Kisha Ortodokse aty ku fshihen veprat ikonografike

Kisha Ortodokse, aty ku  fshihen  veprat ikonografike

Pjesë domethënëse e kishës së ndërtuar, ato "strehojnë" rreth dy vjet punë të mundimshme të këtyre emrave, të cilët në vitet 1963-1965 iu përkushtuan krijimit të figurave të shenjtëve. Katër Ungjillorët, katër profetët, figura e Krishtit apo engjëjt janë pjesë e kësaj "vepre", tashmë të harruar nën gëlqere.

"Njerëzit duhet ta dinë që në atë vend, ku ata bëjnë këto rite, nën gëlqere ekzistojnë këto punë",- shprehet djali i piktores dhe ikonografes Androniqi Zengo, Gjergj Antoniu. Sipas tij këto punë janë vërtet me vlerë dhe duhet të gjendet një e vërtetë, që çuditërisht prej vitesh është lënë "në gjumë". Një e vërtetë, nën gëlqeren e kishës që për vite iu desh të shndërrohej në magazinë e kështu me radhë, derisa u rikthye sërish në një vend ku kryhen rituale fetare. Por, pakuptimisht me identitet "të tkurrur".

Një "lutje" për Krishtin?!

Sipas Gjergjit vetëm për të vizatuar kokën e Krishtit- 1 m e gjatë, nënës së tij, Androniqit i janë dashur gjashtë muaj punë me kokën lart. Pa llogaritur punën me pjesët e trupit të Krishtit, një figurë më shumë se 4 m e gjatë.

"Nëna ka bërë pjesën e kupolës, dy ungjillorët në vazhdim të figurave anësore. Dy ungjillorët e tjerë i ka bërë tezja ime. Katër profetët (rreth 1.5 m të gjatë secili) dhe pjesën e mëposhtme të tyre i ka bërë po Androniqi Zengo, kurse pjesët e brendshme Akili",- thotë Gjergji, duke ritheksuar se ka qenë një punë vërtet plot përkushtim dhe që me të vërtetë mban vlera, të cilat duhen zbuluar. "Kjo është e vërteta",- shton ai, ndërsa tregon me kujdes fotografitë e këtyre figurave, të ruajtura që nga viti 1964 nga nëna e tij e më pas nga vetë ai.

Një kishë në vitin '64

Kisha Ortodokse e njohur ndryshe si "kisha e re" në rrugën e Kavajës është ndërtuar në vitin 1964. Në një kohë, kur vetë shqiptarët dhe Shqipëria ishin në kulmin e sulmeve kundër ideologjisë fetare. Disa e interpretojnë ndërtimin e kësaj kishe me përligjien e politikës të pushtetarëve të regjimit komunist, "për përkrahje nga diaspora shqiptaro-amerikane". (Në fillim të viteve '60 Shqipëria zyrtare u përgatit për të pritur Fan Nolin, vizita e të cilit u shty. Ndërsa ai vdiq më 1965). Në vitin 1965, Kisha e re menjëherë u shndërrua në palestër sportive. Deri në vitet '90-të kjo kishë ka kryer një varg funksionesh e më pas u "rikthye" sërish në institucion fetar.

Në gjurmët e një tradite

Të rritura në një mjedis ku arti ikonografik vinte natyrshëm si një lloj "trashëgimie", dy nga vajzat e familjes Zengo do të perfeksiononin më tej një udhë të nisur më parë nga i ati i tyre, Vangjeli dhe më tutje në kohë, nga gjyshi Jani.

I lindur më 1877 në Dardhë të Korçës, Vangjel Zengo, shfaqi prirjet e tij për të vizatur që kur ishte fëmijë, në shkollën 7-vjeçare të fshatit. I ati i tij, Jani Zengo, mësues në fshat (Dardhë) ishte njëkohësisht edhe ikonograf (amator), fotograf, skalitës guri, rrobaqepës dhe së fundmi prift. Ai vdiq më 1912. Jani kishte një vëlla që ishte ikonograf në manastirin e Kariës në malin Atos (mali i Shenjtë) në Greqi. Veprat e tij dalloheshin për cilësi të mirë dhe pëlqeheshin nga priftërinjtë e murgjit e Malit të Shenjtë. Pikërisht tek ky u dërgua Vangjeli, pasi kishte bërë dy vjet në shkollën e mesme të Korçës dhe pasi mësoi nga i ati zanatin e fotografit. Ishte viti 1891. Në Malin e Shenjtë, Vangjeli qëndroi tetë vjet. Bënte jetën e murgut dhe njëkohësisht mësonte ikonografinë. Ikonat e Vangjelit shquheshin ndër të tjerët për nivelin e dallueshëm artistik dhe shpesh ai shpërblehej me dhurata simbolike, si: shalle të ndryshëm mëndafshi, nga të cilët Vangjeli ka marrë me dhjetëra. Ikonat e bëra prej tij qenë porosi nga kishat e manastiret e Odesës. Shumë nga këto ikona janë të fotografuara nga vetë Vangjeli, i cili ushtronte ndërkohë edhe profesionin si fotograf. Në vitin 1899 kthehet sërish në Dardhë. Fillimisht kujdeset për vëllezërit e motrat dhe njëkohësisht punon si ikonograf e fotograf me porosi individuale të ndryshme.

"Vizatimi" i kishave të Korçës

Në 1902 martohet dhe më vonë bëhet baba i 7 vajzave. Po në këtë periudhë pikturoi kishën e Dardhës. Më 1905 me ndërtimin e kishës së Shën Gjergjit në Korçë (kjo kishë ishte aty ku është sot Biblioteka) u përzgjodh pikërisht Vangjeli për të pikturuar. Për të u punua rreth dy vjet dhe Vangjeli mori shumë vlerësime për punën e tij ditën e inaugurimit. Në realizimin e ikonave të kësaj kishe ndihmuan edhe ikonografët A. Ziçishti dhe S. Kere. Fatkeqësisht kjo kishë tashmë nuk ekziston.

Në vitin 1911 pasi bleu një shtëpi në zonën e vjetër prapa monumentit të luftëtarit të lirisë, Vangjeli vendoset familjarisht në Korçë. Edhe këtu ai kishte mjaft porosi, madje edhe porosi për ikona të fesë myslimane nga besimtarë islamë.

"Riudhëtimi" në Greqi

Më 1914 shkon në Greqi dhe qëndroi katër vjet në Almero Vollos dhe tre vjet në Qifisihorion Velica (afër Athinës). Gjatë kësaj periudhe ai punoi shumë ikona për kishat e manastirit të këtyre vendeve.

Në 1921 kthehet në Korçë dhe po këtë vit pikturoi xhaminë e madhe të qytetit së bashku me vëllezërit e tij, Eftimin e Nikollën që qenë ndihmësit e tij.

Në kishën Evangjeliste dhe përtej…

Në vitet 1922-1924 pikturoi kishën e Evangjelizmit në Tiranë. Kjo kishë ishte ku sot është hotel 15-katëshi, ku ka marrë dhe fletë lavdërimi për punën e tij. Në vitet 1926-1937 së bashku me vajzat e tij piktore ka pikturuar kishat e Shën Mërisë, Shën Thanasit, Shën Triadhës në Korçë, Kishën e Hoçishtit, Kishat e Bollovodës, Marjanit, Polenës, Oparit. Në vitet 1935-1936 filloi kishën e Mitropolisë në Korçë, e cila u mbarua pas 10 vjetësh nga vajzat e tij piktore. Në serinë e kishave të shumta janë edhe ikonat e kishës së Shën Premtes në Brigbord të SHBA, të cilat i punoi sipas porosisë që iu bë. Ai mori për to fletë lavdërimi dhe gazetat e Bostonit vlerësuan nivelin e lartë artistik të ikonave. Këto u realizuan në vitet 1937-1938.

Piktura dhe arti i fotografisë

Veç kishave (ikonave) ai ka pikturuar edhe shumë piktura. V. Zengo pikturoi disa herë portretin e Skënderbeut, tablonë "Beteja e Skënderbeut me turqit" (ndodhet tek muzeu i Krujës), tablotë: "Betimi i shqiptarëve", "Vallja e luftëtarëve", "Përcjellja e djalit ushtar", portretet e Fan Nolit (Muzeu Kombëtar), Sotir Pecit, Mihal Gramenos, etj.

Shumë tablo në mur dhe në beze, porositeshin nga familje artdashëse, në raste fejesash e martesash, si: tablotë "Paridi dhe Helena e Trojës", "Leximi i vjershave të Homerit", etj. Për shtëpinë e tregtarit korçar Rako punoi 6 tablo me përmasa 2 m X 1.5 m, ku paraqiteshin aspekte nga jeta nomade.

Si fotograf ai realizoi në celeluoid qindra fotografi. Ndër to ka shumë nga ikonat e pikturuara në vite. Ka fotografi me pamje nga fshati Dardhë, portrete me kostume popullore, fotografi të pjesëtarëve të familjes e të fisit, njerëz të njohur, familjarë, etj. Në vitet e fundit të jetës (pas 1938) punoi më pak pasi u sëmur dhe në 20 mars të këtij viti ai u shua.


Marre nga : Blerina Goce - Gazeta Metropol


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama