Ndihem shumë mirë. Zoti na bekoi me një djalë të bukur dhe të shëndetshëm. Tashmë u bëra babai i dy fëmijëve. Jam i lumtur me ta dhe me bashkëshorten time.
Ku ndodheshit kur lindi djali?
Ishim bashkë në shtëpi kur e shoqërova në maternitet. Qëndroja jashtë duke pritur me ankth.
Cili nga ju e pagëzoi me emrin Mateo?
Ideja për këtë emër ishte e imja dhe e bashëshortes. E kishim shumë qejf këtë emër dhe vendosëm ta quajmë kështu. Emër i bukur!
Mendon se të ngjan ty apo gruas tuaj?
Në fakt nuk kuptohet se është ende shumë i vogël. Por kujtdo që t’i ngjante do isha i kënaqur, qoftë mua, qoftë Armandës, bashkëshortes time.
Çfarë babai do ta cilësonte veten Juli?
Një baba që tashmë ka një djalë dhe një vajzë, një baba i kompletuar. Mendoj se jam një baba i mirë, gjithsesi nuk mund të jap shumë vlerësime për veten.
I përkushtohesh shumë familjes?
Kohët e fundit nuk kam patur shumë kohë për arsye të projekteve të shumta që kam. Është festivali i fundvitit në RTSH për të cilin po përgatitemi fort, po kështu edhe projektet e shumta që bashkë me Gentin kemi në TV Klan. Sapo gjej pak kohë të lirë vrapoj menjëherë tek ata.
Cila është marrëdhënia jote me vajzën?
Kam një vajzë të mrekullueshme që e quajnë Reina. Ajo është tërësisht karakteri im, e lëvizshme dhe e qeshur. Kjo është edhe arsyeja që jam shumë i afruar dhe i dhënë pas vajzës. Lozim tej mase bashkë, është e paparë.
Si po shkojnë përgatitjet për festivalin? Jeni tashmë në fund apo jo?
Përgatitjet po na shkojnë shumë mirë. Jemi tashmë në fazat e fundit dhe po u vjen rradha provave gjenerale, finale. Po përpiqemi të bëjmë diçka ndryshe. Të shohim se sa do të arrijmë. Do zoti na del me sukses. Netët e festivalit po i pres me shumë emocion dhe kënaqësi. Doja të shtoja se bashkë me Gentin po përgatisim edhe natën e Vitit të Ri në TV Klan. Do jetë një mbrëmje me shumë surpriza, plot me personazhe të reja, shpresojmë edhe me humor.











