Kisha e Gjon Pagëzorit në fshatin Derven që prej muajit shkurt i është "nënshtruar" gërmimeve arkeologjike, me synim zbulimin e monumentit dhe sqarimin e fazave të ndryshme të përdorimit të tij. Një "barrë" e marrë përsipër nga Instituti Arkeologjik në Tiranë, që më pas do të duhet t'ia kalojë "stafetën" Institutit të Monumenteve të Kulturës. Por që për pamjaftueshmëri fondesh është një punë që nuk dihet se kur do të mbarojë.
Arkitektura
"Në stadin e tanishëm të gërmimit mund të themi se kemi filluar të njohim një pjesë të elementëve të arkitekturës së monumentit. Kisha është njënefshe e pajisur dhe me një hajat në anën jugore",- shprehet prof. Skënder Muçaj.
Muret e kishës ruhen në lartësi të konsiderueshme (pak më poshtë se niveli i tyre maksimal) vetëm në pjesën lindore të kishës, deri në pothuajse gjysmën e gjatësisë së saj. Më në perëndim muret janë prishur deri në një kuotë 1.4-1.5 m më të ulët. "Kjo ka ndodhur pasi pas mbulimit të kishës nga aluvionet ajo është përdorur në një kuotë mjaft më të lartë, por vetëm në pjesën lindore të saj",- shpjegojnë specialistë të arkeologjisë.
Nisur nga plani dhe elementët e tjerë të saj, kisha e Gjon Pagëzorit renditet deri tani me një numër kishash njënefshe të datuara kryesisht në shek. XIII-XIV. Në plan më afër ajo është me kishën e Sh. Markut në kalanë e Danjës e datuar në fundin e shek. XIII dhe fillim të shek. XIV, kurse elementë të tjerë të arkitekturës e përafrojnë atë me kishën e Kuçit, Priskës së Vogël, Priskës së Madhe, Përcëlleshit, Zgërdheshit, Maxharës dhe Pllanës të datuara po në këtë periudhë.
Afresku
"Në fazën e parë të përdorimit të kishës muret kanë qenë të suvatuara dhe të lyera me gëlqere të bardhë mbi të cilën duken edhe gjurmë ngjyre të kuqe dhe okër pa mundur të dallojmë në të ndonjë motiv. Në një fazë të dytë pjesa lindore e kishës është veshur me afresk ku janë vendosur tre piktura, njëra në absidë dhe dy të tjerat në veri dhe në jug të saj",- thotë Elio Hobdari nga Instituti Arkeologjik. Duke shpjeguar se piktura e absidës dhe ajo e faqes në jug të saj ruhen në pjesën më të madhe të tyre, kurse piktura në faqen veriore u gjet tepër e dëmtuar dhe ka krijuar vështirësi për identifikimin e personazheve të pikturuar.
Në absidë, skena ka në qendër figurën e Krishtit, kurse në të djathtë dhe në të majtë të tij të drejtuar drejt tij dhe në lëvizje janë paraqitur Shën Pjetri dhe Shën Pali. Në skenën në jug me përmasa të mëdha janë pikturuar Shën Mëria dhe Shën Gjon Pagëzori. Në të dy këto skena mungojnë portretet.
Në nishen e krijuar në derën e murosur është vendosur një suva mbi të cilën sapo ka filluar të zbulohet piktura me skenën e lajmërimit: Shën Mëria me një libër në dorë dhe ëngjëlli Gabriel. Si pikturat në faqen lindore dhe ajo në nishe shquhen për cilësi të lartë vizatimi dhe ngjyrat e përdorura. Pikturat i takojnë dy fazave të ndryshme, më e hershme është ajo e faqes lindore. Në stadin aktual të shqyrtimit të saj si datë më të mundëshme të pikturimit saj do të propozonim shek. XIV, kurse ajo e nishes ngjashmëri ka me pikturat e fazës së dytë të kishës së Balldrenit, që sipas restauratorit të saj Z. Marika, i takojnë shek. XIV-XV.
Gërmimi i deritanishëm tregon se kisha e Shën Gjon Pagëzorit, është një monument me vlera të veçanta të arkitektonike dhe artistike. Zbulimi i plotë i saj do të ndihmojë për të hedhur bazat për një studim të dokumentuar sa më mirë për kishat e Shqipërisë Mesme dhe Veriut gjatë periudhës mesjetare.
B.Goce
Kisha e Shën Gjon Pagëzorit në fshatin Derven u rizbulua gjatë punimeve për ndërtimin e kishës së re pranë saj. E mbuluar krejtësisht nga aluvionet e lumit Gjoles ajo nuk njihej nga banorët vendas, ndonëse kisha e fundit e ndërtuar aty (e shkatërruar në 1967) ishte ngritur mbi muret e ndërtimit origjinal. Edhe pse gjatë hapjes së një kanali drenazhi ishte prishur një pjesë muri, kjo nuk ishte bërë shtysë për kërkime të mëtejshme.
Fushata 21 ditore e gërmimeve filloi në 6 shkurt 2007 me synim zbulimin e monumentit dhe sqarimin e fazave të ndryshme të përdorimit të tij
Historiku "i pagjurmuar" i një territori kishtar
Pjesa e territorit midis lumenjve Mat dhe Shkumbin, në shpinë të kryeqendrës së Dyrrahut, megjithëse ka luajtur një rol tepër të rëndësishëm gjatë gjithë periudhave historike, në pikëpamje arkeologjike është gjurmuar shumë pak. Kësaj të mete nuk i kanë shpëtuar dhe gjurmimet për identifikimin dhe studimin e monumenteve të kultit kristian nga fillimet e tij deri nga fundi i shekullit XVII, kur pjesa më e madhe e popullsisë së kësaj zone u konvertua në fenë myslimane dhe nuk mund të bëhet fjalë për ndërtime të reja.
Treva për të cilën bëhet fjalë sot gjendet e ndarë në katër njësi të ndryshme administrative: Tiranë, Krujë, Durrës dhe Kurbin; kurse me pushtimin turk në regjistrimin e vitit 1431-1432 shumë fshatra të kësaj treve ishin pjesë e timarit të Akçahisarit (Krujës). Në pikpamje të ndarjes kishtare, duke filluar nga shek. X, ajo ka qenë pjesë e Dioqezës së Krujës.
Kërkimet dhe gjurmimet e sapo filluara, nga punonjësit e Departamentit të Antikitetit të Vonë dhe Mesjetës në territorin e rrethit të Tiranës, kanë treguar se në këtë zonë ka një numër të madh kishash dhe kuvendesh të ndërtuar duke filluar nga fundi i shekullit XI deri në fundin e shek. XIV. Zona e Kurbinit, po aq e pasur sa ajo e Tiranës, ka ngelur deri tani jashtë vemëndjes së këtij projekti. Zbulimi dhe gërmimi i kishës së Dervenit do të jetë një shtysë për të eksploruar në vazhdim edhe këtë zonë.
Pas tërheqjes së Bizantit më 1071 dhe kalimit të kryqtarëve të parë më 1096 ky territor ka qenë jo vetëm në synimet ushtarake të shteteve perëndimore, por dhe në vemëndjen e kishës katolike, e cila është përpjekur që këto territore t’i vërë nën juridiksionin e saj. Me anë të urdhrave benediktinë, domenikanë dhe françeskanë ajo ka ushtruar influencën e saj në kishat e kësaj zone edhe kur kryepeshkopata e Durrësit ishte ortodokse. Kjo duket më së miri në arkitekturën e Kuvendit të Shën Mërisë në Shërmi të Tiranës dhe në kishën e manastirit të Shna Ndout të Rodonit, në afreskun e kishës së Shën Mërisë në Shërmi të Krujës, Shën Kollin e Priskës së Vogël, Shën Lukën e Madh (Shuksimadh) në Herraj, Manastirin e Priskës së Madhe dhe kapelat rreth tij, Kishën e Shën Todrit në Kuç (TR) etj.
Gjurmimet, gërmimet dhe studimet e kryera
Në zonën e Kurbinit, kisha e Shën Mërisë në fshatin Shëmri, kisha e Shna Noj pranë Laçit, kisha e Sh’Mhillit midis fshatrave Delbinisht dhe Milot, kisha në manastirin e Shna Ndout të Rodonit, kanë qenë objekt i vëzhgimeve sipërfaqësore dhe studimeve të kryera nga Ippen, kurse më vonë kisha e Shën Mërisë në fshatin Shëmri, kisha e Shna Ndout të Rodonit dhe kisha në kalanë e Zgërdheshit janë marrë në shqyrtim nga A. Meksi. Jo shumë larg, në jugperendim të Dervenit eshte germuar edhe bazilika paleokristiane dhe brenda saj një kapele mesjetare në fshatin Gjuricaj të zonës së Ishmit nga H. Myrto. Kurse me historinë kishtare të kësaj zone janë angazhuar një numër i madh studiuesish (M. Barleti, F. Cordignano, Farlati, M. Shuflai, L. Thalloczy, C. Jirecek; Th. Ipen; J. G. von Hahn, Th. Fabianich, V. Popoviç, A Ducellier, I. Zamputi, K. Frashëri, P. Furiqi, K. Biçoku, W. Miller). Me shumë vlerë për studimin e kishave të kësaj treve janë relacionet e shek. XVII të M. Bicit, B. Orsinit, M. Skurës dhe S. Gasparit
PREMIERA
Berberi i Seviljes, bardh e zi me frymë shqiptare
Çdo veshje është e bardhë ose e zezë. Ndërsa kostumet spanjolle janë "ristiluar" sipas veshjes tradicionale shqiptare nën syrin e Anila Zajmit.
E tillë do të vijë në skenën e Teatrit Kombëtar, "Berberi i Seviljes" nën syrin regjisorial të francezit Eric Vigner.
Shfaqja, premiera e radhës në TK ka "tërhequr" një kast aktorësh nga më të mirët e TK, si: Luiza Xhuvani në rolin e Rozinës, Roland Trebicka në rolin e Kontit Almaviva, Marko Bitraku në atë të Don Bazilios, Helidon Fino në rolin e Figaros, Neritan Liçaj në rolin e Bartolos, etj. Vizioni i viteve '900 të Marubit vjen në një kontrast bardh e zi, ndërsa veshjet e personazheve janë veshjet tradicionale qytetare të veriut të Shqipërisë ndërthurur me fustanellën e jugut
Triumfi i "trëndafilit…"
Ajo që triumfon është paqja dhe dashuria. Po për këtë njeriu sakrifikohet… Pikërisht kjo është edhe ideja kryesore e kësaj vepre: himnizimi dhe sakrificat që duhet të bëjë njeriu, për të fituar në emër të dashurisë. Një ide që shfaqet simbolikisht përmes së bardhës dhe të zezës, dashurisë dhe errësirës e që përfundon në fund të shfaqjes, me triumfin e trëndafilit të bardhë.
Një Bomarshme "me efekte speciale"
Kjo komedi e autorit të shquar francez Bomarshe, e shkruar para Revolucionit Francez të 1773, mbahet si vepra që me strukturën e saj moderne shënon cakun e kalimit nga teatri klasik francez në atë modern për kohën. Në qendër të veprës kemi një grua, të cilën i shoqi me xhelozinë e tij dhe ndjenjën e inferioritet që ka ndaj saj, e ka burgosur dhe e mban të fshehur nga sytë e botës. Kjo është arsyeja që autori Rozinën edhe Figaron, si edhe ambientet e shtëpisë së tyre i ka trajtuar të gjitha të mbuluara nga ngjyra e zezë. Ndërsa në të kundërt, Almavinën që simbolizon dashurinë si dhe Figaron, që në një lloj mënyre është dirigjenti i strategjisë për t’u futur në këtë burg të zi dhe që aty të rrëmbejnë Rozinën, janë veshur në të bardha.
Dekori i Berberit të Seviljes do të realizohet me ndriçim dhe efekte speciale, koncept ky i regjsiorit, i cili do të zbërthejë në efekte dritash idenë e tij për luftën mes dritës dhe errësirës. Kjo do të bëhet e mundur nga ardhja në Tiranë e paisjeve shtesë për ndriçim e foni dhe nga zbatimi i skemës regjisoriale nga një inxhinier frëng. Realizimi teknik i kësaj vepre, e cila është mbështetur në një ndriçim special, që do të evidentojë në mënyrë simbolike një dantellë gjigande sa e gjithë hapësira e skenës. Dekori është ideuar nga vetë regjisori, i cili është njëkohësisht edhe piktor. Pjesë e stafit të kësaj vepre janë dhe emra të tillë, si: Vasjam Lami (as.regjisor), Fatos Qerimi (muzika), etj.
Eric Vigner
Regjisori Eric Vigner është aktualisht drejtor i Teatrit Rajonal të qytetit (Lorient). Në repertorin e tij janë drama të suksesshme të repertorit aktual francez, ku veçohet bashkëpunimi me Marguerite Duras, “Shiu i verës” që fillimisht u ngjit në skenën e Konservatorit Kombëtar të Artit Dramatik, Paris për të pasur një tur të suksesshëm jo vetëm në Francë, por edhe në Rusi. Ndërsa në 2002, kur vepra e shkrimtares hyn në repertorin e Comedie Francais, Vigmne thirret nga Teatri Kombëtar francez për të vënë sërish në skenë një nga veprat e saj. Në 2000 Eric Vigner është regjisor i "Rinoceront" të Joneskos, vënë në skenën e teatrit të Lorient.
Eric Vigner kohë pas kohe i është rikthyer suksesshëm repertorit klasik të komedisë frënge, duke arritur të ngjitet në skenën e Teatrit Kombëtar francez (Comedie Francais) me vepra të Rasinit (1996), të Molierit (1999). Në vitin 2004 vë në skenë “Borgjezi fisnik” në teatrin Kombëtar të Koresë. Menjëherë pas premierës në Seul trupa koreane bën një turne në Francë. Gjithashtu kjo trupë ka dhënë shfaqje në 2006-ën për tre javë në Operan Komike, Paris.
Viti 2000 shënon eksperiencën e parë të Eric Vigner në opera duke ngjitur në skenën e Lozanës operan Didone të Cavalli, ndërsa eksperienca e dytë është në 2003-in ftuar nga Festivali “Bach” i Lajpcigut (gjermani)
Marre nga :Gazeta Metropol











