Ismail Kadare Kasem Trebeshina themeloi Sigurimin e Shtetit vrau te dashurin e Ramize Gjebrese

Ismail Kadare: Kasem Trebeshina, themeloi Sigurimin e Shtetit, vrau te dashurin e Ramize Gjebrese
Shkrimtari Ismail Kadare akuzon për vrasjet e kryera në vitin ‘43 shkrimtarin Kasem Trebeshinën, si ndër themeluesit e Sigurimit të Shtetit në diktaturë, ish-oficer i saj. Rasti është vrasja e partizanit Zaho Kokës, të përfshirë në historinë e famshme të dashurisë, që endet akoma si mister, me Ramize Gjebrenë që u pushkatua nga partizanët. Këtë e ka konsideruar Kadare si krimin fonditor, me të cilën nis ngritja e doktrinës komuniste në një sistem kriminal. Kjo trondit dhe pozicionin letrar të Trebeshinës: A mund të quhet disident? Në sprovën letrare të botuar gati një vit më parë, “Mosmarrëveshja”, dëshmia e Kadaresë i referohet heshtjes ndaj dëshmive arkivore për këtë ngjarje në librin e S. Bejkos, “Disidentët e rremë”. Më poshtë botojmë kapitullin “Intermexo me dy vrasje në sfond”, ku Kadare rrëfen ngjarjen.

Ismail Kadare

Historia e re më Gjergj Kastriotin është më e vjetër se ç’duket. Ajo ka nisur fill pas rënies së komunizmit. Një roman i shkurtër, i titulluar "Mekami", i një shkrimtari të quajtur problematik, K. Trebeshina, botuar në rrethana të dyshimta në Kosovën ende nën sundimin serb, shënon fillimin e fushatës së egër kundër personazhit. Në atë libër, heroi i parë i shqiptarëve trajtohet as më pak, as më shumë, si hajdut kuajsh dhe agjent i Italisë. Vetë autori, i përndezur prej sulmit të vet, e shpall veten turk.

Ndërkaq, autori i librit është duke u shpallur në Shqipëri shkrimtar disident. Ndaj pyetjes se për ç'merita, përgjigjja është e prerë: Për një promemorie që i paska dërguar Enver Hoxhës më 1953. Sipas saj, është ndoshta shkrimtari i parë në Shqipëri, që ka guxuar t'i shkruajë diktatorit: Ti dhe shokët e tu jeni vrasës, që jo vetëm do të vrisni më pas njëri-tjetrin, por do ta mbytni vendin në gjak!

Tingëllon disi e pabesueshme për cilindo, por sidomos për strehsat.

Dyshimi për promemorien dyfishohet kur sillet ndërmend e kaluara letrare e personazhit: Shkrimtar si shumë të tjerë, me ndonjë vjershë lavdërimi për Enver Hoxhën dhe kulmi, pikërisht në mars të vitit 1953, pak kohë përpara promemories, me poemën më himnizuese, kushtuar Stalinit, në ditën e vdekjes së tij.

Këto kujtime prekëse nuk e ndryshojnë aspak statusin e personazhit. Madje, ai nuk lëkundet as kur strehsat, këtë herë të zemëruar keq, zbulojnë se kinse disidenti, ose kinsi, siç do të quhej shkurt, jo vetëm s'ka qenë kundër regjimit, por ka qenë oficer i Ministrisë famëkeqe të Brendshme, pra pjesë e thelbit gjakatar të shtetit. Që njeriu gëzonte mbrojtje të fshehtë, kjo ishte e qartë. I turbullt ishte shkaku. Mbrojtja shtrihej në të dyja regjimet: në komunizëm dhe në paskomunizëm. Nga të dy krahët e politikës: e djathta dhe e majta. Vetvetiu bëhej pyetja: Disident kundër kujt kishte qenë në të vërtetë kinsi? Me ç'dilte, disidenca e tij më e qartë paskësh qenë kundër Skënderbeut. Ajo kundër regjimit mbetej për t'u vërtetuar.

S'do të kalonte shumë kohë dhe, pas Kastriotit, do të hidhej hija e keqe për periudhën më të ndritur të historisë shqiptare, Rilindjen Kombëtare, atë që ishte njohur si bijë e drejtpërdrejtë e iluminizmit evropian. E pas saj, mbi gjithçka të shpallur si vlerë morale e kulturore e kombit: mbi gjuhën shqipe, mbi zanafillën ilire të saj dhe të gjithë shqiptarëve, mbi themeluesin e shtetit shqiptar më 1912, gjer mbi Nënë Terezën, që gjatë ceremonisë së çmimit "Nobel" në Oslo, kishte treguar moselegancën të zinte ngoje zanafillën e vet shqiptare.

Strehsat, merret me mend, e humbën çdo durim. Pas shpenzimit të epitetit "antishqiptar" e bënë disi më të larmishme listën e sharjeve. Iu kujtuan mohsave prejardhjen nomenklaturore, duke mos harruar t'i krahasonin me vezë të gjarprit, që donin të mbronin krimet e etërve të tyre, gjë që nuk u prit mirë prej opinionit publik. Një etikë e heshtur ishte bërë zotëruese, ndërkaq në Shqipëri, që gjëra të tilla të mos kujtoheshin.

Për fat të strehsave, në një çast kur më së shumti kishin pasur nevojë për mbështetje, u gjet pranë tyre një profesor i letërsisë, studiues dhe poet, i dënuar me ca vjet pune të detyruar në një minierë qymyri, për arsye letraro-politike. Ky poet kishte polemizuar dy-tri herë në shtyp dhe TV, duke kërkuar heqjen nga tekstet shkollore të shkrimtarëve që ishin përzier drejtpërdrejt në krimet e diktaturës. Poeti, i dënuar dikur, vendos të zbresë prapë në thellësi, veç këtë radhë jo në minierë, por në Arkiv. Në Shqipërinë paskomuniste të gjithë i tremben Arkivit. Shkoni kudo, veç jo atje. Ngjituni, zbrisni, thyeni qafën ku t'ju shkrepet, veç jo në Arkiv.

Hulumtuesi, i thinjur tashmë, drejtohet pikërisht atje. Midis mallkimeve natyrisht, thefsh këmbën, e humbsh dhe syrin tjetër, midis urimeve, të ruajttë Zoti, midis shpërfilljes, ti qofsh! Dihet se ndërsa një zbritje në Arkiv zgjon kureshtje dhe ankth, është ngjitja ajo që edhe ankthin dhe kureshtjen i ka shumë më dramatike. Ngjitësit zakonisht janë plot lajme. Shumica të zymta, nga ato që të ngjethin mishtë.

Kështu do të jenë zbulesat që vijnë këtë herë nga nëntoka.

Të zbresësh në Arkiv duhet të jesh trim, por të tregosh ato që pe aty, duhet një trimëri edhe më e epërme. Kundër teje është trysnia që ushtron diktatura e përmbysur, taborët e djeshëm të së cilës, pas tronditjes së parë, po e marrin veten dhe çdo ditë trimërohen, madje guxojnë të sulmojnë aty-këtu. Ata janë kudo, në media, në qeveri, në parlament, në polici, në diplomaci. Mbrohen bashkërisht, kërcënojnë, shfaqen ditë e natë nëpër ekrane, i japin zemër njëri-tjetrit: Jemi prapë këtu.

Ishte kjo arsyeja e parë që çdo njeri që ngjitej nga skëterra e arkivave të fshehta shqiptare, sado i fortë të ishte, do të ndihej si i mpirë.

Duhej një vullnet i fortë, një ndriçim i epërm, e sidomos një motiv i epërm për të kapërcyer pengesën.

Të mbrosh një komb nga shuarja e vet është, sipas shumë njerëzve, ndër motivet më të epërme në botë, por në Shqipëri, ka ca kohë që, prej çmitizuesve, kjo quhet "kombëtarizëm", si të thuash një merak i kotë, shoqëruar me ironi, madje tallje.

Shuarja e kombit s'është as e rrallë, as e pamundur. Shumica e kombeve në botë janë shuar, pikërisht siç e ka parashikuar, ndonëse në mënyrë naive, himni i shtetit shqiptar. Pyetja më e thellë ndoshta do të ishte: A ka një orë të keqe për një komb, një kohë në të cilën gjasat e rrëzimit do të ishin me të mëdha?

Përgjigjja do të ishte jo fort e gëzueshme. Natyrisht, që ka një kohë të tillë, por për një paradoks të gjërave, s'është e thënë që ajo të jetë koha e pushtimit, por shpesh e kundërta, ajo e lirisë.

Në fillim të shekullit XXI, kombi i shqiptarëve jep tablonë më të favorshme të vet. Ajo përmblidhet në një frazë: asnjëherë në botë nuk ka pasur kaq shqiptarë të lirë. Ndërkaq, si për një drejtpeshim fatal, pikërisht në këtë kohë, një pamje e dytë, ajo që s'duket, jep një paralajmërim tjetër: ky komb është në rrezik zbehjeje, faza e parë e shuarjes. Shqipëria është e sëmurë. Shenjat e sëmundjes janë vënë re një shekull më parë, ndoshta me herët, siç është thënë në këtë sprovë. Veç kësaj, sëmundja nuk është e panjohur ndër kombe të tjera, por ky nuk është një ngushëllim, ashtu siç nuk do të ishte kurrfarë ngushëllimi vdekja e kombeve.

Sëmundja e Shqipërisë është e rëndë, si çdo lëngatë që do të prodhohej brenda saj. Duke iu shmangur filozofimit në cekëtinë, siç thuhet për dokrrat e mbështjella me lëvozhgë kinse filozofike, mund të thuhet se asnjëherë doza e ndotjes morale në Shqipëri nuk ka qenë kaq e lartë sa sot. Ajo rrek të zëvendësojë të keqen që sollën bashkërisht pushtimi osman, dështimi komunist dhe uzurpimi serb i gati gjysmës së hapësirës shqiptare në Ballkan.

Asnjëherë nuk është bërë përpjekje që kundërshqiptarizmi të shpallet haptas si doktrinë gati kombëtare. Si rrjedhojë, asnjëherë nostalgjia për robërinë, e bashkë me të, adhurimi i renegatëve, spiunëve, xhelatëve, shitësve të kombit, shkurt, adhurimi i Shqipërisë antikastriotiane, të kthehet në modë.

Si të mos mjaftonte filozofia e robërisë, e cila u përmend më lart, një tjetër kinse filozofi filloi të çante rrugë në mjegullën shqiptare. Ishte fjala për një zgjedhje, që për shume njerëz ngjante ogurzezë: ta duam Shqipërinë në mënyrë primitive apo ta shesim në mënyrë moderne?

Për atë që zbret në Arkiv, duhet të jenë të njohura mëdyshjet, lodhja, tundimi për t'u kthyer mbrapsht. Le të merren të tjerët me atë tmerr. Ndërkaq, ti e di se ç'krisje e pariparueshme mund të ndodhë në shpirtrat e miliona adoleshentëve, nëse e vërteta që ata dinë për popullin e vet, do të shpallet e pavërtetë dhe në vend të saj të vihet një mashtrim.

Intermexo me dy vrasje në sfond

Kjo intermexo është ndoshta e nevojshme për të kuptuar, nga një tjetër pikëshikim, shumë më të rrokshëm, disa nga trazimet, më saktë, misteret, ende të pashpjeguara, të jetës së sotme shqiptare. Shkurt, për t'i shpjeguar ndryshe, një ndajfolje e gjykuar aq moderne sot, ashtu siç dhe u theksua në kreun pararendës. Ndonëse kjo intermexo rrok një kohë të kufizuar: dimrin midis dy viteve, 1943 dhe 1944, burimshëm, ajo lidhet me të vërteta të tjera, njëqind, dyqind e madje gjashtëqindvjeçare. Në të do të gjejmë një pjesë të atij mekanizmi që ka prodhuar prologë dhe epilogë historish, dëshmi të besueshme e të rreme, mite të mirëfillta e mite të rrejshme, mistifikatorë e çmitizues, po aq të vërtetë e të rremë, maska dhe kundërmaska, që shpesh mbulojnë jo veç fytyrën e një personazhi, por të një epoke të tërë.

Me këtë rast është e detyrueshme të theksohet se ngjarjet që jepen këtu, jo vetëm janë një dromcë në tablonë e krimeve të ngjashme, por vetë kjo tablo vrasjesh brenda llojit nuk është veçse një pjesëz e tablosë kolosale, asaj që përfshin tmerret jashtë llojit, thënë ndryshe, krimet kundër klasave të përmbysura, duke nisur nga borgjezët e klerikët e të gjithë ata që u shpallën armiq të rendit të ri.

Në vitet 2007 dhe 2009, midis atyre që kishin zbritur në arkivin e fshehtë shqiptar gjendeshin dy hulumtues, që zhbironin për dy vrasje, në dukje fare të pangjashme, por në thelb të njëjta. Ngaqë ndriçoheshin ndryshe, sipas një përfytyrimi të njohur antik, e kishin lehtë të zbulonin atë çka ishte e vështirë për të tjerët: të fshehtën e mbuluar.

Pas ngjitjes lart prej puseve të arkivit, hulumtuesit, njëri pas tjetrit, botuan dëshmitë e tyre. Libri i parë: "Disidentët e rremë", i S. Bejkos. I dyti, "Nega totum" i V. Barutit.

Të dy këta libra, ndonëse i pari i shkruar me mjeshtëri e i dyti disi shkujdesshëm, për nga të vërtetat tronditëse që sillnin do t'i bënin nder çdo vendi ish-komunist, nga Baltiku në Adriatik. Për fat të keq, vendi i tyre, Shqipëria, ai vend që më shumë se cilido kishte nevojë për to, u tregua i verbër e shurdhan.

Shpjegimi u kërkua te historia e njohur e pasqyrës që i vihej përpara një populli me ndërgjegje të gjymtuar, kur veprimi i parë i tij ishte kthimi i kokës për të mos pare të vërtetën, i dyti, thyerja e pasqyrës.

Me librat e mësipërm ndodhën të dyja.

Ishte një mur i heshtur që ngrihej aty për aty, sa herë që diktatura e përmbysur kishte nevojë për të. Dhe gjer sot nuk mbahet mend ndonjë tirani e përmbysur, që fill pas rrëzimit të saj të mos bëjë gjithçka për të mbuluar krimet.

Për librin e parë, "Disidentet e rremë", pyetja shtrohej: Çfarë kishte zbuluar anketuesi në zbritjen e tij të dytë në Arkiv? Një krim, pa dyshim. Një krim të pazakonshëm, nga ata që pillnin të tjera, sipas përftimit të dikurshëm fatalist.

Anketuesi, nëpërmjet dosjes së një shkrimtari, arrin të zbulojë dhe t'i bjerë kambanës jo për një tmerr dosido, por për një krim arketipal, një nga ata që përcaktohen si krim fondator, mbi të cilin ngrihet një doktrinë e tërë, një sistem e një rend i gabuar.

Është fjala për vazhdimin e dosjes së autorit të "Mekamit". Ndonëse ish-oficer i Sigurimit, kjo s'e pengon të fitojë hieroren e disidentit, madje duket se e ndihmon. Fill pas kësaj, miti i disidencës së tij, në vend që të zbehet, zë vend në të vetmen histori të letërsisë shqipe, të shkruar prej kanadezit Robert Ellsi. Siç është thënë më parë, anketuesi, i bindur se ndodhet përpara një mbrapshtie të frikshme, është përpjekur ta pengojë atë. Ai ka shpjeguar gjithçka, por askush nuk e dëgjon. Pas një zbritjeje tjetër në Arkiv, bindet se personazhi ka qenë jo vetëm oficer i Ministrisë së Brendshme, por zëvendëskomisar batalioni qysh më 1943, e zëvendëskomisar do të thoshte, sipas kodit ritual të kohës, shefi i Sigurimit në batalion.

I bindur se kaq do të mjaftonte që ta dëgjonin më qetësisht, autori nuk zhbiron më tej. Por, për habinë e tij të madhe, jo vetëm tani e dëgjojnë më pak, por është e kundërta, nuk e dëgjojnë fare, madje presin fazën e mëtejshme, atë të talljes me të.

Dyshimet e rënda që e rrethojnë kinse disidentin janë të mjaftueshme për të nxitur një zbritje të re në arkiv. Anketuesi ka bindjen se diçka tepër e errët fshihet. Ai vazhdon zhbirimin, gjersa bie, më në fund, në gjurmë të misterit. Personazhi ka qenë jo vetëm oficer i Sigurimit, por ai ka qenë një ndër themeluesit e tij.

Autori i "Disidentëve të rremë" nuk e merr me mend se ky zbulim, që në pamje të parë ngjan si një kulmim i së keqes, zbehet befas nga një kulm tjetër: njeriu jo vetëm është një themelues i Sigurimit shqiptar në vitin 1943, por ai është një vrasës. Dhe kjo aspak në kuptimin rrjedhimor të fjalës (themeluesi i një institucioni vrasës, rrjedhimisht "vrasës" etj.). Është fjala për një vrasës të mirëfilltë, vrasës me dorë të vet dhe, për më tepër, vrasës pas krahëve, pra, me plumb pas koke.

Duke u bazuar mbi rrëfimin e vetë vrasësit, autori i "Disidentëve të rremë" analizon, përsëri me saktësi laboratorike, atë tmerr. Orë pas ore zbërthen gjithçka, si u përgatit fshehtazi krimi i pështirë, si u caktua kinsi për ta kryer, mënyra e pabesë si e mashtroi viktimën, partizanin e ri njëzetvjeçar, për të bërë një udhëtim së bashku, së fundi, mënyra burracake si e qëlloi pas koke, te bregu i një kënete, në kohën që tjetri kërkonte me sy cekëtinën ku mund të kalonin.

Është një nga rrëfimet më ngjethëse që njeriut mund t'i bjerë rasti të lexojë.

Autori i "Disidentëve të rremë" i kushton vëmendje çdo imtësie, çdo fraze në rrëfimin e vrasësit. Dhe këtë e bën për një arsye madhore. Vrasja e kryer prej kinsit te bregu i kënetës, në vitin 1943, sado që në pamjen e parë mund të duket e rëndomtë për një kohë të tillë lufte, është një vrasje e veçantë. Është një krim fondator, siç u tha, një gjak i derdhur në themelet e tiranisë së ardhshme shqiptare. Vrasjet pas shpine të vitit 1943, shumica e të cilave nuk janë zbuluar ende gjer më sot, ishin programi i parë i krimit mbi të cilin do të bazohej gjithë ngreha e rendit komunist. Vrasje pas shpine me motivin e përjetshëm të smirës, të fshehta, të maskuara me tjetër motiv, do të ishin thelbi i historisë së padukshme të diktaturës.

Nga rrëfimi i vrasësit nuk mbetet asnjë pikë dyshimi për krimin. Për anketuesin, po aq trishtues sa vetë krimi është miratimi i heshtur për të prej ithtarëve të disidentit të rremë. Pas mahnitjes që shfaq shkruesi i parathënies për njeriun që, nga njëra anë, ka kryer një vrasje burracake e, nga ana tjetër, ka hedhur aq shumë baltë mbi Kastriotin, anketuesi sheh diçka të keqe, që e kapërcen çështjen. Mllefi kundër Kastriotit shtrihet përtej tij, ai bëhet veçanërisht i hidhur e përqeshës kundër atit të personazhit, Gjon Kastriotit.

Këtë personazh madhërisht të trishtuar në tragjizmin e tij, ka dashur të përqeshë, duke nisur nga emri, "albanologu i ri". Për anketuesin, njeriun që e ka lënë gjysmën e vështrimit në minierë, zbërthimi i dokumenteve është tani, çuditërisht, më i lehtë. Ai i afrohet, më në fund, zbërthimit të enigmës. Sipas tij, pjesërisht ka të bëjë me raportet atë-bir, kur bijtë me etër turpërues, të njollosur nga epoka, nuk durojnë dot etër normalë, pale pastaj madhështore. Ndërkaq, zbulimi tjetër do të kishte një ngjyrim më pak filozofik, por më tepër fatal, për "albanologun". Pas shqyrtimit të shumë dokumenteve, anketuesi do t'i bëjë një fajësim tepër të rëndë: bashkëpunim me policinë e fshehtë.

Siç ndodh shpesh, ajo çka del nga dosjet është e pamëshirshme.

Portreti karakterial i "albanologut" nuk mund të mos ndriçojë për keq një klan të tërë ku ai bën pjesë. Sipas anketuesit, është pothuajse i njëjti model i të menduarit. E njëjta bjerrje morale. Së fundi, i njëjti program për të dëmtuar sistemin imunitar të një kombi: përbalt çdo vlerë të tij, përkrah çdo kundërvlerë. Ky klan e njeh shumë mirë mashtrimin e kinse disidentit, por ai e pranon atë. I njeh shumë mirë vrasjet e kryera prej këtij të fundit, duke përfshirë edhe vrasjen me plumb pas qafe, por ai i pranon ato. Parathënien himnizuese të librit, ku personazhi detyrohet të pranojë vrasjen makabre, e ka shkruar një anëtar i klanit. Nuk është thjesht mbrojtja e një vrasjeje. Është mbrojtja e krimit fondator.

Viti 1943 ishte viti i parë i këtij krimi. Vrasjet pas krahëve ishin motërzimi ballkanik i terrorit rus, atë që kishte profetizuar Dostojevski, aq shumë i urryer prej bolshevikëve dhe prej aleatit të tyre të rastit, Zigmund Frojd. Falë parathënies së këtij të fundit për "Vëllezërit Karamazov", më 1928, bolshevikët rusë e patën më të lehtë përbaltjen e Dostojevskit e të të gjithë "dekadentëve”. Dhe jo vetëm kaq. Siç dëshmohet nga një udhëzim i fshehtë i Stalinit, pavarësisht se frojdizmi dënohej, tezat e tij këshilloheshin për t'u dhënë kurajë "djemve" të shërbimeve të fshehta të të gjitha vendeve komuniste, që të mos hutoheshin nga njerëzit e shquar, e sidomos shkrimtarët e artistët, kur t'i kishin në qelitë e hetuesisë. Sipas Frojdit, ashtu si Dostojevski, ata nuk ishin veç njerëz me cene psikike, për të mos thënë vrasës të mundshëm, dhe, me sa dukej, ishte kjo teori e pabesë që e kishte shtyrë Ana Ahmatovën ta cilësonte Frojdin si njeriun meskin që më së shumti kishte hedhur baltë mbi letërsinë.

Nako Spiru, një nga shefat kryesorë komunistë të luftës, qysh në atë kohë, në një letër drejtuar shefit kryesor, Enver Hoxhës, i shkruante, ndër të tjera, për ca vrasje të dyshimta. Ndër emrat e të vrarëve përmendet Zaho Koka.

Nako Spiru e ka shkruar këtë letër fill pas pushkatimit prej vetë shokëve të tij komuniste të të fejuarës se tij, R. Gjebrea, me nofkën "Ramona", një vajzë partizane me një bukuri të rrallë, ardhur në mal nga qyteti. Vrasja e saj, që tronditi në atë kohë gjithë Shqipërinë, ende sot në kohën që po shkruhen këto radhë, ka mbetur e errët. Pyetjen "përse?" e ka bërë e para ajo vetë, sipas dëshmitarëve të shumtë, e lidhur siç qe, në një qilar të pistë, në katundin Ramicë të Vlorës. Pyetjen e ka përsëritur, fill pas viktimës, njeriu më i afërt i saj, Nako Spiru, i fejuari i vajzës. E ndonëse shef kryesor komunist, në fillim as ai s'merr veçse një përgjigje të mjegullt. Lihet të nënkuptohet se shkaku i dënimit ka qenë i tillë që është vështirë të thuhet, për të mos plagosur shpirtërisht shefin e rëndësishëm. Shumë shpejt shkaku merret vesh: Ramona, njëzetenjëvjeçarja me inteligjencë dhe bukuri të rrallë, qenka dyshuar për lidhje dashurie me njëfarë Zaho Koka. Rrjedhimisht, "gjyqi partizan" paska mbrojtur, veç të tjerash, nderin e një prej shefave të lartë të tij!

Dyshimi, sa vete rritet, sidomos pas vrasjes së vetë Zaho Kokës, çka e tregon qartë letra e dërguar shefit të madh, E. Hoxhës. N. Spiru është i pari dhe i fundit që jo vetëm shkruan se "rivali" i tij është vrarë pas shpine, por guxon ta pyesë E. Hoxhën përse ka ndodhur kjo!

Çështja e vrasjes pas shpine lidhet me diçka tjetër: Nëse joshësi i Ramonës është vrarë në këtë mënyrë, kjo do të thotë se ai duhej të merrte në varr një të fshehtë.

E fshehta lidhej me pyetjen që do të përsëritet qindra herë nga mijëra njerëz, në dhjetëra vite: Nëse u besua vërtet si një faj pasional, që dëmtonte çështjen e moralit në luftë, me fjalë të tjera, disi i përligjur, ndonëse tepër i ashpër, rrjedhimisht i dënueshëm, atëherë përse u dënua me pushkatim vetëm ajo, "femra", dhe jo tjetri, "mashkulli"?

Në një vështrim të parë, duket si një njollë e zezë që i vihet atij që është himnizuar shpesh si virtyti kryesor, si shenja e parë identitare e shqiptarëve: "burrnia". I ashtuquajturi gjyq partizan i Vlorës bëhet, në ketë rast, simbol i urryer i maskilizmit shqiptar, atij që burrninë e kthen në të kundërtën e vet.

Problemi, ndërkaq, ngjan shumë më i thellë. Vetë vrasja, por sidomos fshehja e së vërtetës për të, e sidomos shndërrimi i saj në një histori të rrejshme dashurie, për gati shtatëdhjetë vite rresht, dëshmonte për diçka të paparë në historinë shqiptare. Më saktë se ligjërimet e kohës, se përplasjet e ideve dhe profecitë e ndërluftuesve; ai krim paralajmëroi një gjysmë shekulli mjegull në historinë aspak të kthjellët shqiptare. Është kjo arsyeja që gjithsesi e përligj zhbirimin e hollësishëm të asaj që ndodhi në shkurtin e egër të vitit 1944, në Ramicë të Vlorës.

Qysh pas pushkatimit të Ramonës përpara brigadës partizane, pyetja e pashmangshme se ç'është kjo që ka ndodhur: gjyq partizan apo sheriat arab, s'ka reshtur asnjëherë. Nëse kanë kryer mëkat, atë e kanë kryer së bashku. Se i tillë ka qenë gjithmonë dhe kurrsesi ndryshe mëkati i dashurisë.

Bashkë me lajmet që vijnë nga Shtabi i Përgjithshëm, ku Zaho Koka paska shkuar të japë shpjegime, dyshimet shtohen. Jo vetëm s'ka dënim për donzhuanin e dyshimtë partizan, por atij i qenkan kthyer armët dhe gradat. Dhe, për më tepër, i qenka dhënë edhe një qese me flori... Kjo e fundit ngjan me një trillim të sajuar enkas për ta poshtëruar atë farë trimi.

Për një habi të madhe, dëshmia e mësipërme jepet jo nga ndonjë dashakeqës, por nga një adhurues i Zaho Kokës, profesorit komunist Sofo Lazri, në vitin 2002! E vetmja gjë që sqarohet është se qesja me flori s'qenkësh ndonjë shpërblim për tradhtinë që i ka bërë të dashurës, siç pëshpëritin smirëzinjtë, por për një mision sekret të ardhshëm, çka tregon se sa fort e çmojnë Z. Kokën shokët "atje lart". Është po ky profesor stërkomunist, që dëshmon "padrejtësinë" tjetër që i bëhet trimit të vetmuar Z. K., përçmimin që vendasit tregojnë për të kur kthehet në katund. Nuk i flasin, ndoshta pështyjnë në tokë, e ndoshta murmuritin nëpër dhembë fjalën "Judë".

Nga shtabi "andej lart", mbërrijnë, ndërkaq, udhëzime të rrepta: Të mos flitet më për R. Gjebrenë! Të harrohet Ramona bashkë me historinë e saj! Sipas anketuesit V. Baruti, Enver Hoxha vetë paskësh pranuar se kishte qenë gabim pushkatimi i saj, megjithatë shefi i madh mendon se mjaft u fol për të. Ka ardhur ora e heshtjes.

Por as ora, as dita e heshtjes nuk vjen. Përkundrazi, jehona sa vete merr dhenë. Legjenda e yllit të bukurisë, e zanës së maleve, e princeshës flokëverdhë kthehet në njëfarë elegjie kombëtare.

Hidhen trakte për të nga kundërshtarët politikë, nga mbretërorët, nga nacionalistët, s'do të ishte çudi nga vetë gjermanët. Të gjithë e duan për vete. S'ishte komunizmi i përshtatshëm për qenie të tilla të epërme. Princesha ka gabuar kur është bashkuar me të.

Komunistët e kuptojnë se betejën e heshtjes e kanë humbur. Të mundur, heqin dorë prej saj. Në pamundësi për ta fashitur gojëdhënën përpiqen t'i ndërrojnë drejtim. Ta kthejnë në favor të Zahos, kundër Ramonës. Ramona duhet të poshtërohet. Madje, me ngut. Me të gjitha mjetet që njihen aq mirë prej shekujsh.

Zhdrivillimi i dosjes “R. Gjebrea”, nga faza e parë, ajo e heshtjes, hyn në një fazë të dytë, atë më të rrezikshmen. Poshtërimi i një femre ka qenë gjithmonë më i lehtë se poshtërimi i një burri. Gjithçka e brishtë, e bukur, e sinqertë e vajzës, mund të kthehet lehtësisht kundër saj. Ajo vjen nga qyteti i largët me hije aristokratike i Gjirokastrës, nga shtëpia e madhe e Gjebrenjve, me dritare të mëdha, me qiellzana të gdhendura e doke të fisme. Ashtu si zonjusha tjetër e brishtë Musine Kokalari, nga shtëpia e Kokalarëve, që do të ketë një fat të ngjashëm. Këto janë zonjusha të kohës, asaj që mund të quhet "belle epoque", version ballkanas, me shumë sqimë, me trille natyrisht, me gjuhë të huaja (Ramona, përveç italishtes, që ishte në modë, dinte anglisht dhe frëngjisht e Musineja gjithashtu). E kështu me radhë, me Dante Aligierin, të mësuar gati përmendsh, me Niçen dhe Shopenhauerin, me maniera të sjelli fine dhe, mbi të gjitha, me pamje të bukur, tepër të bukur.

Të gjitha këto mund të kthehen, ashtu siç u kthyen, kundër tyre.

Ja Ramona, në mbrëmjet e ftohta, pranë zjarrit, u reciton partizanëve këngën e pestë të "Ferrit" të Dantes, atë të dashurisë tragjike midis Françeska da Riminit dhe Paolo Malatestës. E reciton italisht, pastaj shqip, çastin e puthjes së parë midis tyre, çka do të jetë një vërtetim i akuzës që do t'i bëhet si nxitëse e shthurjes morale. Ashtu siç do të quhet e tillë, këtë herë prej Zaho Kokës vetë, këshilla e vajzës që të përdorë furçë e pastë dhëmbësh për gojën e tij problematike.

Të dyja këto, kënga e pestë e Dantes dhe higjiena e gojës, meqenëse lidhen me puthjen, janë fakte të mjaftueshme për gjyqin partizan, që vërtetojnë akuzën, që çon drejt vdekjes (duhet të jetë hera e parë në historinë mijëvjeçare të gjyqësisë botërore, që furça dhe pasta e dhëmbëve, bashkë me një poemë të Mesjetës, të merren si dëshmi krimi prej një gjyqi, në përbërjen e të cilit ka një komunist që ka studiuar për drejtësi në Francë!)

Merret me mend interpretimi që u bëhet gjesteve të përditshme të Ramonës, krehjes me kujdes të flokëve, që ajo nuk e harron kurrë, pastërtisë trupore, buzëqeshjeve, përqafimit që komisarja e re u bën partizanëve kur nisen për aksion ose kthehen prej tij, ledhatimi i flokëve të tyre e gjer tek e qara shumë ditë rresht për heroin e vrarë në Tiranë, Misto Mame, vërtetim i mjaftueshëm për disa, se paska qenë e fejuara e tij e fshehtë, përpara se të fejohej me Nako Spirun...

Të gjitha këto, agjentët e Sigurimit famëkeq shqiptar, të porsathemeluar më 1943 (njërin prej të cilëve, autorin e ardhshëm të "Mekamit", ne e pamë më lart), i shpërndanë anembanë me atë zell që e dinin veç ata.

E megjithatë, një mrekulli e madhe po ndodhte, e ky ishte i vetmi lajm i mirë: balta nuk zinte mbi vajzën. Ishte një gjë e rrallë, pa dyshim, njerëzit ishin mësuar me shprehjen se "plumbi nuk zinte", por jo balta.

Dhe jo vetëm kaq. Balta jo vetëm nuk zinte, por pas çdo hedhjeje të saj, vajza ndriste më fort.

Heqja dore nga përbaltja e Ramonës ka qenë faza e tretë e procesit të habitshëm të pasvdekjes se saj. Komunistët binden se duhet përmbysur me ngut kjo gjendje. Duke pranuar humbjen, ata rreken të vendosin një drejtpeshim midis të dyve: Ramonës dhe Zahos. Të sajojnë një çift mitik sipas modelit të Romeos dhe Zhulietës. Por çifti qëllon i vështirë. Ramona ka një përparësi ndaj tjetrit: vdekjen. Ashtu siç Zahoja ka një mungesë: jetën. Që të vihen në kushte të barabarta, siç e kërkon ky model legjende, duhet që së paku ai të vdesë.

Nuk janë vetëm ligjet e legjendës që e kërkojnë këtë. Në radhë të parë, e kërkon logjika e terrorit, ajo që Dostojevski e kishte zbuluar një shekull e gjysmë më parë. Zaho Koka duhet të vdesë, për të mos u marrë vesh enigma e Ramonës.

Dhe kështu vendoset që ai të vritet. Me plumb pas shpine, siç e dëshmon Nako Spiru. Siç e kërkon logjika. Por kurrsesi legjenda.

Legjenda kërkon një vdekje romantike. Skenarin e kësaj vdekjeje, sipas V. Barutit, e sajon N. Xhuglini, e fejuara e Hoxhës, me pas gruaja e tij. Gjithmonë sipas anketuesit, motivi kryesor për vrasjen e Ramonës ka qenë xhelozia femërore. Një tjetër motiv, edhe më i fshehtë, rreh të shfaqet aty-këtu, si dritëza e zbehtë në fundin e një pusi.

Sidoqoftë, skenari i epilogut vihet në jetë shumë shpejt. Vrasja e donzhuanit të hamendësuar partizan ndodh vërtet tek oborri i një kishe. Veç ndryshe në jetë e ndryshe në skenar. Në jetë me plumb pas shpine, siç thotë Nako Spiru. Kurse në skenar, sipas Xhuglinit, mortin e ka romantik, alla Romeo, në dramën e Shekspirit. Helm e pikë nga humbja e Zhulietës së tij, s'e do më jetën, ndaj si trim i marrë nxjerr gjoksin përpara gjermanëve, që t'i japë fund asaj.

Suksesi i shfaqjes është i plotë. Kaq shumë ka punuar regjimi komunist nga viti 1944 gjer më 2010, saqë për shtatëdhjetë vjet rresht miti i rrejshëm e mbulon plotësisht të vërtetën. Shpifës të rëndomtë, korrierë partizanë, poetë, muzikantë, akademikë, historianë, spiunë, arkivistë, arrijnë të sajojnë një version të ri rozë të historisë së Adamit e të Evës, përzier me pak Shekspir e shumë gënjeshtër. Këngë, poema, drama, romane, kantata, kujtime s'kanë të sosur. E të gjitha këto për një hero të rremë, në të vërtetë, për një burracak që e shiti të dashurën që, me sa duket, s'e ka pasur kurrë, veç në ëndërrime, sëmundje e njohur e meshkujve ballkanas.

Për të kapur diçka më shumë nga ky kryengulth makabër, le të kthehemi prapë te nata e ftohtë e shkurtit të vitit 1944, në Ramicë të Vlorës.

E lidhur me litar, midis baltës, bagëtive dhe pisllëkut, në haurin ku mezi bën dritë një kandil i zbehtë, Ramona e brishtë shumë herë do të ketë sjellë në kujtesë gjyqtarët e saj, ndërsa shpresa për mëshirë do të zhvendoset nga një fytyrë te tjetra.

Ja Hysni Kapo, shefi i tyre, ka gjasë që edhe po t'u besojë pëshpërimave, të mos ia quajë për të madhe "mëkatin", ngaqë ai vetë e ka lënë gruan e dhënë me mblesëri, në katund, për një tjetër, marrë me dashuri. Dhe ja i dyti, Manush Myftiu, kthyer nga Italia, ku ajo ka qenë gjithashtu për studime, e sidomos student i mjekësisë, s'ka si të kërkojë dënimin e saj. Aq më tepër, të tretit. Bilbil Klosit, ardhur nga Franca, ku ka studiuar për drejtësi, e gjithë kjo s'mund t'i duket veçse groteske. Sa për të katërtin, Dushan Mugoshën, serb nga Jugosllavia, atje ku flirtet dashurore nuk mallkoheshin aq fort, e për më tepër i dërguar i Kominternit famëmadh, do të duhej t'i ngjallte më fort shpresën, sikur një dyshim i errët të mos e gërryente.

Pastaj, me radhë, fytyra të rëndomta, për të cilat s'di ç'të mendojë, gjer te komandanti puritan e kokëshkretë i brigadës, Sh. Peçi, dhe ndihmësi i tij, D. Hekali, një djalë i ri, ish-ngarkues-shkarkues porti në Durrës, që e adhuron komandantin e vet hijerëndë. Prej këtyre të dyve ka gjasë të ketë frikë, e sidomos tek ish-punëtori i portit, që pothuajse nuk e njeh.

Siç do të dëshmohet më pas, për një rreng tepër trillan të fatit, është pikërisht komandanti i ashpër Sh. Peçi që nuk do të ketë ndonjë zell për dënimin e vajzës.

Do të shkojë të H. Kapo e do të kërkojë "të pyetet Partia", por përgjigjja e këtij të fundit do të jetë: "Partia jam unë!" Kurse befasimi i madh do të vijë prej D. Hekalit, zëvendësit, i cili, pa kurrfarë lëkundjeje, do të jetë gjer në fund kundër dënimit të vajzës.

Nga anketa e vitit 2009 e V. Barutit, natyrshëm del pyetja: Përse H. Kapoja bashkë me "të dijshmit" tregohen kaq të egër e përse të paligjshmit, përkundrazi, më të dhembshur?

Këtu nis ftillimi i çështjes. Pyetja mund të shtrohet ndryshe: Ç'dinte njëra palë më shume se tjetra ose, përkundrazi, ç'dinte tjetra më pak?

Me sa dukej, pikërisht për këtë të fundit, në mungesën zinte fill enigma. D. Hekali nuk dinte diçka që aq sa e vinte nën të tjerët, po aq e vinte mbi ta. Ai nuk dinte, me sa dukej, urdhrin e fshehtë, që sipas V. Barutit, kërkonte vrasjen me çdo kusht të Ramonës.

Sipas këtij motërzimi, komandanti me zëvendësin tregojnë mëshirë për vajzën, ndoshta për shkak të mosdijenisë së urdhrit. Fakti që komandanti ndryshon qëndrim, ka gjasë që kjo të ketë ardhur pas marrjes në dijeni për urdhrin. D. Hekali, me sa duket, edhe pas dijenisë së urdhrit, vazhdon të mos bindet.

Shpjegimin e merr me vete në varr. Kjo ndodh pak kohë pas ngjarjes. Pas një beteje (jo gjatë betejës, por pas), D. Hekali merr një plumb (jo në ballë a në gjoks, siç e kërkojnë doket heroike, por në shpinë), sipas stilit që përshkruan Nako Spiru në letrën e tij. Dhe stili, ai që sipas një maksime të njohur është njeriu, në këtë rast i bie të jetë morti. Ai që na çon tek enigma.

E lidhur me litar, në haurin e bagëtisë, e më pas nën dhe, Ramona nuk di asgjë nga ato që ndodhin mbi tokë. Në mendjen e saj të turbulluar sa prej territ, aq dhe prej dritëzës së kandilit, ka gjasë t'i vijnë dy të fejuarit e saj, të njëpasnjëshëm, Misto Mame, i vrarë para pak kohësh, dhe Nako Spiru, që mendohet se ka zënë vendin e të vrarit, më pas, në zemrën e saj. Kjo fejesë dyshe, disi e çuditshme, do të përdoret përkohësisht në fazën e poshtërimit të saj. Ishte e lehtë që një vajze, e cila pa iu tharë lotët për njërin, do të rendte të tjetri, të merrej për jo fort e moralshme. Në të vërtetë, lotët e Ramonës për të vrarin ishin aq të nxehtë dhe aq të zgjatur, saqë, duke u bërë proverbialë, u kthyen në të vetmen dëshmi për fejesën e hamendësuar të saj. Të gjithë do të besonin, e ndoshta edhe ajo vetë, se një të qarë të tillë, për një mashkull që s'i përkiste fisit, nuk e përligjte veçse dashuria ose fejesa e fshehtë.

Për skenarin e poshtërimit, fejesa dyshe, e shoqëruar nga akti i tretë i dramës, dashuria mëkatare me të tretin, ishin më se të volitshme.

Do të donte apo s'do të donte Ramona, i fejuari i saj i dytë, ai i njëmendti, Nako Spiru, do të kthehet e rikthehet pafundësisht në ankthet e saj. E dinte vallë që po dergjej në haurin plot baltë si më e fundmja lavire e Shqipërisë? I kishte marrë vesh thashethemet, hetimin, egërsinë? Nëse i dinte, pse nuk turrej ta nxirrte nga ai haur i lemerishëm?

Në çdo zhurmë, në çdo pipëtimë që vinte nga jashtë, shpresa i ngjallej se ndoshta shpëtimtari më në fund po arrin. Por pastaj, bashkë me heshtjen, thyhej besimi dhe ajo i ka të gjitha arsyet të besojë se i fejuari i saj, jo vetëm nuk do të vijë kurrë, por ndoshta me cinizëm dhe xhelozi ndjek dënimin e saj për tradhti ndaj tij.

Anketa e V. Barutit nuk është e butë me N. Spirun, por në asnjë rast nuk sjell ndonjë dëshmi për cinizmin e tij. E kundërta njoftohet prej shumë dokumentesh, e sidomos prej dëshmisë së L. Belishovës, shoqe e ngushtë e Ramonës dhe gruaja e ardhshme e shefit komunist. Thelbi i të gjithëve është i njëjtë: Nako Spiru e ka përjetuar vrasjen e së fejuarës si një tragjedi. Tre vjet më pas, më 1947, ai vetë do të rrëzohet nga plumba po aq të dyshimtë, si ata që ka përshkruar në letrën e tij dikur. Vrasja, e paraqitur si vetëvrasje, do të ndodhë në zyrën e tij prej ministri. Në tryezën ministrore, përbri njëra-tjetrës, do të jenë fotografitë e dy grave: Liri B., e shoqja e tij, dhe Ramona Gj., e fejuara. Nën sytë e qeshur të të dyjave, siç janë zakonisht sytë në fotografitë e zgjedhura, do të rrëzohet i përgjakur përgjithmonë.

Njeriu i tretë në jetën e saj, njeriu i gabuar, fatal, ai që ajo do ta mbante si gur dantesk për gati shtatëdhjetë vjet mbi qenien e saj, ishte Zaho Koka, partizani, ai që nga bari u bë komisar, për të përfunduar në Romeo.

Kronika ka shumë fletë të zbrazëta, në kuptimin e njëmendtë dhe kurrsesi metaforik të fjalës. Fletë të grisura me dorë, në Arkivin e Partisë, atje nuk guxon të hyjë kush pa lejen e padrones së tij, gruas së Enver Hoxhës, Nexhmije Xhuglinit. E megjithatë, edhe pas grisjes së pashpirt të ditarëve të Ramonës, të letrave e shënimeve të saj, të dëshmive të gjyqit, të procesverbaleve të hetuesisë, si përherë diçka ka mbetur për të arritur gjer tek anketa e V. Barutit.

Seancat e hetimit janë të shkurtra dhe akoma më të shkurtra ato të ballafaqimit të Ramonës dhe Zaho K. Përgjigjet e tij janë varfërisht të sakta. E kam dashur, por s'kam guxuar t'ia shpreh dashurinë. Jep të kuptojë se ajo, si vajzë qyteti, i jep shenja, por ai, si katundar i thjeshtë që është, druhet. Se ajo reciton një vjershë të gjatë me skëterrë dhe me puthje. Së fundi, se e fyen, duke i këshilluar të përdorë furçën dhe pastën e dhëmbëve.

Përgjigjet e saj janë më të qarta. Është e vërtetë se ka lexuar italisht dhe shqip një copëz nga kënga e pestë e "Ferrit" të Dante Aligierit, por këtë e ka bërë pa ndonjë qëllim. Për të tjerat, përdor shprehjen latine: Nega totum, pra, mohimi i gjithçkaje. Nuk e ka dashuruar. Edhe po të tundohej, do të kishte dy pengesa: E para, "përthyerjen e karakterit të tij ndaj shefave", e dyta, higjienën orale.

Anketa e V. Barutit i afrohet më në fund pikës fatale: shkakut të vërtetë të vrasjes. Atij që më fort se gjithçka, më këmbëngulshëm, më frikshëm, i largohen të gjithë. Ai shkak që, ndonëse i mbyllur në dyzet dryna, shkakton ende frikë dhe mort. Dhe do të shkaktojë të tilla për shumë kohë.

Është ankthi i Dushan Mugoshës, të dërguarit jugosllav, që i vjen herë pas here Ramonës. Jo se ishte serb, përkundrazi, e ka çmuar si të tillë, ngaqë ka lënë vendin e vet e rrezikon jetën për Shqipërinë. Është i fundit me të cilin nuk do të donte të kishte moskuptim. Por moskuptimi s'varet prej saj. Ai i ka rrënjët larg. Ramona e ka nënën nga Kaçaniku i Kosovës. Dhe natyrshëm herë pas here flet për Kosovën. Dhe sa herë që ndodh kjo, në sytë e Mugoshës ka një ngricë. Ramona e di se të përmendësh Kosovën është gati-gati krim. Dënimi i Ballit Kombëtar, thënë ndryshe i "nacionalizmit" nis pikërisht nga çështja e Kosovës. Por Ramona, ndonëse i fejuari Nako Spiru ia ka shpjeguar se "nacionalizmi" është pikërisht shenja që ndan komunistët nga fashistët shqiptarë, nuk e ka besuar fort. I duket kaq e pavend kjo histori, saqë beson se do të jetë e përkohshme.

Anketa e V. Barutit jep copëza letrash të këmbyera midis E. Hoxhës dhe të fejuarës së tij, N. Xhuglinit, ku flitet për "dekorime", çka do të thotë vrasje pas shpine, si për një gjë të rëndomtë. Sipas V. Barutit, një pjesë të "dekorimeve" i propozon Nexhmije Xhuglini.

Për t'i miratuar pastaj E. Hoxha. Midis “të dekoruarve”, gjysma, në mos më tepër, janë nacionalistë.

Për "dekorimin" e këtyre të fundit, ashtu si për gjithçka të rëndësishme, vendos Mugosha. V. Baruti, krahas motivit të Kosovës, jep gjithmonë si shkak xhelozinë e N. Xhuglinit. Prej anketës së tij është vështirë të vërtetohet krejtësisht një gjë e tillë. Ashtu siç është vështire të kapet nëse njëri nga të dyja motivet është fshehur pas tjetrit apo, siç ndodhi shpesh në jetë, rastësisht janë ndërthurur të dy për të shpejtuar orën e keqe të vajzës. Në këtë histori, pas luksit të jashtëm, pas shprehjeve latine në gjyq, pas leximeve e komenteve të Dantes, pas dy të fejuarve, pas një dashurie të hamendësuar për të vdekurin, pas dy vajzave shemra, tri-katër të tjerave xheloze dhe, pa dyshim, shumë meshkujve ngacmues të sprapsur prej Ramonës, xhelozia e gruas së ardhshme të sunduesit shqiptar i shkon stilit të dramës.

Po gdhin më në fund mëngjesi i dënimit. Ramona, e hutuar krejt, del nga hauri. Sytë i lëbyren, mezi i hedh hapat. I kanë thënë se do të flasë përpara brigadës dhe kjo i ka përtërirë shpresën e faljes. Tek ecën, kërkon me sy Zaho K., bashkëfajtorin, që duhet të ishte i lidhur si ajo, por nuk e sheh kund. Me një shpresë të fundit, kërkon të fejuarin, Nako S., por as ai s'duket. Duket vetëm brigada e rreshtuar në pllajë, një mur hijerëndë, që hesht. Tri vajza partizane, me armë në duar, pakëz mënjanë, ndjekin me sy të turbullt ecjen e së vetmuarës. Ajo i afrohet një flamurthi, ku ndoshta duhet të ndalonte për të folur. Ndërkaq, midis heshtjes ndihen krisma. Dhe midis krismave, dëgjohet zëri i saj: Ç'janë këta plumba! Kthen kryet dhe, si në mjegull, sheh tri vajzat partizane që shtien drejt saj. Por, ngaqë iu drodhën duart, plumbat s'e kapin. Bëhet gati të klithë përsëri: Ç'janë këta plumba? Kur një partizan, me sy të çakërritur, shkëputet nga rreshti dhe i turret pas për të zbrazur pas qafës së brishtë të vajzës armën e tij.

Ramona bie më në fund për të mos u ngritur më.

Historia e dy vrasjeve, që u përshkruan më lart, ndonëse ngjajnë të largëta, janë çuditërisht binjake në thelbin e tyre.

Kanë ndodhur të dyja afërsisht në një kohë dhe gati-gati brenda një hapësire. Kanë paralajmëruar të dyja të njëjtin kumt ogurzi: një rend i frikshëm, i pangjashëm me asnjë tjetër, po vinte. Me shenja të zbërthyeshme gabim, me maska çoroditëse, me ballo ku vallëzohej vals e fokstrot, ndërsa poshtë në bodrume pushkatoheshin të përmbysurit. Me mite dhe legjenda të porsakrijuara, dhe kryesorja me kode të fshehta, tepër të fshehta: pusulla që flisnin për "dekorime", që do të thoshin "pushkatim", gjyqe partizane që merrnin vendime enigmatike e, mbi të gjitha, me fshehtësinë e vetë Partisë, për të cilën flitej kudo e ajo vetë nuk shfaqej askund.

Të gjitha shenjat tregonin se komunistët ishin përgatitur për sundim tepër të gjatë.

Pse Kadare rihap çështjen “Trebeshina”?!

Nga nëntori 2010, kur në panairin e librit Ismail Kadare promovon sprovën e tij të re letrare, “Mosmarrëveshja”, asnjë gjurmë debati mbi ç’rrëfen shkrimtari nuk është hapur. Këtu nuk bëhet fjalë për çështje grishëse për mediat si ç’mund të jetë debati për të vërtetën e himnit, si impresione studenti! Por në thellësi të librit, për herë të parë në një kapitull, “Intermexo me dy vrasje në sfond”, Kadare i kundërvihet hapur shkrimtarit, të cilësuar disident, Kasem Trebeshinës. Kanë kaluar 20 vjet nga rënia e komunizmit dhe “vonesa” e dëshmisë nga Kadareja lidhet më shumë me zbulimin në arkiva. Vitet ‘43 dhe ‘44 i konsideron vitet e krimeve fondatore që komunizmi ndërmori për të nisur fushatën e spastrimeve, me të cilën u ngrit një doktrinë e tërë, një sistem e rend i gabuar në Shqipëri.

Janë vite themelore të konsideruara prej Kadaresë duke iu rikthyer një prej ngjarjeve më të bujshme të asaj kohe, të pazbardhur ende, si përfundoi historia e dashurisë midis partizanit të panjohur Zaho Koka dhe të fejuarës së Nako Spiros, Ramize Gjebresë. Kadare i referohet librit të S. Bejkos, “Disidentë të rremë”, dëshmive arkivore që janë sjellë aty, për të ripërsëritur se kjo histori ka një autor të njohur në vrasjet mbas shpine që kryheshin në ato vite. “Viti 1943 ishte viti i parë i këtij krimi. Vrasjet pas krahëve ishin motërzimi ballkanik i terrorit rus, atë që kishte profetizuar”, shkruan Kadare.

Në pjesën e mëposhtme, të shkëputur nga sprova letrare “Mosmarrëveshja”, Kadare në mënyrë të pamishërishme godet shkrimtarin Kasem Trebeshina, duke e akuzuar drejtpërdrejt si vrasës të partizanit Zaho Koka, dhe më e rëndësishmja, duke diskretituar gjithë disidencën thënë deri tani për Trebeshinën, se ai është një nga themeluesit e Sigurimit, që kontribuoi në ngritjen e makinerisë së vdekjes të diktaturës. Kadare duket se e ka rimarrë këtë dëshmi nga libri “Disidentët e rremë”, duke ndier mungesën e sensibilitetit intelektual të sotëm ndaj këtij fakti, dëshmie arkivore. Për Trebeshinën, me akuzën si vrasës dhe ndër themeluesit e Sigurimit komunist, asnjëherë nuk është folur hapur, sidomos në media. Ndërsa për librat shkruar për të dhe kundër tij, është heshtur. Edhe ky rast që botojmë sot, nuk dihet për ç’arsye ka mbetur në heshtje, ku edhe vetë Kadare në intervista të ndryshme nuk e ka përmendur, edhe pse është pyetur rreth kësaj sprove.

Megjithatë, në këtë sprovë Kadare thotë se ngjarja që zbulohet nga dëshmitë e ‘43 është një këmbanë që bie, jo për një tmerr dosido por për një krim arketipal. Heshtja ndaj kësaj ngjarjeje e këtij viti është si duket një nga arsyet pse Kadare e rimerr në sprovën e tij, ndërsa deri tani Trebeshina nuk është rrëfyer për këtë ngjarje. Një ngjarje që vazhdon të endet si histori fatale e gruas së bukur, Ramize Gjebresë, për të cilën Kadarenë e shohim për herë të parë të bëjë një përshkrim artistik plot ndjeshmëri për një figurë femërore. Një histori dashurie e vënë edhe sot në pikëpyetje, për vërtetësinë e saj, ashtu siç janë enigmatike shumë histori nga diktatura, nga lindi struktura komuniste e krimit, atë të vrasjeve pas koke, modele tipike staliniste.

 

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama