Ismail Kadare Vete-censura po e shkaterron letersine

Ismail Kadare: Vete-censura po e shkaterron letersine

I lindur në Gjirokastër të Shqipërisë, më 1936, Ismail Kadare fillimisht është njohur për poezitë e tij, të cilat për herë të parë iu publikuan kur ishte vetëm 12 vjeç. Në vitin 1963, u botua romani i tij i parë, “Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur”. Në vitin 1981, “Pallati i Ëndrrave”, një kritikë e vogël ndaj regjimit komunist, u ndalua menjëherë pas botimit. Kadare më vonë kërkoi azil politik në Francë (1990), pasi kishte dhënë deklarata në favor të demokracisë. Librat e tij u përkthyen në mbi 30 gjuhë. Ai e ndau kohën e tij në mes të Francës dhe Shqipërisë.


Kush është lexuesi juaj i përkryer?

Një lexues që e pëlqen Dante Alighierin, por që nuk lejon që ai t’i dalë në rrugë për t’u kënaqur me Don Kishotin (Don Quixote), sikurse ai që e lexon Shekspirin e di se nuk e pengon asgjë që ta lexojë Kafkën.

A hani teksa shkruani?


Unë filloj të shkruaj pas mëngjesit, rreth orës 10. Pasi nuk punoj më shumë se dy orë në ditë, unë pi vetëm kafe, asgjë tjetër.

Çfarë ju bën juve më së shumti krenar nga shkrimet tuaja?


“Pallati i ëndrrave”. Është shkruar në vitin 1980 dhe është botuar një vit më vonë, gjatë periudhës më të errët të tiranisë së Shqipërisë. Ishte një libër në kundërshtim me atë tirani.

Nga se frikësoheni?

Kam krijuar një trup të punimeve letrare gjatë një periudhe të sistemeve politike diametralisht të kundërta. Një tirani që ka zgjatur për 35 vjet (1955-1990), dhe 20 vjet në liri. Në të dyja rastet, gjëja që ka mundur ta shkatërrojë letërsinë është e njëjta, vetë-censura.

Cilët libra mbani në tavolinën pranë shtratit të gjumit?

Libra që në të vërtetë nuk i hap, por që vet prezenca e tyre rrezaton diçka. Shpesh kjo ndjenjë është goxha e ndryshme nga përvoja e të lexuarit të tyre, të cilën mund ta bëjë ndonjëherë tjetër. Por është ndjenja ajo që më nevojitet.

A keni një rutinë të të shkruarit?

Në mes të orës 10 të mëngjesit dhe mesditës, çdo ditë. Në Paris, gjithnjë punoj në kafenenë e njëjtë. Në Tiranë, kjo është e pamundur, për shkak të kureshtjes së njerëzve.

Cili libër jua ka ndryshuar jetën?


“Makbeth”. E lexova kur isha 11 vjeç. Edhe pse nuk e kuptoja të gjithën, më pëlqente aq shumë sa që fillova ta shkruaja të gjithën me dorë. Një vit më vonë, desha të bëja të njëjtën gjë me Hamletin, i cili, megjithatë, ishte edhe më i pakuptueshëm për mua.

Si relaksoheni?


Shëtis. Në Paris, shëtis nëpër Kopshtet e Luksemburgut (Luxembourg Gardens), të cilat janë në anën tjetër të shtëpisë sime. Në Shqipëri, gjatë verës, në bregdet.

Kush shkrimtar ka ndikuar te ju?


Tre gadishujt evropianë: Apeninet me Danten; Ballkani me tragjeditë greke dhe baladat mesjetare shqiptare; dhe Gadishulli Iberik me Don Kishotin. Ishujt britanikë (Shakespeare). Literatura ruse dhe ajo e Evropës qendrore (Kafka).

Kur e kuptuat se do të bëheni shkrimtar?


Kur isha 12 vjeç. Pasi që ajo që shkruaja ishte e pavlerë, ishte e lehtë ta mendoje vetën si një shkrimtar të rëndësishëm. Më vonë, ishte e kundërta.

Romani i fundit i Ismail Kadaresë është “The Accident (Canongate)”


Intervistoi: Luke Sampson për "Financial Times"


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama