Kinemaja dhe endrrat e komunizmit

Kinemaja dhe ëndrrat e komunizmit
Një burrë që xhiron rrugëve, në Moskën e viteve '30, me kamerën stative disa kilëshe. Njerëzit pozojnë para tij një çast, pastaj rendin me vrull në rutinën e punëve. Ritmet marramendëse të jetës që ka hyrë në epokën e teknologjisë së re të makinave, që regjiori rus Dziga Vertov i ka fiksuar në dokumentarin e jashtëzakontë "Një njeri me kamera në dorë", në fakt të kujton atë parashikim që mjeshtri i kinemasë pa zë Çarli Çaplin bënte tek "Kohët moderne" (1936): njeriu i shekullit të njëzetë që paloset në ingranazhin e përbindshëm të një makinerie. Por me një ndryshim: Çaplin parashikon (7 vjet më vonë se Vertov) dramën e pashmangshme të njeriut që nga këtej e tutje nuk do të kishte më kohë për veten. Ndërsa Vertov megjithëse në krahun tjetër të botës, në Evropë, tregon një lloj ekstaze të rusëve të tij që po e përjetonin komunizmin si një rend për së mbari e të standardeve të larta.

Më 29 qershor 2004, Arkivi Shqiptar i Filmit, me rastin e botimit të Filmografisë së Filmit Shqiptar, në 50 vjet histori (1953-2003), shfaqte për herë të parë për publikun një thesar të arkivave tona, pikërisht dokumentarin e vitit 1929 të Dziga Vertov, i cili në historinë e kinemasë do të klasifikohej si një regjisor avangardist i epokës së kinemasë pa zë. Tre vjet më pas, Shkolla e Filmit dhe Multimedias "Marubi" e shfaq për herë të dytë, nesër, në orën 19.00.

"Njeriu me kamera në dorë" tregon në vitin 1929 Moskën e Leninit, në Planin e Parë pesëvjeçar. Si zgjohet e jeton Moska? Vertov ia nis nga vërshëllima e trenit, nga zgjimi i një gruaje, tualeti i saj, një akt i përditshëm që ndodh paralelisht me larjen shembullore të rrugëve. Vertov, ky burrë imcak me kilota, hedh kamerën në sup dhe në një minutë fikson me dhjetëra detaje nga rrugët, fabrikat, stacionet, administrata, martesat e divorcet, tregjet, shëtitjet e zonjave me automobilat e hapur, mamitë tek shkëpusin nga kordoni ombilikal foshnjën, floktoret për zonja e zotërinj… Është e mundur që të gjitha pasazhet e jetës të rrinë bashkë në një dokumentar, sepse Vertov ishte mjeshtër i montazhit.

Diku nga fundi i minutës së gjashtëdhjetë të filmit "Njeriu me kamera në dorë" (gjithsej 68 minuta dokumentar) si një detaj i parëndësishëm hyn edhe kolona zanore e "Internacionales". E kuptueshme, përderisa bëhet fjalë për jetën e re e të gëzueshme, për lavde frymës revolucionare. Dziga Vertov ishte nga ata regjisorë avangardistë që me pasion besonin tek komunizmi, ashtu si dhe dy kolegët e tij të shquar, Sergei Eisenstein dhe Alexandër Dovzhenko. Megjithatë, të tre janë kritikuar rëndë, madje paralajmëruar për heqjen e të drejtës për të bërë film, sepse ndryshe nga ç'propagandohej, ata kishin vizione të pavarura për çfarë komunizimi duhej të sillte. Në të kundërt, nga arti i kësaj tresheje, në atë kohë do të vlerësoheshin filma dhe regjisorë që ishin konform standardeve të partisë, madje këta të fundit, shpërbleheshin me udhëtime jashtë shtetit apo me ndonjë makinë.

Dziga Vertov me dokumentarët e tij, është një nga përfaqësuesit më të rëndësishëm të kinemasë eksperimentale në vitet '20 në Evropë. Pikërisht në këtë kohë interesi i artistëve avangardistë për kinematografinë u manifestua gjerësisht edhe në mendimin teorik, në tekste kritike, në skenare.

"Në vitet '60, në Francë, kineastët e rinj si Godard a Truffaut, zbuluan atë që e quajtën "kinemaja e vërtetë", harruan se dyzet vjet më parë, ky zbulim ishte bërë në Rusi", pat thënë regjisori Viktor Gjika kur në Tiranë u shfaq "Njeriu me kamera në dorë". "Ishte Dziga Vertov i lindur në vitin 1897 ai që duke filmuar jetën e vërtetë, formoi në të njëjtën kohë një botëkuptim të ri estetik kinematografik: të kapet jeta ashtu siç është, pa u zbukuruar. Vertov besonte se një kinema e tillë mund të ekzistonte." Por me ardhjen e zërit në kinema, Vertov nuk mund të merrte më sinkronë në befasi. Ai vazhdonte të punonte në Moskë për kinemanë që ëndërronte të bënte, por nuk ia arriti ditës ta shihte realitet. Vdiq në vitet '50 i harruar.

Somario

"Në vitet '60, në Francë, kineastët e rinj si Godard a Truffaut, zbuluan atë që e quajtën "kinemaja e vërtetë", harruan se dyzet vjet më parë, ky zbulim ishte bërë në Rusi", pat thënë regjisori Viktor Gjika kur në Tiranë u shfaq "Njeriu me kamera në dorë"

e.d  : Gazeta Shekulli

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama