Ismail Qemali ngriti flamurin e Kastrioteve nje simbol ilir

Ismail Qemali ngriti flamurin e Kastrioteve, nje simbol ilir
Skënderbeu i mblodhi të gjithë burrat e fortë të arbrit dhe si gjenerali suprem i tyre, në luftë kundër akinxhinjve e jeniçerëve osmanë, ua dha dhe stemën e familjes së tij, nën të cilën duhej të luftonin. Kruja duhej mbrojtur me çdo kusht e mbi kullën e kalasë të valëvitej një flamur me fushë të kuqe e shqiponjë të zezë me dy krerë në të. Me të njëjtin flamur, fare pa ndryshime, 500 vite më pas Ismail Qemali do të shpallte Pavarësisë në Vlorë...

...Tezat e lashtësisë së shqiponjës dykrenore, emblemë dhe simbol i Flamurit të kombi tonë, ka më shumë se dy shekuj që është vënë në qendër të vëmendjes së dijetarëve të huaj dhe shqiptarë. Kësaj teme i kushtohet studimi i autorit Jaho Brahaj, i njohur në fushën e heraldikës dhe të studimeve të historisë dhe kulturës të mesjetës shqiptare. Për gazetën shekulli, studiuesi Brahaj thotë:

Çfarë paraqitje kishte flamuri që u ngrit para 100 viteve në Vlorë?

Flamuri që ngriti Ismail Qemali në 28 nëntor 1912 në Vlorë është ai që trashëgojmë sot, flamuri kombëtar. Të dhënat e flamurit janë përcaktuar në një shkrim që ka botuar në atë kohë organi i qeverisë së Vlorës “Përlindja e Shqipëniës”, e ku bëhen edhe shpjegimet përkatëse. Ky ishte dhe flamuri i Skënderbeut.

Në çfarë dokumentesh vërtetohet simboli që mbante flamuri i Skënderbeut?

Skënderbeu ka pasur një flamur me fushë të kuqe e shqiponjë të zezë me dy krerë dhe këtë flamur e ka të trashëguar nga dera e Kastriotëve. Vizatimi grafik i shqiponjës së Skënderbeut është bërë i njohur me saktësi dhe imtësi nga vula e tij dhe nga afresku i kishës së Shnandout në Kepin e Rodonit. Ndërsa Barleti e ka dhënë saktësisht, në gjuhën latine, kur shkruan: Flamuri i gjindjes së Kastriotëve ishte me fushë të kuqe e shqiponjë të zezë me dy krerë.

A ishte ky flamur i huazuar nga Bizanti?

Ky flamur nuk ka lidhje me Perandorinë Bizantine, pasi stema e shqiponjës me dy krerë është përdorur në këto vise që në lashtësi. Vërtetë që Bizanti në shekullin IX e këtej ka shqiponjën në simbolet heraldike, ashtu si edhe kisha ortodokse. Kur u futa në pasurinë e madhe arkeologjike, kultike, gdhendjet artizanale të së shkuarës, rezultoi që ilirët e kanë të paktën të dokumentuar saktësisht shqiponjën dykrenore që në shek VI para Erës së Re. Por gjithsesi ky simbol gjendet edhe në vende të tjera.

Ndërkohë shqiponjën e kishin në stemë dhe shtetet e tjera në Europë?

Në periudhën kur po afirmohej shteti shqiptar, shqiponjën dykrenore e kishte Perandoria Austro-Hungareze, Rusia, Serbia, Mali i Zi, Kisha Ortodokse dhe e ashtuquajtura Lidhje e Shenjtë Romake. Rilindësve u doli detyra ta zgjidhnin këtë çështje, ndaj ata e ndryshuan shqiponjën për ta bërë të dallueshme nga këto shenja të shteteve të tjera që ishin afirmuar zyrtarisht me flamujt e tyre në fundin e shek XIX dhe fillimin e shek. XX. Shqiponja e Faik Konicës arriti që të ngrihet më 28 Nëntor 1912.

Si ka udhëtuar flamuri shqiptarë në 500 vitet e pushtimit otoman?

Ky flamur është ruajtur pa asnjë ndryshim nga shqiptarët edhe në shekujt XVI-XVII. Në vitin 1593 kemi vulën e Kuvendit shqiptar që ka pasur të njëjtën shqiponjë ekzaktësisht. Flamuri i shqiptarëve nuk u harrua asnjëherë gjatë periudhës së pushtimit 5-shekullor otoman. Kemi fakte që flamuri dhe veshjet kombëtare u praktikuan në truallin tonë madje dhe në formacionet ushtarake shqiptare (ushtria stratiote, me pagesë) që u vunë në shërbim të mbretërisë së Napolit, Venedikut dhe Spanjës. Ky flamur nuk u harrua nga arbëreshët të cilët e përmendin në këngët e tyre historike, dhe e kanë ornament të kulturës materiale të trashëguar.

Çfarë thotë studimet e autorëve të huaj për këtë çështje?

Albanologë të ndryshëm na japin fakte interesante për praktikimin e flamurit kombëtar shqiptar në shekujt XVII-XIX e në vazhdim. Inkursionet ushtarake të Bushatllinjve rreshtoheshin nën flamurin kombëtar të trashëguar nga Skënderbeu. Po kështu të dhënat e albanologëve na dëshmojnë se flamurin e Skënderbeut, e kanë parë në vitet 1700 tek mirditorët. Pra e them këtë që flamuri nuk u harrua asnjëherë në Shqipëri por kishte një njohje edhe nga të huajt, Poeti amerikan Long Fellou, në poemën e tij kushtuar Skënderbeut e përshkruan flamurin tonë tepër saktë.
Të dhënët e 2-3 viteve të fundit, dokumentojnë që formacionet ushtarake në mbrojtje të trojeve tona kundër shovinistëve sllavë luftonin nën flamurin kombëtar shqiptar dhe ky dokument është një prej fermanëve të sulltanit ku informohet se shqiptarët gjatë periudhës së Lidhjes së Prizrenit kanë praktikuar në paktën 20-30 copë flamuj të kuq me shqiponjën e zezë.

A ka pasur flamuri i Skënderbeut edhe një yll me 6 cepa?

Ylli është një huamarrje dhe ndodhet në një vulë që përdorte Skënderbeu. Ishte dhe si një ornament. Por nuk ka asnjë të dhënë që ylli me 6-cepa të jetë përdorur edhe në flamur. Flamuri ka pasur si simbol vetëm shqiponjën e zezë. Flamuri që u ngrit nga Kuvendi i Vlorës, është përcaktuar qartë dhe nga komisioni i festës në vitin 1937 me rastin e 25 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë.

Gjatë punës tuaj studimore keni arritur në një përfundim të qartë se cilin flamur ngriti Ismail Qemali në Vlorë, atë të qëndisur nga Marigo Pozio apo një tjetër...?

Versionet dhe hamendësimet që janë ngritur kanë marrë një përgjigje pas gërmimeve në arkiva dhe studimit të botuar nga Prof. Valentina Duka. Këtu doja të shtoja se edhe djali i Ismail Qemalit e pranon se në vitin 1936 sipas dokumentit të AQSH se ky flamur ishte i Eqrem Vlorës. Marigo Pozio ishte një patriote, e cila gjithashtu ka qëndisur flamur, madje ka futur në Shqipëri një flamur nga Korfuzi, por realisht flamuri i ngritur nga Ismail Qemali në 28 nëntor 1912 ishte ai që mbante në shtëpi Eqrem Vlora.

Bizanti i merr simbolin ilirëve

Studiuesi Jaho Brahaj shpjegon enigmën e zanafillës së shqiponjës dykrenore, e cila është trashëguar nga kohët e hershme bashkë me besimet dhe kultin e këtij shpendi. “Perandoria Bizantine e mori shqiponjën me dy krerë, si simbol, nga ato popullsi mbi të cilat u shtri e u zhvillua. Pjesë e Bizantit ishte edhe popullsia ilire ballkanase. Ne e kemi të dokumentuar shqiponjën dykrenore në shekullin VI, dhe mund të thuhet se Bizanti e mori këtë simbol nga ne.

Fati e solli që shqiponja me dy krerë të ishte emblemë e derës së Kastriotëve, ashtu siç thotë Barleti. Duke qenë se në mbledhjen e princërve shqiptarë në 2 mars 1444 Skënderbeu u vendos komandant i përgjithshëm, atëherë flamuri i tij ishte edhe flamuri përfaqësues i të gjitha forcave ushtarake të arbërve. Prej këtu fillon të jetë flamur përfaqësues i kombit shqiptar, për të mbërritur në ditët e sotme”.

Shqiponja në 500 vjet

Me interes të veçantë në studimin “Flamuri i Kombit Shqiptar, origjina, lashtësia” të Jaho Brahajt është dhe publikimi i flamurit të Lidhjes së Lezhës, të vizatuar në një hartë të vitit 1459, kohë kur jetonte Skënderbeu; “Botohet për herë të parë harta “Portollane” e Paolo Rosellit e vitit 1459, ku duken portet e Mesdheut dhe në çdo qytet ka flamuj. Flamurin shqiptar e gjejmë në Krujë, duke na dhënë kështu dëshmi autentike se si ka qenë flamuri i Skënderbeut në kohën kur ishte gjallë”, shprehet autori.

Më pas në vëllim janë botuar: shqiponja heraldike e Kastriotëve të shek XIV-XV në afreskun e Kishës së Rodonit; një vepër përkujtimore e vitit 1500 me shqiponjën e Kastriotëve, në Napoli, për peshkopin Konstandin Kastrioti; shqiponja dykrenore e veprës së Barletit 1508; shqiponja dykrenore në vulën e Pleqësisë së Arbrit, më 1593; kapedanët arbër me flamur në Evropë, ku do ta veçoja rastin e përdorimit të flamurit në shek. XVI nga Pal Gjini, kapedan në shërbim të Venedikut; dëshmi për përdorimin e flamurit në shek. XIX; flamuri në vitet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit; flamuri i vitit 1899, i qëndisur nga Seid Najdeni; flamuri më 1900-1908; skicë e flamurit të arbëreshëve të Sicilisë, më 1910; flamuri më 28.11.1912; etj.

Studimi: “Flamuri i Kombit Shqiptar”

“Flamuri i Kombit Shqiptar” është mbështetur kryesisht në strukturat shpirtërore e materiale të krijuara ndër mijëvjeçarë nga populli ynë dhe të ruajtura, të trashëguara e të dokumentuara nga kultura materiale: në hajmali, ornamente, në qëndisma, tekstile popullore, stoli metalike, gdhendje në gur, në dru etj.

Hulumtimi i autorit për këtë monografi përfshin gjithë trashëgiminë e objekteve arkeologjike me këtë temë, të ruajtura në truallin ballkanik e të botuara nga studiuesit tanë e të huaj dhe po ashtu trashëgiminë shpirtërore të ruajtur nga popullsia jonë, në të gjitha trevat ku jetojnë shqiptarët. Është e para herë që në studim shpjegohet në bazë të hulumtimeve të suksesshme, të bazuara në materiale konkrete arkeologjike e etnologjike, se cila është zanafilla e shqiponjës dykrenore, motiv që kombi ynë e ka edhe simbol të flamurit që prej pesë shekujsh.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama