Arkitektura shqiptare gjate realizmit socialist

Arkitektura shqiptare gjate realizmit socialist

Ermir Hoxha, lektor tek Universiteti i Arteve boton studimin “Arkitektura Shqiptare e shekullit XX”. Në këtë studim ai prezanton strukturimin e arkitekturës shqiptare gjatë kësaj periudhe nga Shkodra, në Korçë, derisa në vitet ’20 vëmendja u kthye në arkitekturën e kryeqytetit, Tiranë. Gjatë një interviste me dr. Ermir Hoxha mësojmë se si lindi nevoja për një plan të mirëfilltë urbanistikë pas krijimit të qeverisë. Ai na tregon se si aleatët italianë, duke nisur me ideatorin Armando Brasini, gjatë monarkisë, morën në duar ndërtimin e Shqipërisë së Re. Me kapitullimin e Italisë ndërpriten financimet. Në vitin 1942 mbyllet periudha e ndërtimeve në Shqipëri. Regjimi i ri duhej të “negocionte” me trashëgiminë që kishin lënë arkitektët italianë. Enver Hoxha këtë trashëgimi e la në funksion të administratës shtetare, ndërsa godinat e reja u ndërtuan frymëzuar nga ideologjia e kohës, pra ajo me matricë sovjetike. Pas prishjes së marrëdhënieve me Bashkimin Sovjetik, godina e Pallatit të Kulturës, në fillim vitet ’60, do të kthehej në imazhin kryesor të Shqipërisë së Re...

Ermir, një studim për arkitekturën shqiptare të shekullit XX, fillimi i së cilës nis nga qyteti i Shkodrës me Idromenon...

Në Shkodër, në kapërcim të shekujve XIX- XX, pjesa e mesme e shoqërisë, pikërisht ajo borgjeze kishte fituar fuqi të konsiderueshme ekonomike e donte që të shkëputej nga e kaluara orientale. Përveç veshjeve e mjeteve të së përditshmes ata kërkonin dhe një arkitekturë, që të përfaqësonte prirjet e tyre drejt Perëndimit. Kjo nuk ishte e dukshme vetëm për realitetin shkodran, por për të gjithë Ballkanin, hapësirë ku arkitektura e re moderne do të përfaqësonte pikërisht këtë pjesë të shoqërinë. Idromeno u angazhua në arkitekturë, sidomos që nga fillim shekulli XX, si pasojë e tërmetit shkatërrimtar që goditi Shkodrën, derisa u nda nga jeta.

Pavarësisht se ne e njohim dhe si piktorë, fotograf edhe muzikant ai është arkitekti kryesor në Shkodrën e kësaj periudhe. Ai është marrë me komplekse të mirëfillta ndërtimi, shembull kryesor i së cilës është Pedonalja, që sot gëzon emrin e tij. Në këtë periudhë ndodhi një lloj strukturimi i realitetit të ri shkodran. Shtëpitë nuk ishin më me oborr, e me çardak, por me stil tipik perëndimor ku në katin e poshtëm kishin dyqane, ndërsa në katin e sipërm përdoreshin për banim. Këto shtëpi me stil neorinashimental ndërtonin këto komplekse banimi, si formë e re e organizimit të jetës qytetare. Ato konturonin jetën funksionale të qytetit deri sa u konkretizuan me planet urbanistike të qytetit.

Në këtë periudhë, u ndjen ndryshime dhe në Korçë?

Po e njëjta tendencë u shtri padyshim dhe në qytetin e Korçës, por aty ndihet një lloj pavarësie në ndërtimin e shtëpive. Një pjesë e madhe u ndërtuan nga arkitektë shqiptarë, një pjesë nga arkitektë të huaj, por pati raste që u ndërtuan dhe nga vetë banorët. Për shembull, doktor Polena e bëri vetë shtëpinë e tij. Nëse shtëpitë në Shkodër kishin ngjashmëri mes njëra-tjetrës, në Korçë kjo nuk ndodhte, pasi shtëpitë kishin stile të ndryshme, çka e propozon atë, si një qytet me një panoramë interesante me ndërthurje të shumta stilistike.

Ndërsa, Tirana vëmendjen e ka marrë vetëm pasi u shpall kryeqytet?

Tirana më parë ka qenë një qytet pa rëndësi për Shqipërinë. Filloi që të merrte vëmendje kur u shpall kryeqytet, në vitin ’20. Me t’u instaluar qeveria, lindi nevoja që të ndërtoheshin godinat qeveritare, e padyshim rrugë dhe një plan urbanistik i mirëfilltë. Më pas, përgjatë monarkisë, aleatët italianë morën në duar ndërtimin e Shqipërisë së Re. Të gjithë arkitektët që u përfshin dhanë mendimin e tyre për godinat, por dhe për mënyrën se si do të shtrihej qyteti.

I pari që dha idenë për shtrirjen e qytetit është Armando Brasini, e më pas ideja e tij u respektua dhe nga Florestano di Fausto dhe arkitektët e tjerë italianë. Godinat realizohen fillimisht si skica, dëshmi të cilat i gëzojmë dhe sot. Për shembull, nga Brasini kemi ende shume skica për godinën e presidentit, ministritë, teatrin etj. Ndërtesa që më pas u realizuan nga arkitektë si Di Fausto, Morpurgo, Berte etj. Në fillim të viteve ’30 në Tiranë kishim një qendër ministriale, një shesh dhe ajo që ishte më kryesore ishte boshti i bulevardit, si “shtylla kurrizore” e kryeqytetit të ri të Shqipërisë.

Pasqyra e Shqipërisë në shekullin XX nuk ndalet me kaq, u pasua edhe nga arkitektura e periudhës fashiste...

Në këtë periudhë angazhohen arkitektë të tjerë, si Gherardo Bosio një nga arkitektët kryesor të Italisë Fashiste me vepra të stilit racional monumental, që shënuan dhe realitetin e kryeqytetit shqiptar në fillim të viteve ’40. E gjithë kjo ka qenë një periudhë shumë dinamike; me stile nga më të ndryshmet, që në studim paraqiten nëpërmjet dy kapitujve. Në kapitullin e parë ndalem tek arkitektët shqiptarë të kësaj periudhe, ndërsa tek i dyti ndalem tek arkitektët italianë, që realizuan veprat e tyre në funksion të identitetit të ri të shtetit shqiptar, para dhe gjatë pushtimit.

Cilët janë arkitektët shqiptarë që do të veçoje?

Janë disa që mund të veçohen. Për shembull: Kolë Idromeno, Kristo Sotiri, Qemal Butka, Skënder Luarasi, apo Semih Pashallari etj., të gjithë këta u angazhuan në miniaturë, sepse zëri kryesor e përbënin arkitektët italianë. Për secilin prej tyre jam mbështetur në monografitë përkatëse. Ndërsa godinat që ata kanë realizuar mund të jenë godina administrative, vila banimi etj. Secili prej tyre është i ndryshëm në bazë të ndërtimit akademik, shijes së kohës, por dhe me shijen e personit që do të jetonte në atë banesë, e padyshim dhe qasjen personale estetike të vetë arkitektit.

Pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, çfarë ndodhi me arkitekturën italiane në Shqipëri?

Me kapitullimin e Italisë ndërpriten financimet në Shqipëri, prandaj në vitin 1942 mbyllet periudha e ndërtimeve. Por, arkitektët italianë kishin lënë një trashëgimi shumë të fortë. Ndër dëshmitë më solide mbeteshin sheshi “Skënderbej” me ministritë dhe Piazza Litorio dhe gjithë godinat që e rrethonit, atë që sot njihet si sheshi Nënë Tereza. Përveç Piazza Litorios, Bosio kishte ndërtuar dhe kryeministrinë e Pallatin e Brigadave, Hotel Dajtin etj. Pra kryeqendra e Shqipërisë tashmë kishte përvetësuar një gjuhë arkitektonike që s’mund të anashkalohej. Me të regjimi i ri duhej të “negocionte”.

Çfarë ndodhi gjatë kohës që në pushtet erdhën komunistët?

Në kohën që erdhën komunistët në pushtet, pas Luftës së Dytë Botërore, çdo gjë do të bëhej për mbi këtë arkitekturë. Për të ribërë një arkitekturë totalisht ndryshe mbi këtë arkitekturë, nuk kishte as kuptim dhe as mundësi. Kështu që Enver Hoxha këtë trashëgimi e la në funksion të administratës shtetare, ndërsa godinat e reja u ndërtuan frymëzuar nga ideologjia e kohës, pra ajo me matricë sovjetike.

Periudha e parë që zgjati deri në fund të viteve ’50, e njohur dhe nga studiuesit e huaj si “doriku i kuq”, u etiketua kështu sepse kishte shpesh trajta neoklasike, shembull tipik është ish- Kinostudio Shqipëria e Re. Tendencë e saj u ripa shpesh me prirjen për të qenë imitime të ndërtimeve të Bashkimit Sovjetik. Godinat të tjera të kësaj periudhe janë, Kombinati Stalin, Teatri Migjeni, apo komplekset e banime, si pallatet Shallvaret e Agimi realizuar nga Gani Strazimiri. Kjo periudhë mbyllet me prishjen e marrëdhënieve sovjetike.

Vendosja e gurit të parë në Pallatin e Kulturës, shënoi mbylljen e një periudhe dhe hapjen e një tjetre... Gjithsesi kjo godinë u ndërtua sipas ideologjisë komuniste?

Në fakt, fenomeni i arkitekturës së pas Luftës së Dytë Botërore ka një ndërthurje personalitetesh, mes arkitektëve vendas, siç është rasti i Anton Lufit, Skënder Luarastit e Gani Strazimirit, me arkitektë të tjerë sovjetikë. Ata herë punojnë mbi projekte të reja dhe herë mbi projekte të huazuara, e herë të tjera realizojnë kopje të mirëfillta sikundër është rasti i ish-Kinostudios, kopje e Sochi Art Museum, e ark. Ivan Zholtovsky një godine në BS. Ndërkohë Pallati i Kulturës, në fillim vitet ’60 u kthye në imazhin kryesor të Shqipërisë së Re.

Ai nisi me planet e arkitektëve sovjetikë, por kur u prishën marrëdhëniet arkitektët shqiptarë u ndodhën para një sfide të madhe dhe problematike, arkitektonike sa dhe politike, të cilën duhej ta përballonin vetë. Projekti i parë u anashkalua, sepse kishte një kosto shumë të madhe, por kërkesa shtetërore ishte që ajo duhet të ndërtohej patjetër, pasi ajo ishte godina simbol e Shqipërisë së Re Socialiste, që përveç se do të rrezatonte imazhin ideologjik të kohës, do të tregonte që edhe pa Moskën ata mund të përballonin çdo sfidë.

A mund të themi se këtu lind një kohë e re në arkitekturën shqiptare?

Pas kësaj lind arkitektura shqiptare e kohës së re, të gjitha arkitektët që funksionojnë brenda Shqipërisë janë shqiptarë, ndërsa një pjesë e tyre janë produkt i shkollës vendase. Të gjithë ata, tashmë ishin përballë një realiteti të ri, që nuk kishte më diktime të frymës sovjetike, që nga vet natyra e saj, nuk ishte shumë e përshtatshme për realitetin shqiptar. Siç shprehen vetë ata vetë arkitektura e kohës kërkonte ndërtesa që synonin parime të arkitekturës moderne, në harmoni me infrastrukturën urbane, duke u propozuar si njësi sociale, elegante, të lehta e funksionale. Kështu që ata propozuan një stil që krijoi një botë e arkitekturë të re, atë të diellit, të dritës, të ajrit të pastër dhe gjelbërimit... (e meqë kohët ishin të shtrëngesave ekonomike), pse jo dhe për një arkitekturë ekonomike, racionale, të thjeshtë e funksionale.

Të përkrahur në rrugën e vetë ato propozuan imazhin e ri të arkitekturës vendase, ndërsa mbështetjen e tyre e tregojnë dhe ata vet në artikujt që shkruajnë, siç është rasti i artikujve të Petraq Kolevicës. Enver Faja e konsideron këtë periudhë si shkolla Polake e Arkitekturës Shqiptare. Përveç Fajës e Kolevicës personalitete të tjerë të kohës ishin dhe Sokrat Mosko, Koço Miho, Enver Dobi, Besim Daja, Valentina Pistoli, Nina Shehu, Ibrahim Prushi, Maks Velo, M. Pepa, e shumë e shumë të tjerë. Në vitet në vazhdim, u shtuan dhe arkitektë të tjerë të brezit të viteve ’80, kryesisht dhe ata funksionin në grup për godina të mëdha ose vetëm për godina më të vogla. Të gjithë këta arkitektë janë personazhet që ndërtuan Shqipërinë prej viteve ’60.

Cilat janë godinat më përfaqësuese të arkitektëve të parë shqiptarë?

Janë ato institucionale, të cilat janë reflektimi më dinamik dhe ideologjik, sipas frymës së kohës. Për shembull; Pallati i Kulturës, Galeria e Arteve, Muzeu Kombëtar, Pallati i Kongreseve, Muzeu i Krujës, apo muzetë e tjerë e pallatet e kulturës që u ndërtuan në mbarë vendin. Ndër ndërtimet e fundit që vlejnë për t’u përmendur mbetet padyshim “Piramida”, vepër e K. Kolanecit dhe P. Hoxhës, por vlera përfaqësojnë shpesh dhe komplekset e banimit. Ato ekzistojnë dhe sot dhe ne nëpërmjet tyre kuptojmë sesi ishte gjuha arkitektonike e kohës, e regjimit të kaluar.

Fati më i madh ishte shkëputja nga ideologjia e kohës dhe nga matrica sovjetike, ndërsa përshtatja e ideologjisë e asaj kohe me tiparet e klimës vendase, në komplekse urbanistike të mirëstudiuara, për hir të së vërtetës ofroi disa prej shembujve më të mirë të kësaj arkitekture, në godina administrative e komplekse banimi. Edhe pse një pjesë e madhe e publikut e identifikon arkitekturën e realizmit socialist me godinat parafabrikate, në fakt ato ishin vetëm një pjesë e realitetit të asaj kohe, që u ofrua në kohën e krizës ekonomike si godina të realizueshme më pak shpenzime, sepse në fakt godinat kryesore që janë reflektuese për atë, janë pikërisht godinat e mëdha.

Studimi përfundon në vitet ’90...

Studimi mbyllet në vitet ’90, sepse pas viteve ’90 nis një periudhë e re. Godinat përveçse nuk përfaqësojnë më një kërkesë estetike shtetërore, përbëjnë kryesisht godina banimi me kërkesa të vakëta estetike, aq sa deri në vitin 2000, nuk dallohen godina me vlera të mirëfillta estetike, por kemi shembuj të orientuar më tepër si godina funksionale. Pas vitit 2000 me rritjen ekonomike dhe ritmet e ndërtimit, gradualisht nisin të ofrohen godina që shkëputen lehtësisht nga njëra tjetra si nga kërkesa dhe për nga shija më bashkëkohore arkitektonike, paralelisht nga studio arkitektonike vendase e të huaja.

Biografi

Ermir Hoxha u diplomua më 2003 në Akademinë e Arteve për Pikturë. Në 2007-ën përfundon studimet në Universitetin e Bolonjës për Histori të Artit Bashkëkohor dhe më pas në Fakultetin e Historisë-Filologjisë për Gjeografi. Në vitin 2015 ka përfunduar shkollën Doktorale, me temë “Arti në Shqipëri në vitet 1945 -1990”, në Departamentin e Arkeologjisë dhe Trashëgimisë Kulturore. Aktualisht punon si Lektor në Universitetin e Arteve, për lëndët Historia e Artit Shqiptar dhe Pikturë e Vizatim pranë atelierit të Vitit të I. Gjithashtu në të njëjtin institucion ai është menaxher i Galerisë FAB, dhe përgjegjës për Fondin e Fakultetit të Arteve të Bukura.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama