Koco Danaj Nuk ekziston Shqiperia e Madhe!

Koco Danaj: Nuk ekziston 'Shqiperia e Madhe'!

Lideri i listës për “Shqipërinë Natyrale”, Koço Danaj shprehet për atë turbulencë politiko-diplomatike, që ka lindur në Rajon dhe në Evropë, pas deklaratës së Edi Ramës në një intervistë për mediat kosovare lidhur me bashkimin me Kosovën, duke e vlerësuar kryeministrin për qëndrimin e tij...


Në rast se do të flisnim për “Shqipërinë e Madhe” atëherë do mbeteshin rreth 30% të territorit tonë jashtë, ndaj shqiptarët e vërtetë kurrë nuk janë për të. Koncepti i politikanit Koço Danaj është i drejtpërdrejtë dhe mundohet të jetë pragmatist në të gjithë shtjellën e qëndrimeve të tij të pandryshuara prej dekadash për Shqipërinë dhe shqiptarët në rajon, duke e vlerësuar direkt kryeministrin Rama në intervistën e fundit, ku ai ka folur për bashkimin me Kosovën. Në të njëjtën kohë, autoritetet serbe pasi kanë bërë të njohur qëndrimin e tyre në të gjitha organizmat ndërkombëtare, i kanë përcjellë një notë proteste Ambasadës shqiptare në Beograd për këtë deklaratë. 


Në rastin e Danajt, ai do të mbetej fare pa zë, nëse herë-pas-herë vetë politikanët nuk do të kryqëzoheshin me idetë e tij. Së fundmi, në një intervistë që nga Ulqini për mediat kosovare, kryeministri shqiptar Edi Rama dhe zëvendëskryeministri kosovar Hashim Thaçi janë shprehur gjerësisht për këtë realitet, që del shpesh në pah prej politikanëve shqiptarë. Por Rama ka qenë i drejtpërdrejtë: “Besoj që duhet thënë edhe diçka tjetër, që bashkimi ynë, dhe nëse duam ta themi edhe më shkoqur, bashkimi i shqiptarëve të Shqipërisë dhe Kosovës, pasi këta në fakt janë shqiptarët që jetojnë në dy shtete shqiptare dhe nuk flasim për tjerët, që janë në shtetet tjera, është i pashmangshëm dhe i padiskutueshëm. Pyetja është si do të ndodhë, a do ndodh në funksion të Bashkimit Europian, si një proces i natyrshëm dhe krejt i mirëkuptuar nga të gjithë, apo do të ndodhë si një reagim ndaj një verbërie apo një përtacie europiane”, ka deklaruar Rama për median kosovare. Deklarata e Ramës ka qenë brenda një konteksti të realitetit mes dy vendeve në vitet e fundit.
 
Evropa


Por ndërsa Rama po i gëzohej mirëpritjes së deklaratave të tij nga ana e qendrave shqiptaro dhe kosovare kudo në botë, ka qenë disi cinik dhe paralajmërues reagimi i autoriteteve të Bashkimit Evropian, që e kanë konsideruar si të papranueshëm, këtë deklaratë. Reagimi i autoriteteve të Brukselit është artikuluar nga Maja Kocijançic, zëdhënëse e përfaqësueses së lartë të Komisionit Evropian, Frederica Mogherini. Zëdhënësja i ka kujtuar Ramës se përparimi drejt BE-së varet kryekëput nga bashkëpunimi rajonal i shteteve të Ballkanit, pajtimi mes tyre dhe mbi të gjitha marrëdhëniet e mira ndërfqinjësore: “Pasi kemi verifikuar se çfarë ka thënë kryeministri Rama në intervistë, duam të theksojmë se Ballkani Perëndimor ka perspektivë të qartë evropiane, e konfirmuar nga BE-ja në nivele më të larta. Të gjithë partnerët në rajon vet i kanë përcaktuar karakteristikat për të konfirmuar angazhimin dhe qëllimin që të përmbushin një sërë kushtesh dhe standardesh të BE”, thuhet në njoftimin e saj. Dhe për të qenë në hullinë e argumenteve të tij, autoritetet e Bashkimit Evropian i janë përgjigjur kryeministrit Edi Rama se Shqipëria dhe Kosova do të integrohen në BE kur të plotësojnë kushtet. Ndërkohë që kushtet kryesore janë disi të hidhëta për të gjithë shqiptarët e rajonit dhe kanë të bëjnë me shembjen e murit të pandëshkueshmërisë në Shqipëri, gjyqi i luftës në Kosovë, dënimin e zyrtarëve të lartë të korruptuar, qeverisjen transparente, reformën e thellë në gjyqësor dhe reformën në administratën publike, por edhe një sërë reformash të tjera.
 
Jo Shqipëria e Madhe


Lideri i Listës për “Shqipërinë Natyrale”, Koço Danaj ka qenë politikani që është shprehur më direkt për këtë intervistë pasi vazhda e argumenteve të tij është pro këtij qëndrimi dhe për hir të së vërtetës ka qenë vazhdimisht konsekuent, sa i përket problemeve shqiptare. I pyetur nga “JAVA” për këtë intervistë, ai nuk ka hezituar të flasë fare hapur për këtë: “Nuk ekziston Shqipëria e Madhe. Ajo është: Së pari një apelacion nazifashist, që lindi pas marrëveshjes Çiano-Ribentrop në vitin 1941 dhe që la jashtë kufijve natyralë të Shqipërisë 30 përqind të territorit të saj. E dyta: Kemi të bëjmë me një “gogol” që fqinjët shovinistë e përdorin sa herë që shqiptarët dhe politika e tyre reflektojnë dinjitet dhe barazi në marrëdhëniet me ata. E treta: Ka një Shqipëri të shpallur në 28 Nëntor 1912 dhe ajo është Shqipëria në kufijtë e saj natyralë. Por mbledhja famëkeqe e Londrës nuk e njohu atë dhe e copëtoi kombin dhe territoret shqiptare ne disa pjesë. Të kërkosh këtë Shqipëri, kjo nuk është as provokim, as rivendikim, as nacionalizëm. Ky është korrigjim i historisë. Dhe kushdo që është demokrat dhe progresist në BE apo kudo, duhet të jetë i interesuar për një gjë të tillë. Dhe e katërta: Sa kohë që në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, bashkimi kombëtar konsiderohet një aspiratë e ligjshme, sa kohë që këtë Kushtetutë e ka miratuar BE-ja dhe NATO-ja, aq kohë, Brukseli nuk ka të drejtë ta konsiderojë si provokim, kërkesën për bashkim kombëtar midis një pjese të kombit shqiptar siç është Shqipëria me Kosovën. E shumta, zyrtarët e Brukselit, lypset ta rilexojnë këtë Kushtetutë. Dhe në fund fare: Brukseli duhet të konsiderojë si provokim të rëndë vizitën e kryeministrit Cipras në Moskë, pasi Greqia është anëtare e BE dhe jo deklarimet e kryeministrit të Shqipërisë e cila është vend kandidat për në BE”.


...
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama është e disata herë që i është afruar shumë direkt problemit të së ardhmes së Kosovës të bashkuar me Shqipërinë. Falë një artikulimi plot ngjyra, që i shkon sintaksës së vet, por edhe tepër ekspresiv, ai ka thënë se: Europa ka nevojë për shqiptarët aq sa shqiptarët kanë nevojë për Europën. Sipas tij, bashkimi kombëtar ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë po ndodh me mjete të shekullit të 21-të. “Ajo që ne kemi filluar vjet në Prizren dhe çka kemi vazhduar sivjet dhe çka në fakt është puna e çdo dite me Qeverinë e Kosovës, është rruga e një bashkimi kombëtar me mjetet e shekullit 21, në funksion të një Bashkimi Europian që do të jetë i plotë, duhet t’jetë i sigurt dhe në të njëjtën kohë duhet të jetë edhe shprehje përfundimtare e projektit të paqes”, ka cilësuar Rama në emisionin ‘Zona B’ në Klan Kosova. Për ta konkretizuar mendimin e tij, Rama ka shkuar dhe më tej, kur ka shpjeguar se nëse BE-ja nuk i kushton vëmendje Ballkanit Perëndimor, do të krijohen nacionalizma folklorikë në këtë pjesë.Edhe pse deklarata është ‘kujtuar’ se do kalojë thjesht, ka qenë, i pari kryeministri serb Aleksandër Vuçiç, i cili është shprehur se: Shqipëria dhe Kosova s’do bashkohen kurrë ndaj ka bërë një ftesë që të ndalen provokimet për destabilitet në rajon.
Dhe, vetëm pas pak ditësh, Ministria e Jashtme Serbe i ka dërguar një notë proteste Ambasadës shqiptare në Beograd pas deklaratave të Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, për bashkimin e shqiptarëve në Bashkimin Europian dhe qasjen që duhet të ketë BE-ja ndaj këtij bashkimi. Në të, Ministri i Jashtëm Serb, Ivica Daçiç, thekson se “pikëpamjet e Kryeministrit të Shqipërisë janë të papranueshme për Serbinë”. Në notën e protestës, Daçiç shton se “partnerët ndërkombëtarë duhet të dënojnë deklaratat e Ramës, të cilat cenojnë paqen dhe stabilitetin në rajon”.
Anipse për liderin e Listës për “Shqipërinë natyrale” të gjitha këto qëndrime janë nul, pasi “Kemi të bëjmë me një “gogol” që fqinjët shovinistë e përdorin sa herë që shqiptarët dhe politika e tyre reflektojnë dinjitet dhe barazi në marrëdhëniet me ata”.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama