shume sharje te ndyra.

Sapo qetesohet gjendja (kureshtaret largohen njeri pas tjetrit), vjen nje polic me vrap: "Shpejt, nga ana tjeter!" Nga ana tjeter, do te thote te Rruga Gjon Muzaka, qe mbyllet nga muri i Ambasades Gjermane, i çare para dy oresh. Sakaq plasin dhe krismat, nje lufte e vertete. Grumbulli qe policet kishin larguar nga muri grek, i eshte sulur murit gjerman. Fqinjet thone se disa e kaluan, disa u kapen, te tjeret u tremben e iken. Gjermanet dalin ne verande e therrasin: "Nicht, nicht", qe ne e kuptojme "mos qelloni".

Zhurma eshte shume e madhe, po keshtu edhe frika jone.

Nga vendi ku zhvillohet kjo ngjarje na ndan kopshti i nje shtepie te vogel. Na vjen sikur do te na hyje ndonje plumb neper dritare. Nje oshetime disi e larget, por e frikshme, vjen nga Rruga Skenderbej dhe nga Rruga e Kavajes. Ana trembet, s'do te haje. Do vetem te fleje. Thote qe nuk i do zhurmat. Flitet se turma qe sapo u shpernda, do te vije perseri. Prane mureve te ambasadave sjellin perforcime: police, civile, mbase sampiste, gardiste. Bashke me ta ruajne edhe tre qen te medhenj...
Nata qetesohet. Bejne pak zhurme vetem gjermanet, qe siç me thote Gjergji, po e ndertojne vete murin e tyre. Njerezit qe ruajne prane pallatit tone (rreth 20), bisedojne me ze te ulet. Qente jane te shqetesuar.

Edhe dashi i Ambasades Gjermane. Edhe une qe po shkruaj keto radhe, ulur perdhe. Pese ore rresht ne nje pike te aneksit ku s'mund te me shikojne edhe sikur te ngjiten ne dritare. Po kush? Policet? Perse???

Mani persekutimi, apo kujdes prej maniaku?

Qielli u zbardh. Makina murthyese ka mbetur me drita ndezur, e ndare mes Shqiperise e Greqise. Flitet se sot (e marte, 3 korrik), do te vijne njerez nga Shkodra. Te gjitha rrugicat qe çojne ne muret e ambasadave jane mbushur plot police. Lejohen te kalojne vetem ata qe kane shtepite aty.

Policet qendrojne tre nga tre e shoqerohen edhe nga civile.

Ne pune me presin me padurim qe t'u tregoj ç'kam pare nga dritaret e shtepise. Mesoj edhe une ato qe kane pare apo kane degjuar te tjeret. Ajo qe me ben me shume pershtypje eshte sulmi i sampisteve mbreme mbi njerezit ne rrugen e Kavajes. Prandaj vinte deri te ne ajo oshetime e larget.

Njerezit qe therrisnin "o burra, trima shqiptare" ishin sulmuar nga sampistet e sjelle aty me makina ushtarake. Thane se keta sampiste kishin qene te pajisur me mburoja e me pistoleta te vogla, te gjelbra, me korrent, qe i paralizonin njerezit. Siç tregohej, ata qe mbeteshin shtrire e nuk iknin dot me vrap, i ngarkonin neper makina. Flitej se ndaj te gdhire kish pasur kontrolle neper shtepite e rruges se Kavajes per te zbuluar nese atje kishin qendruar mysafire gjate nates. U kontrolluan e u numeruan edhe pjatat e palara. Ne rruge, ne autobus, ne pune, s'ka asnje teme tjeter. Po permendet dhe Mali me Gropa, se thone qe atje i kane çuar.

Gjate dites, prane Stabilimentit jane grumbulluar kaq shume njerez, sa te duket sikur je ne miting. Shume te rinj, shume police, shume spiune. Keta te fundit jane te mobilizuar ne graden me te larte te devocionit, ndjekin me biçikleta njerezit qe i dyshojne, duan te zbulojne "kreret". Ne asnje menyre s'mund te heqin dore nga teoria e konspiracionit imperialist, qe kerkon te turbulloje kete parajsen tone tokesore... Por me te filluar ndeshja Argjentine-Itali, rruga pothuaj boshatiset. Kamionet mbledhin policet e qendrojne ne gatishmeri. Te dyja rrugicat qe çojne te shtepia jone jane te bllokuara per automjetet, njera me nje kamion te madh me karroceri te mbuluar, tjetra me nje makine-vinç. Sa fillon koha shtese e ndeshjes, degjohet nje krisme e forte, po s'marrim dot vesh se ç'ka ndodhur. Ne mbremje, prane Bankes, nje numer i madh te rinjsh mbanin "rrethuar" nje makine policie. Qendronin ne distance dhe i benin "karshillek" me krahe te kryqezuar, ne heshtje.

Ne mengjesin e 4 korrikut, qe ne oren 5:30, prane murit te Ambasades Greke afrohen dy gra. Bisedojne me policet me ze te larte. Tani muret ruhen fort, ne dy-tre metra nje polic, me shkop ne dore. Siç kuptohet, njeres nga grate i ka hyre djali ne Ambasaden Gjermane. Pas dy te parave, vijne edhe gra te tjera. Ngjiten ne shkallet e pallatit tone dhe therrasin femijet. Ndjehet nje gje jo e natyrshme ne sjelljen e tyre. Kur shkoj ne pune mesoj se neper ndermarrje jane bere mbledhje dhe jane vene para pergjegjesise familjet e njerezve qe hyne neper ambasada. (Qeverise sone iu hapen keto avaze fill mbasi ndryshoi ligji dhe arratisja nuk quhet me tradhti ndaj atdheut. Deri tani njerezit kishin ruajtur jo vetem veten, po edhe familjen e te afermit, qe do ndeshkoheshin rende per shkak te tyre).

Krisma e mbremshme ishte shkaktuar nga nje bombe rudimentare qe s'dihet kush e kishte vene ne oborrin e Ambasades Kubane. Zhurme e madhe, por vetem xhame te thyera. Kjo eshte ambasada qe ia dorezoi qeverise sone njerezit e hyre nga muret. Banoret e pallateve aty prane ishin tmerruar nga menyra se si policia kerkonte fajtoret. Ne shume shtepi kishte pasur mysafire qe kishin shkuar per te pare ndeshjen se bashku. Çdo njeri qe nuk ndodhej ne shtepine e vet, per policine ishte i dyshimte. Me automatike ne duar ata qendronin neper hyrjet e pallateve dhe pengonin daljen e njerezve qe kerkonin te shkonin ne shtepite e tyre.

Te gjithe kishin frike mos perseritej ajo qe kish ndodhur nje nate me pare ne rrugen e Kavajes. I lane te largoheshin pas mesnate, pasi u kishin marre adresat dhe numrin e pasaportes. Ne mbremje, kur po kalonim nga Sheshi "Skenderbej" per t'u kthyer ne shtepi, te tre mbi nje biçiklete, degjuam tri krisma te forta nje pas nje, qe vinin nga hyrja e Rruges se Durresit. Njerezit u nisen vrap te shihnin se ç'kish ndodhur, mbase dhe me deshiren qe diçka te kish ndodhur... Kishte plasur nje gome biçiklete. (Per kete gome folem me pas edhe ne pune.) S'mbetet zhurme pa u regjistruar. Te gjithe presin, por askush nuk e di se çfare...

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama