Kjo fitore nuk eshte ndryshimi por vetem mundesia per ndryshim

Kjo fitore nuk është ndryshimi, por vetëm mundësia për ndryshim
e ka marrë përgjigjen Është përgjigjja që kanë dhënë radhët e gjata përpara kishave dhe shkollave, kurrë kaq të gjata në historinë e këtij vendi, radhë me njerëz që kanë pritur tre orë, katër orë, shumë nga të cilët për herë të parë në jetën e tyre, sepse këtë herë besonin se mund të ishte ndryshe dhe që besonin se zëri i tyre mund të ishte ndryshimi.

 Është përgjigjja e dhënë nga të rinj dhe të moshuar, të pasur dhe të varfër, demokratë dhe republikanë, të zinj, të bardhë, hispanikë, aziatikë, latino-amerikanë, gej, hetero, paraplegjikë dhe tetraplegjikë. Amerikanë, që i kanë dhënë botës mesazhin se ne nuk kemi qenë kurrë thjesht një bashkësi individësh ose një bashkësi shtetesh të kuq dhe shtetesh blu. Ne jemi dhe do të jemi gjithmonë Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Është përgjigjja që ka drejtuar të gjithë ata të cilëve për një kohë të gjatë dhe nga shumë njerëz iu është thënë: jini skeptikë, dyshoni dhe kini frikë, në lidhje me atë që mund të ndodhë! Dhe i kanë drejtuar të vendosin duart e tyre në rrugëtimin e historisë për t’i drejtuar edhe një herë drejt një dite më të mirë.

 Është dashur shumë kohë, por sot, falë asaj që bëmë këtë ditë, në këto zgjedhje, në këtë moment specifik, sot ndryshimi është në Amerikë. Pak më parë, në mbrëmje, mora një telefonatë mirësjelljeje nga Senatori Mekein. Senatori Mekein është ndeshur shumë gjatë dhe me guxim gjatë kësaj fushate. Dhe ka luftuar edhe më gjatë dhe me guxim për vendin që dashuron. Ka bërë për Amerikën sakrifica që shumica nga ne nuk munden as t’i imagjinojmë. Të gjithë e falënderojmë këtë lider të guximshëm për shërbimet që i ka bërë Amerikës. I bëj përgëzimet e mia. Përgëzoj edhe guvernatoren Palin për atë që kanë mundur të realizojë. Dhe jam i paduruar të punoj me ta për të rinovuar premtimin e këtij vendi, në muajt që do të vijnë. Dua të falënderoj edhe shokun tim të udhëtimit, një njeri që ka bërë një fushatë zgjedhore me zemër, që ka folur në emër të burrave dhe grave me të cilët është rritur në rrugët e Skranton dhe me të cilët merr trenin çdo ditë në Delauer: Zëvendëspresidenti i Shteteve të Bashkuara, Xho Biden.

Dhe nuk do të isha këtu sonte nëse nuk do të kisha mbështetjen shumë të nevojshme të mikes sime më të mirë në këto 16 vitet e fundit, shtyllës së familjes sonë, dashurisë së jetës sime, Zonjës së Parë Mishel Obama. Sasha dhe Malia: Ju dua më shumë nga sa mund ta imagjinoni ju; e keni merituar këlyshin e ri që do të vijë me ne në Shtëpinë e Bardhë. Edhe pse s’është më me ne, unë e di që gjyshja ime po na sheh, siç na sheh familja falë të cilës unë jam ai që jam. Më mungojnë, sot dhe e di që detyrimi që kam ndaj tyre është i pashlyeshëm! Motrës sime Maja, Motrës sime Alma, të gjithë vëllezërve dhe motrave të mia: Faleminderit për mbështetjen që më keni dhënë.

Ju jam mirënjohës. Përgjegjësit të stafit tim elektoral, David Plufe, heroit të heshtur të kësaj fushate, që ka realizuar më të mirën fushatë politike, mendoj, të historisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës! Shefit tim të strategjisë, David Akselrod që ka qenë partneri im në çdo hap të këtij udhëtimi. Skuadrës më të mirë elektorale, më e mira në historinë politike: këtë e meritonit dhe do t’ju jem mirënjohës për të gjitha ato gjëra që keni sakrifikuar për ta realizuar. Por mbi të gjitha, nuk do të harroj kurrë atyre që iu përket me të vërtetë kjo fitore.

Ju përket juve! Ju përket juve! Nuk kam qenë kurrë një kandidat favorit për këtë detyrë. Nuk kemi dhënë kurrë as shumë para dhe as shumë mirëkuptim. Fushata jonë nuk është zhvilluar në dhomat e Uashingtonit. Ka filluar në oborret e Des Moines, në dhomat e ndenjes të Konkordit, nën dyert e Çarlston. Është bërë nga burra dhe gra që kanë dhënë aq pak sa kishin mundësi: 5 ose 10 ose 20 dollarë për çështjen. Ka gjetur forcën e saj nga ata të rinj që kanë shtyrë mitin e një brezi apatik dhe kanë ikur nga shtëpitë e tyre dhe familjet e tyre për të bërë punë që të jepnin shumë pak fitim ose që nuk të jepnin asgjë. E ka marrë energjinë e saj nga ata më pak të rinj që kanë sfiduar të ftohtin dhe të nxehtin për të trokitur në dyert e të panjohurve, dhe nga miliona amerikanë që kanë punuar vullnetarisht dhe kanë provuar se, pak më shumë se dy shekuj më pas, qeveria e njerëzve, nga njerëzit dhe për njerëzit nuk është thithur nga toka.

Kjo është fitorja juaj! Dhe unë e di që nuk keni bërë të gjitha këto që bëtë për të fituar këto zgjedhje. Dhe di që nuk e keni bërë për mua. E keni bërë sepse e kuptoni rëndësinë e detyrës që kemi përpara. Pasi edhe pse këtë natë ne po festojmë, e dimë mirë që sfidat që na presin nesër do të jenë më të rëndësishme se jeta jonë: dy luftëra, një planet në rrezik, kriza financiare më e keqe e këtij shekulli. Edhe pse sonte jemi këtu, e dimë që ka amerikanë guximtarë, që zgjohen në shkretëtirat e Irakut dhe në malet e Afganistanit duke rrezikuar jetët e tyre për ne.

Ka nëna dhe baballarë që rrinë pa gjumë, pasi fëmijët e tyre i zë gjumi dhe pyesin veten se si do t’ia bëjnë për të paguar faturën e mjekut apo sesi do të heqin para mënjanë për të paguar universitetin e fëmijëve të tyre. Ka vende të reja pune që duhen krijuar, shkolla të reja që duhen ndërtuar, kërcënime që duhen përballuar dhe aleanca të reja që duhen rindërtuar. Rruga që kemi përpara është e gjatë. Ngjitja është e vështirë. Mund të mos arrijmë për një vit dhe as gjatë një mandati. Por, Amerika, nuk ka pasur kurrë kaq shpresë sa ka sot se ne do t’ia dalim!

Unë ju premtoj që do t’ia dalim! Do të ketë pengesa dhe nisje jo aq të mira. Shumë nuk do të bien dakord me ato që do të vendos ose me politikat e mia si President. Dhe e dimë mirë që qeveria nuk mund të zgjidhë të gjitha problemet. Por do të jem gjithmonë i ndershëm me ju lidhur me sfidat që do na duhet të përballemi. Do t’ju dëgjoj, sidomos atëherë kur nuk do të jeni dakord me mua. Dhe, mbi të gjitha, do t’ju kërkoj të merrni pjesë në rindërtimin e këtij kombi, në të njëjtën mënyrë që Amerika është ndërtuar në 221 vjet, ndërtesë për ndërtesë, tullë për tullë, pëllëmbë për pëllëmbë. Kjo që ka filluar 21 muaj më parë në mes të dimrit nuk mund të përfundojë në këtë natë vjeshte.

Kjo fitore e vetme nuk është ndryshimi që duam. Është vetëm mundësia që të realizojmë këtë ndryshim. Dhe kjo nuk mund të ndodhë nëse kthehemi mbrapa në mënyrën sesi ishin gjërat. Nuk mund të ndodhë pa ju, pa një shpirt të ri shërbimi, një shpirt të ri sakrifikimi. Kështu që i bëjmë apel shpirtit të ri të patriotizmit dhe të përgjegjësisë, për të cilin çdonjëri nga ne duhet të përveshë mëngët dhe të punojë shumë dhe të kujdeset jo vetëm për veten por edhe për të tjerët. Duhet të mbajmë parasysh që nëse kriza financiare na ka mësuar diçka, ajo është që nuk mund të kemi një “Wall Street” të pasur dhe një “Main Street” që vuan. Në këtë vend, lindim dhe vdesim si një Komb, një Popull. Nuk biem pre e tentativës për të rënë në mosdije, në mbylljen e mendjes dhe në papjekurinë që ka helmuar politikën tonë për një kohë kaq të gjatë.

Duhet të kemi parasysh që ka qenë një njeri i këtij shteti që ka sjellë për herë të parë Partinë Republikane në Shtëpinë e Bardhë, një parti të themeluar mbi vlerat e vetëvlerësimit, të lirisë individuale dhe të bashkimit kombëtar. Ato vlera janë vlera për të cilat jemi dakord të gjithë. Dhe nëse Partia Demokratike fitoi një zgjedhje shumë të rëndësishme sot, ne e bëjmë me një dozë përuljeje dhe vendosmërie për të zhdukur ndarjet që kanë penguar progresin tonë. Siç tha edhe Linkoln përpara një kombi, ne nuk jemi armiq por miq.

Edhe pse pasionet tona mund të na kenë mërzitur, lidhjet tona nuk duhet të këputen. Dhe për ata amerikanë për të cilët mbështetja nuk ka dhënë fryte akoma: mund të mos kem fituar votën tuaj sonte, por e dëgjoj zërin tuaj, kam nevojë për ndihmën tuaj. Dhe do të jem edhe Presidenti juaj. Dhe për të gjithë ata që sot na shohin nga pallatet dhe parlamentet, për ata që janë mbledhur afër radiove në të gjithë anët e botës: historitë tona janë të ndryshme, por fati jonë është i njëjtë, dhe një agim i ri për një lidership amerikan është duke filluar.



Artikujt e fundit


Reklama

Reklama