Ish-presidenti Moisiu viziton Lagjen e Trimave Duhet nje hetim nderkombetar

Ish-presidenti Moisiu viziton 'Lagjen e Trimave': Duhet nje hetim nderkombetar

Ish-presidenti shqiptar Alfred Moisiu ka vizituar ditën e djeshme Lagjen e Trimave në qytetin e Kumanovës, ku më 9 dhe 10 maj në një aksion policor shumë shtëpi mbetën të shkatërruara, 8 policë dhe 10 pjesëtarë të grupit të armatosu u vranë.

 

Moisiu e cilësoi të planifikuar aksionin, që sipas tij kishte për qëllim terrorizimin dhe frikësimin e banorëve shqiptarë të kësaj lagje. Ish presidenti shqiptar bëri thirrje që në hetimet për ngjarjen e Kumanovës të përfshihen ndërkombëtarët dhe Shqipëria, pasi sipas tij shteti shqiptar e ka për detyrë të kujdeset për interesat e shqiptarëve jashtë kufijve të tij.

 

“Megjithëse erdha këtu unë akoma nuk e kam të qartë si dhe qysh janë vepruar zhvillimet sepse ende nuk ka asgjë të qartë nga shteti maqedonas, nga forcat dhe dikasteret e caktuara të shtetit maqedonas, si ka ndodhur, ç’ka ka ndodhur dhe pse ka ndodhur, ka vetëm disa njoftime të përgjithshme nga të cilat është e vështirë të nxjerrësh konkluzione. Vërtet duhet një hetim ndërkombëtar, i hollësishëm dhe unë nuk do ta quaja të plot hetimin në qoftë se nuk do të ketë pjesë edhe Republika e Shqipërisë. Sepse, ju vërtet jeni nënshtetas maqedonas por jeni të kombësisë shqiptare dhe Republika e Shqipërisë e ka për detyre me kushtetutë të interesohet dhe të përgjigjet për njerëzit e kombësisë shqiptare që banojnë në vende të tjera aq më tepër që ju jeni një vend fqinj me Republikën e Shqipërisë”

 

Nga ana tjetër banorëve të Lagjes së Trimave, pronat e të cilëve u shkatërruan pothuajse në tërësi nga aksioni policor, ndihmat humanitare po iu mbërrijnë nga të gjitha anët. Ndërsa si pasojë e neglizhencës së Institucioneve për të filluar sa më shpejtë ndërtimin e shtëpive të shkatërruara, banorët e  mbetur pa kulm mbi kokë vazhdojnë të qëndrojnë nëpër shtëpi të të afërmve të tyre.

 

 


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama