Holanda dhe Britania votojne per eurodeputetet

Holanda dhe Britania votojne per eurodeputetet

Kutitë e para të votimit u hapën në Britaninë e Madhe dhe Holandë mëngjesin e djeshëm, të cilat startuan fillimin e katër ditëve votimi për zgjedhjet e Parlamentit Europian. Rreth 400 milionë evropianë do të kenë të drejtë të zgjedhin kush do të jenë ligjvënësit e rinj në Evropë. Këto janë zgjedhjet e tetë europiane, në 28 shtetet anëtare, banorët e të cilëve do të votojnë nga data 22 deri më 25 maj. Dje zgjedhjet filluan në Britaninë e Madhe dhe Holandë, të premten do të zhvillohen në Irlandë dhe në Republikën Çeke, të shtunën në Letoni, Maltë, Sllovaki dhe do të vazhdojnë edhe për ditën e dytë në Republikën Çeke. Ndërsa pjesa tjetër e anëtarëve të BE-së do të votojnë të dielën, në 25 maj. Mënyra më e mirë për të ndjekur çdo gjë që po ndodh, duke përfshirë dhe reagimet zyrtare janë padyshim mediat sociale, ku është vënë re një fluks i madh komentesh. Këto zgjedhje parlamentare janë parë si një trend në mediat sociale dhe me hashtagun zyrtar #EP2014 do të përdoret nga afro 155 mijë përdorues, gjatë këtyre tre ditëve. Më shumë se 400 milionë njerëz votojnë në 24 gjuhë në 28 vendet anëtare te BE-së. Kutitë e votimit u hapën sot në orën 07:30, sipas orës lokale ( 05:30 GMT) në Holandë dhe në ora 07:00 në Mbretërinë e Bashkuar. Bëhet e ditur nga mediat se nuk do të ketë rezultate zyrtare nga votimi i këtyre vendeve apo dhe të tjerave deri në rezultatin përfundimtar në orën 23:00 të Brukselit, ditën e diel. Votimi do të vendosë se kush do të ulet në Parlamentin Europian prej 751 vendesh. Këto zgjedhje në BE do të ndikojnë në jetën e 500 milionë qytetarëve të vendeve anëtare, pasi dihet që Parlamenti Evropian ka më shumë pushtet sot se në vitet  e mëparshme.

Ai është bashkë ligjvënës me ministrat e qeverive të BE-së, në shumë fusha politike dhe ekonomike. Përpos votimeve për ligjvënësit evropianë, po votohet gjithashtu edhe për zyrtarët e këshillave lokalë në Angli dhe Irlandën e Veriut. Ky është testi i fundit për opinionin publik para zgjedhjeve të përgjithshme në Mbretërinë e Bashkuar vitin e ardhshëm. Në Parlamentin e ri Evropian, trupa e vetme që zgjidhet drejtpërdrejtë nga populli, Britania e Madhe do të ketë 73 vende dhe Holanda 26. Vendet e eurodeputetëve janë ndarë në proporcion me popullsinë e një vendi. Ndërsa, rezultatet për zgjedhjet lokale do të vijë të premten në Britaninë e Madhe. Zgjedhjet e fundit evropiane u zhvilluan në vitin 2009, por zgjedhjet për Parlamentin e ri Europian, 2014 janë një betejë e paprecedentë për pushtetin dhe rolin e bllokut perëndimor. Për herë të parë, partitë anti BE konsiderohen sfidë për shumë vende. Në vendimin e votuesve, një faktor ndikues do të jetë dhe emigracioni.

Temat qendrore do të jenë; krijimi i vendeve të punës, veçanërisht për të rinjtë që llogariten në miliona, si dhe rritja ekonomike. Për herë të parë, rezultati i këtyre zgjedhjeve do të ndikojë edhe njeriun, që do të zgjidhet në detyrën e Presidentit të  Komisionit Europian, krahu ekzekutiv që harton ligje dhe kërkon zbatimin e tyre mbështetur mbi traktatet e Bashkimit Europian. Kandidati do të zgjidhet nga 28 udhëheqësit e vendeve anëtare, apo Këshilli Europian, duke iu referuar rezultatit të zgjedhjeve dhe, më pas do të votohet nga eurodeputetët. Nëse kandidatura e parë rrëzohet, duhet të votohet për emër tjetër. Eurodeputetët zgjidhen përmes sistemit proporcional dhe ky shikohet si shumë favorizues për partitë e vogla. Numri i tyre përcaktohet nga popullsia e vendit; Gjermania do të ketë 96 eurodeputetë, Franca 74, Italia dhe Britania e Madhe nga 73, Spanja 54, Poloni 51, Rumania 32, Holanda 26, Belgjikë, Republika Çeke, Greqi, Hungari, Portugali 21, Suedi 20, Austri 18, Bullgaria 17, Danimarka, Sllovakia, Finlanda 13, Irlanda, Kroacia, Lituania 11, Letoni, Slloveni 8, Qipro, Estonia, Luksemburgu dhe Malta nga 6 secili.

Kandidaturat kryesore janë vetëm simbolike

Të dy njerëzit kryesorë të partive të mëdha popullore, Jean- Claude Juncker për konservatorët dhe Martin Schulz për socialdemokratët, janë shumë të ngjashëm politikisht, Teza numër dy. Të dy janë në fakt europianë të flaktë, që për projektin e tyre të përbashkët, Europën e integruar politikisht, argumentojnë edhe jashtë kornizave ideologjike. Në disa vende kandidatët kryesorë kanë qenë shumë të pranishëm, në shumë vende të tjera pak, në Britaninë e Madhe nuk kanë luajtur asnjë rol, edhe kjo është ndoshta një shprehje e keqkuptimit të madh të kësaj fushate. Por po ta shohësh kandidatët kryesorë janë thjesht simbolikë si juridikisht ashtu edhe politikisht. Çështja e pushtetit shtrohet vetëm në mënyrë indirekte.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama