Komisionet hetimore ja vfare ndodhte para 80 vjetesh

Komisionet hetimore, ja vfare ndodhte para 80 vjetesh
Ka qenë një fenomen që i ka kënaqur dhe me të cilën ishin mësuar paraardhësit e politikanëve tanë. Në histori janë të rreshtuar një listë e tërë emrash, që fillojnë që para Mbretit Zog dhe kanë vazhduar tek të tjerët, që do e pasonin. Historia i la pas, por pa e dobësuar fenomenin që është rishfaqur galopant pas ’90 dhe po e ha si gangrenë Shqipërinë.

Në një foto, ku tregohet mbreti shqiptar i larguar drejt Skandinavisë, duket teksa ndjek me kujdes uljen e bauleve të tij. Me kujdesin ndaj pasurisë, ai e di mirë se ato janë veç fuqisë dhe mbijetesë. Është i akuzuar për marrjen me vete, të një sasie ari që asnjëherë s’është vënë në dyshim. Komunistët, pak vite më vonë, do e kishin të vetmen ganxhë, ku varnin anatemën e tyre për të. Një kundërshtar i kahershëm i tij, vërtetë s’është kaq i pasur, por ”Bajram Curri midis parisë kosovare, citojmë Nexhip Dragën- është i vetmi nacionalist, por ka një të metë të madhe: shpenzon aq shumë para sa edhe financat e Britanisë së Madhe nuk do të mjaftojshin për t’u bërë ballë shpenzimeve të tij”. A thua të jetë kaq i pasur? Historia na e mohon disi hulumtimin sepse ai vdes si hero i vërtetë në një shpellë të humbur në Alpe.

Nëpër qytete, ata që e admirojnë plakun e maleve, edhe kur largohen për shkak të konjukturave politike, nuk i braktis ky zakon në kryeqytet e botës. Paratë e thata, që marrin nga Beogradi dhe Roma dhe marifetet që kanë bërë kudo, prishen lirisht në Paris. Kuptohet janë para që s’u dhimbsen aspak. Në Paris, pjesa më e rëndësishme e kundërshtarëve të Ahmet Zogut: Qazim Koculi, Ali Këlcyra, Azis Çami, Kolë Tromara, Rexhep Mitrovica, Angjelin Suma, Beqir Valteri shpenzojnë pa fund në lokalet, paratë që s’i kanë fituar asnjëherë me vështirësi: “La source”, “La coupole” duke bërë politikë…, thotë Petro Marko në kujtimet e tij. “Mua nuk më harrohen fjalët e Bedri Pejanit, që i kishte thënë Aliut kur isha në Paris:”Çështja është te paratë që janë dhënë për familjet e vullnetarëve nga ndihma e kuqe internacionale. Kjo është çështja themelore. Ato para janë luajtur në kumar!” Ndoshta kjo ishte arsyeja që shokët e Parisit nuk deshën asnjë kontakt, asnjë afrim me vullnetarët që mbetën gjallë”. Do ishte një listë e gjatë, por dhe një hulumtim i madh për të marrë në evidencë të gjithë personazhet, por po botojmë të përmbledhur raportin e Komisionit hetues parlamentar ndaj Z. Myfid Bej Libohovën, një nga personazhet më të njohura politike, për një çështje nga të paktat e cila shkoi shumë profesionalisht. E kryeson një nga burrat që do skalitet në historinë e diplomacisë shqiptare më vonë. Rauf Fico dhe personazhe të tjera, aty bëjnë një punë të mirë profesionale, ndërsa fati i jetës së të cilëve do ndërthurret jo aq këndshëm më vonë.

Në fakt korrupsioni është aq i pranishëm në Shqipëri para lufte saç janë dhe qeveritë që i lënë vendin njëra-tjetrës. Janë proverbialë vjedhjet që mundojnë një popull, që ka shifra të larta analfabetizmi. Në këtë moçal gjejnë vend të qetë të punojnë të ashtuquajturit Baballarët e Kombit shqiptar. Myfid beu është i njohur për manovrimet e tij, ashtu si Zogu dhe të tjerë do tregojnë se nuk të falin për paratë. Abdurrahim Krosi, njeriu më i afërt i Zogut, është proverbial për marrjen e ryshfeteve dhe në një lokal në Rrugën e Pishave gati administron të gjithë qejfin e Tiranës, por edhe ato që duhet të japin paratë, që ai kërkon. Me pak fjalë, duhet që të jesh pjesë e këtij llumi të mbijetosh.

Këtë e kuptojnë mirë Çatin Saraçi dhe Sejfi Vllamasi, ish bashkëpunëtorë të Zogut, që më shumë se çdo gjë tjetër, dijnë se nuk ia vlejnë të rrijnë te peshqit e mëdhenj, që kanë gjithçka. Historia do të vazhdojë njësoj dhe paçka përmasave nuk do i shpëtojë dhe komunizmit dhe shumë personazheve të saj, ashtu si do të rishfaqet frikshëm pas viteve ’90 me emra dhe personazhe të rinj. Në të gjithë këtë hulli nuk mund të harrohet për shembull dhe një histori ndryshe në lidhje me korrupsionin ose dy njerëz që dikur ishin ministrat shqiptarë të Financave. S. Starova do e mbarojë jetën në kushte fare modeste ashtu si Luigj Gurakuqi që kur i bëjnë kontrollin e fundit postmortum e gjejnë me fare pak para aq sa nuk ishin të mundshme dhe për një vakt bukë...Kuptohet se këto dy histori “të vogla” duken patetike para personave korruptivë të ditëve tona.

Raportë

Si mbas vendimit të dhomës së deputetvet më 24.10.1925 Komisioni hetues i formuem prej Z. Rauf Fico, Maliq Bushati, Ndrekë Kiçi, Kasem Radovicka, Fiqri Rusi, Kristo Floqi, dhe Vasil Bamiha u mbëlodh me datën 28.10. 1925 në Ministrinë e Financavet në një dhomë të veçantë dhe mbasi zgodhi si kryetar Z.Rauf Fico dhe si sekretar Z. Kristo Floqi dhe Fiqri Rusi filloi nga veprimet.

Po, tue qenë se mbarimi i të gjithë hetimevet nevojonte kalimin e nji kohës ma shumë se dy muej, dhe tue qenë se Parlamenti mbaron sesionin ma shumë se dy muej dhe bashkë me opinionin publik prêt pa durim, para se të mbyllet, të dij se ç’po bahet, Komisioni u detyrua dhe e pa t’arsyeshme se çështjet qi do të hetohen të ndahen në dy pjesë.

Nga data e sipër thanun deri në datën 20.XI.25 qi i u dha fund hetimeve të pjesës së parë të çështjevet qi ishin për me u hetue, Komisjoni u mblodh 19 herë edhe ekzaminoj pikat e poshtëshënueme, mbi të cilat po paraqet këtë raportë.

Sa për çështjet e pjesës së dytë, Komisjoni mendon qit ë ngarkohet Prokuroria e Gjyqit të Naltë në qoftë se pranohet formimi i tij.
Komisioni mjafton tash për tash me Ju paraqitë vetëm listën e tyre.

1-Shdukja e mëshehja e akteve zyrtare

a)Humbëja e aktit origjinal i njoftun nën titullin „Allegato B“ në dosjen e akteve të bankës Kombëtare.
b)Akordi zbatues Nr.13, i konvencionit të Bankës dhe gjendja misterioze e përkthimit të tij, po të dosjes së sipërthanun.
c)nënshtetasit shqiptarë marrin 150.000l. st. akcjone të Bankës? Prishja e të hollavet qi ishin mbështjellë për blerjen e akcjonevet, për llogari të shqiptarëvet, n’arkën e Shtetit. Humbëja e të drejtavet të këtyne akcionevet për rregjistrimin e duhun si mbas konditavet të caktuem.

Përfundimi i Kapitullit të I

Tue qenë se, si mbas hetimeve të Komisjonit , Z. Mufid Libohova asht i vetmi përgjegjës për shdukjen e “Allegato B” qi përmban e penalitetin e koncesionit të Bankës dhe të Huasë së 50.000.000; tue qenë se Z. E tij me nënshkrimin e zbatimin e akordit ekzekutiv nr.13, qi nuk ishte pranue prej Këshillit Ministruer, veproj kundra interesave vitale të Kombit Shqiptar dhe mashtroj të gjithë trupet Shtetnore me dijeni e qëllim; tue qenë se në këtë mënyrë i la bashkë atdhetarët e vet me duer thatë pa marrë pjesë në nji institut qi do të sundojë për 50 vjet rresht jetën ekonomike të kombit, Komisjoni hetues akuzon ish-Ministrin e Financavet dhe Zëv ministrin e Punëve të Jashtme Mufid bej Libohovën, me TRATHTI të NALTË KUNDRA Atdheut e KOMBIT SHQIPTAR.

*Zoti Kasem Radovicka anëtar i Komisjonit hetues ban tekstualisht kët shënim: “Me gjithë se ish Ministri i Financavet Z. Mufid Libohova në kët çështje ka kallxue nji pa rregullim i cilli rrjedh dhe nga shrregullimi i parë qi ka pasë ashtu edhe nga koha mjat e ngatrrueshme; por kurr nuk mejtoj t’i ket banum me qëllim abuzimi por asht sikundër e dijmë ngushtica financjare qi u ka dhanë shkak këtyne mungesave...

2-Kontrata të lidhuna me shqnin Aspjoti, Korfus
a)Porosija e bankanotavet edhe të monedhave metalike.
b)Porosija e pullavet të Drejtësisë.
c) porosija e pullave të Postës.
ç)mënyra e lidjes të këtyne kontratave edhe vlefta ligjore e tyne.
d)mënyra e pagesës së shoqnisë Aspjoti kundra konditave të posaçme të përbamuna në konvencionin e sipër thanun dhe kundra ligjit.
e)Shoqënia Aspjoti fillon nga puna pa vajtun komisioni kontrollueses në Korfus. Pullat shtypen me “një kontroll të ngushtë të shoqnis”.

Përfundim i kapitullit të II

Tue qenë sesi mbas hetimeve të Komisijonit, Z.Myfid Libohova asht plotësisht përgjegjës për mënyrën e paligjshme të lidhjes së kontratave me Shoqënin Aspjoti, qi nënshkroj me pa dijenin e kolegëvet të tij dhe kundër pëlqimit të personave kopetentë; tue qenë se ekzekutoj pagesën e tyne, me nji mënyrë qit ë len me dyshue për së tepërmi, kundra konditave të përbamuna në kontrata dhe kundra ligjit; tue qenë se ksisojit damtoj arkën e Shtetit, Komisioni hetues akuzon Z. Myfid Libohova ME SHPËRDORIM TË TREZORËRIS SHTETNORE.

3.Huaja e 1.000.000fr. ari.

a)5.000.000 Lireta përdoren nga Z.Ministri fuqiplotë në Romë, “madhnisht!”.
b)Arka e Shtetit humbet fr. Ari 60.744.09 vetëm nga kursi.

Përfundimi i kapitullit të III

Tue qenë se ish Ministri i Financavet Z.Myfid Libohova tregoj në kët çashtje nji mungesë kujdesijet të plotë dhe kështu u ba shkaktar i nji humbjes prej fr. Ar 60744.09, Komisioni hetues e quanë plotësisht përgjegjës për kët shumë dhe e akuzon ME PA KUJDESI NË PËRMBARIMIN E DETYRËS SË VET.

4. Blerja e dy vaporeve

a)Këshilli Ministruer “autorizon Ministrinë e Financavet të ngarkojë Legatën në Romë me hy në marrëveshje me shoqnina të ndryshme per me ble dy vapore të vogla me konditë qi të lajmërojë Këshillin Ministruer mbi përfundimin e kushtimit të tyne per me ba veprimet e blerjes”.
Ministri fuqiplotë në Romë gjenë dy vapore dhe kërkon autorizim nga Ministri i P. Të Jashtme për me mbyllë marrëveshjem definitivisht. Ministrija e P.të Jashtme në vend qi të hyjë Qeveria në Marrëveshtje, pa dijtun gja mbi ket send, autorizon blerjen e vaporeve.
b)Vlefta e vaporeve paguhet me nji herë para se të jenë gati.
C)Qeverija nuk ka dijeni mbi konditat e blerjes. Z.Ministri përgjigjet: merrni spjegime nga Legata e Romës.

Përfundimi i kapitullit IV

Tue qenë se në këtë blerje, ish Ministri i Financave dhe Zv. Ministri i P.të Jashtme Z. Myfid Libohova ka tregue nji moskujdesi shëmbëllore, Komisjoni hetues e akuzon ME SHKELJE LIGJIT NË PËRDORIMIN E TË HOLLAVE SHTETNORE.

5.Shitja e Vaporëvet të mbytuna

Afatat e adjukatës shtyhen gjashtë herë rresht me një diferencë në fillim nga 15 ditë e ma së fundi nga nji javë.

b)Kompanitëe interesueme nuk lajmërohen.
c) Zoti Avni delvina çmon 80.000 franga ari n’adjukatë; përnjiherë Ministri i Financavet varë adjukatën n’emën të tij pa marrë vendimin e komisionit të posaçëm.
ç)Komisioni i kryesuem prej Zv Ministri të Financavet Z.Poga prishë kët vendim. Po dy ditë ma vonë Minisri i Financavet Z.Myfit Libohova anulon vendimin e Komisionit, dhe pa marrë prep vendimin e Këshillit e varë mbi Avni delvinën e mbas dhetë ditësh e shet difinitivisht me çmimin e refuzuem ma parë fr. Ari 91,200.
d) Si mbas konditave t’adjudikatës punimi i të nëxjerrunit të vaporëvet të mbytuna do të fillonte më 1 Qershor 1925. Ministri lidhi kontratën me 11 t’atij mueji, d.m.th 11 ditë ma vonë.
Dh) Kontrata do të njihej e rame vetiut, më 31.XII. 1926 dhe mbas këtij afati Qeveria nuk do të pranonte as një pretendim të sipërmarërsit.
Ministri i Financavet pa ndonji autorizim ligjuar e kundra konditave të çpalluna pranon zgjatimin e afatit deri më 31 Dhetuer 1928.
e) Z. Avni Delvina pa ndonji akt përfaqësimi të vërtetuen legalisht pranohet n’adjudikatë si blerës për hesapë të nji farë Artur Pardi. Ma s’fundi Ministri i Financavet, dy muej ma vonë lidhë kontratën me .Serra.
f) Z.Avni Delvina me dorë të vet shkruen konceptet e aktevet të Mionistrisë. Ministri i Financave i shkruen!

Përfundimi i kapitullit V

Pa marrë parasysh fjalët për korrupsionet qi thuhen se kan ndodhë në kët çështje, Komisjoni hetues tue u bazue vetëm ner aktet dhe vrapimet zyrtare të spjegueme këtu sipër, akuzon ish Ministrin e Financavet Z. Myfid Libohovën, SI SHKELËS I LIGJËS ME QËLLIM DHE SI DAMTUES I ARKËS SË SHTETIT

6.Automobli i Ministrisë së Punëve të Jashtme

a) Shitja e automobilit të Mnistrisë së Punëve të Jashtme si pasuni Private.
b)Marrja e automobilit nga ana e Ministrisë së Punëve të Jashtme.

Përfundim i kapitullit VI

Komisjoni hetues edhe në këtë çështje akuzon Z.Myfid Libohovën, ish Zëvministër i Jashtëm ME KEQ PËRDORIM E PASUNIS SË SHTETIT.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama