Historia e spiunit amerikan prane Enver Hoxhes

Historia e spiunit amerikan pranë Enver Hoxhës

Një fund shumë të trishtuar pati jeta e Tomas Stefanit, amerikanit me prindër emrigrantë të zbritur nga Korça në Boston në fillim të shekullit të njëzetë. Në 6 shtator të vitit 1959 u rrëzua në një trotuar, vdiq në vend, i varfër, i panjohur, larg shtëpisë, i harruar nga shokët e luftës, e luftës së përbashkët në Shqipëri përkrah partizanëve komunistë dhe Enver Hoxhës. Të pavdekshme mendon ta bëjë një tjetër pasardhës korçar në Amerikë, gazetari 72- vjeçar Peter Lucas. Pasi ka botuar "The OSS in World War II Albania: Covert Operations and Collaboration with Communist Partisans" (McFarland & Company, Inc., Publishers) dëshiron të bëjë një film, ide e Sten Dragotit, regjisori amerikan me origjinë shqiptare. Prandaj janë këto ditë në Shqipëri, i pari të promovojë librin dhe i dyti të gjejë bashkëpunëtorë për prodhimin e filmit mbi jetën e Tom Stefanit, që mendohet të realizohet thuajse i gjithi në vendin tonë.
 
"The OSS in Albania" është historia e aktivitetit të Zyrës së Shërbimeve Operative Amerikane (paraardhëse e CIA-s) në Shqipëri gjatë Luftës në Dytë Botërore. Është një grup ushtarësh amerikanë të cilët punonin pas fronteve të armikut së bashku me Hoxhën dhe forcat partizane për të luftuar nazistëtgjermanë. Personazhi kryesor është një shqiptaro-amerikan me pseudonimin Tom Stefan",-tregon Lucas. Dhe tek ky emër vlen të ndalemi. Personazhi kryesor, i cili fliste shqip, dialektin tosk ishte ngarkuar të punonte së bashku me Enver Hoxhën. Jo më kot ishte zgjedhur ai. I lindur në vitin 1917 nga Eftim dhe Emma Stefan, emigrantë shqiptarë të ardhur në Boston, kishte hyrë në Ushtrinë Amerike në 1939 kur Japonia bombardoi Pearl Harbor. Ndoqi shkollën e shërbimit sekret ushtarak dhe iu bashkua Office of Strategic Services (OSS) në nëntor 1943.

Vendi ishte Shqipëria dhe meqë njihte gjuhën që fliste në shtëpi duhej të punonte pranë Hoxhës, sepse grupet partizane ishin të vetmet grupe shqiptare që në mënyrë aktive luftuan pushtuesin, por që Stefani do t'i mbante sytë hapur edhe nga forcat e tjera si Balli Kombëtar, nacionalistët antikomunistë dhe Legaliteti. Peter Lucas, gazetar politik karriere që ka shkruar për "Boston Herald" dhe për "Boston Globe" vendosi ta shkruajë këtë libër kur hoqi dorë nga ideja për historinë e rinisë së Enver Hoxhës. "Ishte një projekt pa vlerë sepse ai vrau të gjithë ata që e njihnin",- shton Lucas. Dhe ja ku historia e ardhshme lidhej prapë me Hoxhën. Në librin e një shkrimtari anglez i ra në sy një foto ku kish dalë Enver Hoxha, Mehmet Shehu etj. duke marshuar në Tiranë më 28 nëntor 1944. "Aty më ra në sy një amerikan, Tom Stefan. I bëra pyetjen vetes: Ç'dreqin donte një amerikan këtu, askush nuk dinte gjë për këtë prani të amerikanëve. Fiksova emrin dhe nisa kërkimet. Ishte e vështirë sepse Stefani kish vdekur që më 1959. Pastaj takova katër shokë të tij të mbetur gjallë dhe që kishin marrë pjesë në misionin pranë Enver Hoxhës".


Atëherë gazetari nis kërkimin në arkivat kombëtare për Luftën e Dytë Botërore dhe OSS. Ditë, javë, muaj. Kishte ardhur ndërkohë në Shqipëri të vizitonte vendet ku aksioni kish ndodhur si në Gadishullin e Karaburunit, në Spile, Dukat. Të gjitha këto i vuri në libër, një histori e bazuar në fakte. "Një histori të cilën as shqiptarët dhe as amerikanët nuk e njohin, sepse ky ishte një shërbim sekret gjatë luftës. Pas luftës, amerikanët që ishin këtu nuk folën kurrë për këtë sepse nuk mundnin. Dhe që në fund të fundit Enver Hoxha e rishkroi historinë për të nxjerrë që ai ishte heroi i gjithë operacionit, gjë krejt e pavërtetë, megjithëseishte udhëheqës. Tani të dyja palët kanë një libër për të mësuar më shumë për çka ka ndodhur këtu, sepse libri bazohet në kërkimet arkivore, është i pasur në dokumente, i pajisur me informacione plotësuese dhe është shkruar nga unë",- shton me të qeshur autori.

Po filmi?Jeta e Tom Stefanit ia vlen të bëhet film. Pas marshimit të 28 nëntorit 1944 në Tiranë, marrëdhëniet e tij me Enver Hoxhën nisën të ftohen kur vuri re që komandant Enveri nuk po i përfillte më dhe aq misionarët amerikanë dhe britanikë në Shqipëri, po kthehej kah Bashkimi Sovjetik dhe kish nisur të merrte në dorë të gjitha pushtetet. Pëfundimisht u shkëputën kur spiuni Stefan u martua me një grua të Ballit dhe u larguan në shtator 1945 për në Amerikë. Quhej Lulu Vrioni. Me kthimin në shtëpi e pret një lavdi e vdekur. Mbante gradën e kapitenit por u shkarkua nga ushtria. Fitoi Legjionin e Meritës dhe Yllin e Bronzit, por përfundoi në administratën e veteranëve për të cilën as ai as gruaja e tij nuk ishin të kënaqur. Nisi të pijë dhe Luluja e braktisi. "Sten Dragoti të cilin nuk e kisha njohur më parë lexoi librin dhe e pëlqeu shumë. U takuam dhe më tha se ky mund të bëhej një film i mrekullueshëm.
 

Kështu shkrova dhe rishkrova skenarin. Është thuajse gati dhe Dragoti ndodhet sot në Shqipëri për të diskutuar me palë të interesuara për të bërë filmin. Të dy duam që të bëhet në Shqipëri, me aktorë shqiptarë. Gjithçka ndodh këtu. Vendet ku kanë ndodhur ngjarjet kanë ndryshuar pak, janë thuajse si pesëdhjetë vjet më parë, Berati, Gjirokastra etj. Dhe nëse regjisori nuk gjen bashkëpunim në Shqipëri ai është i bindur ta bëjë filmin, sidoqë të jetë", thotë gazetari. Duke e mbyllur ai pohon se nuk e ka bërë këtë libër për hir të asnjë lloj politike. Sepse ai nuk e di se ç'ka ndodhur këtu Gjatë Luftës së Dytë Botërore, nuk dinte kush ishte,kush kishte të drejtë, kush shkonte kundër. Kjo s'kishte pikë rëndësie për të. Për të hyrë në brendësi të historisë, dokumentet, faktet i dëshmonin se ç'kishte ndodhur. Gjithçka sipas raporteve të OSS që për herë të parë shohin dritën e botimit. Dhe në fund: Lucas e vizitoi Shqipërinë për herë të parë në vitin 1986, po si e sheh figurën e Hoxhës?

"Para së gjithash ky libër merr fund në vitin 1945. Dhe unë e kam të qartë se çfarë ka bërë deri atëherë ai, opinioni im për të bazohet në fakte dhe ngjarje. Se çfarë ndodhi pas kësaj është një histori krejt tjetër. Shqipëria u kthye në shtet policor dhe Hoxha ishte në krye. Për ta mbyllur: Amerika ndihmoi qeverinë komuniste të vinte në pushtet dhe më vonë u nda prej saj."

Kush është

Petër Lucas ka punuar gazetar politik 25 vjet për "Boston Herald" dhe më pas për "Boston Globe". Ka mbuluar konfliktet e Luftës në Vietnam dhe në Irlandën e Veriut. Ishte reporteri i parë amerikan që vinte në Shqipërinë e izoluar në vitin 1986, "një vend komunist që m'u duk si burg", thotë ai. "Artikulli i parë që bëra në kthim u botua në "Boston Tribune" por që u ribotua në shumë gazeta sepse ishte historia e parë që po shkruhej nga një amerikan me origjinë shqiptare dhe njerëzit ishin të interesuar." Sot Shqipëria krahasuar më atë kohë i duket si nata me ditën, pra atdheu i prindërve të tij ka sot një lloj demokracie.

"Dikur nuk isha i vetmi amerikan me origjinë shqiptare që bëja këtë zanatSot ka akoma më shumë. Po, e kam e pasur të vështirë, sepse në tërësi jeta është e vështirë, është luftë, ishte luftë atëherë. (Sot jam 72 vjeç). Por isha i vendosur ta bëja këtë punë dhe të merrja prej saj sa të mundesha. Mendoj se ia kam dalë."

Peter Lucas është autor i librit "Rumpalla – Duke rrëmuar nëpër Shqipëri" dhe i këtij të fundit "Shërbimet sekrete në Shqipëri".

Elsa Demo : Gazeta Shekulli


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama