Koncert ne vitin 36Kumbaro Partia i kerkoi aktores te abortonte femijen

Koncert në vitin 36,Kumbaro: Partia i kërkoi aktores të abortonte fëmijën
“Kisha moshën e Krishtit, atëherë”, kujton Kumbaro, teksa tregon për filmin “Koncert në vitin ‘36". Një nga prodhimet më të mira të kinematografisë shqiptare që, pavarësisht indoktrinimit, i ka rezistuar kohës dhe njerëzit e shohin me qejf. “Është dashuria ime e parë. Nuk jam dakord me mikun tim Qamil Buxheli, që thotë se dashuria e parë është si dhëmbët e parë, që ikën pa u ndier”, thotë ai duke qeshur. Kanë kaluar plot 30 vjet që kur u realizua ky film dhe Saimir Kumbaro e kujton fare mirë vitin 1978. Jo vetëm sepse atë vit u nda nga i ati, as sepse ishte filmi i tij i parë pa bashkautor, por edhe sepse kishte një mal me vështirësi. I mjafton të përmendë “incidentin” me aktoren kryesore, Manushaqe Qinami, që fati e deshi të ishte shtatzënë. Krerët e partisë ishin gati ta “sakrifikonin” foshnjën për hir të filmit. Por ishte tepër vonë. Me gjithë peripecitë, “Koncert në vitin ‘36" mori goxha vlerësime në Festivalin e Filmit që u zhvillua atë vit. Të gjithë elementet e filmit u nderuan me çmime, veç regjisorit. Por, pavarësisht trofeut, Kumbaro kujton thënien e Dritëro Agollit: “Nuk di ku ta klasifikoj Saimirin”. Që atëherë karriera e Kumbaros do të ecte në rrugë të mbarë.

U mbushën plot 30 vjet nga realizmi i filmit “Koncert në vitin ‘36", si e kujtoni sot?

Është dashuria ime e parë. Nuk jam dakord me mikun tim Qamil Buxheli, që thotë se dashuria e parë është si dhëmbët e parë, që ikën pa u ndier. Them që është dashuria ime e parë, pasi është i pari film që bëja pa bashkautor, pas “Rrugicave që kërkonin diell” dhe “Ilegalët”, të realizuat në bashkëpunim me Rikard Ljarjen. Tashmë e kisha kaluar “stazhin” e aktorit të ri, edhe pse isha vetëm 33 vjeç. Kisha moshën e Krishtit... Por ky film lidhet edhe me një moment të hidhur të jetës sime. Isha në mes të xhirimeve, në momentin kur Hoxha shkon tek Fotaqi, kur më njoftojnë për vdekjen e tim ati. Sigurisht kjo ngjarje më tronditi shumë. Përpos kësaj, vështirësitë ishin të mëdha, por kishte shumë pasion, shumë dëshirë për të punuar...

Si lindi ideja për të realizuar këtë film?

Shtysa e parë për të bërë këtë film ishte skenari shumë i mirë i Kiço Blushit, bazuar në tregimin “Në baltërat e Myzeqesë” të Dhimitër Shuteriqit, një nga tregimtarët më të mirë të socrealizmit. Dy artiste të reja, Donika, këngëtare (sopranoja Tefta Tashko Koço e sapo kthyer nga Parisi aso kohe) dhe Eleni, pianiste, nisen drejt Lushnjës, ku duhet të japin një koncert. Një rrugëtim disi peripecik mes baltërave të Myzeqesë, që vijoi me një pritje të ftohtë nga drejtuesit lokalë me mendësi feudale. Historia ishte e thjeshtë, por shumë e mirë. Më besoni nga një skenar i mirë mund të dalë më e keqja një film mesatar, por nga një skenar i keq nuk del dot asgjë. Kështu që unë kisha një brumë shumë të mirë dhe detyra ime ishte të materializoja të gjithë elementet e filmit në gjithë komponentët e tij, skenarin, aktorët, muzikën, vendet e xhirimit.

Filmi i referohet një periudhe historike, sa ju është dashur për ta ndërtuar atmosferën e asaj kohe?

Pikërisht për këtë fakt i kam kushtuar shumë rëndësi fazës përgatitore. Kam hulumtuar për 6 muaj në bibliotekë, duke shfletuar materiale të kohës, në mënyrë që të gjithë elementet që më servireshin t’i vija në shërbim të epokës, në të cilën zhvillohej ngjarja. Sigurisht unë e dija që Tefta nuk mund të hipte në qerre, por nuk mundesha as ta shoqëroja me eskortë makinash, siç mund të lëvizte me të vërtetë ajo artiste aristokrate. Por janë ca “autorizime” që i jepen regjisorit për të realizuar veprën.

Na tregoni disa nga këto “autorizime”?

Të gjithë e dimë se historia e filmit zhvillohet në Lushnje, por xhirimet në të vërtetë janë bërë në Libohovë. Ne e “shitëm” si të kishte ndodhur në Lushnje. Kemi bërë edhe një dekor prej 100 metrash. Ministri i Kulturës së asaj kohe u alarmua, duke thënë se e gjithë kjo ishte një utopi, sepse shteti shqiptar ishte i varfër e nuk mund të shpenzonte aq shumë. Por e kisha shumë për zemër atë film, saqë nuk mund të hiqja dorë. Një nga momentet më të sikletshme ishte kur mësuam se aktorja kryesore Manushaqe Qinami, që luante rolin e Donikës (Teftës) ishte shtatzënë. Të gjithë e dinin veç meje. Më kujtohet që lajmin ma dha Robert Ndrenika, që e kishte mësuar nga Margarita Xhepa. Situata ishte tepër serioze. U bë zhurmë e madhe. Vetë Organizata Bazë e Partisë (unë nuk isha anëtar partie) u mblodh për të marrë një vendim. Vendimi ishte radikal, por tanimë ishte vonë, Manushaqja ishte në muajin e pestë dhe ndërprerja e shtatzënisë ishte e pamundur. Asnjë gjinekolog nuk mund ta merrte përsipër një ndërhyrje të tillë. Atëherë vendosëm ta xhironim vetëm bust, e nëse do ta shihni filmin me vëmendje, gjatë kohës kur jepet duke ecur, ajo ka gjatë gjithë kohës Margaritën përpara, që të mos i duket barku.

Ka qenë e vështirë të xhironi në një terren të vështirë e kohë me shi?

Ah, në të vërtetë shi nuk kishte fare. Ato pellgjet me ujë i hapnim vetë. Hapnim gropa e i mbushnim me ujë. Gjetëm edhe një qerre. Këtë pjesë e kemi, ndërsa një pjesë është xhiruar në Divjakë. Të grinin mushkonjat dhe xhironim me kokën e mbuluar me plastmasë.

Ç’mendoni kur e shihni filmin sot?

Unë nuk i shoh filmat e mi. Nuk e di, nuk më pëlqejnë. Por më bëhet qejfi që njerëzit vazhdojnë t’i shohin. Kjo do të thotë se filmi i ka rezistuar kohës. Pavarësisht indoktrinimit, filmat e realizuar para viteve ’90 kanë rëndësinë e tyre historike. E nëse i rezistojnë kohës, do të thotë se janë koherentë edhe sot.

Kjo do të thotë se mund të heqim një paralele mes “Koncertit të vitit ‘36" dhe kohës sot?

Pavarësisht historisë së thjeshtë, filozofia që përcillte ishte shumë e thellë. Na mbyti gjysmë injoranca! Aso kohe ishte me shumicë, por shoh që edhe sot, që edhe pse kanë kaluar më shumë se 70 vjet nga historia e filmit dhe 30 nga realizimi, injoranca është e madhe. Edhe pse sot ka shumë kollare, në kokat tona ka shumë prapambetje. Gjërat ecin ngadalë. Mund të them se jemi populli më i prapambetur i Ballkanit, edhe pse dimë shumë gjuhë të huaja. Është shumë e vështirë të dalësh nga mendësia fshatareske Pugaçieveske. Ishte kjo mendësi që karakterizonte Fotaqin, kryetarin e bashkisë, kryexhandarin, kryeplakun…, pra shtetin e atëhershëm, që bënte hatanë. Kishte vetëm luks të jashtëm dhe pak përmbajtje. Por ideja ime ishte të jepja edhe forcën e artit, të cilit sot nuk i jepet fare rëndësi fatkeqësisht. Sa larg jemi nga Franca, sa larg jemi nga Greqia fqinje. Mjafton të përmend që në Tiranë ka vetëm 2 kinema.

“Tavarish Lenin”, tre vite për të ardhur te publiku në dhjetor

Nëse atëherë iu desh vetëm një gjysmë viti, tashmë duhet të kalojnë tre vjet, në mos më shumë, që filmi të shohë dritën e shfaqjes. Në vitin 2006, Saimir Kumbaro fiton një projekt pranë Qendrës Kombëtare Kinematografike, me skenar të Ruzhdi Pulahës. Aso kohe ende nuk e kishte vendosur tamam titullin. Lëkundej mes “Ne dhe Lenini” dhe “Tavarish Lenin”. Të frymëzuar nga aktori Lazër Filipi, i cili një nga rolet më të spikatura ka pasur atë të Leninit, Pulaha dhe Kumbaro ngre një histori në një azile pleqsh. Atje ku jeton një “sozi” e Leninit. Teksa e shohin në televizor tek “Orët e Kremlinit” e më pas në mes të tyre, bashkëndarësit e strehës nisin të besojnë se ai është Lenini i vërtetë. Nisin t’i kërkojnë “Leninit” t’u zgjidhë hallet.

T’u sjellë një doktor, t’u rrisë pensionet, të mos lejojë që streha t’u kthehet pronarëve. Ata mendojnë se “burrit të shtetit”, kushdo mund t’i hapë dyert, por kjo nuk është e vërtetë. Askush nuk do t’ia dijë për atë të moshuar dhe miqtë e tij. Ky ansambël krijohet nga një kast aktorësh të zgjedhur, si Lazër Filipi, Mirush Kabashi, Robert Ndrenika, Margarita Xhepa, Elvira Diamanti, Mehdi Malko, Hajrie Rondo, Leon Çino etj. Xhirimet janë zhvilluar një vit më parë mes Kavajës dhe Tiranës, e ndonëse po mbyllet viti 2008, filmi ende nuk ka mbaruar. Kumbaro thotë se sot është e pamundur të bësh një film si “Koncert në vitin ‘36". Atëherë regjisori kishte për detyrë të mendonte vetëm për anën artistike, ndërsa sot duhet të merret me gjithçka, edhe me pagesat e aktorëve e bashkëpunëtorëve të tjerë. “Ne dhe Lenini” është një prodhim shqiptaro – franko - maqedonas. Është financuar nga Qendra Kombëtare Kinematografike e Shqipërisë me vlerën 300 mijë euro, ndërsa 130 mijë euro Saimir Kumbaro i përfitoi nga një aplikim pranë Fondit të Jugut (Francë).


Panorama

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama