Ismail Qemali... pas doreheqjes

Ismail Qemali... pas doreheqjes
Pakkush mund të dijë sesi e përjetoi ish kryetari i parë i qeverisë shqiptare dorëheqjen, por një gjë mbase duhet të ketë kuptuar... se nuk do ta kishte gjatë. Ismail Qemali braktiset nga shumë njerëz ndërsa do i bëhet presion deri me ndihmën sociale, që merr jashtë vendit. Biografët e tij kanë mënjanuar shumë gjëra dhe sidomos ato që kanë lidhje me gabimet e tij... Askush nuk mund të dijë reagimin njerëzor të Ismail Qemalit më 24 janar të vitit 1914, kur e detyruan të japë dorëheqjen. Vendi administrohet nga dy qeveri në Durrës dhe në Vlorë, ndërsa të dyja bëjnë presion të madh kundra njëra-tjetrës.

Biografët e tij, bukur të shumtë, heshtin për këtë, ndërsa pak burime, mundohen t’i sfumojnë shumë gjëra. Bashkëkohësit, qoftë nga nderimi për figurën e tij, por nga ana tjetër edhe për shkak të respektit ndaj traditës të mosfoljes për të vdekurin, kanë lënë pa përmendur gjëra esenciale. Dhe, të mendosh se skulpturimi psikologjik i ka të nevojshëm këto gjëra, atëherë vërtetë të themi se është një goxha humbje për ata që do merren në të ardhmen me figurën e Shkëlqesisë së tij. Anipse, ky burrë simpatik, që shikon i qetë nga imazhet e kohës, pak i bën përshtypje. Si gjithnjë dhe paradoksalisht, janë të huajt ata që na rrëfejnë. Vetë ai, në kujtimet e fundit do të shprehet për atë që nuk e konsideron gati aspak: “Mbretërimi i shkurtër i Wilhelm Wiedit, qe më i pasur në episode groteske, se sa në veprime për organizimin e një shteti të ri”.

Duhet të ketë pak maraz sepse njerëzit e princit ia vështirësojnë jetën dhe mundohen ta denigrojnë me të gjitha mundësitë. Një vështrim interesant jepet nga Sonino, një nga zyrtarët e lartë italianë të kohës, kur pasi hidhet poshtë ideja se I. Qemali mund të bënte spiunazh për Austrinë, telegrami shkruar nga ai pohon: se ishte kërkuar “vigjilencë” për shkak të karakterit të tij (I.Q.) intrigant dhe armiqësisë me Esat Pashën, kryetar i qeverisë së Durrësit, për të shfrytëzuar situata të vështira, në të cilat ndodhej Shqipëria, për qëllime egoiste e interesa personale, prandaj duhet të kontrolloheshin lëvizjet e tij dhe marrëdhëniet që mbante me persona të tretë, me qëllimin të ndalohej që ai gjatë qëndrimit të tij në Itali të bënte intriga e manovrime në kundërshtim me veprimtarinë tonë në Shqipëri”.

Megjithatë, kur më prill të vitit 1915, do jetë në Francë, Ismal Qemali është gati ‘i njollosur’ me nam të keq para autoriteteve frënge. Ka ende një mënyrë për ta rregulluar, por Shqipëria duhet kthyer në qendër për operacionet frënge në Ballkan në këmbim të ndihmës së tij personale ekonomike. E hedh poshtë, ndërsa kryeministri frëng Briand do e cilësojë me ironi si një“pensionist të padobishëm të Francës”. Në këtë vazhdë nuk e lënë as të shkojë në Zvicër ngaqë frikësohen se inkurajon shqiptarët atje, që njihen si proaustriakë. Mbetet aktiv dhe në kohën e emigracionit, Ismail Qemali, i jep një ndihmë morale Markezit Auletta Kastrioti, që kërkon një vend si monark i Shqipërisë, një fakt që sërish do ia përflasin. Më 28 shtator 1916, delegati i policisë B. Spetia në shërbim të konsullatës së Marsejës dhe në bashkëpunim të ngushtë me shërbimet sekrete frënge, i dërgon homologut të tij italian, një lajmërim të tillë: “Duke e ndalur Ismail Qemalin të shkojë në Zvicër dhe duke u ndodhur ai dhe familja e tij në varfëri të plotë, nuk më duket se është fjala për një kundërshtarin tonë, e nuk është as humane e as e urtë të lihet të vdesë nga uria”.

Kjo shpresë e tyre nuk zgjat shumë, pasi më 1918 ndodh papritur që shqiptarët e Amerikës i kërkojnë t’i përfaqësojë në Konferencën e Paqes. Situata e tij komplikohet dhe më shumë dhe bëhet i pahonepsshëm sidomos për frëngët. Rrethanat e sjellin që në maj 1918 të përfundojë në Spanjë, ku në momentet e fundit i këmbejnë pasaportat italiane me atë frënge. Ajo që kupton është se sërish gjendet në grackë. Barcelona, ku ndodhet, jo vetëm është larg, e prej andej e ka të pamundur të angazhohet më për punët e tij. Përpiqet të kthehet në Itali dhe studiuesit e tij venë në dukje konfuzitetin e diplomacisë italiane, që nuk dinë të bashkëpunojnë, për të harmonizuar. Ndërkohë kanë ardhur ditët e fundit dhe ai vetë duhet të ndjejë se forcat s’janë si më parë. Mbërrin në Peruxhia në Hotel “Brufani” më 20 dhjetor 1918, shoqëruar nga djemtë e tij Et’hemi dhe Qazimi, pasi bëjnë një ndalesë të gjatë në Xhenova. I biri tjetër Qamili ka mbetur në Spanjë, kurse pjesa tjetër e familjes po bën udhën nga Brindizi në drejtim të Vlorës, ku të gjitha bëhen me shpenzimet e Italisë.

Këta të fundit luajnë dyfish dhe i vënë shumë shkopinj mbi rrota: ku kryesorja është kushtëzimi të qëndrojë vetëm në hotel, sepse vetëm aty mund ta ndihmojnë, ndërsa nëse do mund të lëvizë duhet të paguajë vetë. Kjo quhet drama e tij e fundit, sepse e gjithë pasuria është mbaruar në këtë sfidë të pashembullt, për t’i bërë bashkatdhetarët e tij me shtet. Akti i fundit i tij është më 15 janar 1919, kur do t’i bëjë një promemorie kryeministrit Oslando, ndërsa ky i fundit niset për në Konferencën e Paqes, ku i konfirmon se përfaqëson shqiptarët e Amerikës... Ashtu si do t’i tregojë kohë më vonë Et’hemi, i biri, Ali Asllanit, Ismail Qemali pati një konferencë shtypi, që nuk mundi ta realizojë të plotë sepse befas pësoi një lloj prerje fuqie dhe më 26 janar do ndërrojë jetë. Kufoma e liderit të parë shqiptar më 8 shkurt 1919, shoqëruar nga të bijtë Et’hemi, Qazimi dhe Qamili do udhëtojë drejt Vlorës, kurse varrimi i bëhet me nderime më datë 12 shkurt... 
...
Pakkush mund të dijë hidhërimin e tij, kur disa nga ata që do jenë protagonistë të shtetit shqiptar i kthejnë krahët. Faik Konica, Mit’hat Frashëri, Mehdi Frashëri, Abdyl Ypi, Dervish Hima etj., jo vetëm do ta mohojnë, por edhe do e pengojnë në çdo hap. Esat Pashë Toptani, kuptohet se do t’ia bëjë rrugën edhe më të vështirë, sa është gjallë. Që në ditët e para të qeverisë i duhet të luftojë me prijës lokalë, që nga Cakrani deri në Elbasan, të cilët mezi i mund, falë entuziazmit të shqiptarëve për kauzën e tij. Ismail Qemalin e tradhtojnë deri te korrierët, si ai që në vend t’i çojë një letër konfidenciale Cecil Bornes, kryetarit të komisionit ndëraleat, pasi e hap, ia jep austriakëve në Shkodër.

Në fakt, shtuar dhe me bisedimet e fshehta që ai bëri me Grebenenë, tashmë ishte e fiksuar edhe fundi i tij institucional. Ismail Qemali e kish kuptuar me kohë konfuzionin shqiptar dhe se gjërat nuk do zgjidheshin në vend por jashtë tij. Zhgënjimi është i thellë dhe kur Preng Pasha dhe Bajram Curri do t’i luten pak javë pasi ka ikur në Francë se duhet të rikthehet. Përgjigja është patetike: Ju dua por nuk mundem. E ka të qartë se nuk vazhdohet. Pak para se të vdesë do të lerë si epigram shprehjen e famshme “Shpresa ime e vetme janë zotërinjtë e opingës”...

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama