Katastrofe ne Mynih Bayern shkaterron 4-0 Barca-n (VIDEO)

'Katastrofe ne Mynih' Bayern shkaterron 4-0 Barca-n (VIDEO)
Barcelona përjeton një makth të paparë, një shkatërrim total në “Allianz Arena”, duke i thënë “de facto” lamtumirë finales së Ligës së Kampionëve pas humbjes 4-0 me Bajernin e Mynihut në gjysmëfinalen e parë të këtij kompeticioni. Vetë rezultati flet qartë për supremacinë e bavarezëve, që u janë imponuar në cdo drejtim katalanasve të Tito Vilanovës. Ky i fundit nuk ka mundur të vërë dot aspak rregull tek të tijtë në fushën e blertë, përvecse të kundrojë në heshtje dhe tërë kohës në këmbë theqafjen shokuese të Blaugranëve. Gjermanët ishin zotër të gjithckaje, aq sa nuk e lejuan Barcelonën të gjuajë qoftë edhe një herë të vetme gjatë 93 minutave lojë në portën e Mauel Nojerit, ndaj edhe fituan 4-0, me dy gola të Tomas Mylerit dhe nga një të tillë me autorë Mario Gomez dhe Arien Roben. Rikthimi nga dëmtimi i Leo Mesit nuk e ndihmoi aspak skuadrën katalanase, sepse ylli argjentinas vecse ka shëtitur fanellën nëpër fushë, krejtësisht në hije, ashtu sikurse mesfusha kreative e Barcelonës e ka patur të pamundur të orientohet përballë digës së ndërtuar në këtë repart nga kundërshtari.

Jup Hejnkes e carmatos Barcelonën pikërisht në “zemër” të saj, duke vendosur në mesfushë lojtarë të tillë shkatërrues si Boateng, Martinez dhe Shvajnshtaiger. Kjo treshe bën krejtësisht të pavlefshme cdolloj iniciative të Iniestës dhe Ksavit.

Supremacia fizike, taktike dhe dëshira gati vetmohuese e bavarezëve për të fituar dhe shënuar sa më shumë gola bie në sy nga minuta e parë deri tek e fundit. Bajerni nuk ka të ngopur me gola, ndaj ekipi më i mirë në botë u shndërrua në një formacion krejtësisht të zakonshëm në Mynih. Barcelona vuajti kësisoji poshtërimin e saj më të madh të viteve të fundit. Tito Vilanova ishte i detyruar të arnonte mbrojtjen e vet, në mungesë të Pyjol, Maskerano dhe Adriano, duke afruar të riun Mark Bartra në krah të Pikesë. Pjesa tjetër e skuadrës ishte e njëjta me ndeshjet e fundit në La Liga. Barca e nis dukshëm e pafuqishme dhe e mbyll e dërrmuar totalisht.

Dhe kjo, kundër ekipeve si Bajerni, paguhet shtrenjtë. Bavarezët dhanë një shfaqje të fuqisë fizike. Presingu i tyre ishte shumë i madh dhe ushtrohej në thellësi. Dhe kështu, që në minutën e parë skuadra e Hejnkesit e dha paralajmërimin e vet, me Roben të ndalur nga pritja e Valdesit. Barca, megjithatë, mundi ta mbante të paprekur portën e vet pothuajse gjysmë orën e parë të ndeshjes, por u ndëshkua rregullisht nga goditjet standarde.

Pasi ishin luajtur 25 minuta, Bajerni e sheh veten në epërsi 1-0. Koka e Mylerit e dërgon topin në rrjetën e Valdesit, i pavëmendshëm me mbrojtjen e tij në këtë rast. Nuk ka fuqi reaguese Barca, e cila është krejtësisht e padëmshme në sulm. Mesi mbetet në hije dhe qëndron larg zonës bavareze. Buskets, Ksavi dhe Iniesta nuk ishin në gjendje të imponojnë ritmin e tyre. Dhe qarkullimi konstant i topit pothuajse gjithmonë përfundon me gabime në pasimin e fundit, duke ua dhuruar topin gjermanëve, që dilnin në kundërsulme vrasëse. Dhe për t’i bërë gjërat më të vështira mendon Mario Gomez me fillimin e pjesës së dytë. Sulmuesi bavarez, në pozicion të dyshimtë jashtë loje, i dërgon shifrat në 2-0, kur kronometri i kryesorit Kasai shënon minutën e 49-të. Bajerni doli në fushën e lojës si një uragan pas pushimit mes dy pjesëve të lojës, ndërsa Barca u shpërbë në kohë, por për fat të mirë u shpëtoi rasteve të Mylerit (52 ‘) dhe Riberisë (54′). Por vetëm përkohësisht. Katalanasit vijuan të bënin një lojë të keqe, nga më të keqen e viteve të fundit.

Dhe këtu nuk bën përjashtim as gjyqtari Viktor Kasai, që nuk pa një faull të pastër në dëm të Xhordi Albas. Nëse lejoi në pozicion jashtë loje golin e dytë të vendësve, në momentin kur Roben i dërgoi shifrat në 3-0 mbylli sytë përpara pengimit të dukshëm e të parregullt të Mylerit karshi mbrojtësit të majtë katalanas. Eshtë minuta e 82-të dhe rezultati shkon 3-0. Por nuk përfundon këtu makthi i Barcelonës, sepse Viktor Valdes detyrohet ta nxjerrë për herë të katërt topin nga rrjeta e tij në minutën e 79-të, duke i dhënë trajta dramatike e poshtëruese kësaj humbjeje. Në delir Bajerni, që mund të konsiderohet tashmë finalisti i parë në “Uembli”, në pritje të kundërshtarit të vet (nga cifti Borusia Dortmund-Real Madrid), edhe pse ka për të zhvilluar pas një jave gjysmëfinalen e kthimit në “Kamp Nou”. Një formalitet, përderisa ka siguruar në “Allianz Arena” një poker golash.



Artikujt e fundit


Reklama

Reklama