Iberiket fitojne dhe thyejne tabune. Ne finale pas 24 vitesh
- Botuar: 18 vite më parë
- Shkruar nga:
Spanja e ka filluar takimin me më shumë ngulm, duke kërkuar menjëherë të imponojë ritmin e saj. Trajneri Aragones dukej se këtë radhë kishte gjetur rreshtimin e duhur, duke bllokuar jo vetëm çdo iniciativë të Arshavin dhe Pavliushenkos, por edhe duke ndërtuar aksione të rrezikshme të njëpasnjëshme falë lëvizshmërisë së dyshes të sulmit spanjoll. Për disa minuta radhazi loja zhvillohet vetëm në gjysmëfushën e ekipit rus, që nuk arrin të shfaqet rrezikshëm dhe mendon vetëm për mbrojtjen. Vija, Torres, Ksavi dhe Sena provojnë me të gjitha mënyrat të gjejnë rrugën e rrjetës, por Akinfev është gjithmonë në pozicionin e duhur, duke bllokuar gjuajtjet e tyre. Duket se spanjollët do ta gjejnë shumë shpejt golin, por në momentin e tyre më të mirë Vija pëson një dëmtim dhe detyrohet t‘i lërë fushën e lojës mesfushorit Fabregas. Por ky ndryshim rezulton i suksesshëm, pasi Torres shfaqet shumë më i rrezikshëm në rolin e sulmuesit të vetëm. Spanjollët provojnë të gjejnë rrjetën në minutat e fundit të pjesës së parë, por Rusia arrin të rezistojë deri në pushimin e ndeshjes.
Në kthimin në fushë të dy ekipeve pritet një reagim i skuadrës së drejtuar nga Gus Hidink, por Arshavin dhe Pavliushenko duken krejtësisht jashtë skemave dhe nuk shfaqen asnjëherë rrezikshëm para portës kundërshtare. Nga ana tjetër, Spanja i jep fund serisë së rasteve të humbura, duke gjetur rrugën e rrjetës në minutën e 50-të. Iniesta jep një diagonale të shpejtë për Ksavin, i cili nuk gabon para portës kundërshtare, duke e shënuar golin e avantazhit. Hidink provon të ndryshojë diçka në lojën e skuadrës së tij, por aktivizimi i Bilialetdinov dhe Siçev nuk rezulton i suksesshëm, pasi janë përsëri spanjollët që krijojnë disa raste radhazi. Aragones "peshkon" edhe zëvendësimin e duhur, duke larguar Torres dhe aktivizuar Guizan. Pas vetëm 4 minutash, golashënuesi më i mirë i kampionatit spanjoll gjen rrugën e rrjetës. Në minutën e 79-të është Fabregas që jep një asist perfekt dhe Guiza e shfrytëzon më së miri, duke kaluar topin mbi portierin Akinfev. 2-0 dhe ndeshja duket e mbyllur. Spanjollët mendojnë vetëm të administrojnë lojën, duke praktikuar kundërsulmin, për të mos humbur më energji para finales së të dielës. Por kundërsulmet e spanjollëve vazhdojnë të jenë po aq vdekjeprurëse dhe në minutën e 82-të është David Silva që shënon golin e tretë, duke vulosur kalimin në finalen e turneut. Me vërshëllimën përfundimtare të De Bleker, spanjollët fillojnë festën, por pa harruar se të dielën duhet të përsëritin këtë paraqitje edhe përballë Gjermanisë, duke kërkuar trofeun e dytë kontinental ndërkombëtar pas atij të vitit 1964.