Kinemaja e huaj veshtron Shqiperine

Kinemaja e huaj veshtron Shqiperine
Motivi i Besës dhe gjakmarrjes në kinemanë e huaj që vështron Shqipërinë. Një fiction dhe një thriller mbi temën e gjakut, lidhja e besës mes një shqiptari e serbi dhe dokumentari gjerman mbi Bajraktarin e Dukagjinit në Festivalin e Durrësit më 29 gusht- 4 shtator.

Motivi i besës dhe gjakmarrjes jo një herë i ka bindur regjisorët e huaj të marrin ekipin e tyre, të shpërngulen në Shqipëri dhe t'i futen punës për realizimin e një filmi. Bota mistike e maleve dhe ligji i pashkruar i tyre në shekuj, Kanuni, është një copëz Shqipëri që të huajt i intrigon për të ndërtuar një realitet filmik. Në edicionin e tretë të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit, që hapet nesër, ora 20.30 në Amfiteatrin e Durrësit janë katër filma të huaj që hedhin vështrimin nga Shqipëria. Ka raste ku filmi thellohet në motivet shqiptare, apo kur regjisori vendos të xhirojë në Shqipëri dhe të marrë për protagonistë aktorë shqiptarë. Ka edhe filma, ku regjisori i trajton kalimthi këto motive duke iu sjellë jehonën e kohën e sotme.

Janë filma në konkurrim ose jashtë konkurrimit.

"Hi dhe gjak" ("Cendres et Sang", 2009) i një emri të njohur të kinemasë franceze, Fanny Ardant (1949), e prezanton atë si regjisore dhe skenariste. Filmi të cilit iu rezervua projeksion i veçantë në Festivalin e Kanës 2009, ngrihet mbi një histori gjakmarrjeje. Ai shfaqet në seksionin e filmit evropian "Vizione Bashkëkohore" të Festivalit të Durrësit, në praninë e vetë yllit francez të kinemasë. Luajnë aktorët: Ronit Elkabetz, Abraham Belaga, Marc Ruchmann, Claire Bouanich, Olga Tudorache, Ion Besoiu etj.

Ardant rrëfen historinë e një gruaje të dëbuar nga vendi i saj pas vdekjes së të shoqit. Xhuditi, që jeton në Marsejë bashkë me fëmijët pranon një ftesë për dasmën e një kushëriri dhe kthehet në vendin e saj, vetëm për hir të fëmijëve. Rikthimi kthehet në makth për vejushën sepse ardhja e saj ringjall urrejtjen e shkuar mes klaneve rivale.

"Edhe një herë flet gjaku." Duket se është ky motivi i filmit për të cilin Ardant është konsultuar me veprën e shkrimtarit shqiptar Ismail Kadare, "Eskili ky humbës i madh", por duke iu referuar kryesisht rrënjëve të fenomenit të fshehura thellë në tragjedinë e lashtë greke. Është për t'u shënuar prania e vetë Ardant-së në Festivalin e Filmit në Durrës më 3 dhe 4 shtator. Vitet '80 shënojnë kulmin e shkëlqimit të aktores me famën ndërkombëtare që i dha filmi "La Femme d'à côté" i François Truffaut-së, ku luajti përkrah Gérard Depardieu.

Fillimisht Ardant shfaqej si një aktore e njomë dhe e bukur. Më vonë dëshmon shkathtësi mbresëlënëse në rolin e saj komik në "Pédale doce", për të cilin mori edhe një Cezar më 1997 si Aktorja më e Mirë. Ka shkëlqyer në disa filma të Hollivudit dhe filma britanikë, si në produksionin "Callas Forever" e Franco Zeffirellit, ku interpretoi divën e operës Maria Callas. Në vitin 2003, Ardant u vlerësua në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Moskë për arritje të shquara në karrierën e aktrimit dhe përkushtimin ndaj parimeve të shkollës së Stanislavskit. Ajo po provon sërish si regjinë me filmin "Chimères Absentes".

Rrimë përsëri në seksionin "Vizione Bashkëkohore". Një tjetër regjisor hedh sytë nga Shqipëria, po për motivin e gjakmarrjes. Bëhet fjalë për bashkëprodhimin shqiptaro-belg, "Dosja K" ("Dossier K", 2009), me regji të Jan Verheyenit, me skenar të Carl Joos, Erik Van Looy dhe vetë Verheyenit. "Dosja K" është pasardhësi i "Rasti i Alzheimerit" ose "Kujtimet e një vrasësi" (2003) i regjisorit Eric Van Looy, i shitur në më shumë se 30 vende. Te "Dosja K" Jan Verheyen e ndërthur motivin e gjakmarrjes me tradhtinë, hakmarrjen, ambicien e verbër, me fatin. I vendosur në një sfond të mafies shqiptare në Antverp, subjekti i hedh personazhet kryesore, Erik Vincke dhe Freddy Verstuyft, në një vorbull shkatërruese nga e cila askush nuk duket se ka gjasa të shpëtojë. Interpretojnë aktorët: Koen De Bouw, Werner De Smedt, Hilde De Baerdemaeker, aktori shqiptar Blerim Destani etj.

Jan Verheyen e nisi karrierën si organizator festivalesh dhe distributor filmash. Debutimi i tij i parë ishte në vitin 1991 me komedinë ironike për adoleshentë, "Djemtë". Verheyen ka realizuar jo më pak se 6 hite komerciale: "Team Spirit" (2000), "Alias" (2001), "Team Spirit 2" (2002), "Buitenspel" (2005),"Vermist" (2007) dhe "Los" (Cut Loose) (2008). "Dossier K" (Dosja K) është filmi i tij i dhjetë. Pas dy trajtimeve fiction, Shqipëria vjen në fokusin realist të kamerës së regjisorit berlinez Philip Vogt. "Mbajtësi i flamurit" ("The flag bearer", 2010) prezantohet në seksionin e filmit dokumentar, jashtë konkurrimit.

Kamera e Vogt zhvendoset në Veriun e Shqipërisë për të rrëfyer historinë e Zef Sokolit, Bajraktar i Dukagjinit, "njeriu që mban flamurin" dhe që u bën zë burrave me një të shtënë pushke kur është fjala për luftë. Ai nuk di cilin nga tre djemtë e tij të lërë pasardhës. Në anën tjetër ata ndihen të pasigurt, mes dy botëve: asaj arkaike të maleve dhe qytetit modern poshtë në luginë. Kur ndjen se mbretëria e tij po bie, Bajraktari e lë shtëpinë e paraardhësve dhe zbret poshtë në qytet.

Aty fillon të dyshojë për fatin që do të ketë tradita e familjes së tij: A do të ketë një pasardhës për Bajraktarin? Personazhe: Lezia Vladaj, Zef Sokoli Vladaj, Kol Vladaj, Sokol Vladaj, Vladimir Vladaj, etj. Philip Vogt studioi dy vjet në Paris dhe Monpelje para se të niste më 1999 studimet për film dokumentar në Akademinë e Mynihut.

Ka realizuar pesë dokumentarë. Prej vitit 2002 ai punon si regjisor i pavarur dhe drejtor fotografie. "Mbajtësi i flamurit" është filmi përfundimtar i diplomës. Vogt jeton dhe punon në Berlin. Nuk mund t'i mungonte korpusit të këtyre filmave edhe vepra e një ballkanasi. Regjisori Srdjan Karanovic vjen me temën e Besës të trajtuar në filmin me të njëjtin titull. "Besa" konkurron në seksionin "Botë ballkanike".

Karanovic trajton një histori në një kohë të pazakontë, në fillim të Luftës së Parë Botërore. Filipi, drejtor gjimnazi në një fshat të Serbisë, merr thirrjen për t'u rekrutuar në front. Detyrohet të largohet dhe ta lërë vetëm të shoqen, Lean, sllovene e re dhe e bukur, mësuese vallëzimi. Azemi, shqiptar i pashkollë dhe patriarkal, kujdestar i shkollës, i jep besën se do të kujdeset për Lean që asaj të mos i ndodhë asgjë.

Kushtet e vështira e afrojnë Lean me Azemin, dy njerëz të kulturave të ndryshme, ajo e krishterë, ai mysliman, drejt një marrëdhënieje komplekse të ndaluar. Më shumë sesa një histori romantike, filmi është shembull i ndarjeve të thella etnike dhe klasore në Evropën e fillimit të shek. XX. Interpreton një aktor i mirënjohur si Miki Manojlovic si dhe Iva Krajnc, Nebojsa Dugalic, Radivoje Bukvic, Ana Kostovska etj.

Srdjan Karanovic është anëtar i shquar i "Shkollës së Pragës" së regjisorëve jugosllavë. Është diplomuar në shkollën e famshme të filmit FAMU në Çeki më 1970. Fryt i atij formimi janë edhe filmat e njohur të tij: "Aroma e Luleve të Egra" ("Miris Poljskog Cveca", 1977"), "Kurora e Petrijës" ("Petrijin Venac",1980) dhe "Një grusht luleshtrydhesh" ("Jagode u Griu", 1985). Edhe si skenarist, Karanovic bashkëpunon shpesh me regjisorin Rajko Grlic. Ishte me rëndësi kjo ndalesë te kinemaja që hedh vështrimin nga Shqipëria, jo vetëm për emrat e njohur që e përfaqësojnë atë, por edhe për mendësitë dhe përvojat që të katër regjisorët prezantojnë në ditët e Festivalit të Durrës, që mbahet nga 29 gushti deri më 4 shtator.

Programi i filmave në konkurrim

Festivali Veror i Filmit në Durrës (International Film Summerfest Durrës) mbahet më 29 gusht-4 shtator në teatrin "Aleksandër Moisiu" dhe në Amfiteatrin e qytetit. Në konkurrim janë 17 filma, 10 në seksionin "Vizione Bashkëkohore" (Contemporay Visions) kandidatë për "Gladiatori i Artë", për Filmin më të Mirë, për Regjisorin më të Mirë, Aktorin më të mirë dhe Aktoren më të mirë". Dhe 7 në seksionin "Botë Ballkanike" (Balkan World) ku konkurrohet për çmimin "Filmi më i mirë Ballkanik" dhe Çmimin e Kritikës (FIPRESCI)

Vizione bashkëkohore

"Zemër kafshe" (Coeur Animal), regjia Séverine Cornamusaz, 2009
"Dosja K" (Dossier K), regjia Jan Verheyen, 2009
"Lirika të pamundura" (El Idioma Imposible), regjia Rodrigo Rodero, 2010
"Hi dhe gjak" (Cendres Et Sang), regjia Fanny Ardant,2009
"Kan Door Huid Heen", regjia Esther Rots, 2009
"Ditët e fundit të Ema Blankut" (De Laatste Dagen Van Emma Blank), regjia Alex van Warmerdam, 2009
"Kohë të humbura" (UTOLSÓ IDÖK) regjia Áron Mátyássy, 2009
"Peshku I vogël" (Kleine Fische), regjia Marco Antoniazzi, 2009
"Sinestesia", regjia Erik Bernasconi, 2010
"Është ferr me princeshën" (Peklo S Princeznou), regjia Milos Smídmajer, 2009

Botë Ballkanike

"Besa", regjia Srdjan Karanovic, 2009
"Gomari" (Kenjac), regjia Antonio Nuic, 2009
"Këtu dhe atje" (Tamo I Ovde), regjia Darko Lungulov, 2008
"Medalja e Nderit" (Medalia De Onoare), regjia Calin Peter, 2009
"Kosmos" regjia Reha Erdem, 2009
"Disa histori të tjera" (Neke Druge Zgodbe), regjia Marija Dzidzeva, Ivona Juka, 2010
"Shenjat e dashurisë" (Love Scares), regjia Ivana Cetkovic, Branislav Milatovic, Milos Pusonjic, Mladen Vujacic


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama