Incidenti i Korfuzit - Mbrojtja e avokateve shqiptare

Incidenti i Korfuzit - Mbrojtja e avokateve shqiptare
Avokatët e Qeverisë shqiptare e morën fjalën në 20-22 janar 1949, në fillim Nordman e më pas Koti. Ndërhyrja e tyre e fundit synoi të ndikonte te anëtarët e Gjykatës se asnjë provë serioze nuk u soll në Gjyq nga pala britanike kundër Shqipërisë. Që të dy theksuan se dëshmitarët Kovaçiç e Pavllov u përpoqën të sjellin prova kundër Jugosllavisë, por ata nuk sollën asnjë provë kundër Shqipërisë. Britanikët nuk arritën të sillnin asnjë shqiptar ose përfaqësues të minoritetit grek në Sarandë që të pohonte se ai kishte parë ose dëgjuar për vendosjen e minave.

Koti deklaroi se Britania e Madhe nuk kishte sjellë prova të mjaftueshme për të mbështetur akuzën e saj kundër Shqipërisë, se “duhet akoma shumë kohë për të njohur të vërtetën” dhe i kërkoi Gjykatës “që në gjendjen aktuale të dokumenteve që asaj i janë vënë në dispozicion, prova nuk është bërë e mjaftueshme që të mund të pranohen pa rezerva konkluzionet e Mbretërisë së Bashkuar”. Avokatët e Qeverisë shqiptare kërkonin ta shtynin Gjyqin, të fitonin kohë, gjithnjë me bindjen se Britania e Madhe fshihte një provë të madhe në dokumentin XCU që Beketi përsëri në 18 janar i ngarkuar nga nivelet më të larta politike qeverisëse britanike kishte refuzuar ta hapte duke përsëritur alibinë se ato urdhëra “përmbajnë çështje teknike të cilat marinat i mbajnë gjithnjë sekret”.

Avokatët e Qeverisë shqiptare në Hagë ishin të bindur se dëshmia e Kovaçiçit pavarësisht se si e çmonin ata në seancat publike gjyqësore ishte një pikë e fortë rreth së cilës rrotullohej akuza britanike. Ajo dëshmi në radhë të parë ishte e drejtuar kundër Jugosllavisë, por në mënyrë të pazgjidhshme edhe kundër Shqipërisë. Prandaj për avokatët francezë mbrojtja e Jugosllavisë nga dëshmia e Kovaçiçit ishte njëkohësisht edhe mbrojtja e Shqipërisë. De facto Koti e Nordman u bënë e u sollën në Gjyq edhe si avokatë të Jugosllavisë, pavarësisht se në Tiranë mund të mos ishin dakort me këtë qëndrim të tyre.

Por që të dy e kuptonin se as Qeveria jugosllave dhe ajo Britanike nuk dëshironin të ballafaqoheshin direkt para Gjykatës. Koti nënvizoi se Qeveria britanike ishte treguar shumë e kujdesshme ndonëse e kishte dëshminë e Kovaçiçit që në tetor 1947 për ta sjellë Jugosllavinë para Gjykatës, duke dhënë përshtypjen se ajo preferonte që të mos hidhej shumë dritë në këtë çështje nga Qeveria jugosllave. Avokati francez e dëshironte ndërhyrjen e kësaj Qeverie para Gjykatës dhe e shprehu hapur në seancën orale të 21 janarit se “unë e them me sinqeritet se ajo do të ishte në favorin tonë…Por unë e kuptoj fare mirë qëndrimin e Jugosllavisë. Kjo Qeveri mund të ketë frikë se një ndërhyrje e saj mund të interpretohet si një farë përgjegjësie”.

Koti iu rikthye bindjes së tij se qëndrimi i Qeverisë britanike ndaj Jugosllavisë në Gjykatë kishte një prapamendim politik pavarësisht se Soskiç u përpoq ta mohonte në fjalën e tij. Por avokati francez iu përgjigj avokatit britanik me aforizmën e deformuar me ndërgjegje të bashkatdhetarit të tij të famshëm e të preferuar Blez Paskal se “politika britanike ka arsyet e saj që aryeja nuk i njeh”, duke konkluduar se Qeveria britanike nuk ka dashur që Qeveria jugosllave të mund të shkatërronte krejtësisht e lehtësisht dëshmitë e Kovaçiçit e të Pavllovit.

Rrëzimi i dëshmisë së Kovaçiçit ose goditja në pikat e saj më të dobëta për ta çvleftësuar në sytë e Gjykatës mbeti objektivi kryesor i Pjer Kotit edhe në seancën e fundit orale të Gjyqit. Ai radhiti pasaktësitë e konstatuara në dëshminë e Kovaçiçit të cilat sipas tij ishin në radhë të parë pasaktësi të vetë Qeverisë britanike. Avokati i Shqipërisë e shpalli dëshminë e Kovaçiçit të dyshimtë edhe mbi bazën e verifikimeve të kryera nga ekspertët e Gjykatës e shprehu bindjen që edhe vëzhgimet e tyre të ardhshme në Shibenik do ta vërtetonin edhe më tepër atë.

Një argument tjetër që përdori Koti për të përforcuar karakterin e dyshimtë të dëshmisë së Kovaçiçit ishin dokumentet e furnizuara nga Qeveria jugosllave të cilat nga ana e avokatëve britanikë ishin shpallur po të dyshimta. Element qendror tjetër për të fituar betejën gjyqësore në Hagë midis të dy palëve u bë jo vetëm fshehja e fakteve dhe e dokumenteve të proves, por edhe vënia në dyshim edhe e asaj çfarë deklarohej e paraqitej në Gjykatë. Koti u përpoq të mbrojë autenticitetin e dokumenteve jugosllave nga demonizimi britanik i tyre duke thënë se ato kishin po të njëjtën vlerë sa edhe dokumentet britanike.

 Ai iu drejtua anëtarëve të Gjykatës që të zgjidhnin dilemën që qëndronte në mes të dëshmisë së Kovaçiçit e dokumenteve jugosllave: “në qoftë se ne pranojmë si serioze deklaratat e Komandantit Kovaçiç dhe në qoftë se në Vendimin tuaj Zotërinj, ju i merrni parasysh ato, duhet thënë se Qeveria jugosllave ka gënjyer, se dokumentet e sjella para jush janë fallco dhe se dëshmitë që janë bërë për të ndriçuar, qartësuar e konfirmuar këto dokumente janë gënjeshtra”.

Pjer Koti në përfundim të parashtrimit të tij për pikën e parë të Kompromisit të 25 marsit 1948 midis palëve bëri konkluzionet e tij para Gjykatës të cilat ishin: “nuk është provuar që minat që shkaktuan aksidentet e 22 tetorit 1946 kanë qenë vendosur nga Shqipëria; nuk është provuar që këto mina të kenë qenë vendosur nga një Fuqi e tretë për llogari të Shqipërisë; nuk është provuar që këto mina të kenë qenë vendosur me ndihmën ose pëlqimin e Shqipërisë; nuk është provuar që Shqipëria e ka ditur përpara aksidenteve të 22 tetorit 1946 që këto mina ndodheshin në ujrat e saj territoriale; për rrjedhojë, Shqipëria nuk mund të deklarohet përgjegjëse sipas të drejtës ndërkombëtare për shpërthimet që kanë ndodhur në 22 tetor 1946 në ujrat e saj e për dëmet e humbjet njerëzore që erdhën si pasojë.

Ajo nuk ka pse t’i japë dëmshpërblime Qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar”. Po në këto konkluzione ai theksoi se Gjykata nuk mund të ishte kompetente sipas Kompromisit të 25 marsit 1948 për të marrë një vendim për fiksimin e dëmeve të formuluara në fjalën mbyllëse të Avokatit të Përgjithshëm të Britanisë së Madhe Soskiç.

Për pikën e dytë të Kompromisit që ishte edhe pyetja që Qeveria shqiptare i kishte bërë Gjykatës, Koti qëndroi përsëri në argumentin juridik të çështjes së kalimit paqësor në ujrat territoriale e në ngushtica dhe mbi këtë bazë në karakterin e kalimit të anijeve britanike në 22 tetor 1946 në Kanalin e Korfuzit. Admirali Kinahan,- tha ai,- nuk “kaloi” në ujrat shqiptare, ai me anijet e tij nuk u ndodh atje për arsye lundrimi, por për të kryer një mision politik. Avokati francez e dinte thembrën e Akilit të apologjisë britanike të kalimit paqësor, kishte në dorë mjaft elemente që dëshmonin brishtësinë e tezës britanike, veçanërisht atë të vetëmbrojtjes së anijeve britanike përballë kërcënimeve që mund të vinin nga bateritë e mbrojtjes bregdetare shqiptare.

Ndaj edhe me një gjuhë që më tepër i afrohej atij të politikanit se sa të avokatit ai u shpreh se “…kishte një disproporcion të madh midis mjeteve që u përdorën nga Admirali Kinahan dhe nevojave të një mbrojtjeje eventuale. Është ky një disproporcion që lejon të karakterizohet operacioni XCU e të thuhet se ai ishte një demonstrim i fuqisë, një mision politik të cilin unë nuk e vlerësoj nga motivet, por që u prezantua si një zbatim i metodave të politikës koloniale të disa Fuqive të Mëdha në Shqipëri”.

Pasi ka shprehur në emër të Qeverisë shqiptare gjykimet e tij për pikën e dytë të Kompromisit, Pjer Koti e ftoi Gjykatën që të adoptonte konkluzionet e mëposhtme: “shteti bregdetar ka të drejtën në rastin e rrethanave të jashtëzakonshme, të rregullojë kalimin e anijeve të huaja të luftës në ujrat e tij territoriale; ky rregull është i zbatueshëm në Ngushticën Veriore të Korfuzit; në tetor e nëntor 1946 në këtë rajon ekzistonin rrethana të jashtëzakonshme që justifikonin të drejtën e Qeverisë shqiptare që të kërkonte një autorizim paraprak për kalimin e anijeve të huaja të luftës në ujërat e saj territoriale; kalimi në 22 tetor 1946 në ujërat territoriale shqiptare të shumë anijeve britanike të luftës pa autorizim paraprak përbën një shkelje të së drejtës ndërkombëtare; në të gjitha pikëpamjet ky kalim nuk kishte karakter paqësor; autoritetet detare britanike nuk kishin të drejtë në 12-13 nëntor 1946 të procedonin me operacion çminimi në ujërat territoriale shqiptare pa pëlqimin paraprak të autoriteteve shqiptare; Gjykata duhet të konstatojë që në këto dy rrethana Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar dhe e Irlandës së Veriut ka bërë shkelje të rregullave të së drejtës ndërkombëtare dhe se Qeveria shqiptare për këtë arsye është e mbështetur t’i kërkojë asaj satisfaksion”.

Kur përfundoi së shqiptuari këto fjalë, avokati francez erdhi edhe në fund të misonit të vetë për të përfaqësuar e mbrojtur një vend e një qeveri të vogël, përballë një fuqie të madhe si Britania në një çështje që ishte, siç edhe u vërtetua, shumë e komplikuar. Pjer Koti e mbylli fjalimin e tij duke iu drejtuar avokatëve britanikë me disa fraza që nuk mbetën thjeshtë në arkivin e Gjykatës, por që ishin të denja që të jetonin gjatë në kujtesën njerëzore për mesazhin që përcillnin: “Të gjitha shtetet, të vogla ose të mëdha, kanë nevojë të mësojnë që të sillen më mirë. Por është vetëm Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ajo që ka cilësinë për të na dhënë, ne dhe ju, mësime të ngjashme”.

Pjesa është marrë me lejen e autorit nga kapitulli “Të vërtetat e munguara”

Vijon në numrin e ardhshëm

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama