Kineastet perballe Eurimages A jemi gati?

Kineastët përballë Eurimages: A jemi gati?
Sekretari i Përgjithshëm i Eurimages-it, Roberto Olla foli me detaje për kriteret rigoroze, detyrimet e palëve dhe përfitimet. Nga ana tjetër, kineastët shqiptarë e shohin veten pak konkurrues


Në një seminar të organizuar dje në ambientet e Hotel Tiranës, Sekretari i Përgjithshëm i Eurimages-it (Fondi i Këshillit të Evropës për Kinematografinë Evropiane), Roberto Olla,
u shpjegoi kineatëve shqiptarë mënyrën aplikimit në këtë organizëm, kushtet që duhet të plotësojnë, limitet dhe marrëveshjet që duhen respektuar në paraqitjen e projekteve. "Ne dimë shumë pak rreth kinemasë shqiptare.


Ndodhem këtu për të njohur producentët dhe regjisorët, për t'u njohur me projektet e tyre, për t'i nxituar ata në aplikimin e projekteve", shpjegoi Olla rreth qëllimit të ardhjes në Shqipëri.


Është i pari përfaqësues i lartë i Eurimages-it që vjen në vendin tonë, qysh prej anëtarësimit të Shqipërisë në këtë organizëm, shtator 2009.


Olla e përsëriti disa herë që projektet që Eurimages financon (në masën 17% të buxhetit) duhet të jenë bashkëprodhime, me të paktën 2 producentë nga vende të ndryshme dhe të zbatojnë marrëveshjen e lidhur mes tyre, dhe në rastet kur ajo nuk ekziston, zbatohet marrëveshja që ata kanë me Eurimages-in.


Mbështetja mund t'i jepet çdo personi juridik dhe fizik që jeton në Evropë, qeveriset nga shtetet e vendeve anëtare të Eurimages-it, aktiviteti kryesor i të cilëve konsiston në prodhimet kinematografike.


Ato mund të jenë të pavarura nga fondet publike. Një nga pyetjet e pjesëmarrësve në diskutim ishte: "Nëse një projekt nuk është i financuar nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë, a mund të konkurronte në Eurimages" dhe përgjigjia e Olla-s ishte: "Patjetër që po".


Një nga rregullat më të forta që Sekretari i Përgjithshëm përmendi për të pranishmit ishte garancia financiare që producentët duhet të japin që në paraqitjen e projektit, 50% e buxhetit të filmit i siguruar që më parë.


Në këtë rast, kuptohet nëse projekti i atij filmi është përzgjedhur, ai financohet 17% nga Eurimages, një shumë që do t'i kthehet Eurimages-it pas prodhimit dhe shpërndarjes së filmit.


Një çështje mbi të cilën, Olla u ndal gjatë, dhe e shpjegoi tej rregullave strikte dhe koncize, ishte roli që skenari cilësor ka në përzgjedhjen e projektit. Ai kontrollohet nga dy specialistë të kinemasë (readers), që shqyrtojnë cilësinë e tij, të ardhurat që mund të sjellë, impaktin që mund të ketë në kinema shfaqja e tij. "Përkthimi duhet të jetë po aq i mirë sa skenari, po ashtu edhe dialogët".


Roberto Olla i mëshoi mesazhit universal të filmit, që del jashtë një territori, prek interesat e një publiku të ndryshëm nëpër botë, dhe është i aftë të vjelë financa nga kompani të ndryshme të botës.


"Filmi mund të jetë 100% një histori shqiptare (e kam fjalën për subjektin e tij), por duhet të ngjallë interes edhe për vendet e tjera, për producentët e tjerë që investojnë në këtë film. Shembulli perfekt është ai i fituesit të "Ariut të Artë" në Berlin.


Është një subjekt turk, ka shumë pak Gjermani në atë film, por historia mund të kuptohet nga gjithkush, sepse tregon historinë e një qenieje njerëzore. Producenti turk dhe gjerman e paraqitën atë tek Eurimagess, dhe u vlerësua i shkëlqyer", jep një shembull Roberto Olla.


Si me shaka, ai dha edhe një këshillë për kineastët që mendojnë të dërgojnë projektet e tyre në këtë organizëm: "Komeditë financohen rrallë", pohoi Olla, duke shtuar se edhe komeditë e mira janë të rralla.


Duke folur për dosjen ku do të kopsitej projekti, me skenarin, punë të mëparshme të regjisorit, fotografi të aktorëve, Sekretari tha shkurt: të jetë e përsosur. Edhe në këtë pikë, bordi i projekteve ishte i vëmendshëm.


Ai vuri në dukje pavarësinë që Eurimages-i ka në përzgjedhjen e filmave, të pandikuar nga emra të mëdhenj të kinemasë.

"Emri i regjisorit nuk mjafton që filmi të mbështetet. Rregulli ynë është cilësia e filmit, nuk ka rëndësi nëse regjisori është i afirmuar, apo jo", siguroi Olla, duke nxitur pjesëmarrësit për të konkurruar me projekte.


Deri më tani, Shqipëria ka vetëm një projekt konkurrues, për të cilin Sekretari nuk jep të dhëna, një rregull që ka të bëjë me konfidencialitetin që ruan Eurimages.


"Me korrektësi po studiojmë projektin shqiptar, që është paraqitur në Eurimages nga producentët shqiptarë. Ne jemi duke e lexuar, analizuar atë, por nuk mund të them nëse filmi do të financohet apo jo, sepse akoma nuk është marrë një vendim.


Vendimi do të merret nga bordi menaxhues i Eurimages-it në muajin mars, bashkë me projekte të tjera që do të na vijnë nga vende të tjera", na informon Olla për projektin që është prezantuar në dhjetor 2009. Mësuam se bëhet fjalë për projektin që ka paraqitur regjisori Bujar Alimani, drejtuesi i agjencisë filmike "90 Production" që merr përsipër të financojë 50% të filmit,


"Arizona Film" me 15% dhe producenti grek "Fantasia Audiovizual" me 35%.
Projekti fillestar është shqyrtuar vitin e kaluar nga bordi i Qendrës Kinematografike Shqiptare dhe nuk është aprovuar.


Po cila është arsyeja që kineastët shqiptarë ngurrojnë për të konkurruar me projektet në një strukturë ndërkombëtare?

"Eurimages është organizëm i ri për ta. Ata nuk e dinë sesi ai funksionon.


Dhe gjërat që nuk i njeh u qëndron larg", thotë opionionin e tij lidhur me pyetjen Roberto Olla, dhe shpjegon edhe përparësitë që u jep anëtarësimi në Eurimages, sidomos i vendeve të vogla, që nuk kanë një buxhet të madh për kinemanë: "Eurimages kontribuon për qarkullimin e filmave, njohjen e kinemasë së vendeve të ndryshme, e shpëton ata nga izolimi, nga mosnjohja".


Ka regjisorë që nuk e shohim anëtarësimin në këtë strukturë si varkë shpëtimi të industrisë shqiptare të filmit. Ka prej tyre që përpiqen të qëndrojnë me këmbë në tokë, të rishohim mundësitë, realizimet, aftësitë dhe nivelin e deritanishëm të kinemasë shqiptare.


Ja si e shpjegon regjisori Mevlan Shanaj këtë: "Duhet të kesh një standard, duhet të kesh një mundësi kooproduksioni, të kesh disa financa për t'i paguar. Nuk mundet që në Shqipëri të mendohet se me anëtarësimin në Eurimages vjen suksesi, talenti, paraja. Eurimages kërkon një përgatitje të përgjithshme në radhë të parë, kulturore, psikologjike, pastaj ekonomike.


Veç kooproduksionit duhet edhe një lobing. Ata që janë anëtarë të Eurimages-it janë mësuar që të koperojnë me ata producentë dhe me ata regjisorë, ndërsa të hysh si i panjohur është tjetër gjë."


Shanaj evidenton si mangësi edhe shpërndarjen e filmit: "Shqipëria nuk ka distribuim lokal, jo më ndërkombëtar. Eurimages kërkon edhe garanci të tjera: sa kthehet mbrapsht financimi që ka bërë."


Ndërsa Shanaj, nuk e quan të vonshëm anëtarësimin në Eurimages, regjisori Fatmir Koçi e sheh këtë edhe si arsyen e numrit të paktë të projekteve të paraqitura.
Koçi e cilëson të vështirë konkurrimin dhe zërin që mund të ketë kinemaja shqiptare mes industrive të mëdha evropiane.


"Mendoj që vështirësitë janë tek realizimi shumë i mirë i një projekti të mirë. I referohem standardeve të produksionit, standardeve të skenarit, kastit të aktorëve, distribucionit, të gjitha elementet strukturorë të produksionit të një filmi.


Realizimi është gjithmonë një sfidë edhe për industrinë më të zhvilluar në botë."
E më tej ai vazhdon: "Nuk është fjala për ta prodhuar një film, për ta filmuar atë bazuar mbi një skenar shumë të mirë.


Filmi kërkon të strukturohet në çdo aspekt të tij, që të jetë kompetitiv në shkallën më të lartë. Këto dy dekadat e fundit, unë po i veçoj të paktën nga eksperienca ime, filmi duhet të jetë i një cilësie shumë të mirë, të jetë konkurrues. Dhe ne kemi probleme këtu, siç ka gjithë kinemaja ballkanike".

Jorida Pasku : Gazeta Shekulli

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama