Kater perandori ku dielli nuk perendon kurre

Kater perandori ku dielli nuk perendon kurre

Në vitin 1914, të thoje Europë kishe thënë Botë, duke parë shtrirjen e perandorive të Kontinentit të Vjetër. Në 2014-ën, duket sikur bota mund të bëjë edhe pa Europën. Por edhe disa europianë duket se janë të gatshëm të bëjnë pa të, duke u mbyllur në hapësira të ngushta, në dukje të sigurta. Jo, historia që nisi në Sarajevë nuk ka mbaruar...

Çdo histori fillon në fund. Asnjëra nuk përfundon asnjëherë, sepse gjithmonë jemi të gatshëm ta rishkruajmë. Dhe gjithmonë ndryshe, sipas këndvështrimit, kontekstit, shijeve, obsesioneve të gjithësecilit. Nuk ka asgjë më të kotë se sa të provosh të diktosh versionin përfundimtar. E tashmja e rimodulon vazhdimisht të kaluarën. “Faktet e pastër”, “ngjarjet ashtu si kanë ndodhur realisht”, janë produkte dhe riprodukte të asaj fabrike dhe cikli të vazhdueshëm që është historiografia. Ose propaganda e veshur si shkencë.

Sic thoshte: “E.H.Carr: “Historiani më i mirë është ai që zotëron paragjykimin më të mirë – jo historiani inekzistent pa paragjykime”. Historia mbetet lëndë e gjallë, një instrument pushteti shumë aktual. Për idenë që kemi për historinë luftojmë njësoj si për territorin tonë. Kështu edhe doktrina aktuale strategjike amerikane lartëson konkurrencën për rrëfimin: konfliktet nuk fitohen në fushëbetejë, por në sferën jomateriale të rrëfimit. Hegjemon është ai që imponon versionin e tij të fakteve. Në pritje që të tjerët ta përmbysin. Fundi i historisë mund të presë.

Të rigjykosh sot luftën e parë botërore, katastrofa që është në fillesë të epokës sonë, është një operacion jashtëzakonisht shumë strategjik. “Njerëzit e 1914-ës janë bashkëkohësit tanë”, konkludon historiani Christopher Clark në librin e tij “Somnambul”, duke reflektuar për rrjedhën që morën ngjarjet pas atyre plumbave te pistoletës në Sarajevë, dhe që çuan në vetëvrasjen aspak të pashmangshme të Europës. Që u shenjua prej shembjes së njëkohëshme të katër perandorive të mëdha: turko-otomane, ruse, austro-hungareze dhe gjermane…

Po ta shohësh me kujdes, shumë prej lojërave gjeopolitike që po ndodhin aktualisht mund të konfigurohen si luftëra (të ftohta apo të nxehta) për vazhdimësinë e hegjemonisë në territoret që iu morën katër perandorive të mëdha. Dy konflikte botërorë dhe një luftë e ftohtë nuk i kanë zgjidhur ato nyje. Në vitin 1918, ashtu si në 1945 dhe 1991, fundi i një lufte u shpall si fundi i të gjithë luftërave. Por formula magjike për qeverisjen e hapësirave të mëdha është në pritje të shpikësit të saj. Ndoshta prej këtij zhgënjimi të përsëritur, ndoshta prej prirjes nostalgjike që karakterizon çdo periudhë krizash, por kurrë më parë, ashtu si sot, katër perandoritë e shpallura si të vdekura nuk janë kthyer në modë.

Turqia e sulltanit Erdogan gëlon me neo-otomaninë. E përzierë me prirjet panturanike dhe panislamike, ideologjia perandorako-kalifale autorizon udhëheqësin turk që t’i pagëzojë si shtëpinë e tij hapësirat mes Adriatikut dhe Turkestanit lindor (Xinjiang). Pasi Ataturku kishte themeluar shtetin kombëtar turk mbi rrënojat e “të sëmurit të madh të Europës”, dhe mbi epopenë e Galipolit (1915), sot islamisti Erdogan shpallet mbrojtës i Portës së Lartë, edhe në faljen që u kërkon armenëve, viktima të dëbimeve dhe masakrave të kryera njëqind vjet më parë nga trupat e sulltanit. “Incidentet e Luftës së Parë Botërore janë dhimbja jonë e përbashkët”. Rezultatet e diskutueshëm të ekspozimit të tepruar neo-otoman, sidomos në fushën arabe nuk duket se e kanë prekur në vendin e tij, ku kryeministri shtrëngon vidhat e një sistemi personalist dhe të centralizuar.

Rusia e car Putinit rikthen të kaluarën imperiale: pas harresës përbuzëze sovjetike për epopenë e 1914-1918, në 1 gusht 2013 Kremlini përkujtoi për herë të parë përvjetorin e saj, dhe ka nxitur më në fund ngritjen e një monumenti për “15 milionë luftëtarët për mbrojtjen e atdheut”. Ajo Rusi imperiale, e udhëhequr nga “i mençuri dhe i madhi” Nikolla II me siguri do të kishte fituar, nëse komunistët nuk do të kishin përmbysur carin. E nëse Putini refuzon të reshtohet në radhët e të humburve të luftës së ftohtë, aty ku do ta vendosë Obama, kjo ndodh sepse kujton perandorinë e Romanovëve dhe jo regjimin e uzurpatorëve bolshevikë. Bashkimi Sovjetik është për Putinin ai që fashizmi ishte për Benedetto Croce: një pushtim i hyksos-ëve. Kllapa që duhen hequr.

Sa për austro-hungarinë, legjenda e saj është e ngulitur në vetë zhdukjen e saj. Në transformimin, nga një fortesë e Europës kontinentale, në një model progresist të bashkëjetesës shumëetnike. E gjithë MittelEuropa e sotme flet për këtë. Edhe Italia ish-habsburgase. Nuk kishte nevojë të rizbulohej Joseph Rothi, me Marshin e Radetskyt për të ringjallur legjendën e felix Austria, shumëetnike, e qetë, paqësore.

Në fund Gjermania. Jemi në tokën “e të kaluarës që nuk ikën”, siç e tregon edhe vala e gjermanofobisë që po përshkon Europën. Kriza e euros, monedhë e krijuar nga francezët dhe italianët për të penguar Gjermaninë e ribashkuar që të dominojë kontinentin, edhe po të ishim kthyer në vitin 1913 – makthi i Mitterrandit – interpretohet nga Berlini në dritën e 1923-shit, viti i hiperinflacionit që nisi me shpërthimin e luftës dhe u nxit më tej nga Traktati i Versajës, kur çmimet dyfishoheshin çdo katër ditë. Frika nga euro është bijë e asaj kujtese të përcjellë nga stërgjyshi tek stërnipi. Prandaj gjermanët sot kanë më shumë frikë nga inflacioni, se sa nga kanceri. Dhe heqja dorë nga marka gjermane, një lëshim i bërë ndaj gjermanofobive europiane, përshkruhet nga disa intelektualë gjermanë si “Versaja e dytë”: një haraç i paguar padrejtësisht për të “shëruar” ribashkimin e 1990-ës, që disa fqinjë europianë e kanë quajtur paralajmëruesi i Rajhut të Katërt. I tillë ishte, dhe pjesërisht mbetet, vizioni i teoricienëve të “karakterit kombëtar gjerman”, apo më saktë vokacioni agresiv i një populli që është vetëshpallur i njëjtë veç me vetveten, që nga Armini deri tek Angela Merkeli. Asgjë tjetër veçse një faj i përjetshëm kolektiv. Dhe Lufta e madhe është dëshmi e agresionit austro-gjerman ndaj paqes europiane.

Në vitin 1914, të thoje Europë kishe thënë Botë, duke parë shtrirjen e perandorive të Kontinentit të Vjetër. Në 2014-ën, duket sikur bota mund të bëjë edhe pa Europën. Por edhe disa europianë duket se janë të gatshëm të bëjnë pa të, duke u mbyllur në hapësira të ngushta, në dukje të sigurta. Jo, historia që nisi në Sarajevë nuk ka mbaruar.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama