Kast Hasa Mungon nje film i plote per Shqiperine komuniste

Kast Hasa: 'Mungon nje film i plote per Shqiperine komuniste'
Kast Hasa (43 vjeç) mbaroi gjimnazin në Divjakë pastaj emigroi. Rruga përfundoi në Amerikë. Ka 12 vjet atje. Qysh në emigrimin e parë në Greqi kishte bërë përpjekje për ta nxjerrë në dritë pasionin për aktrimin. Në vitin 1997 prodhohet filmi “Mirupafshim” grek i regjisorëve Giorgos Korras dhe Hristos Voupouras, një dramë lirike e emigracionit të ri shqiptar. Aty ka një rol përkrah Kadri Roshit e Margarita Xhepës dhe aktorëve të tjerë shqiptarë (edhe ata emigrantë, edhe ata nga Jugu, si ai).

Çdo gjë që e bën të ndihet keq, e fshin nga memoria. Ruan me fanatizëm kujtimet më të bukura mes miqsh dhe për vendlindjen e tij. Sepse sa herë është në Tiranë dhe ka pak kohë për të pushuar, i vetmi vend ku gjen veten dhe reflekton është Divjaka. Sot ka ardhur për Festivalin e Filmit, është anëtar i jurisë për filmin e shkurtër shqiptar. Edicionin e kaluar ai u shpall fitues i këtij seksioni me filmin “Shtëpia” realizuar pikërisht në Divjakë.

Kast Hasa ndan me “Shekullin” emocionet e tij për vendlindjen dhe Amerikën dhe zbulon projektin që ka në dorë: një film të plotë për komunizmin.

 Si anëtar i jurisë, si ishte niveli i filmit të shkurtër shqiptar këtë vit në TIFF?

Filmat e shkurtër që konkurruan në TIFF ishin të një niveli mesatar, me përjashtim të filmit fitues “Sistress” me regji të Birol Urcan nga Kosova. Këtë e them jo se mungojnë talentet, apo se kineastët nuk janë në gjendje për të bërë një film. Por mungon ana financiare. Kur s’ke anën financiare detyrohesh të shkurtosh dhe të fusësh fantazinë tënde duke filozofuar pa qenë konkret. Kjo bën që filmat të duken më tepër etyde sesa filma artistikë.

Çfarë do t’u komentonit tematikave, stilit?

Dramatizimi është tjetër gjë. Kjo ka të bëjë me konceptin se si shkolla procedon në kokën e tyre. Por tematika mund të jetë e çfarëdollojshme. Nëse realisht prezantohet tek publiku në atë mënyrë sa të të mbajë ty tek ekrani, bëhet një vepër tejet e arrirë. Por sivjet trajtimi është më i mirë sesa vjet.

Dhe tani kthehemi pak tek ju: kush është Kast Hasa?

Kam lindur dhe jam rritur në Divjakë. Kam studiuar muzikë, trombë që në fillore. Më pas bëra liceun “Jakov Xoxa” në Fier, përsëri për trombë. Pas shkollës së mesme fillova punë si përgjegjës artistik në Qendrën Kulturore të Divjakës. Ku çdo pesë muaj e vetmja gjë që duhet të bëja, të organizoja nga një koncert. Kështu një ditë drejtori i qendrës më tha “Kastriot, po shkojnë muajt dhe ende asgjë”. U tregova i gatshëm për ta bërë që të nesërmen, pasi gjithë shokët i kisha muzikantë. Kur ua tregova atyre ata më thanë se duhen prova. Çfarë provash u thashë, hajdeni tani do të përshtatim barcaletat dhe do të bëjmë muzikë. Dhe kështu i hipëm traktorit, morëm me vete një shishe raki dhe realizuam koncertin e parë. Unë pas kuintave tregoja skeçe dhe Gaqi Duka me Sotir Priftin i improvizonin në skenë. Kështu koncerti i parë pati publik dhe shkoi shumë mirë.

Si e kujton sot Divjakën?

Divjaka ka qenë qytetet për sa i përket anës kulturore, ka dhe një sallë shumë të madhe. Por nga ana e infrastrukturës ka qenë shumë dobët. Shpeshherë vinin trupa të ndryshme për të prezantuar shfaqjet e tyre nga Tirana. Tashmë nuk kam asnjë nga familja në Divjakë, por më merr malli. Shtëpinë e kam shitur dhe si për inatin tim, ata që e kanë blerë nuk i kanë bërë asnjë ndryshim. Më duket ende sikur është shtëpia ime dhe dua të hyj brenda saj, pavarësisht se është shtëpi e tjetrit. Aty kam kujtimet e para, ëndrrat e para. Sidomos sepse atëherë as që mund ta mendoje se do të lëvizje ndonjëherë jashtë shtetit, pavarësisht aspiratave që mund të kishe. Duke ushqyer veten me këto ide ende dhe sot më duket sikur jam i ndarë në dy pjesë. Njëra pjesë është ende atje dhe pjesa tjetër bredh nëpër botë për të realizuar ëndrrat.

Miq keni miq në Divjakë?

Largësia ka sjellë dhe shkëputjen. Çdokush sot ka krijuar familjen e tij, ka marrë drejtim të kundërt. Kur je në shkollë të mesme të lidh një qenie, por më pas ndryshojnë drejtimet. Dikush merret me art, dikush me politikë etj. Për shembull unë nuk lexojë dot gazeta për politikën, pasi politika është jashtë ndjenjave që mund të ekzistojnë për të krijuar. Por kam shumë nostalgji dhe mua nostalgjia më bën të vuaj. Është një pjesë e jetës që ka kaluar dhe që më trishton, nuk më sjell aspak kënaqësi. Kujtoj ende Fierin sepse aty kam bërë shkollën e mesme. Pas 20 vitesh rikthehem dhe nuk kishte më asnjë imazh nga ato që unë ruaja në kujtesën time. Çdo gjë kishte ndryshuar.

Emigrimi në vitet e para, si ka qenë?

Fillimisht kam shkuar tri herë në Greqi, por nuk arrita të kaloj dot kufirin, për herë të katërt ia dola. Sot kur e kujtoj qesh, por mbaj mend se kam qenë vetëm i dhe i jam afruar një vathe me dele. Gjeta pak ujë dhe një sapun, me të cilin lava duart dhe ngrita flokët lart me shkumë. Me siguri më pas ka ngrirë shkuma e bardh, por unë s’e kam parë se nuk kisha pasqyrë me vete (qesh).

Kështu kam kaluar disa peripeci si çdo emigrant. Kujtoj se kur kam hyrë në punë nuk dija as se çfarë ishte mistria dhe llaçin e bëra pa çimento. Kujtoj se me lekët e fundit kam blerë një fjalor shqip-italisht dhe falë tij, mësova të komunikoj dhe me pronarin, i cili më ndihmoi më pas. Malli më merrte për prindërit, dhe sapo munda të sistemohem pak, doja që çdo gjë ta ndaja dhe me ta.

Pastaj u kthyet që të studionit aktrim.

Jo, i kisha kërkuar më parë tim eti që të vazhdoj për aktor. Por ai me tha çfarë aktorllëku kërkon të bësh pas tetë vitesh studime në muzikë. I thash se kështu e ka aktrollëku kur të vjen, të vjen në moshë të madhe (qesh). Kështu, shkova për të takuar Gjergji Lalën, i cili luan rolin e Mihal Gramenos në filmin “Vdekje a liri”. Doja ta pyesja nëse kisha ndopak talent. E dija se kisha mangësi në letërsi, por fillova të lexoj shumë romane. Pas provës që as nuk më kujtohet sesi kam dalë, biem poshtë dhe Gjergji më thotë “nuk ke qejf ndonjë profesion tjetër?” Kështu kuptova përgjigjen. Të familjes nuk u thash asgjë, as se Gjergji u çmend nga talenti im, as që u çua dhe i ra tavolinës dhe protestoi se përse kjo botë mua më kishte lënë mënjanë. Por mora vendim dhe u largova për në Greqi. Pas disa kohësh im atë më telefonon dhe më thotë se kishte aplikuar që unë të studioj aktrim. Vendosa të vij. Kujtoj se në komision ka qenë Gëzim Kame, të cilin e pyeta pas konkursi nëse duhej t’i ruaja fletushkat që kisha monologët apo t’i hidhja. Ai qeshi. Dhe kështu fitova. Duhet të them se këtu ku jam sot, jam falë Gëzim Kames, jo vetëm për konkursin, por sepse ai ka qenë pedagogu prej të cilit kam mësuar pesë gjëra për botën e aktrimit. Ai më hapi mendjen se si unë ta analizoj një personazh.

Pas kësaj emigruat në Amerikë?

Në vitin 2000 shkoj në Amerikë. Rastësisht familja që më priste ishte vetëm 100 km larg Hollivudit. Kështu prej 12 vitesh punoj atje. Mund të them se jeta ka qenë më e thjeshtë se kudo ku kam qenë si refugjat. Për disa muaj kam kërkuar nëpër agjencitë për aktorë. Kam bërë mbi 500 foto për të çuar tek ato veç njërën. Takimi i parë ka qenë i hapur për të gjithë, por asgjë. Punët e mia njiheshin shumë pak, ose aspak. Mundësitë për t’i konfirmuar në internet ishin të pamundura, veç filmit “Mirupafshim” ku kam interpretuar me Kadri Roshin, Margarita Xhepën etj.

Një ditë një nga agjencitë më telefonoi dhe më kërkoi t’i prezantoja një monolog. Zgjodha një pjesë nga Tenisi Uilliams “Menaxheria e qelqtë”. Kur mbarova më tha ta përshtatja për film. Kështu më mori në punë. Bëra disa role derisa fitova të drejtën për t’u bërë anëtar i Shoqatës së Aktorëve të Hollivudit. 

Tani po punoni për filmin e parë me metrazh të gjatë. Çfarë mund të na zbuloni rreth skenarit?

Jam në fazën e mbylljes së skenarit me një bashkëpunëtor profesionist. Bën fjalë për vitet ‘80 në Shqipëri. Disa më thonë pse akoma me diktaturën? Por unë mendoj se nuk është bërë asnjë film që shohë në thelb: çfarë e mbajti të shtypur këtë komb dhe çfarë e poshtëroi për 50 vjet. Përse ky komb ndryshoi kaq shumë? Pastaj u hapën kufijtë. Përse shqiptarët u njohën si kombi më i çuditshëm në botë? Pasi ne kemi shitur femrat, komshijet, ne kemi vrarë etj. Këto nuk janë normale. Sot çdokush që shikon këto ngjarje nuk duhet t’ia hedhë fajin racës, por asaj që ndodhi për 50 vite. Mendoj se një trajtim në thelb ndryshe pa u marrë me historinë. Kështu mund të kuptohet ai sistem që na ndau në dy pjesë. Një pjesë të jetës na e mori diktatura e Enver Hoxhës dhe një pjesë është ende e lirë. Për vendet e xhirimit ka mundësi që të xhirojë në fshatrat e Divjakës, pasi e njoh vendin më mirë. Por nuk e kam vendosur ende.

Kast Hasa ka interpretuar aktor në filmat: “Out of Touch” (2011) i Andi Delianës,”A father taken” (2007) Jonathan Ingalls, “Soldier of God ” (2005) i David Hogan, “See you” (1997) i regjisorëve Giorgos Korras dhe Hristos Voupouras. Në seriale televizive: “Ëhat I Like About You” (2002-2006) nga Ëil Calhoun, Dan Schneider dhe “The Gift of the Mutton” (2004) e Steve Zuckerman. Në edicionin e nëntë të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Tiranë, u shpall fitues për filmin me metrazh të shkurtër “Home” me regji, skenar dhe kompozim të vetin. Aktualisht po punon për filmin e parë me metrazh të gjatë.

Në Kinema Imperial dita e parafundit e TIFF-it vijon në orën 11.00 me ëorkshpe për “ të drejtat e LGTBS dhe Kinemaja”. Konkurrimi vazhdon me filmin e shkurtër dhe dokumentar në orën 12.30. në orën 17.00 prezantohet programi special “Romania Neë Ëave” “The death of Mr. Lazarescu” nga Cristi Piu (Rumani, 2005). Më pas vazhdon përsëri konkurrimi me filmin e shkurtër deri në mbyllje të programit me filmin italian“Greengold” të Pierluigi Ferrandini.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama