I paftuar ne Republiken Srpska

'I paftuar', ne Republiken Srpska
Bozhidari rrotullohet i vetëm në stacionin e autobusëve në Dubrovnik. Një grua e veshur keq e shikon nga tutje dhe herë pas here nuk ia ndan sytë një traste të vogël me domate. Dy gra të reja, veshur provokueshëm shëmtuar, bëjnë zhurmë. Ajo dëgjohet më shumë sesa tollovia që sjell një autobus që vjen nga Shibeniku. Një grup të huajsh nordikë presin dikë... Të gjitha, nga një largësi bajagi normale, i përcjellim me sy. Në pritje të autobusit, që niset drejt Trebinjës dhe që është vetëm një i tillë, i cili e arrin qytetin e njohur të Hercegovinës dhe të Republikës Srpska, ke kohë edhe për bash të këtilla vogëlsi. Niset në orën 13.30 pasdite dhe kthehet një ditë më pas. “Ka ndonjë mundësi të kthehemi sot”, -pyes një grua te Informacioni. “Ne znam”, -ma pret. Shkurt.
...
Në orën e caktuar, përbri autobusëve të kompanisë kroate “Libertas”, zë vend një furgon. Jo, s’kemi mëdyshje. Është vetë ai. Një furgon i ngjyer me të verdhë dhe i rrëgjuar, nga i cili zbret një burrë i shëndoshë me një këmishë të zbërthyer. Po. Ajo që kam ndjekur me sy të lirë është e vërtetë. Të gjithë personazhet afrohen ngultas. Plaka me domate, ngutet të zërë vendet e para, për vete dhe për trastat. Bozhidari ia kalon, ndërsa dy gratë afrohen duke u tundur. Ky grumbull më lë në fund. Të mësuar me furgonat tanë i lemë rrëmujaxhinjtë e Trebinjës që të zenë vend... Është prezantimi i parë me trebinjasit.

Retrospektiva

Në shkallën time të vendbanimeve të pëlqyera, vendi i Trebinjës qëndronte shumë lart. Betohem se Dubrovniku (pa llogaritur bërthamën e qytetit mesjetar), me lagjet e ngatërruara nga Gruzha deri në Lapada dhe Pila, ishte disa vija më poshtë, megjithëse Trebinjën e kisha parë kalimthi, kurse në Dubrovnik, jo njëherë, kam qëndruar gjatë. Ishte qytet, me një ekuilibër urban, përreth Platonit shtrihej kuadrati rigoroz i arkitekturës austro-hungareze, ndërsa dyqanet e zejtarëve myslimanë i jepnin periferisë një pamje ekzotike, e cila, me lojën e stilit tërhiqte admirimin e muratorit europian.

Trebishnica i jepte plot dritë atij qyteti, si nga ana e fushës së Popovos, ashtu dhe nga ajo e Malit të Zi deri në Lastvë, ndërsa guri që rrethonte qytetin i falte atij një dlirësi engjëllore. Nuk kam njohur qytet më të pastër, sesa Trebinja, në kuptimin e mirëfilltë komunal. Aq më tepër se ky ishte një qytet ku prania e tre besimeve më dukej mua si një recepturë e shkëlqyer për një jetë komode dhe të pasur, njerëz që s’kërkonin më shumë nga Zoti, por nuk harronin t’i drejtoheshin njëri-tjetrit për ndonjë gjë. Trebinjë është një qytet, i cili përmendet shpesh në veprat e Mirko Kovaçit. Të them të drejtën nuk kam pasur rastin të shikoj me sytë e mi atë mizori që ka zbuluar shkrimtari mendjemprehtë dhe symprehtë në periferinë e afërt dhe të largët të Trebinjës, madje ligjësia e çetnikëve dhe ustashëve më dukej tepër e theksuar në skenarët e Mirkos që na përplasej në fytyrë deri në marramendje, por shkrimtari i shkëlqyer ka ditur t’i përdorë si copëza të fatkeqësisë së përgjithshme njerëzore.

Për në Trebinjë

Të vetmen gjë njerëzore për Trebinjën e sotme e kemi nga një libër i Jovan Nikoiladis, të cilin e citoj në këtë shkrim. Ky burrë i shkurtër, që e kam njohur një ditë në Durrës, më ka treguar shumë gjëra, që më ngatërrohen tashmë drejt pikës së kufirit kroat me Bosnjën. Ajo mbërrin shpejt pas një kthese të ashpër malore, e ngjashme me rrugën e bregdetit tonë të Rivierës. Madje, pak më tutje, sak fshatrave tona të pasdetit. Mirko një burrë i vjetër 75 vjeç, me të cilin ndaj muhabetin ditor në Kroaci, kur e pyes për rrugën më thotë indiferent se ka vite që s’ikën në Trebinjë dhe askush nuk dëshiron të shkojë atje. “Dikur kishte autobus për çdo një orë, ndërsa tashti as dreqi s’ka ç´të bëjë atje, ma pret. “Pse?” “Që andej mbajmë mend vetëm granatimet që na kanë bërë në kohë të luftës dhe agresionin. Divljaçi (Egërsira)” - e mbyll. Ka pasur gruan në spital dhe në një nga qytezat e vogla që rrethojnë Dubrovnikun ka një shtëpizë ku jeton kur qyteti mësyhet nga turistët. Më flet për bahçen e tij me një admirim gati hyjnor sikur të jetë e gjallë.

Më pak për gruan. E kur vjen puna për serbët e Bosnjës, që i kanë në kufi, panorama e tij është e zymtë. Njësoj edhe rruga pak nga pak e humbet cilësinë e inxhinierisë mjedisore, që duhet thënë se e shikon në Kroaci. Njerëzit e kufirit kroat nuk kanë shumë punë me qytetarët serbë të Bosnjës. Vendasit kalojnë me kartën e identitetit. Kur, para tyre pasaporta shqiptare. Pyesin njëri-tjetrin. Dikush “kujtohet” se shqiptarët s’kanë viza me Kroacinë. “Kuda ides? Šta želis tamo...”...U jap përgjigje. Me shumë bezdi më lënë. Tashmë jemi bërë të njohur për njerëzit e furgonit. Burri para meje më prezantohet. “Ja sam Božidar. Do të tregoj qytetin”,- më thotë shumë i çiltër. Aventura s’ka mbaruar. Pak qindra metra më tutje në kufirin e Federatës boshnjake gati të kap gazi. Oficeri puthet sipas zakonit sllav me një djalë me fytyrë të ashpër përpara, që i thotë se është martuar dhe se është rehat.

E tash vjen radha ime. E mban gjatë pasaportën time, ndërsa vendasit tashmë e kanë një temë për muhabetin e tyre. Pëshpëritje. “Ç’do në Bosnjë?” “Turist. Slikam”, përgjigjem. “Ah, ahh. Sa para ke me vete dhe sa do të rrish?” “ Sa të mundem. Kam vetëm 100 Euro”, -përgjigjem. “Saktësisht për sa do të vish”, -pyet thatë. “Për 2, 3, mbase katër orë. Kur të gjej makinë. Mbase edhe një natë”. Askush nuk flet nga vendasit më. Një shqiptar në Republika Srpska për turizëm është njësoj sikur një serb të dalë me veshje çetnikësh në Drenicë?! Božidari kthehet sërish. Më kërkon falje.

Nuk e di pse. Është përgjigjur ashpër kur e kam pyetur për kursin e Markës së Bosnjës. Ani. S’më bën përshtypje. E marr pasaportën time. Burri, që është pa flokë, ka mbaruar një shkollë të mesme teknike dhe ka bërë shkollë dhe për mësuesi. Në Dubrovnik ka qenë thjesht të marrë pak ajër. “E shikon se ku jetojmë, më thotë. Më vjen turp dhe këta nuk sillen si tanët”. Nuk kemi më kohë për sqarime. Kalojmë tabelën e Republikës Srpska, që tani është e fshirë dhe i afrohemi pak nga pak qytetit. Asgjë përveç një mjedisi të thyer, ku ti bindesh pse është e vështirë për NATO-n dhe organizmat e tjera që të merren me ta. Dhe, ajo. Trebinja është një qytet tipik ballkanik, që s’të lë ndonjë mbresë të veçantë në hyrje.

Njerëz të begenisshëm qarkullojnë rrugës. Ka targa të Beogradit shumë dhe tek-tuk ndonjë kroate. Dyzetë e pesë minuta më vonë jemi në qytet. Qendra e qytetit ka një ndërthurje të ndërtimit oriental me elementë të kursyer të ndërtimeve të ish-Perandorisë Austro Hungareze. Kjo e fundit është ajo që i ka dhënë një pjesë të sharmit të qytetit, por edhe që ka pjellë edhe frymën nacionaliste serbe. Të njohur janë fjalët e diplomatit dhe poetit me origjinë vendase Jovan Duçiç që ka shkruar për Trebinjën, atë që është epigrami i tij: “Kjo do të thotë se ka vetëm një vend të botës ku nuk janë derdhur lotët e turpit” ...Është thjesht një mburrje e tij, sepse ishin këta që dogjën xhaminë kryesore të qytetit dhe përzunë barbarisht myslimanët ndërmjet 1992-shit dhe 1995-s dhe madje edhe me njerëz të policisë aktuale. Bash këto ia hoqën sharmin, bëmave të krenarisë nacionaliste serbe...

Pak histori

Trebinjë është komuna më jugperëndimore e Bosnje-Hercegovinës dhe pjesë administrative e Republikës Serbe, e vendosur në Hercegovinë juglindore, rreth 10 km vijë ajrore nga deti Adriatik. Trebinja si toponim vjen nga Travunia bizantine dhe ka qenë në administrimin serb, pastaj u përshkua nga kryqtarët dhe i përkiste Perandorisë serbe deri në vitin 1355. Trebinja u bë pjesë e shtetit mesjetar boshnjak dhe u zgjerua në Tvrtko I në 1373. Manastiri i vjetër Tvrdoš daton në shekullin e 15-të. Në 1482-shin, sëbashku me pjesën tjetër të Hercegovinës, ajo u pushtua nga Perandoria Osmane dhe qyteti i Vjetër-Kastel është ndërtuar nga turqit në vendndodhjen e kështjellës mesjetare të ndalimit Vir, në bregun perëndimor të lumit Trebishnjicës. Muret e qytetit dhe të dy xhamitë, u ndërtuan në fillim të shekullit të 18-të nga familja e Resulbegoviç. Ura u ndërtua nga Arslanagiç fillimisht (shek. i 16-të) në fshatin Arslanagiç, 5 kilometra në veri të qytetit, nga kryeveziri Mehmed-PASA Sokoloviç, dhe u menaxhua nga familja Arslanagic....

Varfëria dhe serbët e Bosnjës

Ura e Mehmet Pashait është larg, por Bozhidari më premton se do më përcjellë dhe atje. Zbresim shumë afër një monumenti në qendër të qytetit. “Është Jovan Duçiç krenaria jonë”, -më thotë Božidar. Rrugës kam parë një lokomotivë të tipit të vjetër, që është edhe simboli i dikurshëm i zhvillimit të qytetit. “Po sot”, -i them. Ngritje supesh. Božidar më drejton direkt në një kafe në qendër të qytetit pranë Hotel “Platani”. E kanë kthyer në rrugë pedonale dhe këtu mund të kapësh të gjithë krenarinë e qytetit. Vetëm kujdes, Božidari s’përgjigjet më për shumë gjëra. Çelet kur i flas për Shqipërinë dhe Ortodoksinë.

Ai vetë beson më shumë te protestantët!!!“Jemi më të varfër se kurrë. Politikanët vinë vetëm për vota, ndërsa korrupsioni është i paimagjinueshëm. Ndaj iki në Dubrovnik, shfryn. Më hapet shpirti”. Shikon shpesh me bisht të syrit, sikur pret të zbulojë diçka. E lehtësoj. Në fakt, Republika Srpska është peng i Beogradit. Paçka se Trebinja është në nga vendet më të përmendura krenare të tyre. Përmendet te Meša Selimoviç, njësoj te Ivo Andriç dhe te shumë të tjerë. Të mendosh është vetëm 28 km nga qyteti i famshëm të Dubrovnikut dhe për ta njësoj i bukur nga ana urbanistike me Mostarin dhe Stolacin, por që për fat s’pati fatin e tyre tragjik. Trebishnjica që rrjedh nëpër zemër të qytetit, është sharmi, por edhe mundësia e vetme dikur për mullinjtë e ujit. Nga Tito trashëguan digat që kanë ndihmuar për liqenet e HC-ve që furnizonin të gjithë ish-Jugosllavinë dhe që gllabëruan dhe urën e famshme të Sokoloviç. Të mençëm, gurët e saj janë transportuar pastaj në qytet ku është bërë nga fillimi.

Ky veprim s’do të thotë se banorët e sotëm u ngjajnë të dikurshmëve. Tashmë shumica prej papunësisë shullohen, ndërsa në masë ka papunësi mes serbëve që janë mazhorancë dhe më pak mes kroatëve, që e kanë më lirë të shkojnë në Kroacinë e tyre. Myslimanët kanë mbetur shumë pak dhe në ditën e festimit të Bajramit, 60 besimtarë bëjnë predikimin e tyre. Por janë kudo prezent politikanët. Në ditët afër zgjedhjeve, në shkolla dhe kopshte nëpër gjithë R.S. mund të shihen më tepër politikanë sesa studentët e shumtë që dikur ishin krenaria e qytetit. Inaugurojnë, premtojnë dhe pastaj ikin, për t’u kthyer sërish më vonë. Bozhidari sërish bën një Mea Culpa për qytetin, ndërsa për shumë gjëra është refuzues.

 A mund të takojmë ndonjë nga veteranët e luftës? - e pyes. “Jo nuk mundemi?” A mund të bëjmë foto këtu? Jo. Është njeri i mirë, por krejtësisht i frustruar. Pak më vonë më drejton në tregun e qytetit që është m’u bash në qendër të një vendi me pemë të larta. Të gjitha gjërat zhvillohen në vetëm pak kilometra katrorët e qytetit. Qendra e qytetit veç hotelit ka një librari relativisht të mirë, pak kafe dhe kudo shumë të rinj. Mundohem të bëj muhabet me gratë që shesin. Edhe këtu është njësoj. Dominojnë gjërat e importit. Vendasit janë të dhënë më shumë pas vreshtave, për të cilat kanë një traditë të madhe.

Sa për gjërat e tjera pretendojnë më mirë që të marrin nga importi. Në shumë gjëra, Trebinja të duket si një qytet shqiptar i dorës së dytë. Çmimet janë të larta për rrogat e tyre modeste. Kanë fat ata nëpunësit e thjeshtë që punojnë dhe marrin 400-500 Eurot. Pak më larg shkojnë drejtuesit. Nuk kanë shumë ndihmë nga Beogradi, siç ndodh me Mitrovicën, por kanë mbështetje morale. Kanë dhe linjën, që shkon tre herë në ditë atje. Marija, Cvetka, shitëset ambulante, ndjekin fotot e mia, ndërsa Bozhidari, që më ndjek kudo tashmë më siklet. Nga pas dëgjoj vetëm: Kujdes dhe vetëm kujdes. Gratë gjejnë kohë për mua, që jam myshteriu i vetëm i tyre në këtë vend. Parashikohet se do ketë një zinxhir të rritjes së çmimeve.

Importohet shumë nga Serbia, por spekulohet në treg prej mungesës së mekanizmave dhe të 37.000 banorët mundohen me të gjitha mënyrat të gjejnë mundësi për të jetuar. Sipas të dhënave statistikore vendase, krahasuar me gusht të vitit të kaluar, kostoja e jetesës familjeve është rritur me 66 marka (Një Euro =2 KM). Konfederata e Sindikatave të RS-së shprehet se kostoja mujore e jetesës në krahasim me vitin e kaluar u rrit me rreth 40 km. Paga mesatare, nga ana tjetër, nuk është në rritje, por tepër më e vogël për të mbuluar nevojat mujore. Pagat e korrikut të këtij viti, në krahasim me vitin e kaluar, ranë me gjashtë marka dhe është 786 KM, gati 350 Euro. Tashmë do paguhet 0,60 KM më shumë për fasulet dhe 0.40 më shumë për karotat. Çmimi i lakrës është dyfish dhe çmimi i qepëve është rritur me rreth 0,25 KM. Frutat si limoni dhe portokalli janë shumë mbi mesataren e menduar. Kurse mjalti është tani 15,05 KM. Sa për miellin më mirë hesht...

Nëpër Trebinjë

Bozhidari ka heshtur krejt. Pak minuta më vonë na bën udhë nëpër qytet. Në një kishë katolike, në një monument, në kala dhe drejt urës. Marko, që është futur në një si zgëqe, na ndjek me sy kur kalojmë dhe e përshëndesim, teksa ai pi për qejfin e vet një birrë. Ka fytyrë të vërtetë veterani dhe me zakonin e reportazhit në Shqipëri i jap pak muhabet. Më fton të ndajmë birrën. Jo, nuk shtyhet dhe jeta është e vështirë. Ka siklet nga të huajt, ku përfshihem dhe vetë unë. Të gjithë gënjejnë. Këta,... Ata. Ke qenë në luftë?- e pyes. Më shpjegon ngatërrueshëm një front në thellësi të Bosnjës. Nuk do të fotografohet dhe ka siklet. Çudia më e madhe për të është kur merr vesh se jam shqiptar. “Shiftar”. “Shqiptar!”, ia pres pak ashpër.

“Shqiptarët në këto vende janë njohur si Arbanasi afër Zarës, Arbanija afër Trogirit, në Bosnjë- Arbanasi afër Rudos, në Hercegovinë Arbana dhe Arbanashka afër Trebinjes. “Kështu na kanë thënë”, -ma pret. Me burrin fjalosim për të përditshmen. Ajo i bashkon në përgjithësi banorët dhe kjo është e mirë. Atëherë pajtohemi. Bëhen dhe dy të tjerë dhe tashmë janë më të lirë. Kanë nostalgji për Trebinjën e dikurshme. Ka pasur dy hidrocentrale, ka pasur punë dhe kushdo shihte punën e vet. Flasim. Tashti më është shtuar masa e njerëzve që njoh. Veç grave njoh edhe Markon dhe një tjetër. Më thonë se bëjnë verën më të mirë në Botë. Mos e teproni. Kanë disi të drejtë. Trebinja ka qenë një nga bazat e furnizimit me verë të perandorisë austro-hungareze dhe madje familja Habsburgase merrte verë që këtu. Në Trebinjë kjo traditë s’ka humbur, madje Bodrum Vukoje ka marrë ditët e fundit dhe dy medalje të arta për verërat “Tribunia Cabernet Sauvignon” dhe “Merlot Tribunia”.

Kriza

E bash tek rrushi është parë dhe kriza. Bozhidari më bën një panoramë të një familjeje të thjeshtë vendase. Jetohet me pak dhe kryesisht duke emigruar. Mbajnë pasaportat serbe në masë, ndërsa kroatët atë të Kroacisë. Kjo nuk e ka ulur varfërinë në vend, sepse çmimet e këtij viti do të jetë më të ulëta për rrushin e grumbulluar deri në 20%. Ka ndikuar rrushi që vjen nga Maqedonia, ndaj vendasit po humbasin pak nga pak dhe këtë krenari. E vetmja u ka mbetur në sport, ku kanë një ekip futbolli në Ligën e parë të Federatës dhe një ekip cilësor noti. Kriza e ka shfaqur fytyrën dhe në arsim. Në këtë vend ka tre fakultete, por në vitin e parë të Fakultetit për Menaxhimin në Trebinjë, nga një total prej 29 të regjistruarish vetëm një student do ketë bursë.

Njësoj me Kolegjin e Turizmit dhe Menaxhimit të Hoteleve që nga 57 studentë, thjesht 22 do të ndihmohen nga shteti. E të mendosh se niveli i analfabetizmit edhe këtu si në të gjithë Bosnjën është me rreth dhjetë për qind të popullsisë. “Tashmë është shumë larg ajo kohë.” -më thotë Ivan e epokës së Titos. Republika Socialiste Federative e Jugosllavisë zhvilloi potencialin e saj hidroelektrik me diga, liqene artificiale, tunele dhe hidrocentrale. Ky zhvillim industrial solli rritje të madhe të popullsisë urbane të Trebinjës...Ivani stepet kur merr vesh se jemi shqiptarë dhe duket se i bëhet një perde përballë. Ka qenë në luftë, do më shpjegojnë më vonë...

Në qytet

Me Bozhidarin që më ka thënë shumë gjëra lëvizim qetë. Nuk ikim dot në kishën që është sipër në mal dhe që ka formën e Graçanicës, në kodrën historike që njihet si Crkvina. Bash aty afër është edhe manastiri Tvrdoš. Janë disa që ndajnë përshtypje, por të gjithë fiken si me sustë kur flasim për trashëgiminë myslimane. Dua të shoh Urën e Sokoloviç, por burrat ma bëjnë larg, derisa Bozhidari e merr vetë sërish inisiativën. Arsyeja që burrat s’flasin se të gjithë janë fajtorë që gjatë luftës të vetmet gjëra që prishën ishin: shtëpia historike e Resulbegoviç, Xhamia e Sulltanit. Për fat, kjo e fundit, bash në qendër, pak metra larg mureve të mbetura të Kalasë, u rindërtua nga komuniteti boshnjak mysliman dhe u inaugurua në korrik të 2005-s. Kurse mrekullia është ura me disa harqe, disa më të mëdha dhe disa më të ulëta dhe me një pendencë mrekullisht artistike...Këtu është fundi. Duhet të kthehemi, ndërsa muzgu, po bie ngadalë nëpër qytet.

“ Nuk di, o bir, çfarë ishte kjo, dhe nuk kam për ta kuptuar kurrë. Erdhën disa nga ana e anës, me armë, më shumë nga fshatrat ponikshiçki, filluan t’i nxisin ortodoksët tanë, të fusin urrejtjen në popull. Na thoshin neve se duhet të ikim, ku të duam ne, por të ikim, sepse kjo paska qenë dhe do të mbetet toka e tyre e vjetër, se u ardhka keq, por s’ka rrugë tjetër. Xhamitë i rrafshuan me tokën, filluan të zemërohen për hiçgjë, derisa na erdhi një urdhër: nuk ka vend për myslimanët në tokën e Hercegovinës. Dhe filluam të largohemi, kush ku dinte dhe mundej. Ushtria serbe na jepte edhe kamionë me shoferë, vetëm të iknim, të iknim. Kështu unë e mjera, arrita tek ime bijë... Të pres të më varrosin këtu, pas vdekjes së djalit.
...
Bozhidari do më ndihë pak orë më vonë për një taksi, që të kthehem në Dubrovnik. Sasa, shoferi i ri, është gati i pagojë rrugës. Nuk flet, por për fat kemi rënë lehtë në Pazar. As nuk di asgjë për Shqipërinë. Bozhidari është qetësuar, ndërsa e ka pritur me gëzim, kur i kam thënë se do kthehem sërish...Në kufi s’ka më pyetje. Janë ditët e para të vjeshtës 2010.


Pasazhet me kursiv janë marrë
në librin “Tespihet prej Fosfori”
të autorit Jovan Nikoladis, përkthyer nga Janka Selimi

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama