KiE Shqiperia eshte ne krize

KiE: Shqipëria është në krizë
Seanca e djeshme e Asamblesë së KiE-së në Strasburg është kthyer në një betejë të fortë në mes dy reporterëve për Shqipërinë që kanë përgatitur rezolutën dhe delegacionit shqiptar, me në krye deputetin e PD-së, Ilir Rusmali, ku si përfundim kanë dalë fitues parlamentari britanik, David Wilshire dhe ai finlandez, Jaako Laakso, ndërkohë që ka humbur Rusmali, të cilit i janë rrëzuar 7 amendamente nga 10 të paraqitura për votim. Amendamentet e paraqitura nga Rusmali dhe të mbështetura nga disa deputetë të djathtë, konsistonin në heqjen e fjalës “krizë” nga rezoluta, heqjen e misionit special dhe të reporterëve, si dhemospërcaktimin e Presidentit si aktori që do të ulë në tryezë mazhorancën dhe opozitën. Përfundimisht rezoluta e dy reporterëve Wilshire dhe Laakso është miratuar vetëm me dy rregullime të vogla është miratuar nga 86 deputetë nga 94 të pranishëm. Konkretisht, dokumenti thekson se ka krizë politike në Shqipëri dhe jo krizë institucionale, ndërkohë që përkon që hetimi parlamentar të kryhet sipas Kushtetutës. Dokumenti i Asamblesë Parlamentare bën të ditur se Shqipëria është vend nën monitorim dhe së shpejti do të dërgojë një mision të posaçëm për të kërkuar zgjidhjen e krisës. Këshilli i Europës është angazhuar se mbështet fuqishëm Presidentin e Republikës, Bamir Topi, në rolin e tij si mediator për të ulur në tryezë mazhorancën dhe opozitën.

Debati

Para miratimit të rezolutës është zhvilluar një debat në Asamblenë Parlamentare të KiE-së ku shumica e diskutantëve kanë mbështetur dokumentin e reporterëve duke kërkuar zhbllokimin e menjëhershëm të krizës në Shqipëri, duke nisur dialogun mes PS-së dhe PD-së. Reporterët Wilshire dhe Laakso, duke mbrojtur rezolutën kanë kërkuar që të mbështetet thelbi i dokumentit. Dinlandezi Laakso ka bërë thirrje që zhbllokimi i krizës parandalon situata të pakëndshme që mund të provokohen nga konflikti politik. Ndërsa Renato Farina, deputet i partisë së Silvio Berluskonit, “Il Popolo delle Liberta” ka kundërshtuar pjesën e rezolutës që përcakton se Shqipëria është në krizë, duke mbështetur amendamentet e parlamentarëve të PD-së. Por më pas ka folur kreu i grupit socialist në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës, Andrea Gross, i cili ka kundërshtuar deputetin italian, duke përkrahur fuqimisht rezolutën. “Duhet t’i japim fund krizës politike në Shqipëri në mënyrë që të parandalojmë situatat e pakëndshme. Duhet të mos harrojmë se Shqipëria nuk ka kulturën e një dialogu politik të qëndrueshëm. Në të kaluarën votat janë mbrojtur nga ushtarët e NATO-s”. Ndërkaq, kreu i delegacionit shqiptar në Asamblenë Parlamentare, Ilir Rusmali, ka kërkuar me forcë heqjen e fjalës “krizë”, pasi sipas tij, ky definicion ka një konotacion mjaft negativ te qytetarët. Sipas Rusmalit, bojkoti ka ardhur pasi Rama nuk njeh institucionet dhe vendimet e gjykatave.

Misioni

Në përfundim të debatit në lidhje me funksionimin e institucioneve demokratike në Shqipëri, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës, i ka kërkuar Komitetit Presidencial që eshoqëruar nga Komiteti Monitorues që drejtohet nga Jaako Laakso(Finland) dhe David Wildshire(Mbretëria e Bashkuar), të vizitojë sa më shpejt Shqipërinë për të ndihmuar të rikthejë dialogun politik atje. Asambleja shpreh keqardhjen për “krizën politike, e cila seriozisht dëmton politikën shqiptare pas zgjedhjeve të qershorit 2009, si dhe Partinë Socialiste që ka bojkotuar Kuvendin dhe konteston legjitimitetin e qeverisë së drejtuar nga PD. Për t’i dhënë fund bllokimit politik, Asambleja i bën thirrje qeverisë shqiptare të nisë pa shtyrje, një komision parlamentar për hetimin e zgjedhjeve. Ndërkaq, thekson se mungesa e dialogut parlamentar ka bllokuar procesin e reformave që kur mazhoranca nuk ka dy të tretat e duhura për të kaluar reformat institucionale. Këshilli i Europës i kërkon opozitës të rikthehet në Parlament dhe të marrë pjesë plotësisht në punën e tij. Komiteti Presidencial i KiE-së përbëhet nga Presidenti i Asamblesë Parlamentare, drejtuesit e grupeve politike dhe Sekretari i Përgjithshëm.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama