Koncerti me i shtrenjte para Skenderbeut

Koncerti me i shtrenjte para Skenderbeut

Muzikologu italian Ivano Cavallini ka ofruar një citim në një kod të gjysmës së dytë të shek. XV, të ruajtur në Londër për Skënderbeun. Citimi është i trombetistit që ka performuar muzikë flaminge në oborrin mbretëror në Lezhë. Është studiuesi arbëresh Matteo Mandala, që na njeh me këtë të dhënë. Koncerti muzikor ka patur një sukses të jashtëzakonshëm, aq sa vetë muzikanti venecian kishte deklaruar se kishte marrë nga Skënderbeu një kompensim shumë të lartë ekonomik për performancën e tij, ndër më të lartat që kishte marrë deri në ato momente si artist

Arbëreshët e Italisë e ndiejnë më shumë heroin se në Shqipëri. Dje, ka pasur dy lajme matanë kufirit në ditën e ndarjes nga jeta për Gjergj Kastriot Skënderbeun: e para, mesha kushtuar Skënderbeut, për të cilin në Shqipëri asnjë institucion kishtar nuk është kujtuar për një gjest të tillë përshpirtjeje; e dyta është lajmi që ka shpërndarë në rrjetin social, studiuesi arbëresh Matteo Mandala. Shkruar në gjuhën italiane lajmi i Mandalas për heroin është shpërndarë dhe përkthyer në mënyrë të rrufeshme.

E dhëna që na sjell Mandala për Skënderbeun është ofruar nga muzikologu italian Ivano Cavallini. Bëhet fjalë për një citim në një kod të gjysmës së dytë të shekullit XV, të ruajtur në Londër, nga ana e një trombetisti venecian të quajtur Xorxi (Giorgio/ Gjergj) i cili kishte patur nderin të performonte muzikë flaminge në oborrin mbretëror të Gjergj Kastriotit në Lezhë (në versionin anglez emri i qytetit është transkriptuar “Lesha”).

Mesa duket koncerti muzikor ka patur një sukses të jashtëzakonshëm, aq sa vetë muzikanti venecian kishte deklaruar se kishte marrë nga Skënderbeu një kompensim shumë të lartë ekonomik për performancën e tij, ndër më të lartat që kishte marre deri në ato momente si artist.

Nga kjo dëshmi e rëndësishme del në pah fakti se përveçse udhëheqës, strateg dhe organizator i jetës shoqërore të shqiptarëve në mesjetë, frymëzues i marrëdhënieve diplomatike, përfaqësues i vlefshëm dhe i akredituar në kancelaritë europiane, e i nderuar nga Venecianët me një statujë në Bucintoro, i përjetësuar në pikturat dhe afresket e artistëve më të njohur të epokës së tij, Skënderbeu na shpalos një tjetër aspekt të ri të figurës së tij: ishte adhurues i kulturës muzikore dhe organizonte gjithashtu edhe koncerte në Lezhë. Është një informacion unik që na sjell profesor Mandala, duke marrë mirënjohjen e mjaft personaliteteve dhe studiuesve të Shqipërisë. Një reagim të tillë e ka pasur gjuhëtarja Ledi Shamku duke çuar këtë të dhënë në pyetjen e vetishme: pse Gjergji solli pikërisht muzikën flaminge në Lezhë? “Nga njoftime si ky qe sapo na përcolli profesori arbëresh, sigurisht që del në pah aspekti fisnik e i kultivuar i Gjergjit tonë, kultivues muzike e madje edhe mecenat i saj, njëlloj si bashkëkohësit e tij në Europë. Por dua të shtoj edhe diccka tjetër. Përcaktohet në këtë njoftim se përzgjedhja dhe mecenatizmi i Gjergjit shkoi pikërisht për muzikën flaminge, e kjo për figuren e tij don të thotë ende më shumë.

 

Pse pikërisht muziken flaminge? Në kohën kur Gjergj Kastrioti bën këtë përzgjedhje, jemi në gjysmën e Katërqindës, pikërisht në kohen kur arti flaming (e në radhe të pare muzika flaminge) është në kulmin e shkëlqimit të vet, bëhet pararoja e arteve europiane, e madje i revolucionarizon ato”, shkruan studiuesja. E transmetuar pas 500 vjetësh, pyetja merr një lloj përgjigje edhe nga muzikologu Vaso Tole, i cili ka reaguar se: Me muzikën flamande lidhet gjithë zhvillimi i kulturës muzikore zanore polifonike të Evropës. Sigurisht kulturë e lidhur me besimin, e posaçërisht me koret. E dhëna flet për “trombettiere”, pra trombist, por që gjithsesi shpreh tendencën e Heroit tonë, për të qenë një me standardin evropian të muzikës së asaj kohe. Ndryshe nuk ka si shpjegohet që te Buzuku gjejmë të përdorura fjalët me origjinë muzikore: meshar, psalmet, psalmet e pendesës, lutje, uratave, antifonave, kanka (Kënga e Këngëvet, Kankën e Zakarisë, Kankën e Simonit), fyell (fuell), Kyrie eleison, “…lacrymarum valle”, “..lodërtitë e valletë” (lodërtiiteh), zani i turtullit, cantus, canticum, tronbeta, Aiia Alleuya, an Amen, requiem, citer, dymbelek, gjamënë, himn, qeste,gareta, loderti, vaj”. Kështu studiuesit ndiejnë se është plotësuar ky mozaik, të një marrëdhënie pothuaj semiologe midis studiuesve, dhe mirënjohësve shqiptarë, për një nga faktet më interesante të sjella pas 500 vjetësh.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama