Ja mesazhi i Shullazit per Bashen

Ja mesazhi i Shullazit per Bashen

Takimi rastësor në një nga lokalet e ish-Bllokut dhe kërcënimi i Shullazit për Bashën: “Të mos më përmendë emrin se do i ketë punët keq”. Deputetja e PD-së, Voltana Ademi bën kallëzim në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, e cila nisi hetimet dhe delegoi dosjen në Prokurori. Akuza kërkon marrjen në mbrojtje të kreut të opozitës. Dy ditë pasi i shpëtoi një prite të armatosur në periferi të Tiranës, Emiljano Shullazi nuk ka kursyer kërcënimet për kreun e opozitës, Lulzim Basha. Ai ka zgjedhur një deputete të Partisë Demokratike për t’i transmetuar mesazhin kërcënues Bashës, sapo ka dalë nga ambientet e policisë ku u la i lirë, pavarësisht provave në vendin e atentatit.

Ngjarja mësohet se ka ndodhur dy ditë më parë në një nga lokalet e zonës së ish-Bllokut, ku Shullazi ka rastisur në të njëjtin lokal me deputeten e PD-së, Voltana Ademi. Znj. Ademi ka qenë së bashku me një shoqen e saj dhe sapo janë çuar nga tavolina, një person u ka dalë përpara duke u prezantuar si Emiljano Shullazi.

“Unë jam Emiljano Shullazi. Kam një mesazh për kryetarin e Partisë Demokratike”, mësohet të ketë deponuar në prokurori deputetja e PD-së pas kallëzimit të bërë në Prokurorinë e Krimeve të Rënda. Burime të rezervuara pohojnë se Shullazi i është drejtuar deputetes me fjalët: “Thuaj kryetarit të mos ma përmendë shumë emrin, sepse do e ketë punën keq”.

Nga burime jozyrtare konfirmohet se Shullazi ka përdorur edhe fraza të tjera kërcënuese, të cilat po verifikohen nga prokuroria. Pas kësaj deputetja e PD-së është larguar nga ambientet e lokalit bashkë me shoqen e saj dhe ka informuar kreun e Partisë Demokratike.

Mesditën e djeshme, Voltana Ademi ka depozituar një kallëzim penal në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, e cila ka regjistruar çështjen penale për akuzën e “shtrëngimit me anë të kanosjes ose dhunës për të kryer ose mos kryer një veprim të caktuar”. Pasi ka regjistruar kallëzimin penal, Prokuroria e Krimeve të Rënda ka kërkuar ndihmën e policisë për të vërtetuar të dhënat e paraqitura në kallëzim nga deputetja Ademi, por ende nuk është marrë asnjë masë për të dyshuarin si autor i kërcënimit.

Kallëzimi penal bashkë me urdhrin e delegimit i është përcjellë policisë për kryerjen e veprimeve hetimore, ku përfshihet verifikim i dëshmisë së deputetes, pyetja e të dyshuarit dhe e dëshmitarëve të pranishëm, si dhe verifikimet telefonike për vendndodhjen e personave të përfshirë në momentin e ngjarjes.

Burimet pohojnë se i dyshuari për kërcënimin e kreut të opozitës nuk është marrë ende në pyetje nga policia, e cila është ngarkuar për hetimin e ngjarjes.

Pas delegimit të dosjes, Prokuroria e Krimeve të Rënda i ka kërkuar zyrtarisht Komisionit të Mbrojtjes në Ministrinë e Brendshme të shqyrtojë kërkesën për marrjen në mbrojtje të kreut të opozitës. Në dispozicion të komisionit janë vënë të dhënat e mbledhura nga hetimet paraprake, përfshi dhe kallëzimin e deputetes Ademi, por ende nuk ka një vendim nëse kreu i opozitës do të merret apo jo në mbrojtje. Edhe pse çështja konsiderohet si mjaft delikate dhe serioze, dy nga proceset më të rëndësishme të hetimit dhe marrjes në mbrojtje i janë ngarkuar policisë, e cila është akuzuar së fundmi nga eksponentë të opozitës për lidhjet me Emiljano Shullazin dhe grupin e tij.

Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Arben Ristani deklaroi dy ditë më parë se qeveria dhe krimi janë shkrirë me njëri-tjetrin, duke iu referuar pranisë së një punonjësi policie në ngjarjen e Rrugës së Kavajës ku mbeti i plagosur një prej miqve të Shullazit.

Zyrtarisht policia nuk ka dhënë asnjë deklaratë për kërcënimin e kreut të opozitës nga Emiljano Shullazi, i cili u la i lirë katër ditë më parë, edhe pse në vendin e ngjarjes u sekuestruan predha, krehër armësh, dhe gëzhoja. I pyetur nga mediat, kreu i Policisë së Tiranës tha se grupi hetimor nuk e ka parë të arsyeshme të procedojë me arrestimin në flagrancë të Shullazit.

 

Bregu: Kërcënim i kreut të opozitës, terrorizëm politik

Deputetja e PD-së, njëherësh kryetarja e komisionit për Integrimin Europian, Majlinda Bregu deklaroi se kërcënimi i kreut të opozitës është kthim pas dhe element i pastër i terrorizimit politik. Duke komentuar takimin me Raportuesin për Shqipërinë pranë Parlamentit Europian, Knut Fleckenstein, Bregu tha se në raport do të përfshihen të gjitha shqetësimet e opozitës. Deputetja e PD-së deklaroi se ka një realitet i cili nuk mund t’i mbahet i fshehur zotit Fleckenstein. Sipas Bregut, gjendja e krimit në vend vijon të jetë alarmante, duke marrë shkas edhe nga kërcënimet e fundit që i janë bërë kreut të PD-së, Lulzim Basha. “Atmosfera kur ka mbërritur raportori nuk është shumë e përshtatshme. Të flasësh për dekriminalizim kur kreu i opozitës kërcënohet, nuk më duket se do bëhet realitet. Krimi i organizuar lëviz shumë shpejt, më shpejt se reagimi shtetëror. Problemi është që çështja duhet të zgjidhet. Këto probleme do përfshihen në raport”, – tha Bregu. Sipas saj, “këtu shkelen standardet brenda një grupi politik. Shqipëria ka nevojë për qëndrueshmëri politike, duhet të merren vendimmarrje bindëse”. Ndërsa duke u ndalur tek kërcënimi i Bashës, Bregu tha se kjo e kthen Shqipërinë pas. “Kërcënimi i liderit të opozitës e kthen Shqipërinë pas. Ky është një element i pastër i terrorizmit politik. Mos harroni që është kërcënuar zëdhënësja e PD-së muaj më parë, tashmë ka mbërritur tek kreu i opozitës”, – tha Bregu.

Kërcënimi i Bashës, Llalla takime urgjente me Didin dhe Çipën

Kallëzimi penal i deputetes së Partisë Demokratike, Voltana Ademi, për mesazhin kërcënues që Emiljano Shullazi i drejtonte kreut të opozitës, ka vënë në lëvizje krerët e policisë dhe prokurorisë. Menjëherë pas marrjes së informacionit për depozitimin e kallëzimit penal, Prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla ka thirrur në takim Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, Artan Didi. Takimi mësohet se është fokusuar në ngjarjet e ditëve të fundit në Tiranë, ku në dy atentate mbeti i vrarë një person dhe u plagosën tre të tjerë. Edhe pse kanë kaluar disa ditë nga këto ngjarje, policia nuk ka mundur të identifikojë asnjë prej të dyshuarve (përveç personit të vrarë) dhe nuk ka mundur të gjejë motivet e dy atentateve të armatosura. Por në takim është diskutuar edhe për kërcënimin ndaj kreut të opozitës, për të cilin prokuroria ka kërkuar marrjen në mbrojtje duke i drejtuar një kërkesë zyrtare Komisionit të Posaçëm të Mbrojtjes, i cili mblidhet në Ministrinë e Brendshme. Pas takimit me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, kryeprokurori ka thirrur në takim edhe Drejtorin e Policisë së Tiranës, Ardian Çipa, ku gjithashtu janë diskutuar ngjarjet e fundit dhe marrja e masave nga policia për parandalimin e ngjarjeve të tjera pas dy atentateve në Tiranë. Të kontaktuara nga “Mapo”, burime zyrtare pranë Prokurorisë së Përgjithshme thanë se në dy takimet e zhvilluara pasditen e djeshme është diskutuar për gjendjen e kriminaliteti nisur edhe nga zhvillimet e ditëve të fundit. Menjëherë pas takimit me Llallën, reagoi policia, e cila përgjatë pasdites së djeshme dhe orëve të mbrëmjes forcoi masat e sigurisë në rrugë, duke ngritur postblloqe në çdo kryqëzim dhe pikat hyrëse e dalëse të qytetit. Përgjatë mbrëmjes së djeshme janë ushtruar kontrolle në automjetet që hyjnë dhe dalin nga kryeqyteti.

 


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama