Jeta e gjeniut te kombit Mit hat Frasheri

Jeta e 'gjeniut te kombit', Mit hat Frasheri
Pse u nda me Ismail Qemalin, të dashurat e huaja dhe amaneti i Abdyl Frashërit për të

U lind më 25 mars 1879, në Janinë. Ishte i biri i patriotit të madh, rilindasit Abdyl bej Frashëri, nipi i enciklopedistit Sami Frashëri dhe poetit të mallit për vendlindjen, Naim Frashëri. Mit’hati e njohu shumë pak të atin e tij, ngaqë i vdiq i ri, duke mbetur në kujdestarinë e xhaxhallarëve, Sami dhe Naim Frashëri. Duke qëndruar pranë tyre, kreu edukimin e plotë akademik në Stamboll.

Abdyl Frashëri, kur u pyet para ekzekutimit, nëse dëshironte të thoshte diçka, ai është përgjigjur: “Po, unë kam një djalë të vogël. I thoni atij se në qoftë se dëshiron të ketë bekimin tim, duhet të vazhdojë punën që unë nisa, por mjerisht nuk e çova deri në fund dhe të sillet kështu siç po sillem unë”. Pas mbarimit të shkollës, deri në vitin 1905, Mit’hati punoi në administratën turke dhe më pas kaloi në Selanik, në administratën shtetërore, i emëruar drejtor për punë politike të vilajetit të Selanikut. Filloi të aktivizohet në politikën shqiptare që në fund të shekullit XIX dhe u bë një nga figurat më të spikatura në politikën shqiptare në gjysmën e parë të shekullit XX
Ka qenë pjesëtar i klubit të Selanikut, madje aty dominonte influenca e tij. Asokohe në Manastir mbaheshin takime të patriotëve shqiptarë, të kryesuar nga Çerçiz Topulli dhe Adem Emini, të cilët punonin për të përgatitur një kongres dhe një revistë të përjavshme.

Udhëzimet për krejt organizimin, do të merreshin prej Mit’hat bej Frashërit në Selanik. Mit’hati ka qenë për një politikë më të moderuar me xhonturqit, pse ai gjithmonë ka qenë mefiant kundrejt ndihmës së huaj, e sidomos të ndihmës së Austrisë. Të këtij mendimi kanë qenë në mbështetje të tij edhe Bajo e Çerçiz Topulli. Ka pasur rol të ndjeshëm në ruajtjen e kompaktësisë së klubit “Bashkimi” të Manastirit, pas mosmarrëveshjeve ndërmjet gegëve (në pjesën më të madhe dibranë) dhe toskëve, të cilën e ka zgjidhur duke shkuar në Manastir, më 20 shtator 1908, duke shkrirë kryesinë e mëparshme, të cilën e zëvendësoi me Rexhep Hoxhën prej Kallkandelene (Tetovë), zgjedhur kryetar, ish-kryetari Fehmi bej Zavalani kaloi zv/kryetar, ish-zv/kryetari Gjergj Qiriazi u zgjodh anëtar dhe kryesia u përbë nga pesë gegë e pesë toskë.

Mit’hati nisi të merrej me krijimtari letrare që prej vitit 1897 dhe filloi të botonte “Kalendarin Kombiar”, të cilin e botoi pa ndërprerje deri në vitin 1928. Më 1901, botoi biografinë e parë kushtuar Naim Frashërit. Në shkrimet publicistike ai përdori pseudonimet Lumo Skëndo dhe Mali Kokojka, ndërsa në botimet e ndryshme përdori pseudonimin Ismail Malosmani.

Në vitin 1908, filloi të botojë gazetën “Liria”, në Selanik. Gjatë kësaj periudhe bashkëpunoi ngushtë me mikun e tij, Kristo Luarasin, i cili drejtonte shtypshkronjën “Mbrothësia”. Mit’hat Frashëri ishte xhonturk, nuk pëlqeu ardhjen e Ismail Qemalit, më 1908 në Vlorë, madje shkroi një shkrim kritik për Ismail beun, në gazetën “Lirija”. Çajupi ka shkruar me nota demaskuese pamfletin “Klubi i Selanikut”, duke kritikuar fletoren “Liria”, e drejtuesin e saj Lumo Skëndua ose Mitat Frashëri. Çajupi shprehet se, kisha dëgjuar që: “Klub’ i Selanikut mpron të drejtat e kombit shqipëtar. Vërtet keshe msuar se Klub’ i Manastirit paskej bërë një Kongres, u mbajt më 1909 dhe nuk vendosi dot për një alfabet të vetëm. Midis dy alfabeteve që pranoi, njëri qe ai i Stambollit, tjetri qe alfabeti i sotëm.) (ç’domethënë prapë kjo fjalë?) për punë të abetit) dhe paskej gjetur për mbarë të përdoren dy soje shkronja për gjuhën tonë”.

Në këtë rast poeti i rilindjes aludon se këto klube të shqiptarëve punonin për të mbajtur premtimet që u kishin bërë xhonturqit shqiptarëve. Artikulli kritikoi hapur kryetarin e klubit dhe drejtorin e gazetës “Liria”, Mit’hat Frashërin, i cili menjëherë botoi një artikull si kundërpërgjigje në gazetën e vet. Replikat ndërmjet palëve, në gazetat e tyre, vijuan duke pasqyruar luftën e ashpër ndërmjet shqiptarëve në ato kohë delikate për fatet e kombit.

Ai mori pjesë në Kongresin e Manastirit, i njohur ndryshe edhe me emrin kongresi i alfabetit, më 14 nëntor-22 nëntor 1908. Mit’hat Bej Frashëri u zgjodh kryetar i kongresit dhe nënkryetar i komisionit të hartimit të alfabetit (kryetar i komisionit ishte At Gjergj Fishta). Më 1 janar 1909, në revistën “Diturija”, botoi një fotografi të delegatëve në kongresin e Manastirit, ku ka dhënë imtësisht shpjegime për secilin prej tyre, madje ka sqaruar edhe për ata që nuk dolën në fotografi, ku mungojnë Hilë Mosi (delegat i Shkodrës), G.Cilika (delegat i Korçës), Hafëz Ibrahimi dhe Emin Beu (delegatë të Shkupit), Rauf beu (Fico, delegat i Gjirokastrës-H.L.) dhe Selaheddin beu (nga Prizreni, delegat i Manastirit).

Në shpalljen e pavarësisë ka qenë i zgjedhur delegat i Elbasanit, Ipekut, (Gjakovës, Plavës, Gucisë) dhe Përmetit. Nga Elbasani ka njoftuar telegrafisht Syrja beun e Xhemil beun: “Pasi bashkë me përfaqësuesit e Dibrës do të vijnë edhe Mehmet pashë Dëralla, Ajdin Draga e Isa bej Buletini, e nismja e jonë u shtyrë. Të Hanën do të nisemi së bashku”.
Kur u zgjodh ministër, në votim u rendit i pesti, duke fituar 35 vota, dhe merituar postin e ministrit që në raundin e parë. Në vitin 1912, në qeverinë e pavarësisë, të krijuar nga Ismail Qemali, ai zgjidhet ministër i Punëve Botore.

Referuar dokumenteve arkivore mësohet se Mit’hat Frashërit, kur ishte në Vlorë i ka drejtuar një letër një personi të quajtur Kristo, nga e cila mësohet se ai u nis nga Shkupi më 3/16 tetor 1912, duke dëshmuar se ka qenë në Mitrovicë, Pejë (Ipek), Gjakovë, Has, Tejdrin, Mirditë, Kurbin, Tiranë, Durrës, Elbasan. Kur ka mbërritur në Tiranë ka pasur si qëllim të bashkohet me grupin e Abdi Toptanit për të zhvilluar një kongres aty, mbasi pohon se kishin biseduar edhe me abatin e Mirditës. Nuk e fsheh qëllimin se ka dëshiruar të bëhej mbledhja në Elbasan, por telegrami i Syrja bej Vlorës njoftonte se duhej shkuar në Vlorë, ku ishte nisur edhe I. Qemali. Letra informuese mban datën 10 dhjetor 1912.

Disa shkrues, padrejtësisht dhe me tendencë, shprehen se: “…kur Ismail Qemali ftoi gjithë oficerët dhe patriotët shqiptarë që ndodheshin në fronte të ndryshme në Luftën Ballkanike të ktheheshin në shtëpitë e tyre, Mit’hat beu ka qenë kundër këtij mendimi dhe ka shkuar dy herë nga Vlora në Janinë për të inkurajuar rezervistët shqiptarë të vazhdonin luftën gjer në fund, duke menduar se kjo mund të sillte shanse që Çamëria do të mund t’i mbetej Shqipërisë”. Faktoj se është e vërtetë që ministri Mit’hat Frashëri kërkoi leje për të shkuar në Janinë, gjë e cila u pëlqye nga qeveria e Vlorës, por me kusht që ai të prezantohej atje jo si ministër që përfaqëson qeverinë e Vlorës, por individualisht, si patriot.

Sipas miqve të tij, ky ka qenë një nga shkaqet e ndarjes së Mit’hat Frashërit me Ismail Qemalin. E vërteta mbase qëndron ndryshe, sepse sipas dokumenteve arkivore, më 20 dhjetor 1912, Ismail Qemali përshëndeti me një letër mbrojtjen që po i bëhej Janinës nga komandanti i saj, duke u shprehur në dobi të kësaj lufte. Dikush tjetër ka pohuar të vërtetën se: “…më 30 mars 1913, Mit’hati jep dorëheqjen nga detyra” dhe në kë rast është gazeta “Atdheu”, e cila jep si shkak të ndarjes: “Kur Ismail Qemali shkoi në Britani me dukën Montpensier, japin demicjen e heqin dorë nga qeveria Don Kaçorri e Mit’hat bej Frashëri .

Besa Shqyptare përshëndeti Mit’hat bej Frashërin, për vizitën në Shkodër, në maj 1913, duke u shprehur: “nji ndër komtarë ma të t’flaktit e t’nderueshmit qi diftoi gjith herë dashtnin e zemrës vet për gjith ç’i flet për shqyptar”.

Më 20 janar 1914, në një letër që i dërgoi gazetës “Përlindj’ e Shqipëniës”, së bashku me G. Cilka e Taq Buda, shkruanin: “…duam të blejmë një kalem të florinjtë që t’ia dhurojmë zj. Edith Durham si kujtim për shërbimet që i ka bërë kombit tonë me shkrimet dhe botimet e saj”. Këtë nismë të Mit’hat Frashërit, për blerjen e kalemit të artë, kjo gazetë e pati botuar më herët, në dy letra, përkatësisht më 7 dhe 10 janar.

Mit’hat Frashëri mirëpriti ardhjen e Princ Wied-it në Shqipëri dhe ndihmoi në Ministrinë e Punëve të Jashtme. Në janar 1914, u përzgjodh nga KNK, së bashku me Mihal Turtullin e disa të tjerë të kontaktonin me Dervish Biçakçiun për të marrë prej tij kërkesat e esadistëve, duke provuar edhe një herë se ai organizëm ia kishte pasur me hile qeverisë së Vlorës dhe Ismail Qemalit. Mit’hati ka qenë i papajtueshëm me Esad Toptanin dhe kundër veprimeve të tij antishqiptare. Në atë kohë ai shkroi shkrimin e titulluar “Tre gjarpërinjtë që udhëhoqën rebelimin”, ku akuzon Esad Toptanin, Musa Qazimin e Haxhi Qamilin. Më tej ka shkruar: “Esadizma mori trup dhe formë nën një trini apokaliptike: Esad Toptani, myftiu Musa Qazimi, Haxhi Qamili, tre krerë të një hire që përfytyronin ambicionin, tradhtinë dhe lakmimin, fanatizmin e verbër dhe injorantë nën maskën e fesë, marrëzinë brutale jo në figurë letrare po reale”.

Më pas, Mit’hat Frashëri u caktua konsull gjeneral i Shqipërisë në Beligrad, emërim sipas disa miqve të tij për ta larguar nga Shqipëria, atë dhe gjithë të aftit, por në vijim njoftohet nga shtypi se: “Më 20 maj, kur u riformua kabineti i Turhan Pashës, u emërua ministër i Arsimit e i Postë-Telegrafëve”, çfarë qëndron e vërtetë.

Pas largimit të Wied-it shkoi në Lozanë, ku qëndruan edhe Mehdi Frashëri, Pandeli Cale, Dr. Mihal Turtulli, Ahmet Resuli, Hivzi Korça, vëllezërit Gode. Në vitin 1916 vendoset në Bukuresht ku arrestohet nga policia dhe internohet në Moldavi. Deri në vitin 1918 jetoi në disa shtete të Ballkanit.

Në vitin 1918, me mbarimin e Luftës së Parë Botërore, lejohet të largohet dhe vendoset përsëri në Lozanë, Zvicër. Aty, ai, i drejtohet me një promemorie konferencës në të cilën po përgatitej krijimi i Mbretërisë Serbo-Kroate-Sllovene. Në promemorje ka deklaruar se: “Pa zgjidhjen e problemit shqiptar nuk do të ketë as Jugosllavi të re dhe as një zgjidhje përfundimtare të kufijve në Ballkan”.

Në kongresin e Durrësit, Mit’hat Frashëri, u emërua ministër pa portofol dhe u caktua delegat në delegacionin e parë, në konferencën e Paqes, Paris më 1919, së bashku me Turhan pashën, monsinjor Bumçin, Mihal Turtullin, Luigj Gurakuqin, Mustafa Krujën. Më pas ka qenë i emëruar delegat pranë Konferencës, së bashku me Mehmet Konicën dhe Pandeli Evangjelin. Më 1919 ka qenë kryetar i delegacionit shqiptar në Paris “në mbrojtje të të drejtave të Shqipërisë”, së bashku me Dhimitër Beratin. Mit’hatit, kur ishte në Konferencën e Paqes në Paris, i është bërë thirrje nga kryesia e “Vatrës” që të punojë “për bashkimin e gjithë shqiptarëve për një Shqipëri independence pa asnjë protektorat”. Kur qe aty, me mision, shkroi: “Indipendenca morale” , po kështu edhe punimin tjetër “Shqiptarët në vendin e tyre dhe jashtë”.

Pas përfundimit të misionit në Paris, në vitin 1920, njoftohet se “Mit’hat Frashëri u emnua përfaqësues në Uashington”, niset sapo të përgatiten pasaportat. Ai u vendos në SHBA dhe u kthye në Shqipëri në vitin 1922, por sipas shënimeve të Sejfi Vllamasit, në librin me kujtime “Ballafaqime politike në Shqipëri 1897-1942”, është i shënuar në listën e deputetëve të prillit 1921 edhe Mit’hat Frashëri, i zëvendësuar më vonë nga Rasim Babameto, gjë e cila rezulton edhe në dokumentet e Kuvendit të Shqipërisë. Po kështu, sipas kujtimeve të Mehdi Frashërit, në maj 1922, Mit’hati, ka zëvendësuar Mehdi Frashërin në mbledhjen e Firences, ku Komisioni Ndërkombëtar diskutonte për caktimin e kufijve. Edhe në “Bisedimet e Kuvendit”, Mit’hat Frashëri, rezulton deputet i Gjirokastrës, madje shënohet se qëndroi deputet deri më 4 shtator 1922.

Në janar 1923 filloi detyrën e Ministrit Fuqiplotë të Republikës së Shqipërisë në Athinë, ku qëndroi deri në dhjetor 1925. I zhgënjyer nga zhvillimet politike në Shqipëri ai jep dorëheqjen dhe deklaron largimin e tij nga aktiviteti politik. Sipas Mehdi Frashërit: “Më 1924-1925 ka qenë përfaqësues i Shqipërisë në Athinë, i cili interesohej tepër për gjendjen e mjerueshme të shqiptarëve në Çamëri”.

Në vitin 1923, kur kriza politike kishte arritur kulmin nga sjellja egoiste e karrieriste e Ahmet Zogut, i cili pati humbur besimin dhe qe arritur oportuniteti ndërmjet ministrave të kabinetit qeveritar që ai të mos ishte as kryeministër e as ministër i Brendshëm, iu ofrua Mit’hatit krijimi i kabinetit qeveritar. Në këtë rast ai ka refuzuar duke thënë: “Unë nuk mund të çnderojë shtëpinë time”, ku ka dashur të thoshte se, pasi dështimin e quante të sigurt, këtë gjë e konsideronte diskreditim për shtëpinë e tij.

Në vitin 1926 hapi në Tiranë librarinë e tij personale “Lumo Skëndo”. Një vit më pas, më 1927, filloi të botojë në Tiranë, revistën “Diturija”.

Në 4 prill 1929, Mit’hat Frashëri, në testamentin e tij i lë shtetit shqiptar pasurinë e vet, të tundshme dhe të patundshme me qëllim krijimin e një instituti albanologjik në Tiranë, i cili do të merrej me studime në fushën e historisë së Shqipërisë.

Në vitin 1939, pas pushtimit të vendit nga Italia fashiste vendosi t’i rikthehet aktivitetit politik. Në vitin 1941, ai është ideologu kryesor dhe një nga themeluesit e Partisë Nacionaliste, e njohur më shumë me emrin Partia e Ballit Kombëtar. Mit’hat Frashëri është autori i “Dekalogut”, vlerësuar nga përkrahësit e tij si “kontribut i madh teoriko-politik”, shkruar më 1942, në Tiranë. Kundërshtar i Partisë Komuniste të Shqipërisë, u detyrua në nëntor 1944, të largohet nga Shqipëria dhe të vendoset në Itali. Ditët e fundit të qëndrimit të tij në Shkodër ka qenë në një gjendje psikologjike shumë të rënduar, me një pamje për të ardhur keq dhe fytyrë që shprehte vetëm dëshpërim, aq sa fliste me vete ngado që lëvizte. I ndodhur në pozita të vështira provoi të kthehej nga Shkodra në Tiranë, në fundin e nëntorit 1944, madje jo me makinë por i hipur mbi një mushkë, nën kujdesin e eksponentit të rinisë balliste, Sabaudin Nivica.

Gjatë një udhëtimi për në Nju Jork, SHBA, ai vdes si pasojë e një ataku kardiak. Vdiq beqar në moshën 69 vjeçare i detyruar të jetojë si renegat larg vendit të tij, Shqipërisë. Shpirti i këtij njeriu të ndritëm u shkëput ditën e hënë, dita 3, vjeshta e dytë ora 9.25 minuta në New Jork, hoteli Winthrop. Tek trupi i tij kanë bërë roje nderi Shefqet Isaraj, Muho Xhakja, Astrit Sako, Braho Husi, Sulo Male, Hysni Aliko, Hajredin Peshkëpia, Skënder Omari, Iliaz Guri, Luan Dosti.

Mit’hat Frashëri është mbajtur si nacionalist në politikën shqiptare, duke shkruar letra, promemorie, takime në konferenca apo takime me personalitete të politikës ndërkombëtare. Ka qenë kundër komunizmit në Shqipëri, madje e ka konsideruar tragjedi fitoren e tyre. Falë njohjes së disa gjuhëve të huaja, u përpoq në fushën diplomatike, brenda e jashtë Shqipërisë, për bashkimin në Shqipërinë etnike të ish-katër vilajeteve shqiptare, Janinës, Shkupit, Manastirit e Shkodrës.

Mbas çlirimit të Shqipërisë, me vendim të organeve ekzekutive u sekuestrua pasuria e Mit’hat Bej Frashërit. Një nga objektet e sekuestruara ishte edhe biblioteka personale e tij. Sot rreth 40 000 vëllime të kësaj biblioteke ruhen (dhe janë pjesë) e Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë. Për këtë arsye Ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve i Republikës së Shqipërisë dhe Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë, më 2006, vendosen që çmimi për bibliofilinë të emërtohet “Bibliofili Lumo Skëndo”. Ky çmim do të ndahet çdo vit në Ditën Botërore të Librit, nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve dhe Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë. Për herë të parë ky çmim u dha në 23 prill 2006

Në ceremoninë e varrimit të tij bëri lutjet fetare të përshpirtjes, Imam Vehbi, i ardhur nga Detroiti, më pas kanë folur në anglisht: Nuçi Kota, i biri ish-kryeministrit monarkist, Koço Kota, në emër të Komitetet Kombëtar “Shqipëria e Lirë”, pastaj Grigor Tashkovite, ish-senator jugosllav, në emër të Internacional Peasant Union; Dr. Bistrev, ish-deputet bullgar në emër të Komitetit Kombëtar Bullgar, zj. Gold Veliko në emër të rinisë shqiptare të lindur në Amerikë. Arkivoli me trupin e Mit’hat Frashërit u mbulua me Flamurin Kombëtar dhe u nderua nga gati 200 veta. Varrimi u bë në varrezat “Fernchff”, pas fjalës së mbajtur nga Sejfi Protopapa dhe At Paul V. Rado.

Në testamentin e tij të viti 1929, pra 20 vjet para se të shuhej, në pikën e fundit ka lënë amanet: “Nuk di se ku do të vendoset Instituti; po, në qoftë se goditetë pakëzë jashtë qytetitë, do të donja që varri im të jetë në një cep të kopshtit, më të mëngjërë duke hyrë nga porta e rrugësë; mbi këtë varr dua një copë gur të math dhe një qiparis. Më duketë sikur do të jem ruajtësi i Institutit, sikur do të marr edhe unë një pjesë pasjetore në gjëllimin e tij”.

“Mit’hat Abdyl Frasheri, 1880-1949”, ky është epigrami vetmitar mbi varrin e Mit’hat Frashërit, në Amerikë.

Mit’hat Frashëri, nga pasardhësit e tij politik ka vlerësimin: mendimtari iluminist i neoshqiptarizmës, të viteve ’30.

Mit’hat Frashëri jetoi i vetëm, pa bashkëshorte por ka pasur bashkëjetesë më disa vajza e gra evropiane. Bazuar në dokumentet e gjetura, ai rezulton të ketë pasur një lidhje që në vitin 1914, me një femër të quajtur “Elsa nga Zyrih”, e dashura e tij gjermane, e cila i ka shkruar më 15 dhjetor 1914. Me këtë vajzë (ose grua), ai u dashurua në vitin 1914, kur sapo kishte filluar Lufta e Parë botërore, e cila ndërmjet të tjera i shkruante: “Natyra jote cigane, ti që aq shumë do lirinë, udhëtimin, njohjen e botës, ndryshimin, jetën pa angazhime, pa kokëçarje”, duke dhënë për të kuptuar se ai lëvizte nga një vend në tjetrin, si ciganët që nuk kanë një banim permanent. Kishin gjetur njeri-tjetrin për t’i ikur luftës.

Po kështu, ka pasur korrespondencë intime me Anxhelën, Elsen, Ninonin e Loloten, disa gra të huaja, që kishte takuar në udhëtimet e tij pambarim. Njëra prej të dashurave, Lolota, e thërret me përkëdheli “Mumi”, në letrat që i ka shkruar nga 29 maj 1915, më pas më 1933 (më mbush me emocion ajo ditë që kemi kaluar në Kostandinopojë, 9 vjet më parë), pastaj më 1939 (jam e sigurtë, do jemi të lumtur dhe do besojmë se nuk jemi ndarë kurrë); Lolota ishte një nga të dashurat e Mit’hatit për një periudhë disa vjeçare, gjatë vajtje-ardhjeve të tij të shpeshta në Paris.

E divorcuar, me një djalë të vogël dhe me një dhembshuri prej nënë, e cila i ka shkruar “i adhuruari im Mimi”; “Mimi i shtrenjtë, dashuria ime e vetme…E dua tim bir, por ai do ketë tjetër familje. Ndërsa ti je familja ime, një familje e vetme me mua, e gëzueshme, ideale). Në një nga letrat që ai i shkruan njërës prej të dashurave, Ninonit, një tjetër e dashur e tij, mundet që edhe kjo të ketë qenë franceze, kur u ndodh në Tiranë, Mit’hati fillon shkrimin më 19 prill 1926, vijon të premten më 7 maj, ora 7 e 30 e mëngjesit, duke shprehur mallin për këtë të dashur në formën e një ditari në pritje të ndonjë letre prej saj, duke bërë të ditur se e ka takuar edhe në Athinë e Korfuz”. Mit’hat Frashëri nuk u martua kurrë me asnjërën prej femrave me të cilat bashkëjetoi, madje për shumë vite dhe me disa njëherësh.

Mid’hat Frashëri, në emigracion, me ndihmën e aleatëve anglo-amerikanë, shpalli Komitetin Kombëtar “Shqipëria e Lirë”, më 26 gusht 1949, në Paris, Francë, duke qenë kryetar i tijë dhe duke patur si anëtarë, Abaz Kupin, Zef Palin, Nuçi Koten e Seit Kryeziun.

Në një shkrim, ese, Mithat Frashëri, ka shpalosur idetë e tij përparimtare dhe nivelin e lartë intelektual, si shtetar, se çfarë begatie ka trualli shqiptar, që ia shtojnë pozita gjeografike si vend mesdhetar dhe i bekuar nga perëndia, i ndodhur buzë detit e me plot fusha e male, me klimë të mrekullueshme, me njerëz të shquar, në udhëkryqin ku lidhen kombet. Aktualisht për Mit’hat Frashërin po flitet shumë, për të përcaktuar realisht pozicionin politik dhe veprimtarinë politike që ai zhvilloi gjatë Luftës së Dytë Botërore, të cilën disa historianë e stigmatizojnë si antikombëtare, kurse të tjerë e cilësojnë veprimtari patriotike. Një gjë është bërë fakt, ai është shpallur “Nderi i Kombit” dhe studiuesi i së djathtës, Uran Butka e ka cilësuar “gjeniu i kombit”.

Po kështu është fakt që nuk mund ta mohojë apo shtrembërojë askush se Mit’hat Frashëri akumuloi një kapital të madh patriotik gjatë veprimtarisë së tij gati gjysmë shekullore para Luftës së Dytë Botërore. Bazuar në parimin e përjetshëm të historisë për këtë periudhë atij i duhet dhënë çmimi i merituar i atdhetarisë. Sipas profesor Kristo Frashërit, Mit’hat Frashëri, alias Lumo Skëndo, jetoi dhe veproi në tri periudha të historisë së Shqipërisë, të cilat ndryshojnë rrënjësisht njëra nga tjetra për nga ngjarjet, për nga proceset, për nga karakteret e tyre.

Veprimtarinë e parë ai e zhvilloi në vitet e fundit të Rilindjes Kombëtare Shqiptare deri në shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë, 28 Nëntor 1912. Si një militant rilindës i orës së parë ai u shqua në luftën për të zbatuar programin kulturor të Rilindjes, ndoshta më tepër se çdo bashkëkohëtar i tij, si shkrimtar i flaktë i temave patriotike, si kryetar energjik i Kongresit të Manastirit dhe si veprimtar i palodhur i shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë. Ajo që i bën nder biografisë së tij patriotike është pjesëmarrja e tij në qeverinë e parë kombëtare që u formua në Vlorë nën kryesinë e Ismail Qemalit më 1912. Mit’hat Frashëri u shqua gjithashtu edhe në periudhën e dytë që pasoi Kuvendin e Vlorës, vitet e shtetit shqiptar të pavarur. Në periudhën 1912-1939, Mit’hat Frashëri i shërbeu me sukses atdheut të vet si një militant i luftës diplomatike që zhvilloi shteti shqiptar për t’u afirmuar në arenën ndërkombëtare si shtet i pavarur. Si përkrahës i regjimit republikan që ishte, ai pati kujdes që të mos e përfshinte emrin e vet në jetën e brendshme politike të regjimit monarkik të Ahmet Zogut (1928-1939).

Më tej, më 1942, kur u krijua si organizatë Balli Kombëtar, Mit’hat Frashëri në krye të tij, shpalli se kishte për synim të udhëhiqte masat e popullsisë shqiptare në luftë kundër okupacionin fashist italian. Në thelb dy ishin synimet e saj: të kontribuonte në rimëkëmbjen e Shqipërisë së pavarur dhe të mënjanonte ardhjen pas luftës të Partisë Komuniste shqiptare në pushtet. Realisht, aksionet luftarake të Ballit Kombëtar kundër okupatorëve fashistë italianë qenë më të kufizuara se lufta e armatosur që zhvillonte Partia Komuniste.

Madje, pas shtatorit 1943, formacionet ushtarake të Ballit Kombëtar nuk ndërmorën rezistencë të armatosur kundër okupatorëve të rinj nazistë dhe për hir të së vërtetës u shfaqën shenjat e bashkëpunimit ndërmjet tyre e gjermanëve kundër forcave nacionalçlirimtare. Këtë bashkëpunim Mit’hat Frashëri dhe krerët e Ballit Kombëtar e justifikuan me nevojën që kishte Shqipëria për të evituar ardhjen në pushtet të Partisë Komuniste Shqiptare. Pikërisht këtu qëndron absurditeti i logjikës balliste. Nëse Balli Kombëtar trembej nga sukseset që korrte rreshtimi komunist, rrezikun e fitores së komunistëve mund ta mënjanonte jo duke u bashkuar me armikun e vendit dhe të njerëzimit, por duke zhvilluar një luftë patriotike më me energji se atë që zhvillonte Fronti kundër okupatorit të huaj.

Ka qenë pjesëmarrës në Konferencën e Mukjes, më 1943. Historianët që mbrojnë tezën balliste nuk arrijnë ta kuptojnë se pikërisht bashkëpunimi i forcave të tyre me repartet hitleriane lehtësoi ardhjen në pushtet të Partisë Komuniste. Gjatë Luftës së Dytë Botërore bota u nda në dy kampe, në kampin e agresorëve fashistë dhe në atë të koalicionit të madh antifashistë. Dihet gjithashtu se në krye të kampit antifashist qëndronin tre aleatët e mëdhenj anglo-sovjeto-amerikanë, dy nga të cilët përfaqësonin botën demokratike perëndimore (SHBA-ja dhe Britania e Madhe), kurse i treti vendin ku sundonte regjimi komunist (Bashkimi Sovjetik).

Vetë Mit’hat beu ka qenë i kthjellët dhe objektiv për shkrimin e historisë, teksa para shumë vitesh, duke iu përgjigjur gazetarit Skëndo Frashëri “…Pyetja: A duhet të kemi një të përkohëshme të konsakruar historis s’ënë?, është përgjigjur: “Ku i ke historianët, shërbimtarët e historisë? Është lehtë të marrësh kartën, t’a palosësh, ta nxish me mellan, t’i vësh edhe një titull. Po ku i ke ata që do të shkrojnë lëndën? Sa për tani, do të kënaqësha me botime, artikuj në revista të ndryshme, broshura dhe libra të botuara me iniciativa private; më vonë s’ka dyshim se do të ndjejmë nevojën e një punimi më serioz, me një organ për botimin e landësë. Kur të kemi njerës me zell e me pasion, dihet vetiu se do të mejtohemi për formimin e një “Shoqërije” për historinë t’ënë, ku të mbështillen njerëzit me vullnet dhe të përhapin pemët e kërkimevet të tyre…Punimi në këtë lëmë s’bëhet as me urdhër, as me ofiq, as me dekret…”.

Drejtuesit e sotëm të Ballit Kombëtar shprehen se: “Mit’hat Frashërit, që në atë kohë vinte në dukje se, “Shqipëria është pjesë e vendeve të mëdha evropiane dhe zhvillimi i saj do të vijë pikërisht nga bashkëpunimi me vendet evropiane dhe SHBA-në”. Kjo ishte pika kryesore e programit të Mit’hat Frashërit, e cila u shkel brutalisht nga komunistët që pushtuan Shqipërinë, pas nëntorit të vitit 1944. Nëse kjo platformë e Mit’hatit do të ish aplikuar që në atë kohë, atëherë sot vendi ynë do të kishte standarde të tjera jetese. Sepse lideri i Ballit Kombëtar, Mit’hat Frashëri e bazonte alternativën e tij, mbi humanizmin dhe rritjen e standardeve të jetesës, duke pasur në qendër të vëmendjes integritetin e vendit dhe mbrojtjen e çështjes kombëtare”. Zotëronte shumë mirë gjuhët e huaja: gjermanisht, persisht, turqisht, frëngjisht, arabisht, greqisht.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama