Kanuni ne boten e krimit

Kanuni ne boten e krimit
Pas premierës së "Dosja K" në Tiranë, aktori Blerim Destani flet për trajtimin e temës shqiptare nga regjisorë të huaj dhe për një film komercial që përdor për dekor Shqipërinë ekzotike Shfaqja premierë në "Imperial" e filmit aksion "Dosja K" (Dossier K, 2009") i regjisorit Jan Verheyen, pruri në Tiranë një aktor shqiptar, Blerim Destani, në rolin e Nazim Tahirit.

"Gjaku s'hupë kurrë", neni 917 i Kanunit, është sentenca me të cilën hapet filmi, një histori për gjakmarrjen në ditët tona. Terreni ku zbatohet Ligji i Maleve, nuk është Veriu i Shqipërisë, por Antwerpi, Gjermani.

Nazim Tahiri mëson në Bjeshkët e Namuna se i ati, Besim Tahiri (Çun Lajçi), është vrarë në dhe të huaj. Vendos të marrë gjakun e t'et dhe të vërë në vend nderin e përlyer nga anëtarë të klanit të Gabës, njëri nga dy klanet shqiptare më të rrezikshme në Antwerp, (bashkë me klanin Shehu) që merret me trafikim armësh, prostitucion, krim. Shihen si rrezik nga policia belge, komisarët Vinke dhe Fredi (në role Koen de Bouw dhe Werner de Smedt). Janë aq të pushtetshëm, sa dalin mbi ligjet e një shteti të huaj.

Një seri vrasjesh kryen Nazimi, derisa arrin t'i marrë jetën vrasësit të babait, Pjetër Gabës.

Në këtë aksion policor kundër botës së krimit duket absurde mbrojta e krimeve në emër të Kanunit. Ajo pjesë e terrenit që paraqitet si i Shqipërisë, male të larta ku fluturon shqiponja, kullat ku pleqësia vendos për zbatimin e Kanunit, me gjithë doket e traditën, përbën një dekor të njohur e të preferuar për regjisorët e huaj në vitet e fundit.

Te "Dosja K" shohim si i presin gjuhën dhe e kthejnë përmbys njeriun që ka vdekur si tradhtar. Kështu që nuk është çudi të dëgjosh komisarin gjerman të pyesë vrasësin: "A je burrë?"

Me aktorët: Koen De Bouw, Werner De Smedt, Hilde de Baerdemaeker, Marieke Dilles, Filip Peeters, R. Kan Albay, Kushtrim Sheremeti, Çun Lajçi, Eglantina Cenoimeri. Pas premierën mbrëmjen e së dielës, bëmë një bisedë me Blerim Destanin, mbi imazhin e shqiptarëve që prezantohet në film, interpretimin që i bëhet Kanunit, tërheqjen e regjisorëve të huaj pas motiveve shqiptare.

Megjithëse i lindur në Gjermani (Stolberg) Blerimi, aktor në disa prodhime shqiptare nga Shqipëria dhe Kosova, ka jetuar një pjesë të mirë të viteve në Tetovë dhe nuk mund ta ketë të largët realitetin shqiptar. Në "Dosja K." shqiptarët janë njerëz që e kanë ndërtuar jetën mbi korrupsionin, trafikun e armëve dhe drogën, prostitucionin. Janë njerëz që vrasin dhe presin, të rrezikshëm për policinë e një vendi të huaj. Ke ndonjë koment për këtë imazh?

Jashtë filmit ekziston një roman, që ka dalë në Belgjikë në fillim të '90-ës, i autorit Jef Geeraerts, autor interesant, bestseller. Bëhet fjalë për një ngjarje të vërtetë. Jo tamam ashtu siç tregohet në film. Nëse e shohim filmin me vëmendje, kuptojmë edhe diçka tjetër, që ministria belge ka manipuluar dy familje shqiptare, për të arritur atë që ka dashur ajo. Në fund të filmit shihet qartë se kush janë. Megjithatë, unë mund të flasë më shumë për karakterin e Nazimit. Ai nuk është vrasës. Ai pendohet kur kupton që ka vrarë njerëz që s'e kanë merituar. Nuk duhet të harrojmë që për të bërë film duhet një ngjarje, duhet të ketë bad guys dhe good guys.

Kjo bota shqiptare e klaneve me vila luksoze, që kanë gjithçka iu duhet dhe janë në gjendje të përballen me policinë e një vendi të huaj, duket model i njohur i klanit mafioz në mërgim...

Kur thua film, ngjarjet zmadhohen ose zvogëlohen. Fakt ngelet që familja shqiptare ka pasur diskoteka dhe pasuri. Është vrarë një njeri të cilin e kanë futur në botën e krimit dhe e kanë manipuluar. Ka qenë shumë i aftë, ka qenë i dëmshëm për disa ministra në Belgjikë dhe për disa biznese. Për ta eliminuar e kanë shtirë në një tjetër problem dhe pastaj dikush ka ardhur dhe e ka eliminuar edhe atë. Nuk mund të flasë në përgjithësi për dramën e filmit. Ne shqiptarët duhet të mësohemi me një kritikë. Duhet njëkohësisht të kënaqemi që realizojmë projekte. Nuk ka nevojë që unë të shpjegoj çfarë imazhi kanë shqiptarët jashtë. Normalisht që duhet ta ndërtojmë, ta zbukurojmë këtë imazh. Kjo është puna jonë.

Në një film tjetër para këtij, unë kam luajtur dirigjentin shqiptar, një karakter krejt tjetër.

A mund të na japësh opinionin tënd se përse ka kaq interes nga regjisorët e huaj për Kanunin dhe Gjakmarrjen?

Filmi është komercial, nuk është film festivalesh. Është bërë për të fituar edhe lekë. Është bërë për t'i argëtuar njerëzit që të shkojnë në kinema të shikojnë një film duke ngrënë pop-corn. Nuk është film me të cilin unë do të shkoj në festivalin e Berlinales dhe do të them shih çka jemi ne. Mendon se ka vend edhe për Kanun në botën e krimit? Na duket çudi edhe që një komisar belg lexon Kanunin kur heton një vrasje. Kjo ndodh te "Dosja K.". Për këtë pyetje mund të pyesni publikun. Filmi bëhet për publikun. Ka regjisorë që mendojnë që polici ka studiuar Kanunin për ta kuptuar se dale çfarë po ndodh.

Blerim, si u bëre pjesë e prodhimit belg?

Regjisori bëri audicione në Kosovë dhe Shqipëri. Mirëpo pasi e ka kryer audicionin, ka blerë filmin "Koha e Kometës". Më erdhi një lajm nga produksioni belg, që ka dëshirë të të takojë, Jan Verheyen. Bisedova me regjisorin dhe më foli për karakterin. Lexova skenarin, shkova në audicion dhe më zgjodhën. Pas tri javëve më dhanë një ofertë, shkova në Belgjikë dhe mësova gjuhën e vendasve.

Pas "Dosja K" ke ndonjë projekt në dorë?

Pas "Dosja K" kam bërë 7 filma të tjerë, që së shpejti dalin në treg. Me rëndësi ka qenë filmi "The Berlin Project" i regjisorit nga Praga, Ivo Trajkov. Është film autor, shpresojmë të prezantohet në Festivalin e Kanës. Jemi duke u pregatitur.

Ndonjë projekt shqiptar?

Nuk është mirë të përmendësh emra. Jemi akoma në bisedime. Nëse do të realizohet do të bëhet publike.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama