Kandidati i Ben Blushit terheq debat dhe lexues

'Kandidati' i Ben Blushit terheq debat dhe lexues

Cilët janë emrat e autorëve dhe librat që UET-Press sjell në Panairin e Librit 2015. Nathanaili: UET-Press me 35 tituj të rinj në Panair

Janë 35 tituj të rinj që këtë vit do të jenë në stendën e UET-Press, në Panairin e Librit 2015. Disa prej këtyre titujve dhe autorëve pritet të tërheqin më shumë vëmendjen e publikut, por dhe të medias. UET-Press si çdo vit, edhe në këtë panair vjen me emra të njohur autorësh, por dhe me libra që hapin debat si dhe tërheqin lexuesin. Me Ben Blushin, Rudolf Markun, fitues i parë i çmimit “Kadare”, me librin e ish-këshilltarit të Tony Blair, Alastair Campbell, e të tjerë, kjo Shtëpi Botuese edhe këtë vit synon që t’i ofrojë lexuesit vlera të letërsisë, publicistikës dhe analizës. Drejtoresha e UET-Press, Valbona Nathanaili, në një intervistë për Mapon thotë se shumë nga autorët do të jenë edhe vetë në Panair, për autografe dhe promovime librash.

Zonja Nathanaili, sot hapet Panairi i Librit, me cilët autorë do të prezantohet “UET Press” këtë vit?

Autorët janë shqiptarë dhe të huaj dhe përfaqësojnë fusha të ndryshme të krijimtarisë, si Alastair Campbell, Adil Olluri, Adrian Civici, Ani Dasho Sharko, Arben Malaj, Arben Zibri, Atjon Zhiti (ndërruar jetë), Ben Blushi, Bertrand Russell, Bujar Kapexhiu, Dan Senor, Saul Singer, Dashnor Kaloçi, Edgar Morin, Elvin Meka, Fabian Kati, Fondacioni për Liri Ekonomike, Kristo Frashëri, Luljeta Minxhozi, Majlinda Bregu, Petro Zheji (ndërruar jetë), Rudina Xhunga, Salih Kelmendi (ndërruar jetë), Spartak Ngjela, Selami Xhepa, Servet Pëllumbi, Shpëtim Çaushi, Tonin Gjuraj, Tomi Treska, Mateo Spaho, Valbona Nathanaili, Valter Gjoni, Virgjil Muçi dhe Ylljet Aliçka.

Shtëpia Botuese “UET-Press” ka disa vite që po tërheq vëmendjen e publikut me botime autorësh, të cilët janë njerëz publikë, si dhe me tituj që tërheqin vëmendjen e medies, me çfarë do ta tërhiqni vëmendjen këtë vit?

Më vjen mirë që keni veçuar medien nga publiku, pasi jo gjithmonë librat që tërheqin vëmendjen e medies, domosdoshmërisht përputhen edhe me kërkesat e publikut. E anasjellta është e vërtetë. Nga autorët e mësipërm që kanë botuar me UET Press, shumë prej tyre tërheqin vëmendjen e medies, edhe për shkak të tematikës së veçantë që kanë, sepse janë tema dhe krijime për të cilat vazhdon të debatohet ende në shoqërinë tonë dhe media, ndoshta, gjen materiale dhe është në gjendje të krijojë paralele me të përditshmen. Ndërsa publiku është i interesuar edhe për tematika specifike, për të cilat vështirë të tërheqësh vëmendjen e medies, veçanërisht botimet me karakter studimor.

Mendoj se librat që do tërheqin më shumë vëmendjen këto ditë janë edhe botimet që ne kemi nxjerrë pikërisht pak ditë përpara panairit, si “Kombi që u lind. Historia e mrekullisë së Izraelit”, me autorë Dan Senor & Saul Singer, “Historia e Çamërisë” me autor Kristo Frashëri, “Kadare i denoncuar”, me autor Dashnor Kaloçi, “Tre divorcet e zotit Viktor N.”, me autor Rudolf Marku, fitues i çmimit “Kadare” për vitin 2015 dhe, sigurisht, Ben Blushi, fituesi i Çmimit Europian për Letërsinë për vitin 2014, me librin e tij të fundit “Kandidati”.

Gjatë këtij viti, tërhoqi vëmendjen e publikut dhe të medies njëkohësisht, si pak tituj, libri “Për atë që dua(m)”, me ese, statuse në facebook, recensa, poezi e përkthime të një 19 vjeçari të përhershëm, Atjon Zhiti.

Gjatë ditëve në vijim, shumë nga autorët do jenë në stendën tonë për të dhënë autografe e bashkëbiseduar me lexuesin. Përpos kësaj, librat në panair shiten me 20% ulje, një mënyrë e mirë për të blerë me më pak para, më shumë libra. Mendoj dhe besoj se Panairi i Librit është një mënyrë e mirë për të vënë në balancë punën e një viti.

Sa është numri i botimeve në total (sipas kolanave) dhe sa botime keni bërë vetëm gjatë vitit 2015?

Në total, pa përfshirë pesë revistat shkencore, që dalin secila dy herë në vit, – një nga kolonat e botimeve tona, botimet UET Press ofrojnë 195 tituj. Vetëm gjatë vitit 2015 kemi botuar, gjithsej, 35 tituj, përkatësisht: scripta manent 10 tituj të rinj, monografi, ese, studime 21 tituj dhe thesis 4 tituj. Një rëndësi të veçantë në botime i kemi dhënë bashkëpunimit më MAPO Editions. Sapo kemi nxjerrë në qarkullim librin e Rudolf Markut, “Tre divorcet e zotit Viktor N.”, si fitues i çmimit “Kadare”, një çmim i iniciuar dhe mbështetur nga ky institucion. Çmimi do jetë i përvitshëm dhe ne kemi ekskluzivitetin e botimit të dorëshkrimit të autorit fitues. Libri del sot nga shtypi dhe shitet për herë të parë në këtë panair. Është një libër i veçantë dhe, shkruar nga një njeri me kulturë e që një nga hobet e tij ka udhëtimet, mund të them se në të do gjeni jo vetëm shkrimin intrigues të Markut, por edhe elementë autobiografikë të autorit. Rudolf Marku jeton, aktualisht, në Londër dhe vjen në Shqipëri virtualisht, çdo javë, përmes një hapësire të përjavshme që ka në gazetën Mapo dhe fizikisht, më së shumti, sa herë ka një libër për të promovuar, ose çmim për të marrë.

Një nga emrat që ju keni botuar është dhe Ben Blushi. Si ka ecur libri deri tani dhe a është tërhequr nga lexuesi?

Ben Blushi vazhdon të jetë një nga autorët tanë më të mirë dhe ndër më të kërkuarit në të gjithë panairet e librit të këtyre viteve të fundit. Botimi i tij i fundit, “Kandidati”, brenda dy javësh, është shpërndarë pothuaj në të gjitha libraritë e Shqipërisë në 7000 kopje. Kjo për ata që u pëlqen të flasin me shifra. Nga ana tjetër, tematika shumë e gjetur, e dhimbshme, e hidhur dhe demaskuese, e bën librin “tërheqës”, sepse me apo pa doza ironie e grotesku, na tërheq vëmendjen për absurdin në të cilin jetojmë. Duke qenë njëkohësisht edhe politikan, Blushi është i besueshëm në ato që shkruan. Personazhet e ndryshëm që marrin jetë në librin e tij, veçanërisht ata për të cilët aludohet se janë “realë”, i shton librit vlera pasi është një kambanë alarmi.

Por, nga ato shkrime që kam mundur të lexoj në periodikë të ndryshëm, më duket se debati ka devijuar pak nga qëllimi i autorit. Sepse “realë” këtu nuk do të thotë se kush është pikërisht Kasim Sedini në jetën e përditshme. Sa mirë do të ishte të qe vetëm një, por në këtë rast, “Kandidati”, nuk do ishte roman, por një histori e dokumentuar, nxjerrë nga arkivat e prokurorisë. Dhe sigurisht nuk do ishte shkruar nga Ben Blushi. Pra, ky devijim i debatit në gjetjen e emrave konkretë, me apo pa dashje, ja ul vlerat librit. Baseni fare mirë mund të jetë çdo qytet i Shqipërisë. Do dëshiroja shumë të ishte një “fiction” i autorit, por nuk është. Më shumë se me emrat, duhet të merremi me fenomenin. Duke perifrazuar Adil Ollurin, Blushi është shkrimtar postmodern dhe “Diskursi ironizues është i pranishëm në tërë strukturën e romanit të Blushit”, njëlloj si te “Otello”, “Shqipëria” dhe “Të jetosh në ishull”. Është i njëjti stil dhe e njëjta gjuhë. Por në dallim nga tre romanet e parë ku ironia historike e z. Blushi e merr lëndën nga kohë të largëta të Shqipërisë sonë, në rastin konkret kjo ironi frymëzohet nga historia e sotme dhe ndoshta kjo është arsyeja edhe pse debati është karakterizuar nga kundërshti kaq të shumta. Nga ana tjetër, dua të theksoj se z. Blushi, në çdo panair libri, është nga autorët që qëndron më shumë në stendë dhe ndoshta ky panair libri është një rast i mirë për të gjithë ata që kanë dëshirë të ndajnë me të mendimet e tyre për krijimin e tij më të fundit.

-195 tituj numëron në total Shtëpia Botuese UET-Press. Vetëm gjatë vitit 2015 ajo ka botuar gjithsej 35 tituj, përkatësisht sipas kolanave; scripta manent 10 tituj të rinj, monografi, ese, studime 21 tituj dhe thesis 4 tituj.

 

Fituesi i çmimit “Kadare”, sot në dorën e lexuesit

Panairi ka nisur dje, por surprizat e tij vazhdojnë gjatë gjithë ditëve që është hapur. UET-Press nxjerr sot në botim autorin Rudolf Marku, fituesi i parë i çmimit prestigjioz, Ismail Kadare. Libri është shtypur në një kohë rekord, pasi vetëm në 9 nëntor u dha çmimi, ndërsa libri ishte paraqitur te juria e Fondacionit Mapo si dorëshkrim. Romani “Tri divorcet e Zotit N.”do të jetë për lexuesin sot në stendën e UET-Press dhe gjatë ditëve të panairit ata do të kenë mundësi të takojnë dhe të marrin autograf nga autori pranë kësaj stende. Çmimi “Kadare” u dha për herë të parë këtë vit nga Fondacioni Mapo me pëlqimin e shkrimtarit të madh të letrave shqipe. Çmimi do të kthehet në traditë dhe do të mbështesë prozën shqipe, pasi juria do të përzgjedhë mes dorëshkrimeve të paraqitura në konkurrim. Vetë Marku vlerësoi emrin e Kadaresë dhe tha se ishte i privilegjuar që bëhej fitues i një çmimi që mbante emrin e tij, edhe pse nuk ishte i entuziazmuar pas çmimeve. “Jam nga natyra skeptik dhe nuk sugjestionohem shumë nga çmimet, jo nga çmimet shqiptare, por as nga ato botërore, por Çmimi Kadare ka një domethënie tjetër. Është i lidhur me shkrimtarin më të mirë të letrave shqipe, shkrimtar që ka rrezatuar e rrezaton kulturë e qytetërim në mjediset shqiptare dhe ka një impakt të jashtëzakonshëm te fjala shqipe. Për mua, është njeri i jashtëzakonshëm. Mendoj se ky çmim ka për të pasur vazhdimësi të gjatë në letërsinë shqipe”, – u shpreh ai gjatë marrjes së këtij çmimi disa ditë më parë. Marku është shkrimtar dhe publicist i njohur i letrave shqipe.

“Kandidati” i Ben Blushit tërheq debat dhe lexues

Media prej disa javësh shkruan dhe debaton mbi personazhet e romanit më të ri të Ben Blushit,“Kandidati”. Libri,një botim i UET-Press, paq sa median, ka tërhequr dhe lexuesin e shumtë, ndoshta të ndikuar dhe nxitur nga emri i Blushit dhe nga intriga e romanit e pse jo, edhe nga debati mediatik mbi të. Në ditën e parë të Panairit të Librit një nga librat më të kërkuar pranë stendës së UET-Press ka qenë pikërisht “Kandidati” i Blushit, i cili vetëm prej disa javësh nëpër librari në të gjithë vendin është shitur në disa mijë kopje. Kritikët e kanë cilësuar një rrëfim me stil dhe cinizëm, me mesazhin se cilado qofshin lidhjet me realitetin, bëhet fjalë për art.

Kandidati i Blushit merr përsipër të na tregojë se si zhvillohen zgjedhjet në Shqipëri. Bëhet fjalë për njërin nga kandidatët për Bashkinë e Basenit, i cili vdes papritur, para hapjes së fushatës zgjedhore dhe, megjithatë, fiton. Ai quhet Kadim Sedini dhe konkurron për kryetar bashkie në qytetin e Basenit. Emri ngjan shumë me atë të Qazim Sejdinit, që rifitoi Bashkinë e Elbasanit, ku Blushi është deputet. Ironi mbi një sfond politik tepër cinik. Lexuesi do të kuptojë përmes ngjashmërisë së fonemave njërin nga qytetet fare pranë Tiranës. Këtë fabul e ka nxitur bashkëshortja e kandidatit, Olga Sejdini, e cila kërkon të ringjallë burrin e saj, për ta bërë kryetar bashkie.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama