Ismail Qemali dhe programi i tij i vitit 1900

Nga viti 1900 filloi të marrë pjesë gjallërisht në jetën politike të Shqipërisë edhe Ismail Qemali, që deri në atë kohë njihej më shumë si një nga personalitetet e shquara politike e shtetërore të Perandorisë Osmane. Ai u lind në Vlorë më 24 janar 1844 në familjen e Sinanajve, që njihej si pronare e madhe tokash dhe për kontributin e saj në qëndresën kundërosmane në vitet 20 të shek. XIX, sidomos gjatë kryengritjes popullore të vitit 1847. Pasi kreu shkollën fillore në qytetin e lindjes dhe gjimnazin Zosimea të Janinës, në vitin 1859 u vendos me familjen e tij në Stamboll. Këtu hyri si përkthyes në Ministrinë e Punëve të Jashtme, duke ndjekur njëkohësisht studimet e larta për drejtësi.
Në Stamboll mori pjesë, së bashku me atdhetarët e tjerë shqiptarë, në përpjekjet që u bënë në vitin 1864 e 1867 për hartimin e një alfabeti të përbashkët për gjuhën shqipe dhe për të formuar një shoqëri kulturore shqiptare. Ismail Qemali u shpreh atëherë kundër përdorimit të alfabetit arab për gjuhën shqipe dhe u bashkua me Pashko Vasën, me Kostandin Kristoforidhin dhe me intelektualë të tjerë që ishin përkrahës të alfabetit latin.
Në vitet 70 Ismail Qemali filloi të shquhej si personalitet shtetëror. U ngarkua me detyrën e guvernatorit në disa provinca të Perandorisë Osmane. Duke qenë njohës i shumë gjuhëve dhe me një kulturë të gjerë, i pajisur me zgjuarsi e talent në fushën shtetërore dhe të diplomacisë, e sidomos në saje të artikujve që botonte në gazetat më të mëdha evropiane, Ismail Qemali qysh në vitet 70 u bë një nga figurat më të shquara të Perandorisë Osmane e shumë i njohur edhe në arenën ndërkombëtare. U dallua veçanërisht si njohës i mirë i gjendjes së Turqisë e sidomos i asaj ndërkombëtare.
Si funksionar në administratën shtetërore osmane Ismail Qemali u shqua shumë shpejt për pikëpamjet përparimtare, si përkrahës i reformave. Në vitin 1876, kur u bë kryeministër Mithat Pasha, Ismail Qemali, që kishte bashkëpunuar me të edhe në të kaluarën kur ishte guvernator në provincën e Danubit, mori pjesë në komisionin shtetëror për hartimin e kushtetutës turke, e cila u shpall në dhjetor 1876. Pas heqjes së kushtetutës nga sulltan Abdyl Hamiti II dhe pas internimit të Mithat Pashës më 1877, Ismail Qemali dërgohet si bashkëpunëtor i tij në internim në Kutahja, ku u mbajt deri në vitin 1884. Pas kthimit nga internimi e deri në vitin 1899, u emërua përsëri disa herë me radhë si guvernator në provinca të ndryshme të Perandorisë dhe u caktua gjithashtu anëtar i Këshillit të Shtetit.
Gjatë kësaj periudhe, i ngarkuar nga sulltani për të hetuar gjendjen ndërkombëtare të vendit, Ismail Qemali kërkoi prej tij disa herë me radhë që të zbatonte reforma në Perandorinë Osmane. Në shkurt të vitit 1897, duke qenë guvernator i Tripolit, i paraqiti Abdyl Hamitit një promemorje ku, pasi përshkruante gjendjen e rëndë të brendshme e të jashtme të Perandorisë, korrupsionin, arbitraritetin e keqadministrimin që zotëronte në aparatin shtetëror qendror e lokal dhe mungesën e të drejtave njerëzore e politike për gjithë shtetasit, parashtronte programin e tij të reformave. Ai propozonte që të zbatoheshin me ngutësi reforma radikale, të cilat duhet të ishin të përgjithshme, t’u siguronin shtetasve të drejta në qeverisjen e vendit, lirinë e mendimit e të veprimit. Në promemorje kërkohej që të rivendosej e të vihej menjëherë në jetë kushtetuta e vitit 1876, së cilës duhej t’i bëheshin ndryshime e përmirësime që t’u përshtateshin gjendjes së Perandorisë Osmane në fundin e shek. XIX dhe lëvizjeve kombëtare të popujve; këto ndryshime e përmirësime do të miratoheshin nga asambleja kushtetuese, që do të thirrej posaçërisht për këtë qëllim. Ismail Qemali mendonte që në vend të regjimit absolutist të sulltanëve osmanë të vendosej një monarki kushtetuese parlamentare, e ngjashme me atë të disa vendeve të Evropës. Said Pasha, ish-kryeministër i Turqisë, shkruante në kujtimet e tij (më 1912) se, bashkë me promemorjen, Ismail Qemali i paraqiti sulltanit edhe projektin e një kushtetute, të cilën ai (Said Pasha) e quante si më të përshtatshme për vendosjen e një regjimi parlamentar në Perandorinë Osmane.
Miratimi i një kushtetute të tillë do t’u hapte rrugën reformave decetralizuese, me zbatimin e të cilave pushteti lokal do të kalonte në duart e vendasve dhe të përfaqësuesve të të gjithë popujve të Perandorisë. Ismail Qemali shpresonte se këto masa do t’i sillnin dobi edhe kombit shqiptar, do të përmirësonin dukshëm gjendjen politike, kulturore dhe ekonomike të Shqipërisë e të provincave të saj. Këto ide Ismail Qemali i shprehu edhe më qartë në intervistën që botoi në shtypin evropian në janar të vitit 1900, në të cilën kërkonte që Perandoria Osmane t’u jepte liri të gjera e të plota popujve që mbante nën zotërimin e saj, që shqiptarët, grekët, sllavët e arabët të gëzonin të drejta të njëjta me turqit dhe të viheshin në një shkallë barazie me ta.
Promemorja e vitit 1897 u prit mirë nga opinioni zyrtar e publik i disa shteteve evropiane, pati jehonë në shtypin e tyre, që e cilësoi Ismail Qemalin si një reformator dhe burrë shteti të shquar e largpamës.
Ndërsa qarqet përparimtare të Perandorisë dhe ato të popujve të robëruar i shikonin me simpati idetë e Ismail Qemalit për zbatimin e reformave, sulltani e Porta e Lartë i quante ato dhe autorin e tyre të rrezikshëm për stabilitetin e sundimit të tyre. Për pikëpamjet e tij, si dhe për lidhjet me Lëvizjen Kombëtare Shqiptare, sulltani vendosi ta largonte Ismail Qemalin nga kryeqyteti dhe në prill të vitit 1900 e emëroi guvernator në Tripoli. Para se të merrej kjo masë, Porta e Lartë, me këmbënguljen e sulltanit, kishte vendosur tanimë pa asnjë akt gjyqësor ta dëbonte atë nga Stambolli. Në këto rrethana emërimi i tij i ri u vlerësua si një përpjekje e maskuar për ta internuar e ndoshta për ta zhdukur. Edhe Ismail Qemali dyshoi për këtë komplot, prandaj disa ditë pas takimit që pati me sulltanin, më 28 prill 1900, u arratis nga Turqia së bashku me tre djemtë e tij të vegjël. Në fillim shkoi në Athinë, pastaj në Napoli, në Romë, në Lozanë, në Paris, në Bruksel dhe u vendos në Londër, ku qëndroi për një kohë më të gjatë. Në Athinë dhe në ndonjë vend tjetër Ismail Qemali pati takime edhe me personalitete politike e shtetërore të kohës. Përveç të tjerëve u prit edhe nga mbreti i Greqisë, Gjergji I, që tregoi interes të veçantë për të.
Arratisja e Ismail Qemalit bëri përshtypje të madhe në Turqi e në Evropë, prandaj sulltani qysh në ditët e para të largimit të tij bëri disa përçapje për ta tërhequr në Stamboll duke i premtuar poste të ndryshme shtetërore, të cilat ai nuk i pranoi.
Në emigrim iu kushtua tërësisht veprimtarisë politike në dobi të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Krahas me këtë Ismail Qemali, si dhe mjaft shqiptarë të tjerë, mori pjesë në lëvizjen e turqve të rinj, ku u bashkua me përkrahësit e rrymës së decentralizimit që kërkonin zbatimin e disa reformave, nga të cilat mund të përfitonin edhe kombësitë e Perandorisë.
Në Bruksel bashkëpunoi me Faik Konicën, duke marrë për pak kohë edhe drejtimin e gazetës së tij, “Albania” (1897-1909). Më pas nxori këtu gazetën e vet “Le salut d’Albanie” (“Shpëtimi i Shqipërisë”).
Programin e vet politik për Lëvizjen Kombëtare Shqiptare Ismail Qemali për herë të parë e shfaqi publikisht në intervistën që i dha gazetës së njohur italiane “Tribuna”, më 21 maj 1900, kur ende ndodhej në Romë; ndërsa më 15 tetor të po atij viti ai botoi në revistën “Albania” thirrjen (“Vëllezërve shqiptarë!”) drejtuar gjithë shqiptarëve, në të cilën paraqiti edhe njëherë pikëpamjet e veta për lëvizjen shqiptare.
Në të dyja këto dokumente Ismail Qemali, duke folur për arratisjen e tij, thekson se u largua nga Turqia për t’u bashkuar me vëllezërit e tij shqiptarë dhe për t’u marrë vesh me ta për shpëtimin e atdheut, të Shqipërisë, e cila për shkak të rrokullimës së Perandorisë Osmane rrezikon të copëtohet nga vendet fqinje dhe të humbasë bashkë me të. Ismail Qemali parashtroi si një kërkesë të ngutshme, të drejtë e të rëndësishme njohjen e kombësisë shqiptare, pranimin “si një kurm e një komp të shqiptarëve që rrojnë tubërisht në Shkodër, në Kosovë, në Manastir e në Janinë, e tej e këtej në viset e tjera të Turqisë Evropiane”. Në sendërtimin e këtyre kërkesave ai shihte rrugën e mundshme të konsolidimit të kombësisë shqiptare, të afirmimit të shqiptarëve si komb më vete dhe të njohjes së identitetit të tyre kombëtar në arenën ndërkombëtare. “Ne, - shkruante ai, - duam vetëm bashkimin dhe unitetin e racës (kombësisë - shën. i aut.) sonë shqiptare, përparimin e saj intelektual dhe ekonomik me qëllim që të bëhemi mjaft të fortë për të kundërshtuar atë që synon të na përpijë ne...”. Ismail Qemali e shihte të ardhmen e shqiptarëve, të cilët, siç shprehej ai, “në gjak kanë mbetur gjithmonë evropianë”, vetëm po të futeshin në rrugën e qytetërimit evropian.
Edhe pse programi i Ismail Qemalit i vitit 1900 nuk përmbante (ashtu si ai i Lidhjes së Prizrenit, 1878-1881) të gjitha kërkesat e platformës së një shteti autonom shqiptar, ai kishte në thelb karakter autonomist, synonte të hidhte themelet e këtij shteti. Kërkesa e Ismail Qemalit për riorganizimin e administrimit të Shqipërisë sipas artikullit 23 të Traktatit të Berlinit, duke i bërë plotësimet e nevojshme në përputhje me rrethanat e kohës dhe duke i dhënë edhe Shqipërisë po ato privilegje që i ishin akorduar Kretës (e cila u shpall autonome më 1897), nënkuptonte pa asnjë mëdyshje formimin e një Shqipërie autonome. Në intervistën që i dha gazetës “Tribuna” (Romë), Ismail Qemali shpalli haptazi se çështja shqiptare do të zgjidhej “nga shqiptarët e krishterë e myslimanë, të cilët janë në harmoni dhe kjo harmoni i bënë të sigurt se do t’ia arrijnë qëllimit të tyre, që është autonomia”. Prandaj shtypi evropian shkruante në vjeshtën e vitit 1900 se “autonomistët shqiptarë kanë tani një udhëheqës serioz sikurse është Ismail Qemali”, i cili me programin e tij “kërkon ndarjen e Shqipërisë, të kombit shqiptar nga Turqia”. Ndërkaq, vetë Ismail Qemali, duke dashur ta vinte theksin në synimet autonomiste të programit të vet, në intervistat që u dha organeve të shtypit në marsin e vitit 1901 dhe në bisedën që pati po në atë kohë me konsullin francez në Kajro, deklaroi se nuk kishte kërkuar “pavarësinë e plotë dhe absolute të Shqipërisë”. Ai theksoi me këtë rast se nuk përkrahte shkëputjen e Shqipërisë nga Perandoria Osmane, por kërkonte një organizim të tillë, që nuk do të cenonte të drejtat e sulltanit si kalif dhe nuk do të ndryshonte nënshtrimin ndaj tij; me një deklaratë të tillë ai kishte parasysh autonominë e Shqipërisë nën sovranitetin e sulltanit.
Në kushtet kur Fuqitë e Mëdha ishin për ruajtjen e status quo-së dhe nuk lejonin shkëputjen e kombësive joturke nga Perandoria Osmane, Ismail Qemali shihte si rrugëdalje organizimin autonom të Shqipërisë dhe të kombeve të tjera, që sipas mendimit të tij duhej të sigurohej me rrugën e reformave, me përkrahjen e drejtpërdrejtë dhe të hapur të Fuqive të Mëdha. Duke menduar se një Shqipëri e shkëputur nga Perandoria Osmane nuk do të mund t’i bënte ballë rrezikut të copëtimit nga shtetet fqinje, Ismail Qemali theksonte se ishte në interesin e përbashkët të shqiptarëve dhe të turqve që të ruhej status quo-ja në Ballkan. “Përsa u përket shqiptarëve, - deklaronte ai në intervistën, që dha në Romë në vitin 1900, - çdo lëvizje e hapur revolucionare nuk do të sillte gjë tjetër veçse do të bënte të ligjshme ndërhyrjen e huaj”.
Bashkimin e shqiptarëve si komb dhe afirmimin e tyre kombëtar Ismail Qemali e shihte të lidhur ngushtë me përparimin e tyre arsimor e kulturor. “Për t’u futur në rrugën e qytetërimit, - shkruante ai po në atë periudhë, - ne kemi nevojë të mësojmë, kemi nevojë të hapim shkolla kombëtare për tërë Shqipërinë, që gjuha shqipe të lexohet dhe të përhapet në çdo vend. Kjo nevojë për shkolla është e para nga ato reforma që duhet të kërkojmë. Është e mundur të përmirësohet një popull pa shkolla dhe pa arsim? Duhet të jesh i verbër e tradhtar të mos pranosh shkollat kombëtare. Shqiptarët nuk do të vonojnë të marrin në duart e tyre armën e arsimit shqip”.
Ismail Qemali ishte ithtar i marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë me shtetet që e rrethonin Shqipërinë. Ai theksonte se shqiptarët duhet të rrojnë në paqe me gjithë fqinjët e vet, por me kusht që edhe këta duhet të mos ua mohojnë shqiptarëve të drejtat e tyre kombëtare dhe të mos përpiqen t’i pengojnë në sigurimin e tyre.
Me veprimtarinë e tij të gjithanshme politike e diplomatike, që zhvilloi në të mirë të çështjes shqiptare brenda vendit dhe në rrafshin ndërkombëtar, ai u radhit ndër personalitetet më të përparuara të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare në fillimin e shek. XX .


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama