Berisha behu human ne pleqeri tregoje varrin e Remzi Hoxhes

Berisha, behu human ne pleqeri, tregoje varrin e Remzi Hoxhes

Vrasja dhe zhdukja e një burri, Remzi Hoxha, është një nga ngjarjet më misterioze dhe mizore të dy dekadave të fundit në Shqipëri, në të cilën është implikuar shteti. Falë këmbënguljes së familjes, ajo është lajmi që ka rezistuar më gjatë në çerekshekullin e fundit.

Përpjekjet e djalit, që u burrërua duke kërkuar të atin, për të bërë drejtësi ndaj vrasësve, dështuan falë një mbështetjeje të fortë që ata gëzonin nga njeriu më i pushtetshëm në Shqipëri, deri dy vjet më parë. Kronologjia tashmë është zbardhur: SHIK e rrembu biznesmenin shqiptaro-maqedonas, sepse dyshonte se ishte agjent i UDB, ose më saktë dyshonte se ai kishte “diçka” që implikonte Berishën në ca lidhje të tilla shqiptaro-serbe.

Nuk dihet ç’hall ka patur tamam-tamam Berisha, por Remzi Hoxhën e rrëmbuen, e torturuan të tregonte “lidhjen e UBD-në” dhe u vdiq në dorë, pasi kanibalët e SHIK nuk kishin eksperincë në përdorimin e torturës si mjet diktatorial hetimi, por e përdorën atë si mjet asgjësimi. E groposën dhe shkundën duart nga dheu. Familja tashmë kërkon varrin, por edhe atë nuk ia tregojnë. Bashkim Gazidede, njeriu më besnik dhe më fanatik që Berisha ka patur ndonjëherë në varësi administrative, iku duke marrë me vete edhe adresën e gropës-varr.

Vrasësit e “kampit” të SHIK-ut në Vainë të Lezhës, Berisha u kujdes që të iknin nga Shqipëria ose ti ofronte poste të larta publike për ti mbrojtur nganjë proces që u hap pas shumë vitesh. Ilir Kumbaro mbeti në Londër, pa iu dorëzuar drejtësisë, ndërsa Arben Sefgjini, ndërsa ishte në gjyq për një krim të rëndë si rrëmbim, torturë, vrasje dhe zhdukje, mbante detyrën e drejtorit të tatimëve, edhe kur ishte në kushtet e arrestit shtëpiak .

Tani, pas 20 vjetësh, Berisha thotë se nuk dija gjë. Erjon Brace i kërkoi në parlament që të tregonte varrin. Por ai pohoi se nuk kishte dijeni për ngjarjen. Por vetëm kjo nuk besohet, kurrë. Berisha është njeriu më i informuar në këtë vend. E ka hoby, e ka pasion, mbijeton dhe sundon vetëm duke patur informacion për gjithëçka, edhe për gjëra që nuk i nevojiten.

Atë kohë, ku ishte president, ai kishte dijeni edhe se kush ishin oficerët e turnit nëpër komisaritet e policisë dhe jo më të mos kishte dijeni për rrëmbimin e dhe vrasjen e Remzi Hoxhës. Ai kishte dijeni për numrin e autoboteve, numrin e mushkave me bidona dhe sasinë e karburantit që kalonte me tuba gome në Lumin Bunë, apo shtigjeve të Koplikut për të furnizuar ushtrinë serbe. Ai kishte dhe ka djieni edhe për dashnorët e grave të ministrave e deputetëve qëkur ato kanë qenë 20 vjecare, e jo të mos kishte dijeni për operacionin më të ndyrë të shërbimit sekret të vendit. Berisha ka patur dhe ka dijeni edhe për lidhjet dhe shoqëritë e kriminelëve dhe bandave, për pronarët e hoteleve dhe diskotekave, markën dhe targën e makinave të kapobandave, për koston e shtëpive të politikanëve të partisë së tij dhe të gjitha partive të tjera.

Me pak fjalë, vetëm kur thotë se nuk dija gjë, nuk e beson njeri Berishën, kurrë. Ndaj, ata që kanë hetuar apo kanë trajtuar çështjen e zhdukjes së Remzi Hoxhës, dinë në mënyrë absolute që Berisha ka qenë i informuar jo për çdo fjalë, por edhe për cdo klithmë që ka nxjerrë nga goja Remzi Hoxha gjatë torturave.
Ndaj, tani në pleqëri, Berisha mund të bëjë një vepër humaniste. Arsyet se përse u rrëmbye e çfarë kërkonte SHIK nga Remzi Hoxha, nuk do të zbardhen kurrë, ajo është një nga ato historitë e shërbimeve sekrete që mbetet përherë sekret.

Por të paktën të tregojë varrin e Remziut, nëse vërtet e kanë groposuar dhe nuk e kanë hedhur në kënetë. Nuk është e thënë që ai të shkojë vetë dhe të kërkojë shkurreve si gjenërali i ushtrisë së vdekur, që kërkon jo ushtarët, kësaj radhe,por viktimat e tij. Ai e di fort mirë se ka shumë mënyra për të treguar se ku ndodhet ai varr, gjithnjë nëse është. Nëse jo, atëherë sërish ka mënyra për të thënë se ai nuk është. Janë dhënë kaq shumë dëshmi deri tani që tregojnë se Remziu dha shpirt në dhomat e vdekjes së SHIK-ut në Vainë sa nuk ka burrë në botë që ta rrëzojë historinë.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama