Kim Mehmeti Politikanet shqiptare te mos e shesin ate qe eshte e jona

Kim Mehmeti: Politikanet shqiptare te mos e shesin ate qe eshte e jona

Dhjetëra e qindra shqiptarë mbajtën një protestë paqësore në Kumanovë. Protestuesit që mbanin në duar flamurin shqiptar kuqezi shoqëroheshin dhe nga shkrimtari Kim Mehmeti, i cili kërkoi që qeveria e Gruevskit të mos shpenzojë para për policinë, pasi ata protestojnë të qetë.

 

“Nuk jemi mbledhur këtu që t’u tregojmë maqedonasve se sa të fortë jemi, por jemi grumbulluar këtu që t’i tregojmë këtij shteti se është i dobët dhe se nuk mund t’i kundërvihet vrullit të rinisë shqiptare. Ne nuk jemi mbledhur këtu të dëmtojmë pronat e të tjerëve, as të gjuajmë gur mbi policët. Andaj e porosis Gruevskin të mos harxhojë para për bomba lotsjellëse e shokuese, ngaqë ato kushtojnë shtrenjtë e populli është i varfër dhe ato para mund t’i përdorë për të paguar pensione e ndihma sociale. E porosis Gruevskin se aty ku protestojnë shqiptarët, nuk vlen gjë policia, andaj nuk ka nevojë për polic.

 

Nuk munden këta qeveritarë të kenë aq bomba lotsjellëse sa neve të na e mjegullojnë shikimin e ta ngatërrojmë cakun e shqiptarisë me ndonjë të gabuar, e as aq bomba shokuese sa të trullosemi e të mos të dëgjojmë zërin e revoltës së rinisë sonë. Dhe sot do t’ia dëshmojmë këtë. Andaj ju them, protestoni të qetë. Ata që të paprovokuar hedhin gurë mbi policët, nuk janë me ne, ata të cilët nuk janë të prirë nga shqiptarizmi dhe urtësia, nuk janë me ne. Ne pra jemi grumbulluar këtu t’ua përcjellim një porosi edhe politikanëve tanë shqiptarë: se ata mund t’ia shesin vetveten kujt të duan dhe me çmimin që duan, por ata nuk guxojnë ta shesin atë që është e jona dhe që nuk shitet – shqiptarinë!”, tha në fjalimin e tij Kim Mehmeti.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama