Pas 25 vitesh harrese, Finiqit, kryeqendrës së banuar nga popullsi që i përket etnisë greke në pellgun e Delvinës, i është kthyer grupi i vet folklorik. Kjo ka qenë sipërmarrja më e re artistike e këngëtares së mirënjohur të këngëve burimore, Irini Qirjako, vajzë e këtij fshati. Ajo kontaktoi ditë më parë me njerëzit që e kanë ushqyer me pasionin e tyre grupin e vjetër të këngës polifonike në greqisht, si: Vaso Kosta, Foto Pilo, Kasjani Loli, Eleni Qirjo etj. Si dikur në skenat e festivaleve kombëtare, nga janë larguar duke u laureuar, së bashku me Irini Qirjakon, ata kanë "udhëtuar" nëpër repertorin e këngëve të vjetra, ku kanë gjetur brilante folklorike. Një prej tyre ka qenë kënga "Zogu im i mërguar" (To ksenitimeno puli), për të cilën bënë prova nën drejtimin e këngëtares së famshme dhe arritën të japin një version të ri të saj. Kjo është kënga me të cilën grupi i Finiqit dha sinjalin e rikthimit në skenë, duke tërhequr vëmendjen qysh në koncertin përshëndetës të çeljes së sezonit turistik "Verë 2007" në Sarandë. I gjithë repertori, nën kujdesin e Irinit, ka marrë një "restaurim" të plotë, duke "pastruar" nga pluhuri i kohës meloditë krejtësisht origjinale dhe tekstet e viteve të largëta të historisë.
Duke qenë pas shumë kohësh në vendin e saj të origjinës dhe mes këngëve burimore të saj, diva e polifonisë shqiptare, Irini Qirjako, nuk e ka fshehur se ka mbetur e mrekulluar nga motivet e lëna në fëmijërinë dhe rininë e parë të saj. "I dhashë vetes një kënaqësi të paprovuar dhe kuptova se kam humbur një shans të jetës sime, që mund të më nderonte më shumë në karrierën time artistike", është shprehur e prekur Irini.
Ambicia e saj vetëm sa ka nisur me këtë ringjallje të grupit. Këtej nis angazhimi i saj artistik për ta ngritur këtë grup në nivele profesionale. Ajo projekton të ushqejë radhët e tij me elementë të rinj, duke realizuar një kombinim të moshave e zërave. Pasi të jenë arritur pretendimet artistike që Irini ka ndaj vetes dhe punëve që merr përsipër, polifonia greqisht e finiqiotëve dhe protagonistët e saj do t‘i bëjë pjesë të turneve të veta artistike jashtë Shqipërisë. Këngët e dashurisë, të mërgimit dhe të dasmës nga treva e origjinës së saj, me mënyrën autentike të të kënduarit, Irini i ka quajtur perla që i duhen skenës shqiptare dhe asaj të botës.
Në sipërmarrjen e saj e ka shoqëruar edhe mbështetja e kryekomunarit të Finiqit, Ziso Lluci, që tregon se është një administrator i mirë edhe i vlerave që komuniteti i tij mbart në fushën e identitetit kulturor. Është kjo arsyeja që grupi polifonik i Finiqit, laureat i disa festivaleve folklorike, mban prej disa ditësh edhe emrin e këngëtares së mirënjohur të këngëve të traditës popullore, Irini Qirjako, bashkangjitur me atë të Foinikes antike. Pjesë e vëmendjes dhe e kujdesit të tij për të zgjuar traditën folklorike të zonës është edhe investimi nga fondet e komunës për ta kompletuar grupin folklorik me kostumet origjinale, autentike. Puna për ta tashmë ka nisur, duke ia besuar atë modelistit Fuat Hajdini në qytetin e Sarandës.
Marre nga : Gazeta Shqip











