Ndërkohë sapo u rritën, e motra Frensi dhe vetë ai, u angazhuan në punë të ndryshme që kishin të bënin me modën, sfilatat, dizajnin etj. Një familje ku të gjithë kanë krijuar një marrëdhënie shokësh, partnerësh, duke respektuar padyshim statusin familjar të secilit, ku flitet hapur për gjithçka, ku nuk ekzistojnë komplekset, është familja ideale që secili nga ne do ta dëshironte. Prandaj dhe për Arjonin historitë e trishta të Republikës, Pavlinit, Aidës etj., janë një botë e largët dhe gati-gati e paimagjinueshme.
Ndërkohë kjo çiltërsi dhe marrëdhënie e hapur, e karakterizon djalin vlonjat edhe në raport me çdo banor të shtëpisë. Madje duket se ai po menaxhon shumë mirë edhe miqësinë më konfidenciale që kohët e fundit i ka ofruar Zhuljeta. Po si e sheh të birin Jona? Si i duket lidhja me Zhuljetën? Na e ka treguar në një intervistë për “Panorama Plus”.
Duke e parë me syrin e nënës si ju duket në këto tri javë Arjoni?
Në javën e parë e shihja pak të tensionuar. Duke e njohur mirë natyrën e tij, jo vetëm si nënë por edhe si mike, ai kishte frikën nëse po sillet mirë dhe mos po bën ndonjë gabim.
Cilat janë anët pozitive dhe negative që ai po shfaq brenda asaj shtëpie?
Duke qenë një mënyrë krejt e veçantë jetese, nuk di të ndaj anët pozitve dhe negative që e ndihmojnë apo e pengojnë në këtë rast. Kam parë që Arjoni është i drejtpërdrejtë, pa komplekse, nuk mendohet gjatë për të thënë atë që ndjen. Ai pyet pa fund banorët për jetën e tyre pasi mendon se duhet t’i njohë sa më mirë njerëzit me të cilët jeton. Mbase ata mund t’i bezdisë ky fakt.
Nëpër forume të ndryshme Arjoni ka patur raste që e kanë quajtur mendjemadh. A është i tillë ai?
Duke qenë një djalë i ri me aftësi të jashtëzakonshme për të bërë shokë e miq të të gjitha moshave, nuk ka sens të thuash që është mendjemadh. Të jesh koshient për vlerat e tua nuk është mendjemadhësi.
Kohët e fundit ka filluar të afrohet më shumë me Zhuljetën, e prisnit këtë afrim?
Absolutisht jo. Më e natyrshme do të më dukej një lidhje pak më konfidenciale me Mimozën ose Adelajdën, kjo edhe për arsye të moshës së përafërt që kanë.
Si po e menaxhon këtë afrim të Zhuljetës, Arjoni?
Arjoni është një djalë që di të sillet me femrat dhe nuk do të lëndojë askënd. Të njëjtën gjë po bën edhe me Zhuljetën. Ai i thotë asaj të kam motër dhe më ngjan shumë me mamanë time. Ai kërkon t’ia shpërblejë interesin asaj, por duke ia bërë të qartë se mes tyre mund të ketë vetëm miqësi dhe jo ndjenjë.
A e favorizon Arjonin, i cili është edhe në nominim, ky afrim me Zhuljetën?
Natyrisht duke u afruar me njëri-tjetrin, jo vetëm ata të dy por edhe banorët e tjerë, loja bëhet më interesante dhe shikuesit do të bëhen më kuriozë. Nga ana tjetër, ndarja e një çifti nga grupi, mund të ndikojë që ata të nominohen nga të tjerët, pasi presupozohen se ata edhe për votat kundër do të jenë të një mendjeje.
Si mendoni se mund të shkojë lidhja mes Zhuljetës dhe Arjonit pavarësisht se për çfarë arsyesh rrinë bashkë?
Duke njohur mirë djalin tim, edhe si një mike e mirë e tij, mund të them se druaj se Zhuljeta mund ta ketë filluar gjithçka si lojë, me të vërtetë, por më pas mund të bjerë në dashuri me Arjonin. Shpresoj që ajo të tërhiqet në momentin e duhur pa u lënduar, pasi Arjoni ka të tjera interesa sentimentale. Ka dikë jashtë…
Si kanë reaguar miqtë tuaj ndaj kësaj lidhjeje?
Më marrin pafund në telefon duke më pyetur se si është puna e kësaj lidheje mes Arjonit dhe Zhuljetës por unë nuk di t’ju jap një shpjegim pasi nuk mund ta imagjinoj se si mund të jetë jeta aty brenda.
Vjet flitej dhe më pas na është konfirmuar nga disa ish banorë të “Big Brother”, se nuk ka munguar edhe seksi në atë bashkëjetesë të gjatë djemsh dhe vajzash të reja. Nëse edhe sivjet do të ndodhë, kështu, mund të jetë Arjoni njëri prej tyre?
Mendoj se ai është aq i rritur dhe i përmbajtur sa të frenojë instiktet e tij, duke patur parasysh edhe mentalitetin shqiptar. Por megjithatë gjithçka mund të ndodhë.
Nëse stafi i “Big Brother” vendos të fusë të tjera femra, ndoshta dhe shumë simpatke, si mendoni se mund të reagojë Arjoni?
Shpresoj që jo sepse do të ishte një zhgënjim i madh për Zhuljetën, sidomos nëse këto femra do të ishin të bukrua dhe pa komplekse.
Së fundi cilët iu duken banorët më të fortë dhe pretendentë për fitues?
Si të fortë shoh Aidën, Bjordin, Zhuljetën dhe natyrisht Arjonin.
PanoramaPlus











