Atmosfera ishte mbytëse në dhomën e shtypit të rezervuar për francezët në ndërtesën e Këshillit të Europës që ishte e mbushur me gazetarë. Të gjithë donin që të shihnin Presidentin e ri të Francës gjatë konferencës së tij të parë për shtyp pas takimit të BE-së. Pak pas orës 1 të natës, Fransua Hollande qëndroi para mediave për rreth një orë. Në dhomën tjetër ishte Kancelarja gjermane, Merkel.Parasaj ndodheshin vetëm disa gazetarë dhe disa kamera dhe dhoma ishte gjysmë e zbrazur. Ajo në fakt kishte vendosur që të mos mbante një konferencë shtypi të plotë.
Në vend të konferencës dha vetëm një deklaratë të shkurtër dhe iu përgjigj pyetjeve për pesë minuta dhe më pas iku. Ajo e dinte sigurisht paraprakisht se atë natë nuk do të kishte vëmendjen maksimale të mediave dhe nuk do të kishte akses nëse do të bënte sërish ndonjë apel kundër homologut të saj francez. Madje, në fakt u duk sikur ajo ishte e lumtur që po i linte “dritat e skenës”. Dhe kishte një arsye të fortë për t’u ndier kështu. Që prej shumë vitesh ky ishte takimi i parë i BE-së që nuk dominohej më nga Merkel. Në vend të saj këtë herë ishte Hollande ai që i dha tonin takimit, darkës informale të organizuar për liderët e 27 vendeve anëtare të BE-së. Kjo edhe pse ai foli shumë pak dhe shkurt gjatë takimit, ndërkohë që kolegët e tjerë u zgjatën në komente.
Ndryshimi i madh
Por me kërkesën e tij për eurobonot, ai ndërkohë kishte vendosur edhe “rendin e ditës” në tryezën e bisedimeve. Ai qëllimisht e vuri këtë çështje në qendër të axhendës së tij. Qëllimi ishte të sfidonte Kancelaren gjermane. Mesazhi i tij i pathënë në këtë rast ishte se Sarkozy, pra lidhja e veçantë dhe aleanca që pati për disa vjet Merkeli me Sarkozy-në, ishte diçka që përfundimisht i takonte të kaluarës. Në të ardhmen, Franca do të vlerësonte dhe merrte vendime sërish vetë. Dëshira e Hollande për të distancuar veten nga Merkel pjesërisht frymëzohet na zgjedhjet. Në 17 qershor, francezët do të votojnë për një Parlament të ri. Gjatë fushatës zgjedhore, socialisti Hollande nuk mund t’i lejojë vetes që të shihet, apo konsiderohet si një “kukull” në duart e Kancelares Merkel.
Edhe pse Hollande tha se nuk dëshironte që të merrte asnjë vendim pa Gjermaninë takimi i dy ditëve më parë në fakt shënon një ndryshim shumë të madh: Është hera e parë që prej shumë vitesh që liderët gjermanë dhe francezë nuk takohen para takimit për të rënë dakord në lidhje me pozicionin e përbashkët. Në vend të kësaj, të mërkurën në darkë ata e panë njëri-tjetrin në kampe të ndryshme. Hollande argumentoi se eurobonot janë pjesë e debatit për rritjen ekonomike. Prej tyre do të përfitonin vende si Spanja, sepse do t’u jepnin mundësi që të kursenin para nga pagesat e interesit dhe këto para mund t’i përdornin për investime.
Këtë tha Hollande, ndërkohë që Merkel e kundërshtoi duke thënë se bono të tilla do të shkelnin ligjet e BE-së dhe nuk janë aspak një mjet i duhur për të promovuar rritjen ekonomike në Europë. Gjatë darkës, u bë shumë e vështirë për të ndjekur pozicionet e të gjithë pjesëmarrësve. Liderët flisnin njëri pas tjetrit duke argumentuar kundër, ose pro deklaratave të të dy liderëve të Francës dhe Gjermanisë. Por sipas pjesëmarrësve në këtë darkë tonet ishin gjithmonë miqësore edhe pse dallimet dhe kundërshtitë u panë dukshëm. Hollande mori mbështetje nga Italia, Austria dhe Irlanda, ndërsa finlandezët, suedezët dhe holandezët ishin në anën e Merkelit. Para takimit, Kryeministri holandez tha se ishte e mundur që t’i bëjë ballë presionit të Francës. Në këtë situatë duket pra se Merkel nuk është tërësisht e izoluar.
Propozimi i debatueshëm
Në fjalën që tha pas takimit, Hollande tha se ka edhe vende të tjera përveç Gjermanisë që janë kundër lëshimit të eurobonove. Ai nuk donte që të deklaronte se cilat janë këto vende. “Ne nuk i kemi numëruar”, deklaroi ai duke shpjeguar se kishte më shumë se dy qëndrime. Disa vende, sipas tij, mund vetëm ta imagjinojnë lëshimin e bonove të përbashkëta, ndërsa të tjerët do të mbështesnin këto bono vetëm për qëllime të caktuara, ndërkohë që ka të tjerë që e kundërshtojnë që në qelizë këtë ide.
Në fakt, rritja ekonomike do të mund të vendoset vetëm në takimin e ardhshëm të rregullt të Bashkimit Europian në muajin qershor. Nëse lëshimi i eurobonove do të jetë, apo jo pjesë e kësaj pakete kjo vlen për t’u parë se çfarë do të ndodhë në të ardhmen e afërt. Presidenti i Këshillit të Europës, Herman Van Roumpy, ka detyrën e mbledhjes së propozimeve dhe të vendosjes se cila do të jetë axhenda e takimit të ardhshëm të qershorit. Ndërkohë, kemi edhe një tjetër propozim të bërë nga Hollande dhe Kryeministri italian, Monti atë që fondi i përhershëm i shpëtimit të euros duhet që në të ardhmen të mbështesë bankat në mënyrë të drejtpërdrejtë, sepse sipas rregullave aktuale ai ka mundësi që t’u japë hua vetëm qeverive dhe jo bankave. Hollande dhe Monti duket se ranë dakord në lidhje me shumë çështje gjatë takimit të përbashkët. Dhe Merkel doli si “kundërshtare”.
Deri më tani të 27 vendet anëtare të BE-së kanë rënë dakord vetëm në ide me shtimin e kapitalit të Bankës Europiane të Investimeve, përdorimin e fondeve strukturore në një mënyrë më të qartë dhe më të përcaktuar për të ndihmuar më shumë vende në krizë dhe për të lançuar të ashtuquajturat bono projektesh për projektet infrastrukturore. Nëse këto masa do të quhen më pas “pakt rritjeje” kjo do të vendoset vetëm në takimin e ardhshëm të qershorit. Në takimin e fundit, Hollande u përqendrua shumë në debatin e lëshimit të të shumëdebatuarave eurobono, por nuk është aspak e qartë nëse vendet e Eurozonës janë pranë, apo larg zbatimit të një projekti të tillë. Vetë Hollande e pranoi se paketat e BE-së do të duhet që të ndërroheshin dhe ndryshoheshin në rast se do të lëshoheshin bono të tilla. Dhe kjo duket diçka e pamundur në të ardhmen e afërt duke qenë se Britania dhe Republika Çeke e kanë refuzuar ndërkohë amendimin e paketave në dhjetorin që shkoi. Në atë kohë në fakt bëhej fjalë për pranimin e paktit fiskal, për aprovimin e të cilit do të duhej një ndërhyrje më e vogël në paketa nga ajo që kërkon lëshimi i eurobonove.
Debati thelbësor në lidhje me eurobonot ka shumë mundësi që të jetë një taktikë e përdorur për të tërhequr vëmendjen nga çështja “djegëse” e krizës në të cilën ndodhet Greqia. Dhe për hir të së vërtetës duhet thënë se liderët e BE-së nuk kanë asnjë lloj recete për zgjidhjen e saj, dhe madje as gjatë takimit nuk u dol pastaj me ndonjë masë të përbashkët që duhet ndërmarrë në këtë situatë. Në një deklaratë të përbashkët ata afirmuan se nuk do ta braktisin Greqinë, por kjo deklaratë nuk ka shans që të risigurojë ekspertët. Që dy javë më parë në Athinë dështoi tentativa për krijimin e një qeverie ka pasur spekulime në tregjet financiare në lidhje me ndalimin, ose jo të daljes së Greqisë nga Eurozona. Ka një frymë problematike në lidhje me fitoren e mundshme të ekstremit të majtë në zgjedhjet e ardhshme të qershorit, parti e cila kërkon që të rinegociojë paktin e paketës së ndihmës financiare mes Greqisë dhe BE-së dhe FMN-së.
Politikanët europianë kanë paralajmëruar se ata do t’ia ndalin Greqisë ndihmën financiare nëse qeveria e ardhshme që do të dalë nga zgjedhjet nuk do të vazhdojë reformat. Si rezultat do të kemi një dështim të Greqisë dhe dalje të saj nga Eurozona. Që këtu mesazhi që vjen nga Brukseli, Berlini dhe Parisi është kontradiktor. Nga njëra anë liderët e BE-së duan që të sigurojnë tregjet financiare se ata do të parandalojnë daljen e Greqisë nga Eurozona dhe nga ana tjetër ata janë duke kërcënuar Greqinë dhe votuesit pikërisht me faktin se nëse nuk bëjnë siç thonë ata do të nxirren nga Eurozona. Është një dilemë që do të vazhdojë deri në zgjedhjet greke deri në 17 qershorin e ardhshëm, Eurozona do të mbetet e paralizuar. Diplomatët në Bruksel shpresojnë që me mbarimin e zgjedhjeve greke dhe franceze në qershor gjërat do të bëhen më të qarta.











