Kombetarja si prone private dhe klubet piramide

Kombëtarja si pronë private dhe klubet piramidë

JETMIR HALILAJ

Nuk di se cilin do të bëjë Duka "dëshmor" nga tufa e të paaftëve që mban përqark. I është dënuar Kombëtarja, mburoja e tij, makijazhi i futbollit të tij, ngushëllimi i tij sa herë që dikush i përmend kampionatin. U dënuan dy herë ekipet kombëtare brenda vitit, në fakt, dhe për të njëjtin gabim, për të njëjtën paaftësi: për mosnjohje të rregulloreve!

jetmiri

As atëherë nuk dhanë një shpjegim se pse ndodhi dhe e kujt ishte përgjegjësia dhe as tani. Nuk kërkojnë as ndjesë, sepse ndoshta prej kohësh mendojnë se Kombëtarja është vetëm e tyrja dhe mund të bëjnë ç'të duan e si të duan pa e vrarë mendjen për të tjerët.

Kampionati

"Sezonin e ri arbitrat i kemi pajisur me shkumë. Do të ketë shkumë për gjithë sezonin...". Kjo ishte risia për sezonin e ardhshëm, sipas sekretarit të përgjithshëm të FSHF-së, Ilir Shulku. Nuk tha se është rritur konkurrenca në radhët e gjyqtarëve për një arbitrim më të mirë...

Nuk shpalosi asnjë strategji për të luftuar fenomenin e trukimeve, edhe pse në Kategorinë Superiore dhe, sidomos të Parën, nuk ka shkumë që ia lan njollat e pazareve. Nuk tha se janë shtuar akademitë e futbollit diku në ndonjë cep të Shqipërisë dhe nuk përmendi asnjë plan as se si do të mbrohet futbolli ynë i brishtë nga kriza financiare.

Problemet e vjetra

Sot kampionati shqiptar po përjeton disa ndasi që vijnë gjithnjë e në rritje dhe që rrezikojnë ta fusin në një kolaps afatgjatë. Nga njëra anë kemi hendekun e tij në raport me Kombëtaren, qoftë në seriozitetin e të luajturit futboll, qoftë edhe në faktin që prodhon gjithnjë e më pak për skuadrën e parë.

Ndërsa ndasia tjetër ka të bëjë me financat dhe, kur një ekip, biznes apo familje ka probleme me financat është i destinuar të mos përparojë, madje të rrezikojë kolapsin. Përjashto Skënderbeun, sot në vitin 2016, asnjë klub shqiptar nuk arrin të nxjerrë as paratë e shpenzimeve e jo më të dalë me fitim.

Partizani me Kukësin janë në dorë të dy biznesmenëve, ndërsa pjesa tjetër është pothuajse një piramidë financiare që rrezikon ta rikthejë futbollin tonë shumë vite mbrapa. Por, Duka nuk shqetësohet për këtë.

Përkundrazi, në 10 ditët e fundit ka dalë dy herë në konferencë për dy shqetësime "madhore" të tifozëve: një herë duke u krekosur para dy kandidatëve për president të UEFA-s që kishin ardhur t'i lypnin votën dhe herën tjetër duke reklamuar marrëveshjen me TVSH-në për transmetimin e ndeshjeve të Kategorisë së Parë.

Po, të asaj Kategorisë që mbërriti në nivele qesharake mu pikërisht para hundës së tij, vitin që shkoi. Ata pra, klubet, që ai gjatë mandatit 4-vjeçar i sheh kryesisht vetëm si vota, u tallën si mundën dhe sa mundën pa pasur asnjë frikë. Sepse ata ndoshta kanë nisur të besojnë se presidenti i federatës ka më tepër merak të dalë në foto me skuadrat që fitojnë trofe, se sa të kthejë besimin e njerëzve te futbolli i pastër.

Pas një pauze që ia imponoi dënimi i Skënderbeut për trukime, tani Duka është shfaqur sërish në televizione dhe në tribuna me shpresën se shqiptarët i harrojnë shpejt çudirat e këtij vendi dhe janë në pritje të një tjetre, akoma edhe më të madhe.

Një ves që duket se e ka marrë nga politika... Dhe, duke mos pasur asnjë ndjeshmëri për Kombëtaret që i dënohen nga paaftësia, për klubet me borxhe, për trukimet ditën për diell, si dhe për stadiumet bosh, Duka nxjerr ndonjërin të flasë për "futbollin që mbahet me shkumë"...



Artikujt e fundit


Reklama

Reklama