Hungari gjendet varri i Sulejmanit te Madherishem

Hungari, gjendet varri i Sulejmanit te Madherishem

Varri i sulltanit të Perandorisë Osmane, Sulejmani i Madhërishëm, është gjetur sot në Hungari. Varri në të cilin janë varrosur organet e brendshme të Sulejmanit të Madhërishëm është gjetur nga një grup arkeologësh, në kuadër të gërmimeve të drejtuara nga Agjencia për Koordinim dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar të Republikës së Turqisë (TIKA) në Hungari.

Përfaqësuesi i TIKA-së për Ballkanin dhe Evropën Lindore dr. Mahmut Çevik deklaroi se sot janë gjetur mbetje shumë të rëndësishme.
“Nga viti 2012 kemi punuar në këtë projekt të gërmimit të varrit ku janë varrosur organet e brendshme të Sulejmanit të Madhërishëm. Sot kemi gjetur mbetje të rëndësishme”, tha Cevik.

Profesor dr. Norbert Pap, i cili udhëhoqi hulumtimin, theksoi se në vitin 2010 ngriti nismë për të bërë hulumtim në vendin ku janë varrosur organet e brendshme të Sulejmanit të Madhërishëm.

“Në qytetin Siget kemi gjetur një vendbanim nga periudha osmane dhe zbuluam vendin ku janë varrosur organet e brendshme të Sulejmanit të Madhërishëm”, tha profesor Pap.

Profesori turk dr.Ali Uzay Peker deklaroi se kanë gjetur tyrben e Sulejmanit të Madhërishëm në vendin ku e ka përmendur edhe udhërrëfyesi Evlia Çelebi.

“Në qytetin Siget është gjetur vendbanimi osman në të cilin gjendet edhe varri i Sulejmanit të Madhërishëm. Sipas të dhënave të para, janë gjetur edhe mbetjet e xhamisë”, tha Peker.

Ky është rasti i parë që gjatë gërmimeve arkeologjike në Hungari zbulohen vendbanime të periudhës osmane.

Sulltani Sulejman i Parë lindi më 1494 dhe vdiq më 1566.

Njihet në Perëndim si I Madhërishmi, ndërsa osmanllinjtë e njohën si Ligjvënësi, për shkak të kodit të ligjeve që ai hartoi dhe që jetuan për qindra vjet.

Ai sundoi Perandorinë Osmane kur ajo ishte më e fuqishme ushtarakisht, më e pasur dhe me më shumë ndikim kulturor.

Kur ai vdiq, perandoria shtrihej nga Afrika e Veriut në kufijtë e Persisë, nga Arabia deri në Hungarinë e ditëve tona.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama