Historia e percaktimit te kufirit detar pas incidentit te Korfuzit

Historia e percaktimit te kufirit detar, pas incidentit te Korfuzit
Kundërshtitë juridike detare midis Republikës së Shqipërisë dhe Organizatës së Kombeve të Bashkuara
“Lufta e ftohtë”, negociatat mes Shqipërisë komuniste dhe SHBA-së
Dokumentet e qeverisjes moniste në përcaktimin e vijës bazë të kufirit detar

Pas incidentit të Kanalit të Korfuzit të ndodhur midis Shqipërisë dhe Britanisë së Madhe më 22 tetor 1946 në Gjirin e Sarandës dhe ngjarjeve në Bazën Detare të Pashalimanit me Flotën e ish-Bashkimit Sovjetik në fund të viteve ‘60, kundërshtitë juridike detare midis Republikës së Shqipërisë dhe SHBA-së në periudhën 1980-1990 janë përballja e tretë më e rëndësishme detare e Shqipërisë në periudhën e Luftës së Ftohtë. Kjo kundërshti u zhvillua në mjedisin diplomatik, por në një fazë të veçantë të saj arriti edhe në pragun e një incidenti ushtarak me ballafaqimin e anijeve të dy flotave në det të hapur.

Qysh përpara firmosjes së Konventës së OKB-së mbi të Drejtën e Detit (UNCLOS 1982) më 10 dhjetor 1982 në Montego Bay të Xhamajkës deri në fund të viteve ‘90, SHBA-ja ka kundërshtuar pretendimet e tepruara detare të Shqipëria. Në këtë periudhë të mungesës së marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve, SHBA-ja ka përdorur si presion ndaj qeverisë së Shqipërisë instrumentin diplomatik të kombinuar me atë ushtarak.

Në këtë periudhë Republika Popullore Socialiste e Shqipërisë drejtohej nga filozofia komuniste, e cila synonte demonstrimin e një lloji “pavarësie” duke injoruar të drejtën ndërkombëtare të “manipuluar” nga SHBA-ja nëpërmjet OKB-së. Ndërsa SHBA-ja, si fuqia më e madhe detare dhe me interesa globale, synonte zbatimin e plotë të parimeve, frymës dhe filozofisë që mishëronte LOS 1958 dhe më pas UNCLOS 1982. Për këtë qëllim, SHBA-ja në fillim të viteve ’80 projektoi dhe filloi zbatimin e Programit të Lundrimit të Lirë, program i cili synonte në shtrëngimin e vendeve me pretendime detare të tepruara, dhe zbatimin nga ana e tyre të normave të pranuara ndërkombëtarisht dhe të kodifikuara nga UNCLOS 1982.

Programi i Lundrimit të Lirë u iniciua nga Presidenti Karter mbështetur në LOS 1958, por ai vazhdoi të zbatohej edhe gjatë administratës së Presidentit Regan, Bush, Klinton, Bush i Ri, si dhe vazhdon të zbatohet edhe nga administrata e Presidentit Obama. Ky program është jo diskriminues dhe zbatohet ndaj të gjitha vendeve me pretendime detare të tepruara, qofshin këto vende aleate, mike ose armike. Në varësi të raporteve që SHBA-ja ka me vendin mbi të cilin aplikohet programi, instrumenti që përdoret si detyrim mund të jetë rruga diplomatike ose duke përdorur mjetet ushtarake detare dhe ajrore, në interes të diplomacisë, për ushtrimin e të drejtave të tyre dhe mohimin e pretendimeve të tepruara të vendeve bregdetare.

Pas firmosjes së Konventës së OKB-së mbi të Drejtën e Detit 1982 (UNCLOS 1982), qeveria komuniste e Shqipërisë ishte plotësisht e vetëdijshme se pretendimet e saj territoriale detare ishin të tepruara dhe jo në përputhje me këtë të drejtë. Në një dokument të hartuar nga Forcat Detare dhe që i dërgohej ish-përfaqësuesit të Shqipërisë në negociatat për Konventën e OKB-së mbi të drejtën e detit dhe zëvendësministër i Punëve të Jashtme, z. Sokrat Plaka, nëpërmjet zëvendësministrit të Mbrojtjes, z. Jaçe Lula, argumentohej se legjislacioni shqiptar binte në kundërshtim me UNCLOS 1982.

Sipas kësaj shkrese, kundërshtitë lidheshin me gjerësinë e detit territorial dhe të drejtën e kalimit paqësor. Në përfundim letra rekomandon se “për ndryshimin ose korrigjimin e tyre duhet marrë miratimi nga organet përkatëse”. Ky vlerësim i raporteve të legjislacionit shqiptar me të drejtën ndërkombëtare të detit mban datën 18 janar 1983 dhe është hartuar vetëm 39 ditë pas fillimit të firmosjes në Montego Bay të Xhamajkës të Konventës së OKB-së mbi të Drejtën e Detit (UNCLOS 1982), më 10 dhjetor 1982. Konventa e OKB-së mbi të Drejtën e Detit (UNCLOS III) u negociua për gati 13 vjet rresht. Shqipëria ka qenë pothuajse palë gjatë fazës fillestare të negocimit e përfaqësuar nga zoti Sokrat Plaka. Por Shqipëria nuk mori pjesë në Montego Bay të Xhamajkës për të firmosur konventën. Shqipëria e pranoi Konventën e OKB-së mbi të Drejtën e Detit (UNCLOS III) në vitin 1990, kur me Ligjin Nr.7366, datë 24.03.1990 ndryshoi Ligjin Nr.4650, datë 9.3.1970 “Për kufirin e Republikës Popullore të Shqipërisë” dhe e ratifikoi këtë konventë me Ligjin Nr.9055, datë 24.04.2003 “Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në Konventën e OKB-së mbi të Drejtën e Detit”.

SHBA-ja ka qenë një nga kontribuueset dhe investueset kryesore të Konventës së OKB-së mbi të Drejtën e Detit (UNCLOS 1982), duke e firmosur atë më 10 dhjetor 1982 në Montego Bay të Xhamajkës. Por SHBA-ja nuk e ka ratifikuar ende konventën, për shkak të pakënaqësive që lidhen me shfrytëzimin e burimeve minerare të nëntokës së fundit të detit. Megjithatë, UNCLOS 1982 është pranuar nga qeveria e SHBA-së gjatë qeverisjes së Presidentit Klinton.

Pavarësisht nga ky qëndrim, SHBA-ja është instrumenti më i fuqishëm global për imponimin e Konventës së OKB-së mbi të Drejtën e Detit. Programi i Lundrimit të Lirë i drejtuar nga Departamenti i Shtetit dhe i zbatuar edhe me pjesëmarrjen e Departamentit të Mbrojtjes, ka nisur në vitin 1979 dhe u iniciua nga Presidenti Karter. Fillimisht ai u programua për imponimin e katër Konventave të OKB-së për të Drejtën e Detit të vitit 1958 (LOS 1958), të cilat hynë në fuqi, por nuk u pranuan asnjëherë, dhe më pas të Konventës së OKB-së mbi të Drejtën e Detit të vitit 1982 (UNCLOS 1982), e cila hyri në fuqi në nëntor 1994.

Qëllimi i Programit të Lundrimit të Lirë është ruajtja dhe mbajtja e lëvizshmërisë globale te Forcat e të Armatosura të SHBA-së, si dhe garantimi i së drejtës së lundrimit dhe fluturimit të lirë për të gjithë përdoruesit e oqeanit botëror. Gjatë viteve të zbatimit të programit, objekt i tij kanë qenë pretendimet detare të tepruara të shteteve bregdetare, që lidhen me: gjiret historike; mënyrën e përcaktimit të vijës së drejtë bazë; gjerësinë e detit territorial përtej 12 miljeve detare; kufizimet jo ligjore mbi kalimin paqësor dhe transit etj.

Shqipëria ka qenë e përfshirë intensivisht nga SHBA-ja në Programin e Lundrimit të Lirë, sidomos në periudhën midis viteve 1980-1990. Kundërshtitë juridike detare midis Shqipërisë e SHBA-së dhe që përfshiheshin në këtë program, ishin tri: pretendimet e tepruara të Shqipërisë mbi ndërtimin e vijës së drejtë bazë, pretendimet e tepruara të Shqipërisë mbi gjerësinë e detit territorial dhe pretendimet e tepruara të Shqipërisë mbi të drejtën e kalimit paqësor të anijeve të luftës.

Kundërshtia e parë: Vija e drejtë bazë

Në vitin 1970, Republika Popullore e Shqipërisë miratoi Ligjin Nr.4650, datë 09.03.1970, i cili ndërtoi për herë të parë një sistem të vijës së drejtë bazë përgjatë Detit Adriatik dhe Detit Jon. Teoria e ndërtimit të vijës së drejtë bazë në ligj mishëronte parimin e shprehur në nenin 7 dhe 10 të UNCLOS 1982-it dhe që në zhargonin e përditshëm quhet bashkimi me vijë të drejtë i kepeve më të dala të bregdetit. Në datën 13 qershor 1989, SHBA-ja, nëpërmjet Ambasadës Franceze në Tiranë, i drejtoi qeverisë së Republikës Popullore të Shqipërisë një notë zyrtare me anë të telegramit Nr. 193134, në të cilën protestonin mbi kufijtë detarë të Shqipërisë, të shpallur me ligjin e mësipërm. Në notën zyrtare të SHBA-së thuhej: SHBA-ja do të dëshironte të theksonte se për pjesën më të madhe të bregdetit shqiptar, i cili nuk ka shumë të thelluara dhe nuk ka ishuj në afërsi të tij, nuk i përmbush kushtet gjeografike në përputhje me të drejtën ndërkombëtare për të krijuar një vijë të drejtë bazë. Për më tepër, vija e drejtë bazë nga Kepi i Rodonit deri në derdhjen e Vjosës dhe nga Kepi i Gjuhëzës deri në Kepin e Sarandës, d.m.th. ujërat e mbuluara nga kjo vijë e drejtë bazë nuk janë as gjire juridike as gjire historike.

Legjislacioni shqiptar mbi vijën e drejtë bazë ka ekzistuar për rreth 38 vjet dhe në mënyrë paradoksale është shfuqizuar me Ligjin nr.9861, datë 24.1.2008 “Për kontrollin dhe mbikëqyrjen e kufirit shtetëror të Republikës së Shqipërisë”, një ligj i një natyre tjetër nga ai për kufirin shtetëror. Sipas vlerësimit të bërë nga SHBA-ja, kjo vijë e drejtë bazë në të ashtuquajturat gjire gjeografike, në më të shumtën e rasteve, përveç Gjirit të Vlorës dhe Drinit, nuk përputhet me metodologjinë e ndërtimit të vijës së drejtë bazë për gjiret juridike, të shprehura në Nenin 10 të UNCLOS 1982.

Për shkak të mos ndërtimit të saktë të vijës të drejtë bazë, në përputhje me nenin 10 të UNCLOS 1982, sipas vlerësimit të Departamentit të Shtetit të SHBA-së rezulton që Shqipëria të ketë përfituar më shumë det territorial. Deti territorial matet nga vija e drejtë bazë, dhe çdo ndryshim në këtë vijë reflektohet në kufijtë e detit territorial, si dhe në hapësirat e tjera detare si: zona fqinje, zona ekonomike ekskluzive dhe në vartësi të metodologjisë së përcaktimit të kufirit edhe shelfi kontinental. UNCLOS 1982 Neni 4 – “Kufiri i jashtëm i detit territorial është vija, çdo pikë e së cilës, nga pika më e afërt e vijës bazë, ka distancë të barabartë me gjatësinë e brezit të detit territorial”. Sipas përllogaritjeve të bëra nga Departamenti i Shtetit të SHBA-së, për shkak të këtij ndryshimi midis vijës së drejtë bazë të pretenduar nga Shqipëria dhe asaj që duhet të ndërtohet në përputhje me interpretimin e SHBA-së, rezulton që Shqipëria të ketë përfituar nën juridiksionin e saj kombëtar (det territorial) 33,145 milje2 ose 113,684 km2 më shumë. Kjo sipërfaqe është përftuat nga gjashtë trekëndësha të vegjël që shtrihen nga Kepi i Rodonit deri në Ishullin e Sazanit në kufirin e detit territorial. Më poshtë po paraqesim tabelën e sipërfaqeve detare të tepruara të Shqipërisë, sipas interpretimit të SHBA-së. Kjo tabelë është ndërtuar nga Departamenti i Shtetit të SHBA-së në vitin 1995.

Vija e drejtë bazë nuk u konsiderua asnjëherë nga Shqipëria si pretendim i tepruar i saj dhe kundërshti me SHBA-në. Nga pikëpamja lundrimore, gjashtë trekëndëshat nuk krijojnë kufizim të lirisë së lundrimit dhe vija e drejtë bazë e Shqipërisë nuk ka përbërë kundërshtinë kryesore për SHBA-në.

SHBA-ja në kundërshtinë e saj për vijën e drejtë bazë i referohet nenit 10 të UNCLOS 1982. Por në fakt po t’i referohemi nenit 7 të po kësaj konvente, kjo vijë e drejtë bazë mund të konsiderohet e ligjshme. Po ashtu Italia, fqinji ynë përballë, me dekretin presidencial Nr.816 të datës 26 prill 1977, ka ndërtuar vijën e saj të drejtë bazë me të njëjtën metodologji, duke aplikuar sipas rastit nenin 7 të UNCLOS 1982. SHBA-ja, me anë të ambasadës së saj në Romë, nëpërmjet telegramit Nr.309312 të datës 16 dhjetor 1986 ka kundërshtuar vijën e drejtë bazë të Italisë. Në telegram, ndër të tjera, thuhet se:

“…në pikëpamjen e qeverisë së SHBA-së, shumë segmente të vijës së drejtë bazë të përcaktuara nga qeveria e Italisë nuk përmbushin kriteret dhe rrjedhimisht nuk janë të bazuara në të drejtën ndërkombëtare…”

Përllogaritjet janë bërë nga Departamenti i Shtetit të SHBA-së dhe që pasqyrohen në hartën e prodhuar prej tij në vitin 1995.

Nga pikëpamja formale, vija e drejtë bazë e Shqipërisë dhe Italisë, u legjitimua me Marrëveshjen e arritur midis Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Italisë për Delimitimin e Shelfit Kontinental më 18 dhjetorit 1992, vija delimituese e së cilës është ndërtuar me metodologjinë e vijës së mesme të vijave të drejta bazë të të dy shteteve.

Marrëveshja për Delimitimin e Shelfit Kontinenal midis Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Italisë është ratifikuar nga Parlamenti Italian me Ligjin Nr.147, datë 12 prill 1995 dhe ka hyrë në fuqi më 26 shkurt 1999. Po ashtu, Parlamenti shqiptar e ka ratifikuar këtë marrëveshje me Ligjin Nr.7685, datë 15 mars 1993 dhe është dekretuar nga Presidenti i Republikës me dekretin Nr.500, datë 26 mars 1993. Për palën shqiptare marrëveshja ka hyrë në fuqi më 15 mars 1993.

Nga pikëpamja formale, në vlerësimin tim, kundërshtia midis Shqipërisë dhe SHBA-së lidhur me vijën e drejtë bazë quhet e kapërcyer, pasi ajo është ndërtuar mbështetur edhe në nenin 7 të UNCLOS III, dhe jo vetëm nenit 10, siç pretendon SHBA-ja. Kjo vijë nuk është kundërshtuar asnjëherë nga fqinjët tanë detarë, Italia, Greqia dhe ish-Jugosllavia (sot Mali i Zi). Gjithashtu, hyrja në fuqi e Marrëveshjes për Delimitimin e Shelfit Kontinental midis Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Italisë i ka dhënë karakter të plotë ligjor kësaj vije.

Kundërshtia e dytë: gjerësia e detit territorial

Deri në vitin 1990, legjislacioni shqiptar për kufirin mbështetej në Ligjin Nr.4650, datë 09.03.1970 ndryshuar me Ligjin Nr.5384 datë 23.02.1976 dhe Ligjin Nr.6180, datë 26.4.1980, i cili përcaktonte gjerësinë e detit territorial të Shqipërisë 15 milje detare. Kjo gjerësi e detit territorial binte plotësisht në kundërshtim me, si me LOS 1958 edhe UNCLOS 1982, neni 3, i cili shprehet se “çdo shtet ka të drejtën të vendosë brezin e detit të tij territorial deri në kufijtë e jo më shumë se 12 miljeve detare, të matura nga vija e drejtë bazë, e përcaktuar në përputhje me këtë konventë”.

Në datën 16 tetor 1980, tri luftanije të Forcave Detare të SHBA-së, një kryqëzor, një fregatë dhe një anije dokdesante lundruan paralelisht 12,5 milje detare me vijën e drejtë bazë të Shqipërisë sipas drejtimit jug-veri. Ky veprim i Forcave Detare të SHBA-së ngriti në gjendje alarmi Forcën Detare Shqiptare, si dhe të gjitha njësitë ushtarake që vepronin në bregdet. Anijet amerikane u shoqëruan nga anijet e Flotës Shqiptare që nga momenti i hyrjes në ujërat shqiptare në perëndim të Ishullit të Sazanit deri në dalje në perëndim të Kepit të Rodonit. Veprime të ngjashme demonstruese nga Forcat Detare të SHBA-së u kryen edhe më datën 28 qershor 1983, në të cilën u përdorën dy kryqëzorë dhe një fregatë, më datën 18 janar 1984, si dhe midis viteve 1986-‘87. Këto veprime ushtarake demonstruese të luftanijeve të SHBA-së ishin në kuadrin e Programit të Lundrimit të Lirë, me qëllim që të detyronin Shqipërinë të ndryshonte gjerësinë e detit territorial në përputhje me Konventën e OKB-së mbi të Drejtën e Detit (UNCLOS 1982).

Pavarësisht nga këto veprime të SHBA-së, gjatë periudhës 1980-1989, qeveria e Shqipërisë nuk ndërmori asnjë iniciativë për ndryshimin e ligjit dhe zvogëlimin e pretendimit për mbi gjerësinë e detit territorial nga 15 në 12 milje detare. Por, edhe pse gjerësia e detit territorial ishte përcaktuar 15 milje detare, Shqipëria asnjëherë nuk ushtroi sovranitetin e saj kombëtar përtej distancës prej 12 miljeve detare. Vendimi për mosndryshimin e gjerësisë së detit territorial duket se ishte një vendim politik. Siç u përmend edhe më lart, ushtarakët e Flotës qysh në vitin 1983 kishin propozuar ndryshimin e legjislacionit dhe zvogëlimin e gjerësisë së detit territorial nga 15 në 12 milje detare.

Në fillim të proceseve demokratike, kur Shqipëria kishte nevojë për mbështetje ndërkombëtare, dhe po rishikonte edhe pozicionin e saj me të drejtën ndërkombëtare në përgjithësi dhe marrëdhëniet me SHBA-në, Parlamenti shqiptar me Ligjin Nr.7366, datë 24.03.1990 i bëri një ndryshim tjetër Ligjit Nr.4650, datë 09.03.1970 “Për kufirin e Republikës Popullore të Shqipërisë”, duke përcaktuar gjerësinë e detit territorial 12 milje detare. Ky ndryshim ishte në përputhje me UNCLOS 1982, neni 3. Edhe pse Shqipëria në atë kohë nuk e kishte ratifikuar UNCLOS 1982, ky ligj shprehte vullnetin e shtetit shqiptar për njohjen e tij. Ligji Nr.7366, datë 24.03.1990, formalisht zgjidhi kundërshtinë me SHBA-në, por edhe Konventën e OKB-së mbi të Drejtën e Detit (UNCLOS 1982), neni 3, lidhur me gjerësinë e detit territorial.

Kundërshtia e tretë: E drejta e kalimit paqësor

Pavarësisht mungesës së një konvente në fuqi deri në vitin 1994, kur hyri në fuqi Konventa e OKB-së mbi të Drejtën e Detit (UNCLOS 1982), në përputhje me të drejtën ndërkombëtare zakonore të detit, të gjitha anijet e huaja, duke përfshirë edhe ato luftarake, gëzonin të drejtën e kalimit paqësor nëpër detin territorial të shtetit bregdetar. Ky parim i të drejtës zakonore u kodifikua nga UNCLOS 1982. Pas incidentit të parë të Kanalit të Korfuzit të datës 15 maj 1946, qeveria e Republikës Popullore të Shqipërisë lëshoi një urdhër ekzekutiv të datës 21 maj 1946, urdhër i cili pezullonte të drejtën e kalimit paqësor të anijeve të luftës në detin e saj territorial të Shqipërisë në Kanalin e Korfuzit. Kundërshtimi i këtij urdhri të qeverisë shqiptare ishte zanafilla e kundërshtive midis dy shteteve mbi interpretimin e së drejtës zakonore ndërkombëtare të detit dhe që përfundoi me incidentin e Kanalit të Korfuzit.

Urdhri ekzekutiv i datës 21 maj 1946 qëndroi në fuqi deri në miratimin e Ligjit Nr.4650, datë 09.03.1970 “Për kufirin e Republikës Popullore të Shqipërisë”, i ndryshuar më pas me Ligjin Nr.5384, datë 23.02.1976 dhe Ligjin Nr.6180, datë 26.04.1980. Në nenin 6 të ligjit thuhej se “anijet e huaja jo të luftës gëzojnë të drejtën e kalimit paqësor në ujërat territoriale të Republikës Popullore të Shqipërisë” duke vijuar me nenin 7, i cili autorizonte Këshillin e Ministrave për lejimin e kalimit paqësor të anijeve të luftës nëpër detin territorial të Shqipërisë, me përjashtim të rasteve të forcës madhore. Pra, neni 7 i ligjit nuk e garantonte kalimin paqësor si një të drejtë universale të detit, por si një privilegj të shtetit bregdetar (Shqipërisë) dhe që ky autorizim lëshohej rast pas rasti dhe në mënyrë diskriminuese.

Vendosja e kufizimeve për kalimin paqësor të anijeve të luftës nëpër detin territorial të Shqipërisë binte në kundërshtim si me LOS 1958 edhe me UNCLOS 1982. Neni 17 i UNCLOS 1982 shprehet se “anijet e të gjitha shteteve, bregdetare edhe jo bregdetare, gëzojnë të drejtën e kalimit paqësor nëpër detin territorial”. Po kjo konventë në nenet 18-20 përcakton kufizimet që kanë anijet gjatë kalimit paqësor dhe në nenet 21-25 të drejtat dhe detyrimet e shtetit bregdetar. Konventa i jep të drejtë shtetit bregdetar të bëjë kufizim të përkohshëm të kalimit paqësor nëpër detin e tij territorial nëse kjo ndërprerje është thelbësore për garantimin e sigurisë së tij. Po ashtu, një ndërprerje ose pezullim i kalimit paqësor i vendosur nga shteti bregdetar duhet të jetë i përkohshëm dhe jo diskriminues. Me fillimin e viteve ‘90, kur u ndryshua gjerësia e detit territorial, Shqipëria nuk bëri ndryshimet e nevojshme në legjislacion edhe për kufizimet mbi të drejtën e kalimit paqësor të vendosura qysh më 21 maj 1946. Ky ndryshim u bë rreth 10 vjet më vonë, në vitin 2001. Ligji Nr.8771, datë 19.04.2001 “Për kufirin shtetëror të Republikës së Shqipërisë” në nenin 5 nuk vendos kufizime për të drejtën e kalimit paqësor nëpër detin territorial të Shqipërisë. Duke marrë në konsideratë se Shqipëria e ka ratifikuar Konventën e OKB-së mbi të Drejtën e Detit (UNCLOS 1982) dhe nuk ka paraqitur asnjë deklarim mbi regjimin e kalimit paqësor, pasi ende nuk ka depozituar instrumentin e ratifikimit te sekretari i përgjithshëm i OKB-së, mund të themi se praktikisht Shqipëria ka pranuar të drejtën e kalimit paqësor në termat e parashikuara nga kjo konventë dhe nuk ka më kundërshti me SHBA-në për këtë çështje.

Konkluzion

Nga tri kundërshti që Republika e Shqipërisë ka pasur me SHBA-në lidhur me pretendimet e saja të tepruara detare, pretendime të cilat u trajtuan më lart, praktikisht sot asnjëra prej tyre nuk ekziston më. Deri në vitin 1990, pozicioni i Shqipërisë lidhur me të drejtën ndërkombëtare të detit ka qenë një pozicion i motivuar plotësisht politikisht. Ekspertët e Forcës Detare qysh në vitin 1983, vetëm 39 ditë nga firmosja në Montego Bay të Xhamajkës të Konventës së OKB-së mbi të Drejtën e Detit i rekomanduan qeverisë shqiptare ndryshime në legjislacionin për kufirin dhe përputhjen e tij me këtë të drejtë.

Vija e drejtë bazë e parashikuar si nga Ligji Nr.4650, datë 09.03.1970 dhe më pas nga Ligji Nr.8771, datë 19.4.2001 “Për kufirin në Republikën e Shqipërisë” praktikisht nuk përbën ndonjë pretendim të tepruar të Shqipërisë. Por, edhe nëse kjo do të ishte e vërtetë, siç pretendon SHBA-ja, gjashtë trekëndëshat nuk kanë efekt në lirinë e lundrimit në det të hapur.

Po ashtu, teprimi i pretenduar nga SHBA-ja për rreth 114 km2 det territorial përbën vetëm 2% të hapësirës së detit territorial të Shqipërisë, kjo sipas përllogaritjeve të bëra nga Departamenti i Shtetit të SHBA-së. Praktikisht mund të themi se Republika e Shqipërisë është tërhequr nga dy pretendime të tepruara (gjerësia e detit territorial dhe e drejta e kalimit paqësor) duke ndryshuar legjislacionin në përputhje me të drejtën ndërkombëtare të detit (UNCLOS 1982). Për sa i përket vijës së drejtë bazë, vlerësoj që kundërshtimi i SHBA-së nuk ka qenë i justifikuar dhe pozicioni i Shqipërisë ka qenë plotësisht në përputhje me të drejtën ndërkombëtare të detit (UNCLOS 1982). Në vlerësimin tim, Republika e Shqipërisë nuk ka më kundërshti juridike detare me SHBA-në.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama