Kosovari Gjoka ekspozon ne GKA

Kosovari Gjoka ekspozon ne GKA
Deri në datën 27 shkurt, në Galerinë Kombëtare të Arteve në Tiranë, do të qëndrojë e hapur ekspozita vetjake e piktorit dhe grafistit kosovar Gjelosh Gjoka. Gjoka konsiderohet në Kosovë një ndër pedagogët e parë të pikturës dhe si pishtari i grafikës kosovare. Karrierën krijuese e filloi me grafikën figurative, dhe më pas kaloi dhe në mediumin e pikturës, duke u gjendur profesionalisht mes grafikës dhe pikturës.

Në punën e tij të gjatë kreative, Gjoka përherë ka kultivuar të bukurën, madje edhe atëherë kur trajtoi përmbajtje të dhembshme e fytyra të trishtuara. E bukura, në imazhet e tij grafike e piktureske është komponent i rëndësishëm estetik. Veprat e realizuara sipas frymës metafizike, janë ato që më së miri e legjitimojnë identitetin e tij të lartë krijues.

Gjoka është krijues i ciklit ''Robotët'', në të cilin njeriu si subjekt trajtues, ka ngjyrën e metalit, ngjyrën e gurit, strukturën e llamarinës. Gjatë karrierës së tij Gjoka ka jetuar dhe vepruar edhe në vende të tilla si, Itali dhe Gjermani. Ndër ekspozitat e tjera të planifikuara për tu hapur në këtë galeri deri në qershor është edhe ajo e piktorit shqiptar Gazmend Leka në mars, ajo e artistit tjetër kosovar Adem Kastrati në prill, ajo e Ali Osekut në maj, si dhe një ekspozitë vetjake e foto-dokumentuesit anglez Martin Perr në qershor. Galeria është e hapur nga e marta në të shtunë nga ora 10:00 - 17:00, kurse të dielën nga ora 10:00 - 14:00.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama