Klima e biznesit dyfishohet korrupsioni

Në përgjithësi, treguesit e rrezikut janë përmirësuar, por treguesi më i fortë, ai i nivelit të korrupsionit, është përkeqësuar me tre herë. Të dhënat janë të raportuara nga “PRS group INC” dhe Autoritetet Shqiptare dhe janë publikuar nga FMN. Të dhënat e viteve ’98-’01, krahasohen me të dhënat e viteve ’05-’07.

Sipas të dhënave, Rreziku i Përgjithshëm në Shqipëri është përmirësuar nga 62% në vitin 2001, në 70% në vitin 2007, ku 100% është maksimumi i mundshëm në metodologjinë e vlerësimit. Në krahasim me vendet e reja anëtare të BE-së, Shqipëria është më mirë dhe ka njohur përmirësim më të madh. Por përsa i përket Rrezikut Politik, që nënkupton rrezikun që krijohet për investimin nga veprimtaritë e qeverisë, Shqipëria mbetet 8 pikë prapa vendeve të reja anëtare të BE-së dhe pothuajse në të njëjtin nivel me vendet e tjera me të ardhura mesatare.

Dyfishohet korrupsioni

Pikat e dobëta të Shqipërisë mbeten si zakonisht Zbatimi i Ligjit, ku ka një përmirësim të lehtë në krahasim me vitin 2001, dhe korrupsioni, ku ka një përkeqësim dramatik. Sipas të dhënave, Shqipëria pati marrë 38 pikë nga 100, në vlerësimin e kryer në periudhën ’98-‘01, shifër që në atë kohë mbi mesataren e vendeve të ngjashme nga niveli i të ardhurave. Por me të njëjtën metodologji dhe nga e njëjta kompani, në një vlerësim të kryer për vitet ’05-’07, pikët e Shqipërisë kanë zbritur në 17 nga 100 ose janë përkeqësuar afro 2.2 herë. Krahasimi i këtij treguesi me vendet me të ardhura të mesme, apo me vendet e reja anëtare, rezulton i pakuptimtë. Të parat kanë patur 45 pikë, vitin e kaluar, ndërsa Europa Lindore, 64. Krahasimi i kryer nga FMN nuk merr parasysh periudhën ’02-‘04, dhe për këtë arsye mund të mos tregojë të gjithë të vërtetën. Gjithsesi, edhe tregues të tjerë të nivelit të korrupsionit, kanë dalë në përkeqësim.

Shqipëria ka përmirësuar ndjeshëm nivelin e burokracisë gjatë periudhës së marrë në shqyrtim, duke ia kaluar edhe vendeve të tjera me të ardhura të mesme, sido që mbetet larg nivelit të Europës Lindore. Të gjitha këto probleme duket se i japin pasojat te treguesi i investimeve direkte të huaja në raport me PBB-në. Në Shqipëri, në të dyja periudhat e marra në shqyrtim, janë rritur nga 3 në 4% të PBB-së. Në Europën Lindore janë rritur nga 5 në % të PBB-së.

Treguesit e raportuar, indikojnë se problemet e Shqipërisë janë dukshëm prodhim i nivelit politik. Përderisa niveli i cilësisë së burokracisë është përmirësuar dy herë, ndërkohë që korrupsioni është përkeqësuar 2.2 herë, kjo dëshmon më së miri se shqiptarët janë të aftë për të përmirësuar vetadministrimin, por problemi i tyre qëndron te kasta politike.

Në krahasim me vendet e tjera të Europës Lindore, si dhe vendeve të rajonit, Shqipëria i lë pak a shumë të gjitha vendet prapa, me përjashtime të vogla, duke akumuluar një sasi të stërmadhe medaljesh negative. Te rreziku i përgjithshëm, lëmë prapa katër vende, Rumaninë, Serbinë, Bjellorusinë e Moldavinë. Edhe Azerbajxhani ka rrezik më të vogël. Te cilësia e burokracisë jemi në mes të listës. Te niveli i korrupsionit, jemi në majë si më të korruptuarit, me distancë të konsiderueshme kundrejt vendit të dytë, Kazakistanit, që qeveriset ende nga ish-Partia Komuniste dhe nga një President i përjetshëm.


Gazeta: Shekulli

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama