Historite shqiptare trondisin ne Montpelje

Historitë shqiptare trondisin në Montpelje

Historitë shqiptare godasin. Dy të tilla, të konvertuara në film, fituan mbrëmë çmime të mëdha. Një film që mban stemën e Shqipërisë dhe një tjetër fqinj, me një histori shqiptare, ku luan një kastë i tërë aktorësh shqiptarë kanë triumfuar mbrëmë në ceremoninë e ndarjes së çmimeve në Festivalin e Filmit në Montpelje të Francës. Bëhet fjalë për filmat "Eduart" me regji të grekes Angeliki Antoniout, që fitoi Çmiminn e Madh të festivalit, ku interpretojnë aktorët shqiptarë Eshref Durmishi, Ndriçim Xhepa, Ermela Teli, Gazmend Gjoka e Lulzim Zeqja, si dhe "Busulla", filmi me metrazh të shkurtër me regji dhe skenar të Bujar Alimanit, që çon në Francë një histori tërësisht shqiptare. Ky i fundit fitoi çmimin "CINECINEMA" të kanalit televiziv francez "Cine cinecourt", i cili do të shfaqë në ekranin e vet filmin e Alimanit. Nga data 26 tetor deri në 4 nëntor, u zhvillua në Francë, edicioni i 29-të i Festivalit të Filmit Mesdhetar. Prodhimet më të mira të të gjithë bregut mesdhetar, nga Portugalia në Detin e Zi, parakaluan gjatë këtyre ditëve, duke shpallur mbrëmë edhe fituesit e këtij edicioni. U shfaqën rreth 200 filma me metrazh të gjatë, metrazh të shkurtër dhe dokumentarë, prodhime të reja, që vinin si konkurrente, apo që jepnin premierën e tyre në festivalin francez. Ajo që e bën të rëndësishëm këtë festival, është mbështetja që i jep kineastëve, për të vazhduar rrugën e tyre në industrinë e filmit. Janë rreth 100 mijë euro, që u jepen fituesve si çmime, ndërkohë që parashikohen edhe mbështetje të tjera. Festivali i këtij viti do të kujtohet edhe për homazhin që iu bë një nga aktorëve më të mëdhenj të historisë kinematografie, Marcello Mastroianni. Për herë të parë në Festivalin e Monpeljesë zhvillohej një aktivitet i tillë kushtuar aktorit, i cili u nda nga jeta në vitin 1996. Gjatë ditëve të festivalit u shfaqën disa nga filmat e tij më të arrirë, si "I soliti ignoti", "La dolce vita", "Il bell'Antonio", "La notte", "Divorzio all'italiana", "Una giornata particolare", etj.

"Busulla", një prodhim shqiptaro-grek, prodhim i vitit 2007 me regji dhe skenar të Bujar Alimanit, figurë të Christos Karamanis, dekor të Soela Zanit, montazh të Bonita Papastathi dhe kolonë zanore të Christos Triantafilou trajton edhe njëherë problemin e gjakmarrjes dhe të mbijetesës. Interpretojnë Luciana Vata, Bruno Shllaku, Arlind Shkjau e Lefter Simoni. Në qendër të filmit është Mira, një adoleshente 17-vjeçare, që fati e la pa nënë dhe një baba të ngujuar nga frika e hakmarrjes. Duhet t'i dalë jetës për zot edhe pse fare e re. Nxjerr furgonin e vjetër të të atit dhe me një pushkë që e ka si bashkudhëtare në vendin e parë të makinës, shet qumësht shtëpi më shtëpi. Mira është simboli i mbijetesës, i dëshirës për të jetuar. Edhe pse një vajzë e fortë, që përballon edhe përplasjen e portës në fytyrë nga frika e hakmarrjes, edhe vështrimet vëngër, Mira nuk është nga ato femrat burrnesha. Ajo nuk është e betuar burrë, ajo do të gëzojë jetën e saj, feminilitetin, do të bëhet nënë. Regjisori e tregon bukur këtë fakt, pikërisht përmes qumështit (tamlit), që ajo shet për të mbijetuar.

"Eduart" është një prodhim greko-gjerman i vitit 2006 prej një orë e 45 minutash me regji dhe skenar të Angeliki Antoniout, figurë nga Jürgen Jürges, montazhi mban firmën e Takis Yannopoulos, kolona zanore, Minos Matsas dhe Costas Christidis. Interpretojnë Eshref Durmishi, André Hennicke, Ndriçim Xhepa, Dancho Chevreski, Ermela Teli, Lulzim Zeqja, etj.

Eduarti është një djalë i ri i rritur në një ambient të zymtë shqiptar. Bir i një babai të ashpër, një ish-ushtaraku. E lë Shqipërinë me shpresën për tu bërë një yll rroku dhe për të gjetur një jetë më të mirë në Greqi. Gjaknxehtësia prej të riu e çon në një krim, i cili e çon më tej në një tjetër. Por ai gjen forcën që të dorëzohet, të pranojë krimet dhe të kryejë dënimin në vendin fqinj, Greqi. "Eduart" është një film që ka bërë bujë në Greqi dhe ka fituar mjaft çmime. Është një nga 63 filmat në listën e pretendentëve për Çmimin "Oskar"

Trofetë 2007

Filmat me metrazh të Gjatë

Çmimi i madh "Antigona e artë"

"Eduart" nga Angeliki Antoniou (Greqi/Gjermani)

Çmimi i kritikës

"Eiza" nga Tayfun Pirselimoglu (Turqi)

Çmimi i publikut

"Mutluluk" ("Lumturia"), ngaAbdullah Oguz (Turqi)

Çmimi JAM për muzikën më të mirë

Për Sergio Cammariere për muzikën e filmit "L'Abbuffata", me regji të Mimmo Calopresti (Itali)

Çmimi "Nova"

"Adama Meshuga'at" ("Balta e ëmbël"), nga Dror Shaul (Izrael/Gjermani/Francë)

Çmimi për mbështetjen teknike

"La Maison jaune" (Shtëpia e verdhë), nga Amor Hakkar (Francë/Algjéri)

Dotation de 4 500 € en services techniques par GTC

Çmimi i publikut të ri

"Adama Meshuga'at", nga Dror Shaul

Çmim special

"Eduart"nga Angeliki Antoniou (Greqi/Gjermani)

Filmat me metrazh të shkurtër

Çmimi i madh

"Graffiti" nga Vano Burduli (Gjeorgji)

Çmimi i publikut

"Il Supplente" ("Zëvendësuesi") nga Andrea Jublin (Itali)

Çmimi i të rinjve

"Drakhim" ("Rrugët") nga Lior Geller (Izrael)

Çmmi i Shoqatës "Beaumarchais"

"Kozak" nga Olivier Fox (Francë)

Çmimi CINECINEMA

"Busulla" nga Bujar Alimani (Shqipëri/Greqi)

Çmimi Canal+

"Graffiti" nga Vano Burduli (Gjeorgji)

Dokumentarët

Çmimi "Ulysse"

"Maëal Philistini" ("Dëshpërimi i Palestinës") ngaNida Sinnokrot (Palestinë/USA)

Çmimi special

"Koraci" ("Hapat) nga Vladimir Perovic (Mali i Zi)

Ekspozita

Mes jetës dhe ëndrrës

Piktori shkodran Gjovalin Paci prezantoi dje në vendlindjen e tij një ekspozitë personale.

Ekspozita me titull "Jetë dhe ëndërr",që përfshinte 35 punime u hap në mjediset e galerisë "Iris" në Shkodër. Punimet janë të teknikës së akrelikut, një nga më të preferuarat të autorit. Ekspozita është hapur më parë në Tiranë dhe Durrës dhe mendohet të hapet edhe në disa qytete të tjera të vendit. Sipas vetë piktorit punimet e tij janë mes jetës dhe ëndrrës, ku kryesisht dominon pjesa e mistereve, që është gjithmonë e pranishme, "pra që figura ekziston në mes qiellit dhe tokës, një figurë pezull e asaj që kërkojmë të përcjellim". Autori përmend si më të spikaturat ciklin që përfaqësohet me nudot, me ringjalljen, lëvizjen në hapësirë dhe shumë cikle të tjera me tematika të ndryshme që kanë tërhequr vëmendjen e publikut. Destinacioni i radhës së ekspozitës do të jetë Parlamenti Shqiptar, me ftesë të Kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli, për tu zhvendosur më tej në Berat dhe Korçë. Kjo ekspozitë plotëson ciklin prej 50 syresh. Një pjesë e pikturave të tij janë prezantuar edhe jashtë vendit, si në Paris, Frankfurt, në Komisionin Europian në Bruksel si dhe në vende të ndryshme të Ballkanit. Momentalisht piktori Gjovalin Paci po punon për hapjen e dy ekspozitave në galerinë e Brukselit, gjatë vitit të ardhshëm.

Alma Mile : Gazeta Shekulli


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama