Intervista e Mbretit Zog per Daily Herald

Intervista e Mbretit Zog per Daily Herald
Intervista e Mbretit Zog për një nga gazetat më të njohura Britanike shpalos disa nga pikëpamjet që ai kishte mbi zhvillimin ekonomik dhe social-kulturor të vendit. Të bie në sy vizioni për pozitën politike të Shqipërisë, vendosmërinë për ruajtjen e sovranitetit dhe refuzimin e çdo lloj varësie apo protektorati. Ai ishte i bindur se në thelb ekzistenca e vendit tonë mund të garantohej vetëm nga Fuqitë e Mëdha, e në rastin konkret nga Lidhja e Kombeve. Mbajtja e një ushtrie të përhershme ishte një luks që buxheti i asaj kohe nuk e mundësonte. Reformat emancipuese ishin një nevojë e domosdoshme, por rruga që ai mendonte për realizimin e tyre ishte evolucioni gradual e jo përmbysja.


Durrës - Shqipëri, 15 tetor 1934

Shqipëria më i vogli shtet i Evropës dhe e kërcënuar prej dy anëve nga fqinjë të fuqishëm do të japë një shembull të përbotshëm në çarmatim.Gjysma e ushtrisë së saj do të kthehet në forca bujqësore punëtorësh, duke punuar arat, kurse gjysma tjetër do të rezervohet për të ruajtur qetësin e brendshme. Duke pasur po të njëjtën komandë si xhandarmëria.

Plani drastik i Tij (Zogut) në kryerjen e kësaj reforme dhe arsyet e saj m`u shpjeguan prej Mbretit Zog, në një audiencë që më dha në vilën e Tij verore në plazhin e Durrësit.

Vila është një godinë e thjeshtë, një katëshe, e ndërtuar mbi binarë të shtyrë në det, dhe njeriu nuk do të mund t`a dallonte prej godinash të njëjta që ndërtohen kudo, veçse prej dy rojesh. Burra të fortë mali veshur me uniforma ngjyrë jeshile, të cilët qëndronin në fund të shkallëve të vilës.

Prej vilës mbretërore brenda në det shtrihet një pir e vogël që Mbreti e përdor për t`u zhytur, kurse e vetmja anije e Marinës Shqiptare, një anije ruajtëse e vogël, gjithmonë endet 100 jard kur Mbreti Zog dëshiron të bëj banjë.

Me pranimin tim, Mbreti Zog, thyen zakonin e caktuar për të mos ftuar kurrë vizitorë të huaj gjatë pushimeve të Tij verore në plazh.

Por, Ai, tha se ishte tepër i gëzuar t`i tregonte lexuesve të një fletoreje të madhe Britanike se çfarë ishte duke bërë për shtetin e tij, të vogël por kryelartë.

Ai, më foli më se një orë në dhomën e Tij të studimit, me muret e bojatisura në të cilën vareshin piktura të kostumeve kombëtare dhe të pamjeve të vendit. Mobiljet e kësaj dhome përbëheshin nga një tavolinë e thjeshtë ahu, një etazher, dy tavolinave më të vogla dhe disa karrigeve ngjyrë kafeje.

“Shqipëria, tha Mbreti i veshur me një rrobe stofi, ngjyrë kafe të hapur, këmishë mëndafshi dhe kravatë, nuk do të jetë protektorat i askujt. Ajo ka vendosur të ruaj vetëqeverimin e saj, i cili nuk është vetëm interes personal por esencial për paqen europiane”.

Fjalë demonstrative pas presionit të anijeve Italiane në Durrës, në muajin korrik, që qe gati duke hapur një konflikt italo-jugosllav.

“Megjithatë ne jemi një vend i varfër. Nuk kemi aeroplanë ushtarak, tanke ose artileri të rëndë, ashtu siç kanë fqinjët tanë, edhe nuk mundemi me i pas.

Shqipëria ka nevojë kryesore të shpenzojë para në përparimin e saj bujqësor. Kam përgatitur një projektligj që do t`i parashtrohet parlamentit, me anë të cilit gjysma e rekrutëve të ushtrisë së tanishme do të caktohet për të punuar fushën e begatshme të Myzeqesë (në Shqipërinë e Mesme).

Gjithashtu, ata do të marrin instruksione mbi metodat e reja bujqësore, kështu që këto do të përhapen gradualisht në të gjithë vendin. Gjysma tjetër e ushtrisë do të përdoret për të mbajtur sigurinë e brendshme nën po atë komandë si xhandarmëria”.

Mbreti Zog është një realist, një njeri që sheh qartë, se Shqipëria nuk mund të mbrojë veten e saj nga invazionet e mundshme, vetëm se me luftime këmbësorie. Dhe se i vetmi sigurim i saj qëndron në sigurinë kolektive të Lidhjes së Kombeve. Vetëm konservatorët kërkojnë mbajtjen e një ushtrie të vërtetë. Mbreti është më tepër radikal e përparimtarë se cilido prej ministrave të Tij.

E pyeta Mbretin se asnjë xhandarë nuk mundet të emërohet dhe asnjë polic nuk mundet të shkarkohet pa dijeninë e Tij, se çka mendonte se ishin sipas mendimit të Tij, detyrat e një Mbreti në kohët e sotme.

“Një Mbret-u përgjigj, duhet të jetë një udhëheqës dhe një mësues i popullit të tij. Njeriu nuk mund të mësoj një fëmij prej 5 vjeçësh po në atë mënyrë si mund të mësoj dhe sillet kundrejt një djaloshi të rritur.

Jemi duke luftuar me analfabetizmin, disa vjet përpara shkollat tona numëronin deri në 2000 nxënës, kurse sot ato kanë 60.000 dhe në përparimin e kësaj gjendjeje fuqitë dhe përgjegjësitë e të zgjedhurve nga populli do të shtohen.

Unë nuk besoj në të drejtat e shenjta të mbretërve, fuqia nuk vjen prej qielli por prej së poshtmi, nga populli. Gjithashtu nuk besoj se demokracia është në gjendje dekadence. Edhe në ato shtete ku ajo është zhdukur, besoj se dëshirojnë të rikthehet, se ato e dinë se fuqia vjen nga poshtë.

Do t`a ndjej misionin më të madh të jetës t`ime të mbaruar, tha Mbreti, kur gjendja dhe kultura e grave në Shqipëri të mbërrij si në nivelin e grave të shteteve ballkanike, e pastaj si të atyre të oksidentit.

Kjo do të thotë një evolucion i ngadalshëm mbasi kemi mjaft paragjykime për të kaluar, e pasi të realizohet kjo natyrisht do të zbatohet dhe e drejta për të votuar nga gratë.

Gjendja e lartë e grave është besoj një nga faktorët më të mëdhenj në fuqinë e një shteti. Kam dhënë urdhra, madje, që gratë të vendosen dhe në poste zyrtare kudo që të jetë e mundur. Dhe kjo në një vend, ku këtu e disa vjet përpara gratë konsideroheshin si një pronë e luajtshme”.

Pastaj Mbreti vazhdoj të shpjegoj se si në një të ardhme të afërme në një plan tjetër të tij do të rregullonte klube bisedimesh nëpër qytete dhe katunde, ku do të kenë buletine e fletore lajmesh. Në këtë mënyrë do të ngrihej niveli i inteligjencës së masës së re.

Kur ai fliste disa dallgë rrihnin rrëzën e dritares së tij të çelur që shihte nga deti.

Vetëm rrallë një buzëqeshje e vogël ndriçonte sytë e tij të kaltër.

Mbreti Zog kur u ngrit për të më shtrënguar dorën mu duk se ishte sundimtari më i vetmuar i Evropës. Tashi është 40 vjeç dhe që prej kohës së luftës, si Ministër, Kryeministër, Kryetar Republike e pastaj si Mbret, ka luajtur pjesën kryesore të formimit të Shqipërisë si komb. Sot ai mban barrën kryesore të qeverisë mbi supe. Vendi i Tij është shumë i vogël, i varfër dhe fqinjët e tij hedhin vazhdimisht sy lakmues mbi të¹.

¹Arkivi Qendror i Shtetit, F.263. V.1934, D.901, f.20-23


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama