Igalo -Vendi ku pushojne e kurohen mijera shqiptare

Igalo -Vendi ku pushojnë e kurohen mijëra shqiptarë

Organizimi i përpiktë nga Z.Hajredin Musaraj, autobuzi komod me ajër të kondicionuar e me qendër zëri që kish në timon Tanin e shkathët e gazmor na bëri ta ndjejmë që në nisje se do të bëjmë një udhëtim të sigurtë e të këndshëm. Gjithsesi fakti që shqiptarët ende kalojnë kufirin dhe shkojnë të pushojnë e kurohen ende jashtë Shqipërisë megjithëse hapësirat turistike dhe rezervat termale ajo i ka të konsiderueshme, të krijon një ndjesi të trishtë.

Organizatori Musaraj si një ciceron i zellshëm (që me siguri ka shfletuar e grumbulluar informacion ) herë pas here merr mikrofonin dhe evidenton të dhëna gjeografike e historike të zonave e qyteteve nga kalonim gjë që do ta bëjë po me aq siguri edhe në territorin malazes duke filluar me prezantimin e Ulqinit, Tivarit e qyteteve të tjera që do të përshkojmë. Shofer, Tani që bën aq mirë edhe dixhejin, sa hyjmë në Bushat vendos CD-në surprizë dhe këngët Shkodrane në interpretimin e të mirënjohurve B.Ndoja, Sh.Alushi, L.Miloti e T.Tershana që do të na shoqërojnë deri në Muriqan, ku ndërsa organizatorët do të merreshin me formalitetet e pasaportave, në pushuesit do të pinim nga një kafe në lokalin e bukur të Behijes, një grua e shkathët e shumë miqësore, e cila na shërben shpejt. Pyetjes sime krejt spontane; përse fshati quhej Muriqan, Behija ju përgjegj: “ Unë jam nga Kopliku, kam ardh nuse në këtë fshat, por siç kam ndigju nga të moçmit, në një luftë me turqit, aq shumë turq janë vra e aq shumë gjak a derdh sa edhe muret qanin e kullonin gjak. E kështu fshatit i ngeli emri Muri-qan”. Janë rreth 150 km rrugë bregdetare në rivierën malazeze me peisazhe befasuese e të lakmueshme, ku malet e larta në njërën anë, deti i kaltër në anën tjetër dhe qytezat e bukura të zhytura në gjelbërim nuk të ndahen nga sytë. Ndaj nuk kishte faj inxhinier Shpëtimi që na i zgjaste gjithmonë pushimet sepse donte të regjistronte sa më shumë me kameran e tij. Përgjegjësi i grupit, Dinia, siç filluam ta thërrisnim shkurt ne bashkëpunim me stafin e hotelit e kishte organizuar punën më së miri dhe që gjatë rrugës, në autobus, na kishte shpërndarë numrat e dhomave ku do të sistemoheshim, të tavolinave ku do të hanim, madje edhe orarin e vizitave për ata që kishin prenotuar terapi. Kështu që akomodimi që shumë i shpejtë e pa probleme.

BOGA E KOTORIT

Kështu e quajnë vendasit gjirin e Kotorit. Bash aty është ngritur i ri e i bukur Igalo, me këmbët në det e kryet lart në gjelbërimin e malit që i rri mbi kokë. Igalo ngjan si një zgjatim i qytetit të lashtë e të bukur të Herxegnovit që për pozicionin gjeografik, arkitekturën dhe bukuritë e tij është nga më të vizituarit e Mali të Zi. Por në programin tonë dhjetëditor të shëtitjeve turistike, (për të cilat pjestarët e grupit i janë mirënjohës organizatores Znj.Kozeta Mamaqi) do të përfshiheshin edhe Shën Stefani, ishulli i Mamulas, Shën Marko dhe tërë ai depërtim prej 32 km gjatësi deti midis gryka malesh deri në qytetin e lashtë të Kotorit. Male të lartë, qytete kështjella, njerëz qëndrestarë që më sa duket kanë qenë ndër faktorët kryesorë që Mali i Zi nuk iu nënshtrua kurrë pushtimit osman, kudo një histori, një legjendë. Kështu p.sh për Shën Stefanin që njihet si një nga vendet e preferuara të krerëve të shteteve, vendasve, më tepër u pëlqen të kujtojnë se aty kthehej e pushonte herë pas here ylli i kinemasë botërore Sofia Loren. Ndërsa kishëza e vogël pranë Kotorit ishte ndërtuar çuditshëm në mes të detit në kujtim të një marinari të humbur në lundrim e të rikthyer mrekullisht pas shumë kohësh. Ndonëse brengosëse ajo që tregonin për Ishullin e Mamulas në burgun famëkeq të të cilit qenë tretur mijëra jetë njerëzish, kryesisht kundërshtarë të rregjimeve, ai qëndron aty i ngurtë si udhërrëfyes për të gjitha mjetet dhe vizitorët që duan të depërtojnë nëpërmjet gjirit në thellësi të territorit malazez. Mrekullisht e gjithë mirësi deti ka depërtuar mbi 30 km në thellësi të këtyre maleve të egra si për të bindur këta njerëz me histori e tradita duke ju thënë: “Mos ikni që këtej. Unë nuk do tu lë vetëm në ashpërsinë e këtyre maleve. Këtu më keni mua dhe ju do të lundroni e do të peshkoni, do të merreni me tregëti e turizëm”. Dhe këtë me sa duket qytetarët malazes janë duke e bërë në mënyrën më të mirë. Që shteti e individi në këtë vend janë fokusuar fort te turizmi, e sheh në të gjitha qytetet bregdetare në tërë infrastrukturën turistike, në sistemin hotelier, ndriçimin, pastërtinë e qyteteve, qetësinë e gjer te tabelat “ Sobë “, “ Apartman “ ( ambjente që ofrohen me qira) të cilat i sheh të afishuara dukshëm në portat e vilave.

A E PATË NIAZIUN?

Kjo ishte pyetja që dëgjohej më shpesh në mjediset e “ Centar “ Igalo-s. Niaziu ishte më i kërkuari. Një pushues-pacient si gjithë ne të tjerët ai pushonte për të tretën herë aty. Megjithëse afër të tetëdhjetave, por i mbajtur, energjik e i apasionuar pas banjave të diellit e udhëtimeve turistike Niaziu bënte përkthyesin midis pushuesve shqiptarë dhe stafit drejtues, sidomos me mjekët kur ndonjë nga ne kërkonte ndonjë konsultë të detajuar rreth terapisë që do të bënte gjatë dhjetëditëshit. Në vizitat turistike Niaziu përkthente spjegimet e ciceroniut duke ju përgjigjur interesimit dhe kureshtjes së grupit. I papërtuar e kompetent ai e bënte më së miri këtë punë falë njohjes së gjuhës përkatëse të cilën e kishte mësuar gjatë shkollimit menjëherë pas luftës në Zagreb që në vitet 45’-48’. Duke pasur në dorë një “çelës” kaq të dobishëm si Niaziun me gadishmërinë dhe aftësitë e tij në përkthim, me të cilin tashmë qemë miqësuar, e pamë të arsyeshme ti sjellim lexuesit një informacion më të detajuar mbi funksionimin dhe shërbimet që ofron kjo qendër turistiko-kurative. Ndaj së bashku me të trokitëm në zyrën e drejtorit

Me Z. LAZAR ÇOREVIÇ

Drejtor i Hotel “Centar“ Igalo

Pas pritjes miqësore e tradicionale dhe pasi u njoh edhe me pyetjet tona, Z.Çorevic sqaroi: “Qendra turistiko-kurative në Igalo ka filluar të funksionojë që në vitin 1961, si për pushues ashtu edhe për terapi. Frekuentohet kryesisht nga pushues e pacientë nga Serbia, Kroacia, Bosnje-Hercegovina, dhe vitet e fundit me shumicë edhe nga Shqipëria. Sigurisht vendin e parë në frekuentim e zënë malazezët. Këtu pranë kemi Institutin e Riaftësimit Fizik “Simo Milloshevic“ i cili mban emrin e mjekut të shquar e themelues të këtij Instituti me emër në të gjithë Evropën. Aty vijnë e kurohen pacientë nga Evropa, sidomos nga perëndimi. Në efektin pozitiv të kurimit sigurisht ka rol pozitiv qetësia, pastërtia klimatike, kombinimi klimës detare me atë malore, prania e ujërave minerale, balta me vlerat kurative të saj e cila shëron e qetëson mjaft sëmundje. Pushuesit mund të qëndrojnë 5-10 ditë e më shumë sipas dëshirës, ndërsa ata që i nënshtrohen terapisë duhet të bëjnë 10 seanca. Hoteli ka kapacitet 500 vende, me dhoma 1, 2 e 3 vendëshe, me ujë të ngrohtë në çdo orë dhe ujë të pijshëm e shumë të pastër, ka bare, salla TV etj. Frekuentimi i qendrës sonë nga pushuesit shqiptarë ka ardhur duke u rritur çdo vit dhe vetëm për vitin 2007 kemi pritur, akomoduar e kuruar rreth 800 pushues shqiptarë, numër që me siguri do rritet mbasi nga përvoja vihet re se që ata e provojnë, rikthehen sërish vitin tjetër. Më hollësisht për diagnozat e specifikat terapeutike, do ju shpjegojë doktoresha, e cila ju pret- e mbylli bisedën Z. Çorevic.

Dr.Emira Stojilkov

(Specialiste PHYSIATRIE e DIETOLOGJIE )

Lidhur me diagnozat kryesore që trajtohen në repartin e saj, doktorershe Emira duke ju drojtur ndonjë deformimi terminologjik nga shënimet e mia, na jep të shënuara me korrektësi në një letër diagnozat: Poliarthrosis, Rheumatoid, Arthritis, M.Bechteren, Polineuropathia Diabetika, Sy Vazicosum, Sclerosis multiplex, Parkinsonismus, Sy Lumbale et Cervicale, St.Post Contisuonem et Fracturam, Antistress Therapy dhe vazhdon: “Terapitë që ofrojmë shërbehen në dhoma, në kabinete të posaçme si dhe në basenë (pishina). Ka terapi me ujë mineral dhe vaska që aktivizojnë gjymtyrët, masazhe ujore, por edhe elektromasazhe sipas gjendjes së klientit. Funksionon masivisht terapia me baltë dhe masazhe fizike pa ujë. Aplikohen terapi dhe ultratinguj me gradacionet përkatëse. Janë në përdorim banja me ujë mineral në vaska që ndikojnë në qarkullimin e gjakut. Terapitë janë individuale dhe vendosen nga mjeku sipas gjendjes dhe nevojave të të sëmurit. Sigurisht ka kufizime për ata pacientë që kanë probleme kardiologjike ose varice. Sëmundjet reumatizmale duan minimumi dy vjet trajtim që i sëmuri të shërohet ose të ndjejë përmiresime të dukshme. Përmirësohen në mënyrë të kënaqshme sidomos ata pacientë që kanë dhimbje të kyçeve. Rezultate kemi pasur edhe në kurimin e disa sëmundjeve të lehta nervore. Lidhur me Institutin e Riaftësimit ku kam punuar 19 vjet si mjek mund tu them se disponon një teknologji bashkëkohore dhe bëhet punë e kualifikuar. Aty trajtohen sëmundje shumë të rënda siç janë ato celebrale, ishemitë e ndryshme. Vërtetë kosto shkon 30-40 euro në ditë por nga përvoja 19 vjeçare në Institut unë kujtoj shumë paciente që vinin me barelë ose me karrocë dhe ktheheshin me këmbët e tyre në familje. Ky Institut e ka bërë të njohur Igalon në Evropë.

Ç’mendojnë pushuesit ?

KOZETA MAMAQI- gazetare në pension:

“Kisha informacione inkurajuese për këtë qendër pushuese-kurative me ujëra minerale ku aplikohen hidroterapi speciale dhe vendosa ta provoj. Si në Budva edhe këtu në Igalo me impresionojnë bukuritë e natyrës sidomos gjelbërimi, pastërtia e detit dhe e qytetit në tërësi. Jam duke bërë terapitë që më ka caktuar doktoresha si banjo në pishinë, ku nën drejtimin e instruktores bëjmë ushtrime të ndryshme. Me duken aplikime tërheqëse dhe të shëndetshme. Praktikoj dhe baltën në kyçet ku kam dhembje dhe besoj se do të më bëjë mirë për reumatizëm. Do na pëlqente që këto mundësi të ishin në vendin tonë dhe ne të frekuentonim ato, por ….Kemi ujëra të mrekullueshme në Elbasan, Peshkopi, Leskovik, Krujë etj. Kam dëgjuar se në llixhat e Leskovikut do të investojë Ekrem Bardha, për Elbasanin interesohen gjermanët. Ndaj administrate shtetërore duhet t’u hapë rrugë pa humbur kohë, sepse është në interes të shtetit dhe të qytetarëve. Në Bilaj ( Krujë) p.sh. ku ka investuar shqiptaro-amerikani N.Kupi, ka ndryshime pozitive. Shpresoj që dëshirat tona për ti pasur këto lloj organizimesh e pushimesh kurative të realizohen në Shqipëri në të ardhmen e afërt.Kam besim. Si Kozeta mendojnë edhe Zagolli nga Fieri, Teuta nga Elbasani, Shpëtimi nga Patosi, Llazi nga Korça, të cilët kanë qënë këtu nga 2-3 herë. Vlerësimet pozitive të tyre i përmbyll shkurt doktoreshe Vjollca nga Tirana : “ Pushime të qeta, klime e shëndetshme, kura efikase me çmime të leverdisshme.Ja vlen të frekuentosh Igalon”. Dhe kishin të drejtë.

Petref Mucaj : Gazeta Metropol


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama