Hipnotizuesi Etrit Berisha

Hipnotizuesi Etrit Berisha

Etrit Berisha ishte ndër lojtarët më të mirë të Lazio-s, në fitoren 4-1 përballë Chievo-s. Tri pikët e kryeqytetasve janë edhe meritë e portierit kuqezi, që kur rezultati i ndeshjes ishte 3-1, neutralizoi penalltinë e Alberto Paloschi-t, duke mos lejuar që miqtë të rihapnin sfidën. Pas këtij episodi, mediat italiane dhe opinioni sportiv në Itali e kanë cilësuar si një specialist të 11-metërshave. Një fakt që konfirmohet nga statistikat, pasi kjo ishte penalltia e katërt, në shtatë të ekzekutuara kundër, që Berisha e priti. Nga Ludogorets-i në Europë League, për të vijuar me neutralizimin e goditjes së Icardit në sfidën e Serisë A me Interin dhe sërish në Europa League kundër Rosenborg-ut. Etrit Berisha dhe 11-metërshat kanë një lidhje të veçantë. Përpara transferimit te Lazio, në periudhën kur luante me Kalmarin në Suedi, 26-vjeçari ekzekutonte penalltitë, duke shënuar në kampionat e madje edhe në kualifikueset e Europa League.

Me penalltinë e dytë të pritur në këtë sezon, portieri i Shqipërisë cilësohet si kandidat për të thyer rekordin e gardianit të Interit, Handanovic, që në sezonin 2010-2011 kur luante te Udinese neutralizoi gjashtë 11-metërsha. Me pritjet e tij vendimtare, Berisha është kthyer në një prej elementëve kyç të Lazios. Edhe pse sipas spekulimeve të merkatos rreth portierit përflitej për një largim të mundshëm nga Seria A, lojtari i lindur në Prishtinë shfrytëzoi dëmtimin e Marchetti-t për të treguar të gjithë kualitetin, duke realizuar mrekulli të njëpasnjëshme.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama