Ilir Kerni Tenori Armaldo Kllogjeri iku vete nga roli

Ilir Kerni: Tenori Armaldo Kllogjeri iku vete nga roli

Opera me tre akte “Rigoletto” e Xhuzepe Verdit do të çel sezonin artistik të Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit. Regjisori, Nikolin Gurakuqi, së bashku me artistët pjesëmarrës ndalën dje te rikonceptimi i saj. Ndërsa drejtori i TKOB-së, Ilir Kerni, së bashku me drejtoreshën artistike, Abigelia Voshtina, tregojnë për ngjarjen e padëshiruar që ndodhi para pak ditësh në këtë institucion. Tenori Armaldo Kllogjeri dha dorëheqjen nga shfaqja, duke i uruar suksese artistëve të tjerë. Për mediet, Kllogjeri, argumentoi se u largua nga kasti pasi kërkoi kontratën e nënshkruar dhe datën se kur do të interpretonte. Opera për publikun prezantohen në datat 21, 23-24, ora 19.00.

Gurakuqi: Pushteti i ndëshkimit nuk bie mbi të korruptuarin, por mbi viktimën

Regjisori Nikolin Gurakuqi, teksa shprehet se në ansamblin e madh të veprave që ka vënë në skenë, opera “Rigoletto” zë një vend të veçantë jo se është një kryevepër e repertorit verdian, por sepse ajo lidhet me dy faza të jetës së tij artistike si regjisor. “Në vitin e largët 1994, do ta vendosja për herë të parë në skenë, plot 30 vjet pasi e kishte bërë im atë, Luigji, dhe me këtë vepër do të bënim për herë të parë në historinë e teatrit një turne të suksesshëm, 1-mujor në Itali, me një produksion operistik. Në vitin 2005, drejtoria e teatrit vendosi që të rikthente në skenë produksionin e vitit 1964, me regji të babait tim, por duke qenë se në atë kohë ai ishte i sëmurë, shfaqjen e vendosa unë në skenë dhe kështu në atë skenë u ngjitëm të dy babë e bir për herë të fundit, pasi pas disa muajsh ai ndërroi jetë”. Regjisori tregon se këtë vepër e prezanton në skenë për herë të tretë, por me një koncept të ri, duke e sjellë atë në kohët moderne për të thënë se asgjë s’ka ndryshuar në marrëdhëniet mes të fortit, viktimës së pafajshme dhe pushtetit e korrupsionit. Në qendër të saj janë marrëdhëniet e dyzuara të nënshtrimit ndaj të pushtetshmit, janë marrëdhëniet e fshehta të pushtetit me krimin, marrëdhënia e dhimbjes së thellë të prindit me fëmijën dhe marrëdhënia midis njeriut dhe Zotit. “Në fund pushteti i ndëshkimit nuk do të bjerë mbi të korruptuarin, por mbi viktimën e tij”.

Kazani: Xhilda shqiptare është shumë e dashur, më dhimbset

Sopranoja Linda Kazani, e cila do interpretojë Xhildën, e konsideron interpretimin në skenën e TKOB-së, si realizimin e një ëndrre të fëmijërisë së saj, që më në fund u bë realitet. “Kam kënduar shumë Xhilda në vende të ndryshme nëpër botë, por Xhilda shqiptare është shumë e dashur, më dhimbset. Regjisori e ka vënë përballë një realiteti. Xhilda është viktima e babait që e mban të mbyllur, ndërsa ajo nuk ka asnjë zgjidhje për jetën e saj, derisa bie viktimë e dukës që e mashtron...”.

Tullumani: U ktheva te Xhilda, për ta ndjerë veten gocë të vogël, nga dashura e babait

Sopranoja Ramona Tullumani interpreton rolin e Xhildës në TKOB për herë të dytë. Por kësaj here, sipas saj, regjisori ka zgjedhur në mënyrë tjetër konceptuale. “Xhilda e dytë është më e prekshme. I përket ditëve tona. Është një vajzë e re, e cila nga veshja të ngjason me ndonjë kukull, që qëndron në shtëpinë e saj, ku e pret babai”. Ndonëse gjatë gjithë kohës Xhilda mundohet që të jetë jashtë të këqijave që ndodhin nëpër ministri, larg drejtuesve që janë në rrethet e ndryshme mondane, atë sipas sopranos, mund ta gjesh ende dhe në ditët tona. “Këtë vajzë ndoshta nuk mund ta gjesh në Tiranë, por e gjen në rrethet e tjera të vendit”. Pavarësisht kujdesit të babait tragjedia ndodh. Miqtë e babait, ata me të cilët rrinte duke pirë nëpër festa  mendojnë se ajo është e dashura e tij.

Tullumani tregon se kur Duka e dallon si një vajzë shumë të bukur, kërkon ta marrë për vete. “Mblidhen të gjithë miqtë e babait e rrëmbejnë e ja çojnë Dukës. Në këtë moment nis tragjedia. Rigoleto mëson të vërtetën, por kur i pyet rrëmbyesit, ata nuk e pranojnë këtë. Pas këtyre ngjarjeve Xhilda vendosë që t’i japë fund jetës”. Mesazhi më domethënës në këtë vepër, sipas sopranos, është dashuria e pamasë mes babait dhe vajzës. “Babai me vajzën kanë një lidhje të jashtëzakonshme. Pavarësisht kujdesit që tregon nëna për vajzën, mendoj se lidhja mes babait dhe vajzës është më e veçantë”. Sopranoja ngjitet në skenë me rolin e Xhildës, pas interpretimit të Violetës te “La traviata” e Verdit mbi tetë apo nëntë herë. “Erdhi një moment që Xhilda vjen pozitivisht. Për t’u çlodhur pak, por edhe për ta ndjerë veten gocë të vogël, nga dashuria e babait”.

Kerni: Jetëgjatësia e një artisti, jetëgjatësi e një potence të madhe pune dhe inteligjence

Dëshira e drejtorit të TKOB-së, ishte që largimi i Kllogjerit të mos komentohej, por këmbëngulja e medieve, bëri që ai, gjatë prezantimit të kastit të “Rigoletto”-s, të ndalet edhe te kjo ngjarje. “Procesi i punës së një artisti është tepër i vështirë. Por duke qenë mirëkuptimi maksimal kuptohen të gjitha uljet dhe ngritjet që artisti ka për pasigurinë dhe frikën, që nuk e di nëse ju i gjykoni për ata që dalin në skenë. Thënë kaq në përgjithësi, ka artistë që e përballojnë këtë, por ka artistë që nuk i rezistojnë dot. Jetëgjatësia e një artisti është jetëgjatësi e një potence të madhe pune dhe inteligjence. Teatri e ftoi, Kllogjerin, prandaj është po ky teatër që do ta ftoi sërisht nëse do. E thënë më drejtpërdrejt, Klogjeri iku vet. Por është dhe ana sentimentale, që ndikon te një artist”.

Voshtina: Kontratën sot (dje) do ta firmosin të gjithë

Drejtoresha artistike, Abigelia Voshtina, teksa tregon se Kllogjeri ka qenë i ftuar nga TKOB, shton se mungesa e largimit të tij, për shkak të mosfirmosjes së kontratës, është një çështje e përbashkët me artistët e tjerë, pasi as ata nuk e kanë firmosur. “Kontratën do ta firmosin sot (dje) të gjithë. Koncepti i përhershëm është që, drejtori fillimisht thërret kastin dhe janë një sër provash që bëhen më pas. Kontratat e firmosura në ditën e parë, apo në ditën e dhjetë, kjo nuk kanë asnjë lloj rëndësie. Unë mund të jem këtu dhe kastet ndërthuren. Këto janë pretendime, është thjesht ego e tepruar. Drejtoria ka qenë e gatshme për të bashkëpunuar me të gjithë artistët”.

Kamenica: Kllogjeri erdhi, por u largua për arsyet e veta

Mexosopranoja, Vikena Kamenica, shtoi se, Kllogjeri erdhi, por u largua për arsyet e veta. “Këtu po flasim për një gjë, për shfaqjen dhe do ishte shumë më interesante, nëse për largimin e tij do të flitej në fund. Mjafton që të vijë në prova, ai është në shtëpinë e tij”. Libreti i Francesco Maria Piave është bazuar në “Le roi s’amuse” të  Viktor Hygos. Interpretojnë nën dirigjimin e Juan Manuel Busto-s, artistët: Rigoleto – Gotcha Abdulaze, Ylber Gjini; Xhilda – Linda Kazani, Ramona Tullumani,  Zana Abazi; Duka i Mantovës – Jenish Ysmanov; Sparafuçile (Vrasësi) – Enricho Marchezini; Madalena – Vikena Kamenica, Ivana Hoxha etj.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama