I pari me SIDA 15 vjet me virusin nuk infekton gruan as femijet

I pari me SIDA, 15 vjet me virusin, nuk infekton gruan as fëmijët

E pabesueshme, por e vërtetë. Është personi i parë që është konfirmuar i infektuar me virusin HIV/AIDS në vendin tonë, që 15 vite më parë, por vazhdon të jetojë! Madje, jo vetëm kaq. Prej 15 vjetësh kryen marrëdhënie seksuale të pambrojtura me bashkëshorten dhe nuk e ka infektuar atë. Si të mos mjaftonte kjo, habia vijon. Rreth 8 vjet pasi ka marrë infeksionin, ai ka lindur edhe një fëmijë (i treti në familje), që është krejt i pastër, që do të thotë se nuk është i infektuar me virusin HIV.

Sikur të na i thoshte dikush tjetër, nuk do ta kishim besuar. Por ai që flet mbi këtë rast të rrallë, të denjë për një studim ndërkombëtar, është profesor Dhimitër Kraja, Shefi i Shërbimit të Infektivit në Tiranë.

Profesor Kraja është mjeku që e ka ndjekur pacientin, që në momentin që rezultoi pozitiv, e deri më sot. Profesori rrëfen se si u zbulua për herë të parë virusi vdekjeprurës në vendin tonë. Intervista mund të konsiderohet historike, për vetë faktin që është hera e parë që publikohet, rasti i shqiptarit të parë të identifikuar me AIDS dhe hollësitë mbi të.

Profesor, kur është identifikuar personi i parë i infektuar me SIDA në vendin tonë?

Është identifikuar rasti i parë me virusin HIV me datë 29 maj të 1993. Virusin mund ta kishte marrë rreth 2 vjet më parë.

Nga çfarë shtrese e popullatës ishte?

Ishte një punëtor i thjeshtë, nga familje e mesme. Ishte dhurues gjaku. Djalë në moshën 32 vjeç.

Si u zbulua?

U zbulua në kontekstin e kërkimeve që bënte ekipi që ndërtoi shteti në atë kohë për t’u marrë me SIDA-n. Ishte një ekip i përbërë nga 6 persona, dy doktorë laboratori, që shikonin analizën e HIV-it, dy doktorë epidemiologë, që merreshin me fenomenin e përhapjes së sëmundjes dhe dy klinicistë, që do të mbanin të sëmurët. Ishte doktor Besim Nuri, mikrobiolog virolog, që bënte analizat e gjakut për personat që dhuronin gjak. Për personin në fjalë, për fat të keq, analiza rezultoi pozitive. Ishte infektuar me virusin HIV/AIDS. Dr. Nuri e verifikoi rastin dhe dolëm ne konkluzion. Ky është statistikisht rasti i parë shqiptar i konfirmuar me virusin vdekjeprurës.

Po më pas çfarë ndodhi ?

Doktor Meno Boci, i cili ishte edhe ai një doktor i grupit dhe mjek shumë i mirë, e solli rastin tek unë. Më thotë se kemi një rast që ka dalë pozitiv dhe duhet ta kontrollonin nga ana shëndetësore për të parë se në çfarë stadi ishte sëmundja. Brenda javës realizuam takimin me të infektuarin. E futëm në një nga dhomat e klinikës. Dukej një djalë i mirë, i fuqishëm në pamje të parë. Nga ana klinike, dilte që ishte në një stad vetëm të zhvillimit të nyjave limfatike në qafë dhe në rrëzë të krahëve. Nga kontrollet që bëmë, përcaktuam që ishte në fazat e para dhe mund të kishte rreth 2 vjet që ishte infektuar me virusin HIV.

Ia komunikuat këtij pacienti lajmin?

Ia thamë. Ishte vitit 1993, siç ju thashë. Këto ishin probleme shumë të mëdha, pasi si rregull, këtyre pacientëve u duhet thënë se janë të infektuar dhe ishte rasti i parë që ne do t’ia thoshim një shqiptari. E kishim siklet se si do ta priste..

Si reagoi ai?

Kemi bërë një bisedë që rezultoi e lehtë, por shumë emocionuese. Filluam që t’i binim larg e larg për t’ia thënë. Ai thoshte: “Çfarë keni.. Pse më shikoni kështu... Më keni sjellë dy herë këtu për t’u vizituar. Më thoni çfarë kam.. Mos ma mbani të fshehtë”.

I thashë që ti ke një infeksion, që është i ngjashëm me një virus, që quhet retrovirus, që është i ngjashëm me virusin e SIDA-s. Ai më tha: “Po mirë.. Kam dëgjuar për këtë sëmundje se e kanë ata andej (të huajt).. Po unë ç’lidhje kam me këtë sëmundje”? I thashë se kjo sëmundje zhvillohet, ka rreziqe, njerëzit mund të vdesin. “Ou, - më tha, - “çfarë do më gjejë mua, më shiko sa i shëndetshëm jam. Lëre doktor, do t’ju kenë dalë gabim analizat...”

Na duhej të këmbëngulnim. I thamë se sëmundjen e ke, por duhet t’i vizitonim edhe bashkëshorten me fëmijët. Këtu i ndryshoi çehrja dhe vërtet u shqetësua.

Po familjarët si rezultuan?

Solli të shoqen dhe 2 fëmijët për kontroll. Për fat të mirë, ata rezultuan të pastër. Tani, ky ishte rasti i parë në Shqipëri me infeksionin HIV. Ishte në një stad mesatar të sëmundjes, por pa filluar shenjat e forta të virusit HIV. Edhe fati e ka dashur që ky është personi më jetëgjatë në Shqipëri. Që nga ai rast, në maj të ’93-shit, e deri para disa muajsh, kemi pasur raste që janë infektuar shumë vonë dhe sot janë të vdekur. Ky është rasti i parë dhe është etalon.

Nga hetimet që bëtë, nga rezultoi ta kishte marrë virusin ?

Pikërisht këtu qëndronte problemi. U vumë të gjithë në punë për të zbuluar se nga e kishte marrë virusin dhe për këtë ishim kureshtarë të gjithë, sepse ishte rasti numër një i zbuluar në vendin tonë. Por, në fakt, nuk rezultoi të ishte rasti “numri një” për këto arsye: Ai nuk kishte qenë kurrë jashtë shtetit. Ai nuk kishte bërë transfuzion gjaku asnjëherë. Ishte një familjar, relativisht i rregullt. Atëherë, menduam se mund ta ketë marrë nga gruaja. Por, në fakt, ajo rezultoi krejt e pastër.

Është e rëndësishme të theksoj edhe diçka tjetër. Prej 15 vjetësh që e ndjek këtë rast, e shoqja e tij fle me të rregullisht dhe është ende e painfektuar prej tij, megjithëse bëjnë jetë seksuale të pambrojtur. Madje, kanë lindur edhe një fëmijë tjetër, 8 vite nga koha kur pacienti ka marrë virusin vdekjeprurës. Kjo është vërtet pjesa më e bukur e kësaj historie.

Po si shpjegohet nga ana shkencore?

Në fakt keni të drejtë. Duket e pabesueshme, por është e vërtetë. E kemi rast në studim, që prej ditës që e kemi zbuluar si person të infektuar me HIV/AIDS. Këto rezultate na kanë habitur pa masë edhe ne. Nga ana shkencore njihen raste që, njëri partner nuk infektohet, ndonëse kryen marrëdhënie seksuale të pambrojtura.

Ju si personel, e këshilluat pacientin se nuk duhej të kryente marrëdhënie seksuale të pambrojtura, pasi mund të rrezikonte edhe bashkëshorten?

Sigurisht që e këshilluam. Na premtoi, por nuk e mbajti premtimin. Ua thashë se ne e kemi rast studimi të mirëfilltë. Në këto 15 vite ka pasur, të paktën, 1300 kontakte seksuale me bashkëshorten. Pra, ajo grua, me 1300 kontakte seksuale të pambrojtura me bashkëshortin e infektuar, hyn me ata persona që nuk e ka marrë SIDA-n. Madje, nuk kemi parë as ndonjë sjellje nervozizmi tek e shoqja. Punëtorë të thjeshtë janë të dy, por njerëz shumë të qetë e të edukuar. Për mua ka qenë dhe është surprizuese mënyra se si këta të dy arrijnë ta përballojnë një problem si ky prej 15 vjetësh.

T’u rikthehem edhe një herë hetimeve që bëtë. Nuk arritët të zbuloni se ku e kishte marrë virusin pacienti?

E ritheksoj se ky ishte problem për të gjithë ne. U vumë në pozitë. Të gjithë kishim të njëjtin mendim; se ky nuk është rasti i parë në Shqipëri. E ritheksoj se nga hetimet e mirëfillta që bëmë, i infektuari me HIV nuk kishte qenë kurrë jashtë shtetit dhe familjarët rezultuan të pastër.

Në intervistat që bëmë me të, njëherë tha: “Djalë i ri jam dhe ndonjëherë e kam tundur belin jashtë familjes”. E pyetëm nëse ishin të huaja apo shqiptare dhe na tha: “Femër shqiptare”. Nga kjo nxorëm që ky nuk është rasti i parë në Shqipëri, por ka pasur një rast tjetër që ia ka dhënë këtij personi. Pra, ky nuk është rasti numër zero në Shqipëri. Nëse themi se 29 maj i ’93-shit, kemi rastin e parë në Shqipëri të identifikuar, por para tij ka pasur raste të tjera që nuk u identifikuan kurrë.

A e bëtë publik rastin?

Kjo sillte një tronditje psikologjike, shoqërore dhe politike në vend. Ishte rasti i parë i identifikuar i virusit HIV. Frika qëndronte te faktet se si do e priste opinioni publik. Kishte edhe risk politik për qeverinë e asaj kohe, me pretendimin se përse sëmundja u shfaq pikërisht tani e jo më parë, etj. Në fakt, pushteti i asaj kohe, kuptoi që rasti kërkonte trajtim të veçantë. U dërguam edhe si grup mjekësh, që të gjashtë, jashtë vendit dhe u instruktuam që të jemi komunikues e seriozë. Mbaj mend që më ka thirrur në atë kohë edhe ministri i Shëndetësisë, Tritan Shehu, dhe më tha se ngjarja duhet trajtuar me qetësi.

Si është gjendja shëndetësore momentalisht e personit të parë që u konfirmua me virusin HIV?

Deri para 4 muajsh ka ardhur në një gjendje shëndetësore perfekte. Këto muaj ka shfaqur pak dobësi, por kam shpresa se me mjekimin që po merr, ai do të ketë akoma jetë për të jetuar.

 

Dr. Harxhi: Rasti i parë, një malësor shqiptar, që në 1988-n

Elona Demollari

Edhe Dr. Adem Harxhi, ka diçka për të thënë lidhur me HIV/AIDS-in në Shqipëri. Historia që doktor Harxhi na tregon për SH2-shin, është vërtetë mbresëlënëse. Ajo daton në vitin e largët 1988, pra 2-3 vjet përpara se Shqipëria të hapej, për shkak të ndryshimit të sistemit politik.

Në atë kohë, Dr. Harxhi, i njohur sot për angazhimin e tij në edukimin seksual, punonte mjek pranë ambasadës sonë në Hungari. Më poshtë, është rrëfimi i Dr. Harxhit, që mund të jetë një detaj plotësues shumë i vlefshëm, për historinë e treguar sot në SH2, nga Dr. Dhimitër Kraja

“Kanë kaluar shumë vite dhe ndonjë hollësi edhe mund të jetë harruar”, - tregon Dr. Harxhi. “Ishte viti 1988. Punoja mjek pranë ambasadës sonë në Budapest, Hungari. Në atë kohë, ne dërgonim shumë të sëmurë që të mjekoheshin në Budapest, rreth 150 të sëmurë në vit, përveç të sëmurëve që shkonin në Vjenë, Paris dhe Bukuresht.

Një ditë marr njoftim me radiogram nga Ministria e Shëndetësisë në Tiranë, se duhet të vijë për shtrim një i sëmurë urgjent, për një klinikë të sëmundjeve infektive. I sëmuri është në gjendje shumë të rëndë dhe nuk ishte përcaktuar sëmundja nga e cila vuante. Rezervoj një vend në Klinikën e Sëmundjeve Infektive, në spitalin “Lazlo” të Budapestit.

Dr. Harxhi dëshmon se me avionin e parë nga Tirana, i sëmuri erdhi dhe u shtrua në klinikën e sëmundjeve infektive. 

“Ishte një burrë, rreth të dyzetave, në gjendje shumë të rëndë, kockë e lëkurë (kahektik) dhe me shumë lezione të shpërndara në lëkurë, me pneumoni dhe temperaturë të lartë. I sëmuri u shtrua në karantinë të rreptë. Pas disa ditëve, profesori i klinikës, më thotë se analiza e gjakut tregon se i sëmuri është me AIDS, gjë që përputhet edhe me kuadrin klinik tipik. “Ne”, më tha profesori, “kemi pasur deri tani 17 raste të verifikuara, ky i juaji është rasti i 18-të.”

“Ky njoftim ishte i papritur. Ku të ishte infektuar me këtë sëmundje, ky person që jetonte dhe punonte në një nga zonat e thella të vendit”?, - pyet edhe sot Dr. Harxhi.

Sipas rregullit, ai njoftoi Ministrinë e Shëndetësisë për t’u thënë se rastin e kanë diagnostikuar për AIDS.

Ç’ndodhi më pas?Dr. Harxhi vijon:

“Nga Ministria më vjen njoftimi se duhet bërë çdo përpjekje e mundshme, që rasti të mos regjistrohej si AIDS. Bisedoj me profesorin, të cilit i lutem që të mos e raportojnë rastin si AIDS. Ishin vitet e para që kjo sëmundje ishte shfaqur dhe çdo vend ishte i detyruar të raportonte rastet e tij. I sjell si argument kundër diagnozës,  pamundësinë e kontakteve të të sëmurit me AIDS-in.

U takova disa ditë me profesorin dhe vazhdimisht i kërkoja që rasti të mos raportohej si AIDS.

-“Pse gjithë ky insistim”?, më pyeti profesori

-“Ju lutem, më kuptoni”, i them, “Tirana nuk dëshiron të ketë të regjistruar me AIDS në Shqipëri.”

-“Çdo vend dëshiron të mos ketë të sëmurë me AIDS”, më thotë profesori, “por kur ka, do ta pranosh”.

Ai e kuptoi pozitën time dhe më tha:

-“Kjo është e vështirë, por do të mbledh edhe një konsultë tjetër”.

Pas shumë insistimesh, u vendos që rasti të mos raportohej si AIDS, por si një rast i papërcaktuar.

Disa ditë më vonë, i sëmuri vdiq në gjendje kome. Ky ishte rasti i parë me AIDS që unë kam parë, ndonëse ai nuk u regjistrua si i tillë, - përfundon rrëfimin e rrallë, Dr. Harxhi.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama