Komuna e Rrashbullit per vitin 2007 ka pritur mbi 150 mije turiste

Komuna e Rrashbullit, për vitin 2007, ka pritur mbi 150 mijë turistë
Në vijën bregdetare të Shkëmbit të Kavajës janë ndërtuar mbi 200 objekte turistike të klasit të parë. Komuna ka një shtrirje shumë të madhe. Në përbërje të saj janë mbi 20 fshatra, të cilat e kanë të lidhur jetën e tyre me turizmin dhe agro-turizmin. "Nëse do të marrësh një kokërr rërë nga Shkëmbi i Kavajës dhe ta shtrydhësh fort, ajo do të kullojë flori", thotë kryetari i kësaj komune, Hysen Gashi. Hyseni ka mbi 9 vjet që është kryetari i komunës dhe jeta e tij është e lidhur shumë ngushtë me banorët e kësaj zone. Rekordi i turizmit është arritur në vitin 2007, thotë Hysen Gashi, dhe në vitin 2008 pritet një "boom" akoma më i madh. Masat për të pritur turistët e vitit 2008 kanë filluar që tani, thotë kryetari i kësaj komune. Ato do të vazhdojnë intensivisht dhe në dy muajt që kanë mbtetur.

Në 1 maj fillojnë të vijnë turistët. Por kryetari i kësaj komune thotë se "shkëmbi i Kavajës është njëkohësisht dhe një lagje në miniaturë e Tiranës. Në këtë vend, shumë nga banorët e Tiranës zbarkojnë çdo të shtunë dhe të dielë, duke i dhënë një frymëmarrje shumë të madhe biznesit. Banorët e kësaj komune kanë një nivel jetese nga më të lartët në vend, kjo për shkak të bukurive që u ka ofruar natyra për shkak të shumë resurseve të tjera në agrokulturë, bujqësi dhe të 20 fshatrat ndodhen në rrjetin e një infrastrukture shumë interesante". Nëse do të bësh një vizitë në Komunën e Rrashbullit, të duket sikur je në "Gjylystanin dhe bostanin" e Sadi Shirazit. Duket sikur një dorë perëndie ka konkretizuar në këtë copëzë bregdeti edhe gjylystanin (trëndafilishten) edhe bostanin (kopshtin e lulëzuar bujqësor) të Shirazit. Në krye të tërë këtyre punëve qëndron Hysen Gashi dhe tërë stafi i tij. Serioziteti i punës i ka motivuar banorët e këtyre 20 fshatrave që ta votojnë për herë të tretë Hysen Gashin. Në këtë mandat, planet e Hysen Gashit janë shumë ambicioze. Ai e ka shtrirë infrastrukturën jo vetëm në Rrashbull si qendra e Komunës, por në tërë fshatrat e tjerë të saj. Pak ditë më parë, ai filloi dhe investimin më të ri, ndërtimin e një ambulance për t'u ardhur në ndihmë këtyre banorëve. Rrugët e asfaltuara janë shtrirë në çdo fshat të komunës. Në infrastrukturë, Ceni, siç e thërrasin banorët e këtyre fshatrave, ka përqëdruar tërë punën e tij. Ai ka investuar rreth dy milion dollarë në këto 7 vjet.


Njerëzit zemërbardhë dhe duarartë të Rrashbullit


Çdo gjë ka ndryshuar dhe është transformuar në Rrashbull dhe në vijën bregdetare të Shkëmbit të Kavajës. Është transformuar aq shumë, sa këtë e ndesh në çdo cep të Rrashbullit. Banorët e punojnë tokën sepse tërë prodhimet e tyre e kanë të garantuar shitjen. Të gjithë kërkojnë që të prodhojnë sa më shumë. Kjo ka ndryshuar jetën e tyre. Prodhimet "bio", thotë Cen Gashi, preferohen shumë nga turistët dhe nga pushuesit. "Ne kemi mbjellë shumë dhe sivjet do të ketë një prodhim akoma më të mbarë. Turizmi ka zgjuar ndjenjën e punës dhe të mikpritjes tek banorët e këtyre 20 fshatrave. Këtë e vë re nga dëshira që kanë banorët e këtyre zonave që të investojnë paratë e tyre në turizëm dhe agro-turizëm.

Një ndryshim i madh është parë dhe tek shërbimet, të cilat kanë mundësuar hapjen e shumë vendeve të punës", thotë ai. Ceni i di mirë të gjitha problemet dhe hallet e këtyre banorëve dhe gjithmonë e vë gishtin në plagë. Një njeri serioz që shkon atje ku është halli. Dera e zyrës së tij është gjithmonë e hapur. Ai i pret të gjithë. I dëgjon dhe i jep detyra stafit që t'i çojë deri në fund të gjitha ato. Popullariteti i Cen Gashit dhe i 30 specialistëve të stafit të tij është një faktor tjetër që puna e tyre ka rezultat. Cen Gashi, me origjinë kosovare, e ka festuar me tërë stafin e tij Ditën e Pavarësisë së Kosovës. Por ai duket se këtë kënaqësi të veçantë do ta ketë kur kosovarët të vijnë për pushime këtë verë. Durrësi dhe Shkëmbi i Kavajës janë dhe mikpritësit më të mëdhenj të tuistëve nga Kosova.

Marre nga : Gazeta Rilindjademokratike

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama