Komisioni i Medias shqyrton projekt-buxhetin e vitit 2016 per ATSH-ne

Ne komisionin per edukimin dhe mjetet per edukimin publik Foto Flori AbaziTIRANE, 25 Nëntor/ATSH/-Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, në kuadër të shqyrtimit të projektbuxhetit për vitin 2016, zhvilloi të mërkurën një seancë dëgjimore me përfaqësues të institucioneve të rëndësishme kulturore, mediatike dhe shkencore në vend.

Përfaqësuesi i Agjencisë Telegrafike Shqiptare, Laurent Memelli prezantoi projekt-buxhetin për vitin 2016 dhe vuri në dukje paanshmërinë dhe karakterin unik të ATSH-së.

"Filozofia e punës në Agjencinë Telegrafike Shqiptare ka qënë që ta rikthejë këtë institucion tek publiku, duke hequr dorë nga propaganda dhe lajmi i njëanshëm. Siç tashmë e dini, ATSH-ja është një institucion klasik dhe unik i medias publike në Shqipëri, e cila ka pasur një kalvar të gjatë ndër vite por që ka ruajtur thelbin e një institucioni që informon publikun nëpërmjet zhanrit më klasik-lajmit dhe pa asnjë koment e deformim,duke ofruar edhe shërbimin e lajmeve në dy gjuhë, anglisht dhe frengjisht", u shpreh Memelli.

Më tej, ai shtoi se "gjatë këtyre dy viteve është rritur ndjeshëm komunikimi me agjencitë partnere ndërmjet marrëveshjeve bilaterale. Kemi nënshkruar për dy vite, 12 marrëveshje e kontrata bashkëpunimi me agjenci në rajon deri në pika të tilla të globit si Jordania apo Korea e Jugut".

Ne komisionin per edukimin dhe mjetet per edukimin publik Foto Flori Abazi (3)"Në lidhje me projekt-buxhetin, e vetmja kërkesë është që ky buxhet të mos pësojë ndonjë korrigjim rrugës, siç ndodhi vitin e kaluar, kur nga drafti fillestar u shkurtuan më shumë se 65% shpenzimet, duke krijuar vështirësi serioze për institucionin. Ne mendojmë se për ta fuqizuar më shumë rolin e ATSH-së si media në shërbim të publikut është e nevojshme hartimi i një ligji të posaçëm për këtë institucion pasi paradoksalisht në funksionojmë sipas një ligji të "lashtë" të kohës së regjimit komunist", theksoi Memelli.

Kërkesën për hartimin e një ligji të posaçëm e mbështetën anëtarët e komisionit të Medias, të cilët u shprehën të gatshëm të mbështesin strategjitë në të ardhmen për një legjislacion më modern e më të përshtatshëm për funksionimin e ATSH-së dhe perspektivën e saj si një institucion efiçent dhe konkurrues në tregun mediatik.

Komisioni i Medias dëgjoi sot dhe përfaqësues të Radio Televizionit Shqiptar, Akademia e Shkencave dhe qendrës Kombëtare te Kinematografisë. /z.t/ /a.g/


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama